Ekskluzive/ KLSH gjen “lumë” shkeljesh në zbatimin nga Erjon Veliaj të projektit të Unazës së Vogël

1
211

images

 

– Bashkia e Tiranës shpërfill rregullat dhe ligjet në fuqi, dëmton interesat e mjedisit, pronarëve, monumenteve të kulturës, normat për ndërtimet. A do të reagojë Prokuroria?

 

 Ervin Kaduku

 

 

Ka konstatuar një numër të konsiderueshëm shkeljesh Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditimin e kryer për periudhën 01.01.2013 deri më 25.03.2016 nbë Bashkinë e Tiranës lidhur me realizimin e projektit të Unazës së Re. Fjala është për një projekt, me të cilin kreu i Bashkisë së kryeqytetit po mburret mjaft, por, pas të cilit fshihet një mori parregullsisht dhe syhkeljesh ligjore, që mund të kërkojnë edhe ndërhyrjen e organeve ligjzbatuese.

Dosja teknike e objektit: “Ndërtimi, rikonstruksioni dhe rinovimi i unazës së vogël, Tiranë (Segmenti Banka e Shqipërisë-Ushtari i Panjohur”, Bashkia Tiranë, e cila u auditua rezultoi me mangësi në dokumentacion; projekti i shpronësimit nuk ka marrë miratimin e Titullarit të Bashkisë Tiranë, por vetëm të Këshillit Teknik të saj (Vendimi nr. 7/1, datë 11.12.2015), vetëm projektidea mban nënshkrimin e Kryetarit të Bashkisë, por është e pashoqëruar me vendim apo shkresë, si dhe është pa numër e datë protokollimi; nuk ka Vendim Këshilli Bashkiak për miratimin e projektit dhe nuk ka dëgjesa publike lidhur me marrjen e mendimeve të grupeve të interesit, për realizimin e tij dhe interesin publik të veprës, nuk ka VKB për miratimin e vlerës së projektit, veprime këto në kundërshtim me ligjin. Projekti është duke u kryer pa një vendim për miratimin e lejes zhvillimore dhe me mungesa të miratimit nga disa institucione të ngarkuara me ligj, si dhe Projekti i investimit, është në kundërshtim me Planin e Përgjithshëm Vendor, miratuar në vitin 2013. Miratimi i tij është bërë pa ndryshuar Planin e Përgjithshëm Vendor të vitit 2013, për pjesën që i takon gjurmës së investimit, si dhe pa hartuar një Plan të Detajuar Vendor, veprime këto në kundërshtim me ligjin.

Projekti ndodhet në zonë Ansambël Monument Kulture dhe ndryshimi i gjurmës së zonës të shpallur si monumentale, bëhet vetëm me VKM, akt i cili nuk rezulton të jetë miratuar apo paraqitur për miratim në Këshillin e Ministrave. Po ashtu objekti i familjes P., si pjesë e zonës të shpallur monumentale, rezulton në mbrojtje paraprake, nga data 16.07.2015 dhe vazhdon me këtë status sipas shkresës datë 15.01.2016, fakte të pamarra në konsideratë nga bashkia dhe në kundërshtim me ligjin. Projekti është miratuar nga Bashkia Tiranë, kur nga Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri”, është bërë me dije urdhri për “Shpallje në Mbrojtje Paraprake”, të zonës ku do të zhvillohet ndërtimi i objektit. Sipas urdhrit për zonën nuk lejon asnjë lloj ndërtimi, duke shpallur disa objekte në mbrojtje paraprake dhe ndaluar çdo lloj ndërhyrje në gjendjen fizike të objekteve gjatë kësaj periudhe, fakte të pa marrë në konsideratë nga Bashkia dhe në kundërshtim me ligjin.

Projekti është nisur dhe është në proces zbatimi pa një vendim të Këshilli Bashkiak për miratimin e shpronësimit, si dhe pa mendime të grupeve të interesit, apo kryer dëgjesa publike mbi dobishmërinë e projektit dhe alternativave mbi vendosjen e gjurmës së tij, si dhe për uljen e kostos financiare të realizimit të tij (shpronësimit), veprime në kundërshtim me ligjin.

Për realizimin e investimit Bashkia Tiranë, ka lidhur kontratën e zbatimit të investimit me shoqërinë zbatuese, duke prishur objektet e liruar territorin, ende pa përfunduar procesin e shpronësimit të pronarëve dhe pa bërë kalimin në llogaritë bankare të vlerave financiare të shpronësimit, për secilin pronar të prekur nga shpronësimi, veprime në kundërshtim me ligjin.

