Intervista e dytë me Marjan Rrokun: Një moment të ndryshon gjithë jetën

0
154

Rudina Xhunga-Përshëndetje Marjan. E nisim nga intervista e parë. Kur është realizuar intervista me Ardit Gjebrenë?

Marjan Rroku- Intervista me Arditin është realizuar me datën 27 maj dhe e mbaj mend ekzakt datën, sepse është data e ditëlindjes false që kam pasur në Amerikë dhe ka qenë një koincidencë.

Në cilin vit?

Vjet është realizuar dhe është bërë në një kohë, kur unë e kisha futur kërkesën në Gjykatën e Lartë. Sipas avokatit tim, unë prisja që Gjykata e Lartë, nga tetori apo nëntori, të mblidhej për ta shqyrtuar çështjen time.

Unë jam menduar shumë për ta dhënë këtë intervistë me Arditin. Arditi ka ardhur dy ditë përpara, ka qenë e hënë, me datën 25 dhe tha se kishte studiuar disa dosje, disa nuk kishin pranuar. I thashë që do mendohem, nuk kam dhënë përgjigje direkt dhe pasi u mendova pak, pranova, por atë ditë kemi rënë dakord me Arditin që të mos e hapnim fare çështjen e 29 marsit, kur është bërë ky krim. I thashë se nuk doja ta hapja dhe atij i dhashë arsyen që kam probleme me Gjykatën, se do dilja në Gjykatë dhe nuk doja se flisja, sepse e dija që do hapja plagë. Më pas e mendova dhe thashë që në qoftë se do të japim një emision ku do tregohet kush ishte Marjani dhe kush është sot, e pse ndodhi gjithë ky ndryshim me të. Domethënë, Marjani ishte një njeri me karrierë, me shkollë ndërsa sot një Marjan me burgim të përjetshëm dhe po të dëgjosh atë që thotë Çerçiz Topulli, “ja vdekje, ja liri”, është pothuajse i vdekur aty-aty. Thashë pse ndodhi gjithë ky ndryshim? Gjithë ky ndryshim ndodhi sepse një moment Marjani nuk e parandaloi, e humbi dhe ky moment, thashë, si mund të shpjegohet pa nxjerrë 2-3 fjalë për të ilustruar çfarë ndodhi në atë ditë. Po ta shikosh atë intervistë prapë, nëse Marjani bilbilon për çdo detaj, kur flet për atë ngjarje ngurron. Jo se isha duke mbajtur sekrete, por po mundohesha ta frenoja veten të flisja sa më pak për ato se janë viktima dhe nuk është mirë me fol.

Por ti fole, viktimat u prekën, unë intervistova më pas Ornelën, motrën e Aldës, e fyer, e mërzitur, e prekur, takova njerëzit e saj dhe për më tepër lexova shumë komente të cilën ishin prekur nga dalja jote.

Këto komente, është realiteti shqiptar, që për fat të keq, duan ta marrin një të keqe dhe ta zmadhojnë. Ne deshëm vetëm një mesazh, të paktën unë, por mendoj që kështu edhe Arditi që: burgu është i keq, pra mos bini në burg sepse shkaktoni këtë apo atë. Një lloj ilustrimi do jepej në atë intervistë.

Mesazhi ishte emocional për familjen tënde, jo për familjen e viktimave.

Absolutisht, unë nuk kisha nevojë për të përcjellë emocione fare. Në qoftë se unë futa djalin tim në atë mes ishte për t’i treguar njerëzve që, hej, nuk është jeta mrekulli këtu, je ndarë nga yt bir dhe është humbje e madhe burgu, desha të jap një thirrje njerëzve jashtë, që të kenë kujdes nga burgu. Ti do pyesësh pse më zgjodhi mua Arditi?! Po kë të zgjidhte? Ja do zgjidhte një njeri që ka hyrë për energjinë elektrike. Do e pyeste për çfarë ke hyrë në burg? E ai do i përgjigjej, për 2 mijë lekë. Po këtu po vjedhin nga 2 milionë e nuk po i fut njeri në burg. E cili do ishte mesazhi pastaj? Qeveri e poshtër. Po ky mesazh është çdo ditë në televizor. Apo do merrte dikë tjetër, me 4 fëmijë në shtëpi, që ka hyrë në burg për vjedhje. Uau, çfarë të bën fëmija, nuk ta bën as Perëndia. E çfarë mesazhi ishte? Vështirësi ka populli shqiptar, çdo ditë ke nga një mesazh të tillë. Apo do merrte një njeri që është në burg për gjakmarrje se i kanë vrarë babanë.

 

Po mesazhi yt cili ishte atëherë?

 

Mesazhi im ishte që duhet të ruhen momentet, që duhet të kenë kujdes se një moment mund të të ndryshojë jetën dhe momente të tilla kam unë, ke ti, ka çdo njeri në jetën e përditshme në radhën e bukës, në radhën e qumështit, në trafik. Pra ne duhet ta frenojmë atë moment sepse për atë moment po vriten çdo ditë njerëz në Shqipëri dhe po ngatërrohen, pse më pe, pse e pe, pse ma the, pse s’ma hape rrugën etj. Pra, kur tregon historinë e Marjanit, sesi jeta e tij ndryshoi nga i suksesshëm në një njeri i mbaruar, kur sheh sesi ky është ndarë nga fëmija, që u keqinterpretua, atëherë dikush i thërret trurit.

 

Pa kthehemi pak tek ajo koha kur ti i kishe të gjitha. Kur u fute në SHIK. Pse në SHIK, kishe miqësi me Fatos Klosin apo ishit të afërt?

 

U futa në SHIK se në shkollën time kisha Fatos Klosin. Ne jemi njohur sepse e kisha profesor dhe Fatos Klosi nuk më ka bërë ndonjë nder. Unë ia di për faleminderit që më ka besuar, por fjala e tij ka qenë kështu: Marjan, ti je i disiplinuar dhe inteligjent. Unë kam qejf të punoj me njerëz si ty dhe po deshe të vish, hajde. Aty kam filluar punën në SHIK, e nisa me një trajnim me oficerët më të mirë të shërbimit shqiptar, italian, gjerman dhe pastaj kam bërë dy vjet trajnim intensiv me CIA-n amerikane për kundërterrorizmin.

 

Ku?

 

Gjithandej.

 

Domethënë, ti befas shkove në majë të gjërave.

 

Befas në majë jo sepse, por të gjithë të huajt që kanë marrë raportimet e veta në SHIK kanë thënë që ky një njeri inteligjent dhe të gjithë e kanë qenë pozitive sepse nuk është kollaj ta mbash atë vend pune. Fatos Klosi nuk e kishte marrë atë institucion për t’i bërë nder miletit, por për të ndërtuar një institucion dhe në qoftë se nuk e meritoje për t’u ngritur në karrierë, atëherë nuk të merrte.

 

Cila ishte puna jote ekzaktësisht?

 

Kemi qenë një grup i fshehtë që merreshim me antiterrorizmin, por pastaj kur ky projekt mes shërbimit amerikan dhe shqiptar u mbyll atëherë ne në fund të 2000-shit u futëm në SHIK sepse u shkri kjo strukturë dhe aty kam punuar në degën e burimeve të hapura deri ditën e fundit, ku madje nga puna ime do emërohesha drejtor në degën e burimeve të hapura.

 

Para se të ndodhte krimi?

 

Ato ditë, madje edhe sipas dokumenteve unë isha pushim me leje të zakonshme dhe e vetmja arsye pse kam shkuar në mëngjes atë ditë ishte se prisja që profesor Klosi të vinte të bënte emërimin tim dhe më dukej serioze që ai të vinte kur unë te isha me leje të zakonshme.

 

Puna jote ishte jashtë, kishe pushtet, kishe para. Këtë dua të kuptoj, momentin e arrogancës njerëzore që ti fillove të ndjeje befas.

 

Absolutisht. SHIK-u i Fatos Klosi nuk ka pasur arrogancë aspak, duhet kuptuar kjo që SHIK-u i Fatos Klosit vinte nga SHIK-u i Gazidedes. Në qoftë se SHIK-u i Gazidedes ishte më lartë nga struktura të tjera, si çdo gjë në Shqipëri këtu kapardisen, SHIK-u i Fatos Klosit, ishte ndryshe. Aty punuam thjesht sepse e ndjemë për të bërë një punë, jo se e kisha në gjak spiunllëkun. Kur i hyn një pune bëje mirë ose mos e bëj fare dhe ky është koncepti im në jetë, që çfarë të bësh, bëje mirë ose mos e bëj fare.

 

Por të gjithë të lavdëronin, të gjithë flisnin mirë për ty, ishe i kënaqur me veten, ishe i pushtetshëm.

 

Nëse flasin mirë, atëherë ndihesh mirë, por jo se ke pushtet, jo se ke influencë mbi ta.

 

Sepse të gjitha gjasat të çojnë në faktin që kur ti takon një vajzë si Alda, ndjehesh i pushtetshëm, i ke të gjitha ndërsa ajo është një fëmijë, një vajzë minorene e cila nuk mund të thotë jo ty. Kjo është logjika e një njeriu që lexon dosjet.

 

Kjo është një logjikë e një njeriu që e sheh komplet nga jashtë, por një njeri që e sheh nga brenda është ndryshe. Nuk tregova unë pushtet ndaj Aldës, por tregova një mirësi të tepruar me Aldën që t’i plotësoja çdolloj teke.

 

E doje Aldën?

 

Nuk ishte punë dashurie.

Por të gjithë shokët e tu në gjyq thonë që ishte punë dashurie.

