FAKT/ Belinda shpenzon 400 mijë euro pë vizita mjekësore, tenderi zhduket nga sistemi i prokurimeve

0
162

Kompania shtetërore e kontrollit ajror, Albcontrol, ka lidhur, në muajin shtator 2015, një kontratë me Spitalin Amerikan për kontrollin shëndetësor të punonjësve të saj. Vlera e kontratës, me kohëzgjatje 1 vjeçare, është rreth 55 milionë lekë (400 mijë euro).

Prokurimi i shërbimit është bërë me tender të hapur, për të cilin kanë shprehur interes vetëm dy kompani, Spitali Amerikan dhe Montal shpk. Megjithatë, Montal nuk ka paraqitur ofertë ekonomike dhe është skualifikuar nga tenderi duke bërë kështu fitues automatik Spitalin Amerikan.

Oferta e paraqitur nga Spitali Amerikan ka qenë vetëm rreth 5 mijë lekë (50 dollarë) më e vogël se sa fondi limit i caktuar për këtë shërbim nga Albcontrol.

Spitali Amerikan ka qenë fitues edhe i kontratës për të njejtin shërbim për vitin 2014, por me nje vlerë më të ulët rreth 40 milionë lekë (rreth 300 mijë euro). Në vitin 2014, Spitali Amerikan ka qenë e vetmja kompani konkuruese dhe oferta e paraqitur prej tij ka qenë në mënyrë të çuditshme e barabartë deri në qindarkë me fondin limit të caktuar nga Albcontrol për shërbimin.

Shërbimi i kërkuar nga Albcontrol dhe proçedurat e prokurimit të tij ngjallin një sërë dyshimesh për abuzim me fondet publike dhe korrupsion.

Së pari, është e paqartë se pse Albcontrol duhet të ofrojë shërbim të kontrollit mjekësor për punonjësit e tij. Ky shërbim ka filluar vetëm pas ardhjes në pushtet të qeverisë Rama dhe emërimit në krye të Albcontrollit të ish shefes së tij të kabinetit në Bashkinë e Tiranës, Znj. Belinda Balluku.

Së dyti, kostoja e këtij shërbimi është marramendëse. Sikur secili nga rreth 400 punonjës të Albcontrol të përfitojë kontroll mjekësor falas, për secilin prej tyre do të shpenzohen rreth 1 mijë euro. Çfarëdo analizash të kontrollit të përgjithshëm që të përfshihen në paketë, kjo kosto është më e lartë edhe se në klinikat më të shtrenjta të botës.

Krahasuar me koston e shërbimit të kontrollit mjekësor të prokuruar nga qeveria në një tjetër kompani (shërbimi i check-up) kostoja është rreth 13 herë më e lartë.

Në një nga klinikat më të njohura të kontrollit mjekësor në vend, çmimi i publikuar për një kontroll komplet shëndetësor që përfshin analizat komplete të gjakut dhe urinës, analiza SGOT/SGPT, bilirubinë totale, analiza glicemie, analizë azotemie, analizë kreatinemi, eko të tiroideve, eko abdominale, kontroll EKG të zemrës, kushton nga 5 mijë deri në 9 mijë mijë lekë ose mesatarisht rreth 20 herë më pak.

Së treti, është e dyshimtë që për një shërbim kaq fitimprurës, sikurse duket më lart, nga qindra klinika të suksesshme dhe me kapacitete të mjaftueshme marrin pjesë në tender, një herë, vetëm dy kompani dhe një herë tjetër vetëm një kompani.

Në rastin e parë njëra nga kompanitë e paraqitura, Montal shpk, është kompani që nuk kryen fare analiza shëndetësore, por është kompani që tregton lëndë të para dhe materiale mjekësore në fushën e shëndetësisë. Ajo që e bën akoma më të dyshimtë përfshirjen e saj në këtë tender është fakti që Spitali Amerikan është një ndër klientët kryesorë të Montal. Një ndër shërbimet që Montal ofron për Spitalin Amerikan është mirëmbajtja e pajisjeve të dializës dhe furnizimit me solucione dialize. Me fitimin e kontratës 10 vjecare konçensionare për shërbimin e dializës nga Spitali Amerikan rëndësia e këtij klienti për Montal rritet në mënyrë të ndjeshme.

Së katërti, është rastësi e çuditshme që edhe pse fondi limit nuk publikohet, oferta e Spitalit Amerikan ka qenë në të dyja herët praktikisht e barabartë me fondin limit të caktuar për shërbimin.

Së pesti, është e pashpjegueshme që kostoja e shërbimit nga viti 2014 në vitin 2015 është rritur me mbi 33 përqind, nga rreth 300 mijë euro në rreth 400 mijë euro, pra totali i dy tenderëve 700 mijë euro.

Së gjashti, procedura e prokurimit është fshirë, në kundërshtim me ligjin, nga baza e të dhënave online e Agjensisë së Prokurimeve Publike. / HashtagAL

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here