Për realizimin e investimit, Bashkia Tiranë, për 7 pasuri, rezulton se ka bërë shpronësimin e pjesshëm të tyre, duke veçuar nga shpronësimi një pjesë të pronave. Për sipërfaqet e mbetura pa shpronësuar, nuk është marrë pëlqimi i pronarëve për realizimin ose jo të shpronësimit për pjesën e mbetur. Për këto pasuri nuk është një vlerësim pasuror për efekt shpronësimi, dhe as vlerësim funksionimi, pra nëse trualli i veçuar, mund të konsiderohet truall në zhvillim, pra nëse subjekteve pronare u lejohet ndërtimi mbi to, fakte të pa marrë në konsideratë nga bashkia dhe në kundërshtim me ligjin.

Për realizimin e investimit, Bashkia Tiranë nuk ka kryer apo dokumentuar verifikimin në terren të pasurive që preken nga investimi, pasi rezulton se ka disa objekte mbi një kat, ku katet e sipërme, nuk janë përfshirë në procesin e shpronësimit, parregullsi e krijuar si pasojë e referimit nga bashkia vetëm në konfirmimin ligjor të ZVRPP Tiranë për sipërfaqen e truallit dhe gjurmës së ndërtimit, veprime në kundërshtim me ligjin.

Për realizimin e investimit, Bashkia Tiranë ka vijuar procesin e shpronësimit, pa përcaktuar listën e pronave, pronarëve e bizneseve të cilët duhen zhvlerësohen apo personave të tretë që duhet të kompensohen për të drejtat e tyre mbi pasuritë pronë private që do të shpronësohen, veprime në kundërshtim me ligjin.

KLSH ka kërkuar dhënien e masave disiplinore, për 7 punonjës të Bashkisë si më poshtë: Gj.B. me detyrë Drejtor i Planifikimit të Territorit, T.T. me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Publike dhe Kryetari i Këshillit Teknik, M.K. me detyrë Përgjegjësi i Sektorit të Projektimit, pasi nuk ka një vendim Këshilli Bashkiak për miratimin e projektit dhe nuk ka dëgjesa publike; projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe më parë në Këshillin Teknik Bashkiak, është bërë pa pasur më parë ndryshimin e Planit të Përgjithshëm Vendor, pasi në planin ekzistues, konkretisht Loti 3, nuk është i parashikuar ndërtimi i tij në Planin e Përgjithshëm Vendor. Ky projekt është bërë pa hartuar Planin e Detajuar vendor për zonën ku do të ndërtohet. Po ashtu, nuk janë plotësuar kushtet e Këshillit Kombëtar të Territorit, sipas të cilit dokumenti i lejes së ndërtimit i jepet subjektit vetëm pas: plotësimit të dokumentacionit tekniko-ligjor, niratimit të VKM për pasuritë e shpronësuara, marrjes së konformitetit nga Ministria e Mjedisit dhe AKPT, pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë, për llogari të Qeverisjes Vendore. Po kështu, pasi objekti ndodhet në zonë Ansambli Monument Kulture, miratimi është bërë në kundërshtim më VKM nr. 80, datë 13.04.2000, e cila ka shpallur zonën Ansambël Monument Kulture, dhe është në kompetencë të Këshillit të Ministrave, që me propozim të Ministrisë së Kulturës të bëjë ndryshimin e statusit të kësaj zone.

Miratimi i projektit “Ndërtimi, rikonstruksioni dhe rinovimi i unazës së vogël, Tiranë, është bërë kur me shkresën nr. 7068, datë 16.07.2015 dhe nr. 71, datë 15.01.2016 të Ministrisë së Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri”, është bërë me dije urdhri për “Shpallje në Mbrojtje Paraprake”, të zonës ku do të zhvillohet ndërtimi i objektit, urdhër i cili nuk lejon asnjë lloj ndërtimi, duke shpallur disa objekte në mbrojtje paraprake dhe duke ndaluar çdo lloj ndërhyrje në gjendjen fizike të objekteve, gjatë kësaj periudhe. Nuk është marrë më parë një leje mjedisore për zhvillimin e objektit. Sipërmarrësi i punimeve ka nisur punimet pa u pajisur më parë me një leje të tillë, që vlerëson ndikimin e projektit në mjedis.