 

Ka qenë shumë më e thjeshtë për ata për ta interpretuar dhe ndoshta ka qenë shumë më e thjeshtë për mua për ta pranuar në heshtje diçka të tillë, sepse ndryshe nuk kishe si i jepje shpjegim sesi ky 26 vjeçar ndërsa ajo 16 vjeçe kalojnë kohën bashkë. Ne kemi kaluar kohë në bibliotekë, kemi kaluar kohë në park, kemi kaluar kohë gjithandej.

 

Kujdeseshe për të?

 

Absolutisht.

 

Pse?

 

Ku di unë, mbase vjen nga ajo që, unë si më i vogli nga gjashtë fëmijët e familjes sime, mu duk fëmijë i lezetshëm, si një motër e vogël dhe aty ishte një ndjenjë që për momentin, t’ia shpjegoja shokëve të mi, le që nuk pyeste njeri në atë kohë, do dukesha si budalla. Prandaj kjo punë u mor sikur ne të dy ishim të dashur. Për mua, Alda ka vdekur vajzë dhe nuk kemi pasur asnjë lloj marrëdhënie intime me të.

 

Më fal, kjo rëndon edhe një herë gjithçka. Ti ke vrarë një njeri që e doje si motër?

 

Epo ky shpjegimi që bëjmë ne ‘me gjurmët e ujkut, pa pyetur ujkun’, këto e kanë çuar çështjen këtu, në këtë interpretim.

 

Ja ku jemi këtu. Çfarë ndodhi me Aldën?

 

Për të shpjeguar Aldën duhet të hysh në detaje si e krijuam shoqërinë.

 

Hyr, sepse unë nuk kam pyetje. Pyetja ime është për njeriun që ti doje. Domethënë, në bindjen time, është që ti e doje këtë vajzë e cila të tha jo. Ndërsa ti më thua që e doje si motër.

 

E doja si motër dhe jam kujdesur për të në çdolloj aspekti. Arriti një moment që ajo më përdori, në kuptimin që ma punoi keq për diçka dhe unë u ndjeva i ofenduar dhe nga kjo i kam rënë thjesht nja dy shpulla një ditë.

 

E ke qëlluar Aldën?

 

Po, por është një histori e gjatë. Nga kjo është kthyer më pas çdo gjë dhe me Aldën nuk kemi pasur më punë vetëm ne të dy, por është futur Ornela, e ëma, i ati, ky e ai. U bë një qorrsokak atje që…

 

Ne nuk mund t’ja bëjmë pa e treguar çfarë ka ndodhur. Kush qe problemi, çfarë ndodhi me Aldën?

 

Është një histori e gjatë, që fillon në 2001 dhe ka qenë një histori që nuk kam dashur ta hap, faktikisht, sepse flitet për dy të vdekur dhe nuk është kollaj të flitet për to sepse nuk ishte se ato ishin të pastra komplet dhe gjithë faji ishte i imi apo as e kundërta. Gjithmonë kur ndodh një ngjarje e shëmtuar si kjo, është se të dyja palët kanë bërë disa budallallëqe se ndryshe do i kishim lëshuar rrugë njeri-tjetrit dhe për to nuk kam dashur të flas kurrë keq. Kjo është arsyeja që nuk e kam hapur deri më sot këtë histori dhe kam ngurruar shumë sepse edhe ato kanë bërë disa gjëra që mund të mos jenë krenarë ashtu si edhe unë të miat, por nuk kam dashur t’i lëndoj apo t’i hap historinë e tyre në asnjë lloj mënyre.

 

Problemi është se përderisa do flasim, duhet të flasim deri në fund, për aq sa mund të thuhet, për aq sa është fundi sipas teje sepse fundin e tyre ato e morën në varr. Kush ishte Alda për ty?

 

Po e filloj qysh në vitin 2000, në semestrin e shkollës që është 2000-2001, po kalonim një herë rastësisht unë me shokët e mi në rrugën e Elbasanit dhe takuam dy elbasanllie që njiheshin atje, thanë kemi një ditëlindjen tek ‘Refleksioni’, ka qenë një disko të hyrja liqenit.

Unë pashë një vajzë shkodrane tek “Refleksioni” dhe për t’u njohur më mirë me të, sepse ka qenë ajo ndrojtja atëherë, shkova tek Qyteti Studenti meqë ato jetonin atje. Aty ky shoku im Skerdi njihte Blerinën, shoqen e dhomës të Aldës.

Kështu filloi shoqëria jonë, por kjo shoqëri u zgjat më tepër saqë në çastin që Alda shkonte i thoshte disa fjalë asaj, ajo më thoshte disa fjalë mua, u duk sikur më tepër u larguam në atë kohë me atë vajzën sesa u afruam, ndërkohë që e ruajtëm shoqërinë me Aldën, Ornelën, Blerinën dhe shoqet e tyre. Këtë shoqëri e kemi ruajtur nga fundi i vitit 2000 deri në fund të semestrit të parë të vitit 2001.

 

Po, sepse kishe interes të të njihnin me vajzën tjetër.

 

Jo, iku muhabeti asaj vajzës, thjesht po ruanim shoqërinë me to sepse në atë kohë kjo puna me CIA-n amerikane u zbeh pak dhe kisha kohë të lirë dhe harxhonim kohë tek Qyteti Studenti. Alda filloi duke u llastuar sepse çdo tekë që kishte unë ia plotësoja dhe i ngacmonte të gjithë dhe shokët e tjerë po i largonte. Në atë kohë unë kam shkuar dhe kam studiuar me Aldën në ‘peshkopat’ tek libraria e Qytetit Studenti, ne e quanim ‘peshkopat’, ku i shpjegoja matematikë sepse ishte shumë keq, i kishte dalë 6 apo 5 më duket, diçka e tillë. Kjo kohë që po shpenzoja unë me Aldën më tepër se me të tjerët, sepse edhe ata nevrikoseshin, është interpretuar si një lidhje dashurie, por jo, ka qenë thjesht një shoqëri.

 

Atëherë pse të denonconin prindërit e Aldës?

 

Denoncimi ka ndodhur shumë më vonë. Po flas për fundin e vitit 2001 në qoftë se mua më qëlloi për të shpenzuar pak më shumë kohë me Aldën, ishte kjo. Ngaqë unë e llastova shumë, të tjerët nuk po i duronin tekat e saja dhe largoheshin. Më ka qëlluar një herë kur kemi shkuar në plazh dhe kjo i ngacmoi pothuajse të gjithë derisa ata na lanë vetëm ose në lulishte disa herë. Të gjithë ma vinin fajin mua se Marjani e ka llastuar Aldën. Mbase prandaj nuk i dhanë kuptim tjetër përveç dashurisë se ndryshe pse duhej ta llastoja Aldën dhe është e vërtetë që të gjitha tekat e asaj fëmije, se fëmijë ka qenë në atë kohë, unë i plotësoja. Ku di unë, kalova nga ai që bëja mirë, në një idiotllëk dhe në pushimet e vitit 2000, kur Alda iku për pushime dhe unë fillova punën në SHIK, atëherë i shkëputa të gjitha lidhjet me vajzat. Pastaj në semestrin e dytë të vitit 2000, aty filluan problemet.

 

Çfarë problemesh ishin këto, të cilit tip?

 

Fillova punën në SHIK dhe isha atje me punë. Alda erdhi në shtator sepse shkolla e mesme hapej në shtator. Ajo filloi duke ardhur në SHIK dhe më kërkonte atje, kërkonte më shumë shoqëri, por unë nuk kisha më interes, iku ajo punë. Pra, me shkodranen nuk u lidha, me Aldën i thirra trurit, me këto llastime thashë do i vë njëfarë caku, plus që kisha punën time në SHIK. Kështu që nuk shkoja më në Qytetin Studenti. Pra, Alda vinte në SHIK më kërkonte mua që të shkoja tek Qyteti Studenti. Por asnjëri prej nesh nuk shkonte më tek Qyteti Studenti. Pastaj erdhi me një variant tjetër, duke kërkuar gjëra si libra, fletore, gjëra për shkollë.

 

Por ishit miq, nuk kishte gjë.

 

Absolutisht, nuk ka asgjë. Unë prandaj ia kam plotësuar të gjitha, por problemi është se kjo filloi duke kërkuar më shumë, më shumë dhe mu duk sikur po më shfrytëzonte për të kërkuar një justifikim për të më takuar mua.

 

Mendoje që ajo të pëlqente, kishe idenë që ajo të pëlqente ty?

 

E shikoja që donte të vinte të më takonte.

 

Por ajo ishte fëmijë.

 

Absolutisht, por ka qenë një moment që më ka bërë të kthej trurin tim. Gjatë kësaj kohe kjo thoshte pse nuk vjen në Qytetin Studenti, më thoshte hajde më mëso prapë tek ‘peshkopata’ siç më ke shpjeguar më parë se nuk jam mirë me mësime. Ka qenë një moment që kam bërë edhe një budallallëk tjetër atëherë. I thashë nuk vij më tek ‘peshkopata’ apo te Qyteti Studenti. Më mëso tek Biblioteka Kombëtare, më tha. Mirëpo Alda nuk lejohej në Bibliotekën Kombëtare sepse nuk i kishte mbushur 16 vjeç dhe për këtë kam shkuar unë, oficeri i SHIK-ut, tek busti i Enverit ku bëheshin dokumentet false dhe kërkova një dokument për të treguar që kjo është 16 vjeçe. I vetmi dokument që kishin ato, se nuk kishin certifikata apo letërnjoftime, ishte një patentë dhe unë i pata bërë një patentë Aldës dhe me atë patentë u lejua të shkonte tek Biblioteka Kombëtare dhe kemi shkuar shpesh atje ku unë i kam shpjeguar matematikën sepse ishte keq. Pra kemi shpenzuar kohë në Bibliotekën Kombëtare.

Shkojmë te momenti që të ka nxehur ty.

 

Një ditë më thotë, Marseli më ka marrë një televizor dhe nuk ma jep. Po pse, e pyes unë?! Nuk e di, thotë ajo, nuk ma jep. Shkova një ditë në Kamëz dhe prapë nuk ma jep televizorin. Dakord, i thashë, po shkoj t’ia kërkoj unë. Jo jo, jo t’ia kërkosh, por ta rrahësh Marselin. Tani, të shkoj unë të rrah çunin e huaj kot më kot, nuk ma kishte kërkuar ndonjëherë dhe sikur nuk kishte kuptim. Vazhdova unë duke i thënë që po shkoj t’ia kërkoj, ajo vazhdonte të thoshte, jo, rrihe. Aty sikur i thirra trurit. Ngaqë unë ia plotësoja të gjitha tekat kësaj, mënyra sesi ma solli muhabetin ishte sikur unë do shkoja ta rrihja djalin kot më kot. Kishte krijuar atë idenë që unë mund të bëj çdo gjë për atë, edhe qorrazi. Aty më lindi njëfarë dyshimi dhe i hipa autobusit të Kamzës. Shkova atje, e dija se në çfarë fakulteti ishte, nga muhabetet e Aldës. E kërkova Marselin dhe u ula me të në tavolinë. Pak a shumë edhe ai më kishte dëgjuar si emër sepse nga muhabetet, Marseli me disa shokë të vet po ruante shoqërinë me vajzat në Qytetin Studenti kurse Alda vinte te SHIK-u. Marseli më thotë, jo Marjan,nuk ia kam marrë televizorin, por ma ka dhënë vet. Po pse thotë ajo që ia ke marrë e nuk ia jep? Ai më përgjigjet që nuk ka mundësi sesi unë të kem shkuar tek dhoma e saj, ajo gënjen, thotë, ajo është gënjeshtare sepse më ka dhënë këtë e atë. Unë vazhdoja dyshoja, me idenë që i besoja Aldës, por prapë fjalët e tij bënin sens. Ai vazhdonte, një herë më ka dhënë një makinë llogaritëse. Mu kujtua makina llogaritëse dhe i thashë se Aldës i duhej për shkollën e vet makina llogaritëse. Ai më thotë, makinë llogaritëse me sinuse, kosinuse, në vit të parë të gjuhëve të huaja?

 

Kjo të nxehu ty?

 

Kjo më nxehu jo se kisha gjë me Marselin se me atë u ndava me një faleminderit që më takove, ditën e mirë.

 

Pse e përmend Marselin më pas në letrën që dërgove, pas vrasjes?

 

Atë letrën nuk e kam dërguar unë, por mbase do vijë koha.

 

Ma thuaj tani. Nuk është letra jote ajo?

 

Absolutisht jo.

 

Po kush e bëri atëherë?

 

Atë ndoshta më vonë do ta tregoj se më duket sikur po shkëputem shumë e po kaloj në një degë tjetër. Atë as Gjykata nuk e ka thënë që e kam bërë unë. Ka dy vendime gjykate këtu dhe asnjëra prej tyre nuk pranon atë letër që është e imja.

Por e kisha fjalën te kjo. Unë u nxeha me Aldën për një gjë, që kishte arritur deri aty sa të më konsideronte mua aq idiot, që unë më tepër sillesha mirë, sa unë të shkoja të rrihja djalin e huaj për kot. Atë ditë u nxeha me të njësoj sikur të nxehesha me një motër të vogël, por në ndryshim nga një motër e vogël që nxehesh e nuk ke ku e çon, me Aldën unë nuk kisha ndonjë lidhje gjaku prandaj nxehesh dhe e lë, ikën. Atë ditë nuk e di ku kam shkuar nëpër Tiranë, kam shfryrë ato nervat e mia, aq sa ishin se Alda ishte 16 vjeçe, unë isha 10 vjet më i madh se ajo, 26 vjeç. Por kur shkova në shtëpi tek Shkolla e Kuqe, se edhe Alda e dinte pak a shumë se ku jetoja se kur e përcillja ia kisha treguar, e gjej atë aty, përballë Shkollës së Kuqe. Ajo po më priste aty dhe më tha: Hë, pse erdhe kaq vonë? I thashë, isha te Marseli. Ajo më pyet: E rrahe? Po, e rraha iu ktheva, dhe pam pam, ia futa dy shpulla dhe i thashë, ik mos të të shoh më bojën. Kaq ka qenë me Aldën ajo natë që përshkruhet këtu o Zot, një tragjedi. Alda iku dhe unë nuk e kam parë më atë natë, i shfryva ato nervat e mia dhe kaq ishte. Të nesërmen kam vazhduar jetën normale në SHIK, por të nesërmen filloi prapë një histori tjetër. Unë fillova se u mbyll me Aldën, por filloi një histori tjetër. Të nesërmen më thërret në zyrë Fatos Klosi. Unë shkova gjithë dëshirë, se thashë kushedi ka ndonjë problem pune. Shkoj tek zyra e Fatosit dhe aty gjej një grua. Fatosi, e mbaj mend si tani, për herë të parë më tha: Çfarë na ke bërë more Marjan? Çfarë kam bërë, i thashë?! Si çfarë ke bërë, më tha, ke marrë një vajzë 15 vjeçare, e ke çuar tek shtëpia dhe e ke rrahur. Në atë moment mu kujtua dhe i them që nuk është e vërtetë. Ai insistonte, e ke marrë, e ke çuar në shtëpi. Nuk e kam marrë, i kthej përsëri përgjigje, nuk e kam çuar unë tek shtëpia, e gjeta aty dhe ajo është një shoqja ime. Çfarë i bëra, e përdhunova? E mbaj mend si tani fjalët që i thashë. Mënyra sesi iu hodha unë atij sepse më erdhi e papritur, ai e kuptoi që aty kishte diçka dhe i tha kësaj gruas: Shko moj Vera dhe sqaroje këtë punë. Me kaq u ndamë me Fatosin dhe duke dalë me këtë gruan, kjo mu prezantua dhe ajo ishte Vera Halili, Shefja e Personelit në SHIK, pra kjo ishte për të kontrolluar figurën e punonjësve. Zbrita poshtë me Verën dhe ia shpjegova me pak fjalë, por nuk i shpjegoja dot që kështu e kam pasur muhabetin me Aldën, kështu kemi dalë, ashtu ma ka hedhur sepse as nuk doja ta nxirrja Aldën keq dhe as nuk doja ta nxirrja veten si budalla, se ku kisha përfunduar me shfrytëzu një fëmijë. Kjo tha, dua të marr edhe versionin e palës tjetër, ku mund ta takoj. Tek Qyteti Studenti, i thashë unë. Më thotë, në rregull, por unë dua ta takoj vetëm, pa prezencën tënde që të mos i bësh presion. I thashë se Sula, një shok i imi, i njeh ato. E thërritëm Sulën dhe kemi hipur në makinë unë, Vera, Sula dhe shoferi i SHIK-ut dhe shkuam tek Qyteti Studenti. Kur shkuam tek godina 9 a 10, nuk e mbaj mend mirë, Vera më tha që ajo do i takonte vetë vajzat dhe më sugjeroi të ulesha tek kafja përballë sepse donte t’i takonte pa prezencën time. Ka shkuar, i ka takuar bashkë me Sulën, ndërkohë që unë rrija tek lokali përballë. Pasi bënë disa muhabete, më erdhën në tavolinë Ornela, Alda dhe Vera sepse mesa duket nuk ishin marrë vesh aty dhe i them Aldës: Ç’është ky denoncim që më ke bërë? Ti më rrahe, tha ajo. Po pse, nuk e meritoje, i them unë?! Ngeli. Pse nuk i thua këtyre arsyen pse të rraha? Çfarë do bësh me denoncimin, i thashë, do ta sqarosh këtë punë. Vera e pa që këtu ka diçka që nuk po tregohet. U ulëm me Aldën në një tavolinë tjetër dhe i thashë, Alda, çfarë do bësh me denoncimin? Ajo më thotë, pse ma bërë këtë punë. I përgjigjem, po ai muhabeti me Marselin që më bëre ti, gjithë ajo tallje, nuk ma ke punuar mirë? Për një shpullë që të rashë unë ti bën këtë. Jo nuk është puna aty, thotë ajo, por ti e ndave shoqërinë dhe unë dua të mbetemi shokë prapë. I përgjigjem, pas kësaj që më bëre kërkon te beshtesh shok me mua? Po, tha. Unë do e heq denoncimin në qoftë se ti vjen prapë me ne dhe sillesh siç je sjellë përpara.

 

Tani që kthehesh në kohë dhe ma tregon mua, nuk e ndjen që ajo ishte fëmijë? Sepse duket sikur ti ke akoma inat që ajo ta punoi për Marselin. Ajo ishte një fëmijë, ishte gjykimi i një fëmije.

 

Jo jo, nuk është kjo. Iku muhabeti Marselit, e mbylla me Marselin, madje të nesërmen nuk e prisja që Fatos Klosi të më thërriste për këtë gjë. Aty kishte ndodhur diçka tjetër, ato kishin bërë një denoncim.

 

Po, sepse e ke qëlluar.

 

Jo, sepse denoncimi nuk ishte që e kam qëlluar. Denoncimi ishte që e kam rrahur, i kam dhënë dokumente false, kam dashur ta çoj në Itali. Unë nuk ia dhashë për ta çuar në Itali, ia dhashë për në bibliotekë.

 

Por ia dhe ama.