Projekti është hartuar dhe miratuar pa u miratuar më parë nga IMK (Instituti i Monumenteve të Kulturës) dhe Ministria e Kulturës, heqja nga lista e monumenteve të kulturës të një objekti 1 katësh, vendim i cili ka dalë vetëm më datë 18.02.2016, madje 4 ditë pasi kanë filluar dhe punimet e ndërtimit (datë 14.02.2015).

Ndërsa për S.D. me detyrë Kryeinspektori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, pasi leja e Këshillit Kombëtar të Territorit mban datën 12.02.2016, punimet kanë filluar më datë 14.12.2016, por pa u disponuar nga subjekti ndërtues një leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë. Ka vetëm një leje ndërtimi paraprake, të dhënë me kusht nga KKT dhe kur deri më tani asnjë prej kushteve nuk është plotësuar, duke lejuar firmën e ndërtimit të vazhdojë punimet në objekt; punimet e ndërtimit kanë filluar në datën 14.12.2015, pa u lidhur më parë një kontratë për mbikëqyrjen e punimeve. Nga Bashkia Tiranë nuk është bërë lirimi dhe dorëzimi i sheshit të ndërtimit, për lejimin dhe fillimin e punimeve të ndërtimit dhe nga sipërmarrësi nuk është bërë njoftimi për fillimin e punimeve. Po kështu, nuk është kryer asnjë konstatim ne terren për verifikim e dokumentacionit teknik për zbatimin e punimeve, duke lejuar kryerjen e punime pa leje ndërtimi dhe pa dokumentacionin përkatës i cili shoqëron dosjen teknike në kantier. Dhe nuk është marrë asnjë masë për ndërprerjen e punimeve dhe vendosjen e masës administrative “gjobë” për institucionin i cili nuk miratuar leje dhe sipërmarrësin e punimeve i cili është duke vepruar pa pasur një leje ndërtimore të miratuar nga Bashkia Tiranë. Është lidhur kontrata me shoqërinë dhe kanë filluar punimet e ndërtimit, madje duke u prishur disa nga objektet e miratuara për shpronësim, ende pa u finalizuar procedura e shpronësimit të pronave e pronarëve që preken nga ky investim, si dhe ende pa u bërë disponimi i sheshit të ndërtimit.

Kurse për I.N. me detyrë Drejtore e Përgjithshme, Juridike dhe Aseteve, E.N. me detyrë Përgjegjësi i Sektorit të Shpronësimeve dhe Sh.C. me detyrë Specialiste pranë Sektorit të Shpronësimeve, pasi nga ana e Bashkisë Tiranë, ka filluar procesi i shpronësimit, ende pa u miratuar nga Titullari i Bashkisë, projekti i realizimit të investimit. Nga ana tjetër, projekti i shpronësimit nuk ka marrë miratimin e Titullarit të Bashkisë Tiranë, por vetëm të Këshillit Teknik të saj (Vendimi nr. 7/1, datë 11.12.2015), vetëm projektidea mban nënshkrimin e Kryetarit të Bashkisë, por është e pa shoqëruar me vendim apo shkresë, si dhe është pa numër e datë protokollimi.

Gjithashtu, nuk ka Vendim Këshilli Bashkiak për miratimin e projektit dhe nuk ka dëgjesa publike lidhur me marrjen e mendimeve të grupeve të interesit, për realizimin e tij dhe interesin publik të veprës, po ashtu as VKB për miratimin e vlerës së projektit. Në vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 58, datë 30.12.2015 “Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2016-2018 dhe detajimin e buxhetit të bashkisë për vitin 2016”, sipas të cilit janë miratuar në parim projekte që kanë apo paraqesin nevojën për shpronësim, nuk rezulton të jetë përfshirë për miratim ky investim, si për miratim projekti ashtu dhe vlerë shpronësimi. Kanë filluar procesin pa disponuar fondet për realizimin e shpronësimit, pasi sipas shkresës datë 02.03.2016 të Ministrisë së Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit, kjo e fundit është kufizuar në: “Shprehemi parimisht dakord”, pra duke mos garantuar ekzistencën e fondit apo marrjen përsipër të tij, pra janë vijuar procedurat e shpronësimit pa patur të garantuar fondin financiar konkret të shpronësimit.