 

Po prit, se unë të jap diçka për të rregulluar dhe ti më thua kam dashur për gjë tjetër. Unë nuk e konceptoj dot që të bëj një dokument që kjo vajzë të mësojë në bibliotekë, që është për të mirën e saj, dhe kjo thotë ka dashur të më çojë në Itali. Siç e thashë më parë, është vepra dhe motivi dhe ky ishte për një motiv të mirë, pavarësisht se unë bëra një budallallëk, që oficeri i SHIK-ut të marrë një dokument fals për një vajzë. Por unë ia dhashë për të mësuar në bibliotekë se ishte keq.

 

Në këtë moment, pse nuk mbyllet e gjitha? Ajo të denoncoi, ti e qëllove, u zhgënjeve dhe e gjitha duhej të mbyllej.

 

Në çdo moment unë po prisja të mbyllej. Pra, i thashë Aldës aty, a do ta tërheqësh këtë denoncim? Ajo tha, po erdhe ti. Unë i thashë që nuk kisha më punë me to, por në qoftë se nuk e tërhiqte, do thërrisja Faslli Canajn, babanë dhe do ia tregoja historinë. Kjo u përgjigj: Jo jo, mos e thërrit babin.

 

Po çfarë historie do i tregoje? Që të kërkoi të rrihje Marselin?

 

Për ato dy shpulla, pse e qëllova me ato dy shpulla se ato ishin sebepi dhe kjo tha jo, do e tërheq. Unë u ula në tavolinë prapë me Verën, Ornelën, Sulën, unë, Alda dhe ajo tha se do e tërhiqte denoncimin. Ornela, se ç’i pillte truri, tha jo jo, ta tregojë një herë Marjani pse e ka bërë këtë, pastaj do ta tërheqim denoncimin. Aty e kërcënova edhe Ornelën dhe i thashë do thërras babanë tënd këtu ose mbylleni këtë punë sepse më vinte zor prej Verës që ishte drejtoresha e personelit dhe unë isha si peshk aty. Të dy vajzat filluan duke diskutuar, duke e ngatërruar njëra-tjetrën, Alda thoshte ta tërhiqte denoncimin, Ornela thoshte jo,pa treguar se çfarë ka bërë. Unë i thashë do thërras Faslliun dhe në ato momente ndërhyn Vera, se iu duk sikur po i hidhja benzinë zjarrit dhe thotë: Dëgjo Marjan, ti rri këtu, ne do shkojmë me vajzat të flasim me policin. Kështu Vera, Sula, dy motrat bashkë me shoferin shkuan tek Komisariati numër 1 ku ishte bërë denoncimi dhe kanë takuar Ibrahim Hoxhën. Këtë histori ma ka treguar më vonë Sula se unë isha te Qyteti Studenti. Atje Vera me Sulën kanë mbajtur distancën, pa ndërhyrë në punët e policisë.

 

Megjithatë, parapërfytyro, dy vajza të vogla të shoqëruara nga tre punonjës të SHIK-ut, të frikësuara.

 

Po nuk i tha njeri këtyre tërhiquni, prandaj Vera ka mbajtur distancën. Në qoftë se do t’i nxjerrësh me zor këto të këqij, e bëjmë, por unë thashë të tregoj të vërtetë ashtu siç është. Sipas Sulës këto kanë mbajtur distancën dhe kanë parë diskutimet sepse kjo do mbajtur shënim për procesverbalet e veta. Tani kjo çfarë të bënte, ta mbante denoncimin për një muhabet kalamajsh?

 

Ato e tërhoqën denoncimin.

 

Ato kanë shkuar dhe e kanë thërritur Ibrahim Hoxhën dhe i kanë thënë që do ta tërheqim. Sula më tregoi që Ibrahimi nuk ka pranuar. Atëherë është hedhur Ornela duke insistuar: Unë jam e motra dhe dua t tërheq. Dhe Ibrahimi, këto janë fjalët e Sulës që më janë fiksuar në tru, i ka thënë: Ti nuk je as e ëma dhe as i ati, ti je fëmijë për vete dhe nuk ke të drejtë të tërheqësh këtë denoncim. Kështu ikën. Me sa kam marrë vesh më vonë, Ibrahimi nuk e ka mbyllur dosjen, por e ka lënë të hapur për investigime të mëtejshme se tek e fundit krim nuk ishte se e mori vesh që të gjitha këto ishin gënjeshtra. Pra, këtu u mbyll kjo gjë me Aldën.

 

Pse vazhdoi atëherë, çfarë kishte?

 

Pas dy javësh, isha duke pirë kafe te Qyteti Studenti për qejfin tim, në kat të dytë, jo në kat të parë ku e pija zakonisht. Vjen Alda sipër, ulet në tavolinë dhe më kërkon falje për atë që kishte bërë. Nuk ke çfarë kërkon falje, i them unë, ka mbaruar kjo punë, ma punove keq, unë të trajtova si motër ndërsa ti u talle me mua. Më fal që të kam lënduar, tha ajo, hajde bëhemi prapë shokë. Unë i thashë që jo, se ky muhabet është mbyllur. Ajo më përgjigjet, po u solle kështu, unë do vras veten. Në atë moment, se ku kishte marrë një hap, e pi në syrin tim, pastaj një tjetër, e pastaj një grusht.

 

I piu në syrin tënd? Çfarë hapash ishin ato?

 

Po, i piu në syrin tim. Nuk e mora vesh çfarë hapash ishin se ajo kishte një grusht plot. Pra, po thosha që kur futi një grusht me hapa në gojë, më zuri paniku dhe e kapa përdore. Aty ku po pija kafen unë, është afër me poliklinikën e Qytetit të Studentit. E marr përdore për ta çuar atje, por kjo thoshte më lër. Ashtu duke e tërhequr e çoj tek poliklinika dhe gjej doktorin e i them që ka pirë disa hapa. Doktori e shtriu në një nga shtretërit e spitalit dhe i thoshte: Nxirre të keqen, nxirre. Por ndërkohë kësaj filluan duke iu zbardhur sytë dhe mua më zuri paniku. I them doktorit, bëj diçka, por ai i thoshte Aldës vetëm, nxirre të keqen, futi gishtat të provokosh vjelljen. Kjo thoshte lërmëni te vdes, ndërkohë iu zgurdulluan sytë. Në atë moment i them doktorit të merrnin në telefon ambulancën, por duhet pasur parasysh që ishte viti 2001 dhe atëherë nuk kishte celular. E mbaj mend si tani, doktori doli rreth e rrotull e thotë, kush ka një biçikletë, ndërkohë që kësaj tjetrës po i rrotulloheshin sytë. Mua më zuri paniku, nxjerr kokën në dritare dhe shikoj rajonin e policisë që ishte 100 metra më tutje dhe për të bërë alarm, nxjerr pistoletën dhe bam bam, qëlloj në ajër, si budalla, e kapa Aldën në krahë dhe e pashë që policia veproi. Kështu zbrita poshtë.

Qëllove me pistoletë? Pse?

 

Për të lajmëruar policinë se kujtova që vdiq kjo, kësaj iu ishin zbardhur sytë.

 

Por në dokumentet e gjyqit më del që ke qëlluar me pistoletë në bibliotekë për të trembur Aldën.

 

Po leje dokumentet e gjyqit, unë po të them variantin tim, me dokumentet e gjyqit, të bëjë gjyqi çfarë të dojë. Unë po them që unë qëllova në ajër ditën që u helmua Alda dhe e kapa në krahë se kjo bënte sikur kishte mbaruar, zbrita poshtë dhe vrapova drejt policisë, ndërkohë policia po vinte në drejtimin tim. Ata për momentin kujtuan se mos kjo ishte qëlluar me armë, por kur hyra në furgon i kërkova të shkonim në ambulancë dhe i sqarova që jam punonjës i SHIK-ut dhe që vajza ka pirë disa hapa.

 

Pavarësisht çfarë të kishte bërë Alda, që të shqetësoi e mërziti shumë sa e qëllove, ti e doje akoma atë vajzë.

 

Po si jo, ishte njeri moj, ishte njeri Alda. Nuk ishte punë dashurie, por mund të shihja armikun tim ashtu e jo më Aldën që kisha kaluar aq shumë kohë me të. Vërtetë ma prishi qejfin, por ajo ishte 10 vjet më e vogël se unë, ishte fëmijë dhe unë e doja si motrën time.

Unë qëllova me pistoletë që të vinte policia për ta çuar në spital, e mora në dorë, e hipa në furgon dhe me shpejtësi të madhe ka shkuar një furgon drejt Spitalit Ushtarak. Spitali nxori një nga ato barelat, morën Aldën dhe policët më thanë do vish me ne se na ka thënë shefi të vish me ne. Kam shkuar tek rajoni i policisë numër 1 dhe aty më kanë lënë të pres në korridor. Ata kishin marrë disa të dhëna dhe kishin bërë lidhjen që ishte i njëjti incident me atë të para një jave ku gjasme unë e kisha rrahur, e motrat kishin shkuar për ta tërhequr denoncimin, tani ndodhi një helmim dhe ky gjuan me pistoletë, por ata e kishin të qartë këtë ngjarje, që unë gjuajta për alarm. Kjo ishte diçka pozitive, por kjo që kishte ndodhur përpara të linte disa dyshime. Aty erdhi shefi i policisë dhe Ibrahimi, që unë e njoha më vonë se për momentin nuk e dija. Të dy mu drejtuan duke më pyetur pse gjuajta në ajër. Gjuajta se ishte duke vdekur, i thashë. Aman o burrë, mu kthyen, se e kemi porosi prej Ministrit dhe sa herë ndodh gjë në Qytetin Studenti neve na lë zemra pasi e kishin porosi nga Ministri që Qyteti Studenti është prioriteti numër 1. Kam ndenjur gjysmë ore në korridor dhe aty morëm vesh që Alda kishte pirë disa hapa gjumi, që ia kishin nxjerrë dhe kishte shkuar në shtëpi.

 

Nuk kishte pasur asnjë problem.

 

Asnjë problem, ndërkohë që mua mu duk sikur ajo iku e mbaroi. Aty mbaroi ky incident. Të nesërmen shkova në zyrën e Fatos Klosit për t’ia shpjeguar arsyen pse kisha qëlluar me armë. I them, profesor, ajo desh iku. Ai mu përgjigj: Aman more Marjan dhe ti me këto probleme me atë vajzë, lëre. Po e lashë, por ajo erdhi aty ku po pija kafe e pastaj kujtova se vdiq. Lërë këtë punë, më tha, mos u merr më me atë. E kam lënë i thashë, dhe me të vërtetë nuk po merresha. Kështu iku ajo ditë. Të nesërmen më thërret Vera dhe kur shkoj tek zyra saj, shoh një burrë të vogël. Vera na prezanton, ky është Faslliu, babai i Aldës. Ai dinte pak gjëra dhe më thotë që vajza ka dashur të helmohet. Po i thashë unë, ka dashur të helmohet dhe unë e kam çuar në spital, ta kam shpëtuar e ia ka shtuar jetën. Po pse ka dashur të helmohet, pyet ai? I them, kemi qenë shokë, asaj iu prish pak muhabeti dhe kaq. U mundova t’ia shpjegoj sa më pak sepse ishte një histori që nuk ke as çfarë i tregon. Unë po ta tregoj ty tani e ti më thua po Alda ishte 15 vjeçe, ishte fëmijë. Pra nuk ishte histori për tu parë me të madhe, ishte një histori kalamajsh, për një moment u bëra edhe unë kalama dhe u bë çfarë u bë. Faleminderit, tha Faslliu, që ma shpëtove vajzën. Pra ka ikur me një falënderim atë ditë. Të nesërmen më thonë të kërkon dikush tek dera SHIK-ut, këtej nga spitali numër 5. Dal atje dhe shikoj prapë Faslliun, i cili më thotë: Gënjeshtar, mashtrues, i poshtër, ti i je qepur vajzave të mia. Ky donte të bënte skandal dhe unë isha para SHIK-ut, ku kishte një tufë njerëzish atje oficerë, dhe ky që fliste keq për mua. Më shante dhe përsëriste që ti i je vënë pas vajzave të mia, çfarë ke me to, do të bëj kështu e ashtu. Unë nuk dija çfarë tjetër të bëja dhe vetëm thashë të largohem që të mos bëj skandal. Duke u larguar drejt qendrës së Tiranës ky më ndiqte me këto fjalë. Ky edhe shante, edhe u mundonte të nxirrte diçka dhe thoshte, ti i je vënë prapa vajzave të mia se ato nuk të njohin. I them ik ore Faslli se nuk iu jam vënë vajzave pa i njohur, se njihemi me kohë, ai vazhdonte thoshte një fjalë tjetër, unë iu përgjigjesha, ai hidhte një dyshim, unë i jepja një shpjegim. Kemi shkuar deri tek qendra, diku atje te ushtari i panjohur, dhe ky ngaqë me ishte vënë pas e mua më ishin mbledhur në grykë të gjitha, e kërceva me disa fjalë dhe të gjithë historinë që të tregova ty se çfarë kishte ndodhur me Aldën, ia tregova atij, që isha shok me vajzën e tij, që kështu ndodhi me Marselin etj etj. Në atë moment ai është hedhur, dhe e mbaj mend shumë mirë sepse nuk janë skena që i përjeton çdo ditë, dhe më thotë: Mos more Marjan se jam baba. Aty unë ndalova komplet.

 

Mos more Marjan se jam baba, të tha?

 

Po, kështu më tha dhe vazhdoi duke thënë, moj Alda ime, çfarë më ke bërë, dukej sikur po i vajtonte vajzat, moj Alda si e ke gënjyer babanë tënd, moj Alda ti nuk do jetosh më në Tiranë, babi do të të marrë në shtëpi, moj Ornela, iu kthye Ornelës me vajtim, të kam rritur kështu e të kam rritur ashtu, të kam besuar ty, e dashura babit, shpirti babit, si ma punove kështu. Vazhdonte i vajtonte këto dhe dukej si ‘pula pa krye’, kështu i thonë shkodranët, ecte sa majtas sa djathtas. Pastaj m’u kthye mua. Marjan, më fal çfarë të kam thënë, më fal që të kam akuzuar, më fal që më kanë gënjyer.

 

Marjan, sado të ma vazhdosh këtë histori, këtu ka një problem emocional sepse është babai i tre vajzave që i mbante me rrogën e tij, një mësues që i ka të gjitha shpjegimet me vete. Ti nuk mund të më tregosh një gjë tani…

 

Absolutisht, kush po e kritikon. Unë nuk dua ta nxjerr Faslliun e keq…

 

Edhe po e nxore nuk të lejoj, sepse e kam takuar.

 

Në qoftë se unë po i shpjegoj këto është për të treguar sepse janë gjëra që i mbaj mend ngaqë të mbesin në mendje. Aty më tha hajde shkojmë tek Komisariati numër 1 të tërheq denoncimin sepse ai kishte bërë një denoncim tjetër, por unë i thashë, nuk ka problem o Faslli. Hajde shkojmë te Vera, tha, t’i them fjalë të mira për ty. S’ka problem i thosha unë. Marjan,  më fal, thoshte, por nuk di ku të shkoj vazhdonte. Nuk shkoj dot te motra në Durrës, nuk shkoj dot te kunata këtu, nuk di ku të shkoj, thoshte. Mua m’u dhimbs, se unë isha i ri, ai ishte 40-50 vjeç. Po shkoj te Qyteti Studenti tha dhe ngaqë po shkonte atje kisha frikë mos hidhej në Lanë se ishte në një gjendje të tillë. Kështu e shoqërova dhe kemi bërë muhabet tek Qyteti Studenti dhe më tregoi që vajzat e kishin gënjyer, por se i kishte vajzat e veta e nuk kishte ku i çonte.

 

Dëgjo, të mos flasim për një baba të tronditur. A mund të tregojmë historinë e Aldës? Ti pse u mërzite prapë me Aldën?

 

Ore unë nuk u mërzita me Aldën, nuk kam pasur gjë fare.

 

Po ti e vrare.

 

Ti po kërcen nga një muhabet në tjetrin.

 

Dua të di çfarë ndodhi me Aldën që ti arrite deri në atë moment.

 

Po tregoj rrjedhën e historisë. Shkuam te Qyteti Studenti dhe doja të ndahesha nga ai. Ndaluam diku, te lokali Brovina dhe unë i thashë po iki sepse ai po shkonte të takonte Ornelën. Ky shkoi tek Qyteti Studenti, unë e kam marrë vesh më vonë nga Blerina, ka thërritur Ornelën poshtë. Ornela kishte frikë të zbriste poshtë dhe ka shkuar bashkë me Blerinën dhe të 99-tat që mi tha mua, ia tha  Ornelës në sy, pse e gënjeve babin tënd, si ma punove kështu, si më bëre për budalla etj. E mbaj mend sepse kur kam pirë më vonë kafe me Blerinën, më tha si pate guximin që ia the të gjitha Faslliut. Më detyroi, i thashë dhe këtu u mbyll muhabeti me Faslliun, pra unë nuk kisha punë me Faslliun dhe vazhdova jetën time. Pas pak ditësh duke kaluar, se ne kishim punën, te ‘filoqyli’ pinim kafen dhe te Parku Rinia. Duke kaluar tek filoqyli më del përballë një njeri dhe më thotë, ti spiun mos kalo këtej, pra po kërkonte sherr. Unë as e dija kush ishte e as e njihja, ishte një burrë i vjetër. Çfarë problemi ke, i thashë, ai vazhdonte thoshte mos kalo këtej, pra donte sherr dhe unë nuk ia zgjata shumë, doja të ikja ndërkohë ai më thoshte hajde futu në shkollë, donte të më fuste te shkolla e mesme që ishte shkolla e Aldës. Nuk rashë pre e provokimit dhe i them, ik ore mbushu.

 

Kush qe ky?

 

Për momentin nuk ia kisha idenë fare se kush ishte dhe me kaq u shkëputa. Pra ai donte sherr ndërsa unë nuk doja sherr. Pas 2-3 ditësh më thërret prapë Vera në zyrë dhe më thotë: Marjan, je zënë me njeri pardje? Jo moj Vera, i përgjigjem. Përballë atje, ke bërë fjalë me Arshin Xhezon?

 

I cili nuk e ka treguar kështu ngjarjen, ti e di apo jo?

 

Nuk e di fare sesi e ka treguar ai.

 

Arshin Xhezo të ka denoncuar dhe më pas ka tërhequr denoncimin pasi keni folur për shkak se ti vajte të kërcënojnë Aldën në shkollë.

 

Ta shpjegoj edhe unë këtë rast apo mos ta shpjegoj. Unë po dal të shpjegoj që Arshini gënjen. Unë ta thashë, do dal për herë të parë ta them këtë histori dhe herën tjetër do ta them në varr. Pra Vera më tha ke bërë sherr me Arshinin? Më provokoi o Vera, i thashë, se unë nuk e njoh fare këtë njeri. Ky, tha, është mësues në shkollën e Aldës dhe më shpjegoi sesi kishte qenë dikur kryeredaktor i gazetës “Zëri Popullit”, kishte qenë njeri me pozita, por tha ajo, Arshini ka shkuar ta tërheqë denoncimin dhe prokurori pranoi dhe më thirri mua, vazhdoi Vera. Domethënë,Vera tha që Arshini kishte bërë një denoncim në polici dhe pastaj kishte shkuar ta tërhiqte sepse nuk ishte e vërtetë dhe më kërkoi mua Vera që të shkoja ta zgjidhja këtë punë me prokurorin. Shkova te Prokuroria e Tiranës dhe takova prokurorin i cili më tha: Dëgjo Marjan…

 

Ti po kaloje thjesht para shkollës dhe ai të tha je spiun e më pas të denoncoi? Ka diçka që nuk shkon tani. Si të të besoj unë? Ai një njeri i nderuar, në  moshë, të ndalon dhe befas çmendet dhe të thotë o spiun. Ti spiun ishe pastaj, i SHIK-ut ishe, pse duhej të fyheshe?