Për 7 prona/pasuri të cilat janë përfshirë në listën e pasurive të cilat preken nga shpronësimi, rezulton se pronarët e tyre kanë në pronësi 2343 m2 truall dhe 858.5 m2 objekt dhe preken nga shpronësimi për një pjesë të pasurive dhe konkretisht për truallin prej 1303 m2 dhe objekt 756 m2, duke krijuar një diferencë në truallin e mbetur pa shpronësuar për sipërfaqen prej 940 m2 apo objekt për sipërfaqen prej 102.5 m2. Për këto diferenca nuk ka asnjë procedurë shpronësimi, zhvlerësimi apo kompensimi, apo nuk ka asnjë analizë e vlerësim se sa prej tyre janë apo mund të jenë të përdorshme, pas finalizimit të procesit të shpronësimit dhe lirimit të sheshit të ndërtimit.

Për pasurinë 7/13 edhe pse nga subjekti i drejtpërdrejtë i interesuar, është paraqitur, Certifikata e Pronësisë dhe Kartela e Pasurisë së Paluajtshme, ku konstatohet se objekti është godinë 3-4, Bashkia Tiranë, ka vijuar procedurat, pa kërkuar konfirmim nga ZVRPP mbi titullin e pronësisë të lëshuar prej saj dhe dokumentacionin referues, si dhe pa bërë verifikimet përkatëse në terren apo ZVRPP.

Për pasurinë 7/13, të llojit “Ndërtesë”, kati përdhe, është përllogaritur me vlerën prej 101,602 lekë/m2, sipas VKM nr. 138, datë 23.03.2000 dhe çmimeve sipas EKB, kur qëllimi i përdorimit të tij nuk është banim, por social ekonomik, pra përllogaritja e vlerës së shpronësimit nuk është e saktë.

Për pasurinë 7/13, të llojit “Truall”, procedura e shpronësimit dhe vlerësimit paraqet përsëri të njëjtën problematik, mospërfshirjes të gjithë sipërfaqes së pronës prej 1152 m2, por vetëm të pjesë që zë objekti (gjurma e investimit ose 886 m2), pra me diferencë prej 266 m2, ose 17,813,754 lekë. Janë marrë për bazë korrespondencat me ZVRPP, të cilat paraqesin të njëjtat problematika apo mangësi, pasi në asnjë rast nga ZVRPP nuk është bërë konfirmimi i sipërfaqeve ndërtimore, në tërësi, por vetëm të truallit, duke mos u përcaktuar numri i kateve, për secilin objekti, por vetëm sipërfaqja e gjurmës së ndërtimit. Janë kërkuar informacion të detajuar mbi pasuritë e llojit ndërtesë, si psh shtëpi banimi, njësi tregtare, bodrum, numër katesh etj, por janë mjaftuar me konfirmimet e paplota të ZVRPP, duke mos kryer verifikime, apo mbajtur procesverbale konstatimi nga terreni dhe hartuar relacione mbi gjendjen fakt-dokument. Po kështu është rekomanduar dënim me gjobë për 3 punonjës të Bashkisë Tiranë, si më poshtë: E.M. me detyrë Specialist në Drejtorinë e Planifikimit, në cilësinë e anëtarit të Njësisë së Hartimit të Dokumenteve të Tenderit; S.K. me detyrë Specialite në Drejtorinë e Prokurimeve, në cilësinë e anëtarit të Njësisë së Hartimit të Dokumenteve të Tenderit; M.C. me detyrë Pergjegjëse Sektori në Drejtorinë e Prokurimeve, në cilësinë e Juristit të Njësisë së Hartimit të Dokumenteve të Tenderit, pasi në hartimin e dokumenteve të tenderit të hapur me fond limit 139.906.796 lekë, u konstatuan shkeljet e mëposhtme ligjore: Nuk i kanë të argumentuara kërkesat e veçanta për kualifikim në lidhje me kategoritë e licencës; kërkesën për profesionet e drejtuesve teknikë në licencë ose punonjës me kontratë; mjetet e pajisjet teknike, që nevojiten për ekzekutimin e kontratës; punësimin mesatar i të paktën 100 personave, për periudhën janar 2014-nëntor 2015.

I rekomandohet edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Prokurimit Publik, të vendosë Përjashtimin nga procedurat e prokurimit të shoqërisë “V-E”, për një afat deri 2 vjet, pasi ka paraqitur të dhëna të rreme. Ndërkohë, i rekomandohet Kryeinspektorit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Vendor (IKMT) të vendosë masë administrative me gjobë në masën 200,000 lekë për S.D. nën cilësinë e Kryeinspektorit të Mbrojtjes së Territorit Vendor, pasi nuk është kryer asnjë konstatim në terren për verifikim e dokumentacionit teknik për zbatimin e punimeve; deri në datën 25.03.2016, janë kryer punime pa leje ndërtimi dhe pa dokumentacionin përkatës i cili shoqëron dosjen teknike në kantier.