 

Të dali një njeri kot më kot në rrugë dhe të thotë ashtu. Unë nuk i rashë Arshinit, nuk i bëra gjë atij tek e fundit sepse isha unë ai që iu shmanga atij. Të thashë, kur shkova te prokurori ai më tha: Marjan, ka ardhur një njeri me emrin Arshin Xhezo dhe ka bërë një denoncim kundër teje sikur ti e ke kërcënuar, pastaj ka ardhur të nesërmen a të pasnesërmen për ta tërhequr duke thënë që nuk është e vërtetë dhe i thashë çfarë po thua kështu e ai mu përgjigj “kështu kanë qenë disa rrethana që më kanë kërkuar për ta futur në sherr”. Prokurori i kishte thënë Arshinit, është denoncim për kërcënim dhe nuk tërhiqet sepse i vazhdon edhe prokuroria kryesisht.

 

Një sekondë Marjan, sepse Arshin Xhezo nuk është gjallë, është ndarë nga jeta, por dua t’i rikthehem denoncimit që është ripublikuar së fundmi ku në 30 mars të vitit 2001 ka thënë: “E kam denoncuar Marjanin, pasi ky i fundit kishte tentuar të hynte me çdo kusht në godinën e shkollës. Po, është e vërtetë, kam denoncuar në Prokurori. Një ditë, ai djalë nga Shkodra, donte të hynte me çdo kusht në godinën e shkollës për të nxjerrë nga mësimi Aldën, por ne kemi vendosur një rregull të brendshëm i cili nuk lejon hyrjen në ambientet e shkollës së gjuhëve të huaja gjatë mësimit. Ai kërkonte me çdo kusht të takonte vajzën e cila dridhej e gjitha. Pasi unë e ndalova, ai u kap me mua duke më ofenduar me fjalë”, kështu ka thënë mësuesi i Aldës në atë kohë për Gazetën Shqiptare. Më pas tregon se Marjan Rroku i ka kërkuar falje, madje e ka ftuar për kafe ku i kishte rrëfyer edhe dashurinë e tij për Aldën. “Pas këtyre rrëfimeve, unë tërhoqa denoncimin” ka sqaruar Xhezo atëherë duke e mbyllur me fjalët “e gjitha kjo histori të lë pa gjumë”.

 

Po sikur të jap unë një herë variantin tim. Unë po them këtë. Shkova tek Prokurori i cili më tha: “Ka ardhur Arshin Xhezo dhe ka bërë një denoncim për ty. Pastaj ka ardhur të nesërmen apo të pasnesërmen dhe ka kërkuar ta tërheqë denoncimin duke thënë se më kanë shtyrë ta bëj këtë gjë”. Pra shkova te Vera dhe më tha që Arshini ka bërë një denoncim që dëshiron ta tërheqë dhe më kërkoi të takoja prokurorin. Shkova te prokurori dhe ai më tha këto fjalë: “Ka ardhur një profesor me emrin Arshin Xhezo i cili ka bërë një denoncim për ty dhe ka thënë që ti deshe të futeshe në shkollë dhe më kërcënoi” pra për kërcënim të tij. Prokurori vazhdoi: “Pastaj ka ardhur më vonë ta tërheqë sepse historia nuk ka qenë kështu, por kam pasur arsyet e mia për ta sjellë në këtë variant”.

 

Po çfarë arsye kishte Arshini?  

 

A ta shpjegoj unë? Është pikërisht biseda e Arshinit me prokurorin që do e nxjerrë këtë. Prokurori më tha që Arshini kishte shkuar për ta tërhequr, por nuk e tërheq dot sepse është denoncim për kërcënim dhe prokuroria kryesisht e vazhdon. Prokurori i kishte thënë: “Nuk e tërheq dot. Në qoftë se nuk është e vërtetë, ti rrezikon sepse ai mund të akuzojë për denoncim të rremë.” Pra Arshini ishte as mish, as peshk. Për ta lënë nuk donte, për ta tërhequr nuk e bënte dot. As nuk e tërhiqte dot se prokuroria e vazhdon kryesisht meqë është për kërcënim dhe as nuk e përgënjeshtronte sepse akuzohej për kallëzim të rremë. Atëherë më thotë prokurori: “Çfarë do bësh me këtë njeri?” I thashë se nuk kisha problem me të dhe se nuk kisha shkuar ta kërcënoja, por se kishte dalë ai me ato fjalët. “Atëherë dëshiron të shkosh të flasësh vetë me të se ndoshta e rregulloni duke biseduar dhe nuk bëjmë letra kot” tha ai. Nga aty shkova te shkolla Aldës dhe kërkova Arshin Xhezon i cili doli direkt. I thashë, profesor jam Marjani. “Po Marjan”, tha. “Si është puna” i them unë. “Puna është se më ka ardhur nëna Aldës, Mbarimja, dhe babai dhe më kanë treguar një histori, që SHIK-u po shet vajza dhe kemi një Marjan Rroku që nuk dimë çfarë t’i bëjmë. Neve fshatarëve nuk na dëgjon kush. Sikur ti të na krijosh një mundësi. Kështu fola me to dhe ramë dakord që t’i ndihmoj dhe një ditë kur po kaloje duke shëtitur, më thotë Alda ky është Marjani, dhe unë dola të provokova. Pas kësaj, pasi ndodhi kjo gjullurdi para shkollës, erdhi një shoqja Aldës më tha, profesor, Alda e ka pasur të dashur këtë, ka ndenjur gjithë ditën pas tij. Atëherë i thirra pak trurit.” Ai vazhdoi duke më treguar që kishte marrë në telefon Fatos Klosin, mesa duket e ka pasur gjë, dhe i kishte treguar çfarë kishte ndodhur. Fatosi i kishte thënë që Marjani është djalë i mirë, si i ke rënë në qafë kot, si shitka SHIK-u vajza, pse nuk më pyet mua. Ky ka qenë diskutimi i Fatosit me Arshinin. Pra, Arshini më tha që e kishte parë që ata e kishin gënjyer, por e kishte pranuar sepse i kishte parë si njerëz nga fshati dhe nuk i dinë këto djallëzitë dhe rashë brenda. Kështu, kur e kishte kuptuar si ishte gjëja, kishte kërkuar tërheqjen e denoncimit. Pastaj, unë me Arshinin zbritëm poshtë dhe më pyeti çfarë të bëjmë. I thashë ta mbyllim këtë muhabet. Shkuam te Fideli te Parku Rinia dhe kemi pirë nja tre orë kafe sepse ishte njeri shumë inteligjent dhe kemi bërë lloj-lloj muhabetesh të tjera. Pastaj shkuam te Prokuroria dhe na u desh të gjenim një metodë që të thoshim që as Arshini nuk ka gënjyer dhe që as unë nuk e kam kërcënuar sepse e hante ose njëri ose tjetri. Unë, bashkë me prokurorin, arritëm në një përfundim që e kemi shkruar edhe atje: “Unë shkova të takoj Aldën tek shkolla, më doli një profesor Arshini, se ç’i thamë njeri-tjetrit nuk e dimë, por mbase e kam kërcënuar dhe po qe kështu, i kërkoj falje.” Firmosi Arshini, firmosa unë dhe kaq ishte ky muhabet e u mbyll.

 

Në rregull, ikim, u mbyll. Atëherë pse vazhdove përsëri të nesërmen. Pse vazhdon kjo histori që është absurde?

 

Pikërisht kjo histori vazhdon. Unë po them variantin tim, pastaj mund ta gjykosh ti, e gjykon Zoti, e gjykon prokuroria, nuk më bie në mend se kush e gjykon. Unë do them historinë time dhe e mbyll.

 

Po, si shkoi. Sepse ti nuk merreshe me punë, rimerreshe gjithë ditën me Arshinin, me Aldën, me Mbarimen, me gjithë këta njerëz që nuk janë të gjallë.

 

Mua më thërritën për Arshinin, sepse unë nuk dija gjë. Atë ditë shkova prapë në punë dhe ma dha një fije shkrepje në tru. Faslliu ndahet me mua dhe thotë humba dy vajza fitova një djalë. Pas pak ditësh shkon i thotë Arshinit ma fut pak në sherr. Kush është ky njeri, çfarë po ndodh kështu? I them Sulës, shokut tim, ore do shkoj të flas me Faslliun, çfarë pati ky. Ku do shkosh, më pyeti ai. Në Greshicë, i them, se atje e kishte shtëpinë. Po vij me ty, thotë Sula. Pra, unë shkova në Grashicë për ta sqaruar me Faslliun.

 

Ti me makinën e SHIK-ut?

 

Po çfarë makine SHIK-u. Shkova me furgon, unë desha të shkoj vetëm dhe Sula tha po vij me ty meqë është larg. Shkuam atje, dhe madje rrugës takuam dy gra që i pyetëm për shtëpinë e Faslliut, se ne nuk e dinim dhe na thanë, ka disa çupa të mira Faslliu, mos doni të fejoheni. Shkuam atje dhe kërkuam Faslliun i cili na priti gjithë përzemërsi. Na tha, hajeni brenda. U futëm brenda, por unë desha ta sqaroja muhabetin me Faslliun.

 

E ke menduar ndonjëherë që kishte frikë prej teje? Gjithë kohës i shoqëruar me njerëz të SHIK-ut, nuk mendoje që ky njeri me tre vajza kishte frikë prej teje?

 

Po si e frikësoja unë? Çfarë ti bëja unë? Ky vetë më tha jam mirë me ty dhe pastaj fut një tjetër për sherr. Ca t’i bëja unë?

E ke dëgjuar atë shprehjen “shkon shyta për të marrë birin dhe lë edhe veshët”? I thashë, ore pse i ke kërkuar Arshin Xhezos të më fusë në sherr? Më pyeti ku e kisha takuar Arshinin, i thashë në shkollë. Ky direkt mu hodh në sulm, çfarë do te shkolla ti, më tha.

 

Po, të drejtë kishte, çfarë doje te shkolla ti?

 

Çfarë të drejte kisha të kaloja te rruga e Elbasanit? Është rruga e Elbasanit ajo. I thashë Faslliut, ore, a u ndave mirë me mua, pse fute njerëz të tjerë në sherr? Ai mu hodh në sulm mua. Sula u fut për të folur dhe ky u kap me Sulën. Po të them, unë shkova për t’u sqaruar me Faslliun dhe përfundova pa marrë asnjë zgjidhje, vetëm thjesht ai që më kërcënoi në shtëpinë e vet. Ajo shprehje që thashë më lartë e shpjegon fiks atë moment pra, një muhabet pa lidhje. As nuk thoshte që më ke gënjyer, as thoshte që nuk më ke gënjyer.

 

Nuk more përgjigje, e pe që ishe futur në një qerthull pa sqarim. Pse vazhdove me këtë histori?

 

Kur u ndava atë ditë me Faslliun te shtëpia vet, më tregoi furgonin dhe më tha do vij të të takoj vet në Tiranë dhe kështu e lamë me Faslliun. Të nesërmen erdhi te SHIK-u ky dhe tha pse më ka ardhur Marjani te shtëpia. Më thërriti prapë Vera, pse shkove te shtëpia Faslliut, më tha. O Vera, a të thashë që Faslliu u nda mirë me mua, a e pe që më futi në sherr me Arshin Xhezon? Unë shkova për të parë se çfarë po bëhet me këtë punë. Ajo nuk dinte çfarë të më thoshte sepse unë i shkova Faslliut për ta pyetur dhe ai më futi vetë në shtëpi, unë nuk i hyra me zor. Unë shkova te Faslliu për të sqaruar se çfarë pati me Arshinin.

 

Si vazhdoi?

 

Gjatë kësaj kohe unë bëja biseda me shoqet e Aldës dhe Ornelës. Njëra nga këto ishte Blerina e cila më thotë se kanë ardhur me shtëpi në Tiranë këto, madje nëna e Aldës e përcjell çdo ditë Aldën lart e poshtë. Thashë me vete, me Faslliun nuk u merrje vesh. Atëherë të shoh mos merrem vesh me të ëmën.

 

Çfarë doje ti të merrje vesh, ç’punë kishe ti të merrje vesh?

 

Po, këto shkruanin letra, denonconin këtu e aty.

 

Të kishin denoncuar për aq herë sa ti kishe qenë i përfshirë. Mbaroi, ik tani.

 

Në qoftë se unë e gjykoj sot atë që kam bërë atëherë, është tjetër gjë. Ashtu ma dha mendja mua. Po të mos kisha kaluar në budallepsje atëherë, do i kisha lënë të iknin. Ato flisnin keq për mua dhe unë ashtu e gjykova atëherë kështu si sot, e gjykova që isha nisur për mirë dhe tani gjithë ky sherr pse po ndodh. Kështu shkova të sqaroj mamanë. Dola një ditë te rruga Elbasanit dhe shoh Aldën që po kalonte me një grua që mendova se ishte e ëma, sepse kështu më kishte thënë Blerina.

 

Ti mbaje miqësi me shoqen e Aldës dhe e pyesje çfarë bënte Alda?

 

Absolutisht jo, kisha miqësi me to gjithë kohës, pinim kafe te filoqyli bashkë. Kishim një vend që shkonim gjithmonë atje, ose te “Marlboro” te Parku Rinia. Nuk kishim nevojë të linim takime sepse gjithmonë gjeje ndonjë atje. Po thosha, prita Mbarimen kur po zbriste poshtë dhe i thashë: “Mbarime”, ndaloi ajo, “jam Marjani”. Ajo në moment u xhindos dhe siç e kishte çantën në dorë m’u sul duke ulëritur. Unë u shmanga dhe Mbarimja u rrëzua dhe unë ngela sepse nuk e prisja reagimin e saj. Ashtu siç ishte poshtë, duke u ngritur, filloi duke më sharë, more i poshtër, more maskara, po çfarë të kemi bërë ne, ku na gjete ne. Ajo bënte sikur unë i kisha rënë në qafë dhe unë mbeta i habitur, nuk bëra asgjë dhe ika pa thënë asnjë gjysmë fjale Mbarimes dhe thashë, me këta nuk u merrke vesh as me nënë e as me babë. E lashë këtë punë, nuk kisha më punë me to fare.

 

Mbarimja ra, ti nuk ia dhe dorën për ta çuar dhe ike.

 

Absolutisht, vetëm e kam parë i habitur, tha ato kërcënimet e veta dhe ika. E lashë fare këtë muhabet.

 

Po mirë, të ka mbetur në mendje çdo fjalë e tyre, ajo të ka thënë “ku na gjete ne”.

 

Ku na gjete ne o i poshtër, ore maskara. Këto fjalë kanë qenë, janë fjalë që më janë ngulitur në tru.

 

Që do të thotë se është një nënë që nuk ka bërë një skenë, i del nga shpirti fjala, ka frikë. Nuk e ke menduar që ata kishin frikë?

 

Absolutisht, unë ngela kështu po të them dhe po të them se pas asaj nuk jam marrë më, nuk gjeta zgjidhje tjetër. Me Faslliun nuk flitej, me nënën nuk flitej. Një ditë, për sherr, sepse Tirana duket e madhe, por kaq është, kryqëzohem me Ornelën dhe ajo më pështyn te këmbët. Unë nuk rashë pre e provokimit të saj, sepse doja ta largoja sherrin, që po të kisha ditur sot do ia kisha futur vrapit në Maqedoni. Ornelës nuk i thashë gjë, nuk e shava, nuk bëra asgjë. Atëherë për sherr, pas pak ditësh shkëmbehem me Faslliun tek 21-shi, thashë t’i flas dhe i them: “Ore Faslli”. Ai mu përgjigj: “More i poshtër” dhe direkt më kap në fyt edhe pse është njeri i vogël në trup. I thashë: “More Faslli, ma hiq gocën se më ka pështyrë tek këmbët” e ai përgjigjet: “Mirë ta ka bërë që të ka pështyrë”. Unë i thosha, more Faslli më lër rehat, ai më thoshte more i poshtër. Më kapi prej fyti dhe unë vetëm e kam shtyrë. Kaq ka qenë me Faslliun.

 

Po mirë more, gjithë kësaj kohe këta njerëz të dilnin ty përpara?

 

Jo, sepse kjo ka ndodhur brenda 6 muajve. E vetmja koincidencë ishte ai rasti i Ornelës me Faslliun, të tjerat ishin në distancë.

 

Po, e gjithë kjo mbaroi.

 

Jo, nuk mbaroi prandaj po të them. Aty, pas një apo dy ditësh, thashë çfarë t’i bëj këtyre se nuk u merrka vesh me këto. Shkova te Komisariati numër 2, atje kisha një shok, Alket Dizdari. Thashë ta pyes një herë se mos bëj edhe unë ndonjë denoncim. Ai më thotë, he more Marjan, këtu ti. Më tregon që Faslliu kishte shkuar të bënte një denoncim. Ore jam në hall me to, i them.

 

Po, se e ke shtyrë, do të të denonconte.

 

Po jo moj, i thoshte më ka kërcënuar dhe të gjitha këto dhe i kërkonte që të më hiqnin nga SHIK-u dhe të më largonin nga Tirana. Kërkonte ca qiqra në hell ai, që nuk i jepnin dum as këto. Unë i them Alketit, kështu është muhabeti, ai më ka kërcënuar. Si t’ia bëj more Alket? E di ç’ke ti, tha, bëje edhe ti një denoncim edhe ti se mbase i ballafaqojmë të dyja. Kështu që në komisariatin numër 2 kemi bërë denoncim edhe Faslliu edhe unë.

 

Mua nuk më del gjëkundi denoncimi yt. Denoncime ka vetëm Faslliu, ti nuk ke asgjë.

 

Unë jap variantin tim, se çfarë gjen ti në letër, jo se nuk më intereson, por nuk e marr përsipër ta bëj.

 

Po ti për çfarë e denoncove?

 

Më kërcënoi, si njëri ashtu edhe tjetri.

 

Atëherë, po ta vazhdojmë ne këtë histori pafund ti do tregosh gjërat e tua, por që në logjikën e atyre që të dëgjojnë nuk kanë sens. Çdonjëri me mend do thoshte tani, pse nuk e mbylle?

 

Sikur ta mbaroj unë këtë, mbase ka sens. Në qoftë se nuk ka sens, atëherë as vrasja ime nuk ka sens. Ne pa sens e kemi filluar këtë histori dhe pa sens mbase mbaroi. Nga aty kemi bërë një denoncim të dy aty dhe kaq ka ngelur. Aty i thirra mendjes, se edhe unë isha në hall, ai kishte kërkuar të më hiqnin nga puna, letra kishte shkruar në SHIK. Tani, unë isha për fizikë, bëra 5 vjet shkollë dhe vazhdova një karrierë tjetër. Ta ndërprisja unë atë karrierë për Faslliun dhe të filloja diçka tjetër?