 

Rritin taksat, por pakësohen të ardhurat?!

 

Rritja e konsiderueshme e taksës për tabelat reklamuese dhe identifikuese për bizneset e kryeqytetit, në fund të vitit që lamë pas, ka sjellë efekt bumerang në buxhetin e Bashkisë së Tiranës. Në rishikimin e bërë rreth dy javë më parë, vendim i cili është miratuar në Këshillin Bashkiak, në 5 muajt e parë të vitit kanë rezultuar ndryshime të konsiderueshme në mënyrën se si bizneset e përdorin tabelën identifikuese apo reklamuese në krahasim me vitin 2015. Kështu, nga evidentimi që Bashkia ka bërë në terren, rezulton se në planin e të ardhurave për vitin 2016 duhet të reflektohet një ulje prej 355 milionë lekësh, si rezultat i bizneseve që kanë zvogëluar tabelat identifikuese dhe 200 milionë lekë si rezultat i zvogëlimit të tabelave reklamuese nga sipërmarrjet. Që do të thotë se këtë vit, plani i të ardhurave nga kjo taksë do të përgjysmohet, duke u ulur në total me 555 milionë lekë, shifër që do të reflektohet edhe në buxhetin e dy viteve të ardhshme. Konkretisht të ardhurat nga tabelat identifikuese/sinjalizuese ishin parashikuar në masën e 360 milionë lekë, ndërkohë që me ndryshimet janë llogaritur në 5 milionë lekë. Ndërsa të ardhurat për taksën nga tabelat reklamuese ishin parashikuar në vlerën e 700 milionë lekëve, ndërsa tashmë janë parashikuar në 500 milionë lekë.

Në fund të vitit që lamë pas, në paketën fiskale u vendos që taksa për tabelat informuese deri në 2 metra katrorë, të ishte zero, ndërsa për hapësira mbi 2 metra2 të jetë në nivelin e 45 mijë lekë për m/2 në vit. Ndërsa taksa e tabelës për qëllime reklamimi, u vendos 45 mijë lekë m2 në vit për tabelat e thjeshta dhe 90 mijë lekë m2 në vit për tabelat elektronike.

 

Nga vijnë të huajt që investojnë në Shqipëri?

 

Numri i ndërmarrjeve me kapital të huaj në ekonominë shqiptare arriti në afro 6.000 në vitin 2015. Sa i takon origjinës së kapitalit, struktura e ndërmarrjeve të huaja në ekonominë shqiptare dominohet nga sipërmarrja italiane. Për vitin 2015, ndërmarrjet me pjesëmarrjen e aksionerëve italianë ishin 2.753 ose 46% e totalit. Italia ka një diferencë të thellë në raport me sipërmarrjet e vendeve të tjera, ku e dyta vjen Greqia me 11%, e më tej Turqia me 8% dhe Kosova me 7%. Krahasuar me vitin 2014, vërehet se ka një shtim sidomos të bizneseve kosovare, që kanë arritur në 411, në rritje me 62%. Ndërkohë, në rënie për vitin 2015 ka qenë numri i bizneseve me aksionerë amerikanë dhe britanikë. Ndonëse këto biznese së bashku zënë rreth 4% të numrit të ndërmarrjeve të huaja, numri ka rënë më tej gjatë vitit 2015. Struktura sipas aktivitetit për bizneset e huaja është e ngjashme me strukturën e përgjithshme të sipërmarrjes në Shqipëri dhe shumica janë të angazhuar në sektorët e shërbimeve. Afro 71% e bizneseve të huaja punojnë në shërbime, ndërsa ato ndërmarrje që punojnë në prodhim kryesisht janë të angazhuara në industri dhe më pak në ndërtim apo bujqësi. Rreth 72% e ndërmarrjeve të huaja kanë përmasa të vogla, me më pak se katër individë të punësuar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

  1. Shkeljet qenkan aq shume, sa lodhesh duke i lexuar. Keta njerez ne krye te puneve dine te bejne mire vetem nje gje- te shkelin me dy kembet ligjet e shtetit. C’duhet bere me gjithe keto shkelje, ku me e renda eshte shkelja e te drejtave te pronareve!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here