 

Pse nuk e kape asnjëherë Aldën gjatë kësaj kohe?

 

Isha në sherr me vajzën.

 

Aha, ti nuk e ke takuar asnjëherë Aldën?

 

Absolutisht.

 

Ti takoje vetëm prindërit apo jo? Domethënë denoncimet Aldës ose fakti që ato thonë, shoqet e Aldës thonë në gjyq, që Alda ishte me shenja e rrahur prej teje.

 

Alda nga Marjani ka pasur vetëm dy shpulla dhe aq, të tjerat le t’i gjejnë vetë ato, unë them timen. Dhe unë po të them që pas kësaj, meqë nuk po gjeja zgjidhje, Faslliu kishte një nip në Durrës që kishte shumë influencë tek ai sepse e dija nga muhabetet e Aldës dhe Ornelës muaj përpara.

E mora në telefon nipin e Faslliut në Durrës, që nuk po ia përmend emrin. I thashë, alo filani? Po, tha. Jam Marjani, i thashë. Ai më njihte si emër. I thashë, aman ore, dua të bisedoj pak me ty, doja të kërkoja ndihmë me timen. Gjithë përzemërsi ai më thotë po, pa asnjë lloj problemi. Ku do takohemi, e pyes? Vjen dot në Durrës, më thotë ai? Patjetër i them dhe lëmë takimin tek një lokal. Të nesërmen, me furgon shkova në Durrës dhe u ula te lokali e prita një, dy, tre orë, por ai nuk erdhi. Kur ai nuk erdhi, atëherë nuk kisha pse t’i kërkoja nder, as ta merrja në telefon sepse vetë më tha hajde dhe pastaj nuk deshi të takohej. Kështu që e lashë punën me të pa zgjidhje. Pak ditë më pas, kur po pija kafe prapë me Blerinën, ajo më thotë: Të kërkon nëna Aldës për të të takuar. Unë doja ta sqaroja këtë muhabet dhe shkova për ta takuar. Mbarimja vjen, përshëndetemi dhe ajo më thotë: “Marjan, gjakrat janë ulur pak, hajde flasim”. Mirë i thashë. Shkuam tek Parku Rinia dhe më tha: “Faslliut i kanë treguar një histori që SHIK-u po shet vajza dhe për këtë është xhindosur. Mua nuk më tregon gjë, por ngaqë ti e ke rrahur vajzën, ai është xhindosur”. Moj Mbarime, i them, SHIK-u shet vajza? Po si vjen SHIK-u dhe ju takon e ju njeh SHIK-u, mban shoqëri me shoqet e tua? Tani e kuptoj pak Marjan, tha. Po ti pse ke shkuar të takosh nipin e Faslliut në Durrës, më pyeti? Faslliu nuk do të flasë me mua, i them, ti jo, vajza jote më pështyn te këmbët. Çfarë të bëj unë? Mos shko më në Durrës, tha, çfarëdo lloj problemi të kesh hajde flit me mua po të ngacmuan vajzat. I them, ti kupton historinë e Faslliut me shitje vajzash apo kupton që ne kemi qenë shokë dhe që Alda më mërziti. Alda nuk ma ka treguar historinë, tha, madje Aldën nuk e pyes dot sepse është e stresuar. Për këtë arsye e çoj Aldën çdo ditë nga shkolla tek shtëpia se kam frikë mos bën ndonjë budallallëk dhe i kemi kapur hapat e gjumit, a çfarë hapash kishte, ia kemi kapur disa herë nën jastëk sepse ka dashur të vrasë veten. Ajo është e stresuar dhe nuk e pyes dot, kështu më tha Mbarimja, ndërsa Faslliun nuk më tregon gjë. A ma tregon ti, më tha? Kur nuk ta kanë shpjeguar ato, nuk kam çfarë të të shpjegoj unë. Thjesht u zumë dhe kaq, i thashë asaj. Ajo më kërkoi: A mund të ulesh në ballafaqim me Aldën dhe ta mbyllim këtë muhabet? Në vend, i thashë unë, kur të duash sepse këtë doja dhe unë, të ulesha me Aldën dhe çfarë kishte për të thënë ajo, ta thoshte e ta mbyllnim këtë muhabet se më iku ‘tepeleku’.

 

Nuk u takuat pastaj?

 

Pasi u ndava nga Mbarimja, më ngelën në mendje disa fjalë të saja, që Faslliut i thotë dikush që SHIK-u shet vajza.

 

Sepse vajzat shiteshin në atë kohë dhe ai kishte gjithë të drejtën të dyshonte. Nuk është puna SHIK-u apo kush. Ishte pushteti, njerëzit e fortë.

 

Me Mbarimen e lamë këtë punë, që ajo më kuptoi dhe pikën e fundit mbi ‘i’ do t’ia vendoste kur të ballafaqoheshim me Aldën. Kështu e lamë.

 

Kur e latë?

 

Nuk lamë një ditë, thamë kur të qetësohet vajza.

Tani, me këtë rast, meqë kanë thënë që SHIK-u shet vajza dhe unë e sqarova këtë punë me Mbarimen, shkova dhe takova Fatos Klosin në zyrën e vet dhe i thashë: “Profesor, e sqarova atë punë, e mbylla”. Si ishte puna, më pyeti ai? I thashë që atyre i kishin thënë që SHIK-u shet vajza dhe nga frika kësaj më janë kundërvënë dhe e kanë keqinterpretuar gjithë këtë histori. Këto janë broçkulla, më thotë Fatosi. E di, i thashë, por unë e mbylla këtë punë me to. E mbylle, më tha? E mbylla, i thashë.

Po ti nuk e kishe mbyllur në fakt.

 

E mbyllur ishte. Mbarimja më tha nuk të kam inat, çfarëdo problemi të kesh hajde te unë dhe kaq, ishte zgjidhje e madhe për mua në krahasim me ato që kisha përjetuar. Dhe profesori më tha kështu, kaluam nga ky diskutim, që unë e mbylla këtë punë dhe që kishte qenë një keqkuptim që SHIK-u shiste vajza, në një diskutim tjetër. Më tha te puna si je, vazhduam me muhabetin e punës ne. Kjo histori mund të duket një tragjedi tani, por për momentin ishte thjesht një keqkuptim, një turbullirë që ka sa të duash sot në Shqipëri. Më pyeti, ju çunat te Burimet e Hapura, si i keni punët, si kaloni? Mirë, i thashë. A ka vend për përmirësime, tha? Po profesor, i thashë. Sikur të më vish me një mendim më të pjekur në qoftë se ju do ta bënit punën atje, në kuptimin për ta drejtuar, si do ia bënit? Më sill një propozim. Absolutisht po, i them. Pra, puna ime vazhdonte normalisht, pra punën me Aldën e lashë. Shkova, fola me çunat dhe i thashë çfarë mund të bënim më mirë meqë Burimet e Hapura kishin të bënin me gazetat, kompjuterin, internetin, sa ishte hapur. Bëra një propozim dhe ia çova Fatos Klosit te zyra. Mesa duket i pëlqeu dhe më tha, Marjan, e merr përsipër ta drejtosh këtë drejtori të Burimeve të Hapura? Po profesor, i thashë. Në rregull tha, në një nga këto ditë do vij të të emëroj drejtor. Nga data 29, një apo dy ditë përpara, unë duhej të kisha marrë lejen e zakonshme, jo se desha, por sepse ishte caktuar një muaj përpara dhe pikërisht atë ditë kam shkuar tek SHIK-u, ndenja një orë me mendimin se po vinte Fatos Klosi për të bërë emërimin. Megjithëse isha me leje të zakonshme, nuk kishte pikë kuptimi që ai të vinte dhe të thoshte, ku është Marjani që do bëj drejtor, kur Marjani ishte me pushime. Pyeta Shqipen, sekretaren e tij, nëse Fatosi vinte atë ditë dhe ajo më tha jo sepse kishte shkuar diku larg. Atëherë meqë isha pushim, mendova të shkoj të shoh nënën në Shkodër se vetëm nënën kisha, ngaqë babai më kishte vdekur. Meqë po shkoja në Shkodër mora me vete edhe atë dreq pistolete se ne e kemi mbajtur gjithmonë në zyrë e në kasafortë.

 

Pse e more, ti ishe me leje?

 

Ishte rrugë e largët.

 

Por me leje nuk të lejohet pistoleta.

 

Absolutisht jo, nuk ma ka thënë asnjë njeri që nuk duhej ta mbaja dhe nuk ma merr mendja të ketë qenë ky ligj atëherë sepse do e kisha ditur, por në qoftë se ka qenë, unë nuk e kam ditur, të paktën. Unë e mora thjesht meqë kisha rrugë të largët se nuk e merrnim asnjëherë se të bënte me ndryshk. Meqë ishte herët, se ishte ora 9-10 e mëngjesit, ku as furgona për Shkodër nuk kishte, se fillonin pas orën 12, plus që ishte herët për të shkuar në Shkodër, mendova të pi një kafe nga filoqyli si gjithmonë se as Parku Rinia aq herët nuk hapej pasi ishte në përgjithësi për darkë, kur mblidheshim. Kur kalova aty, takova Blerinën. Ndër muhabetet që bëmë, më tha Alda më ka dhënë një letër për ty. Këtë letër e hapa dhe aty shkruhej: Nuk dua të të shoh me sy, me gjithë ato gënjeshtra që më ke thënë nuk dua të të shoh as sytë, as zërin nuk dua të ta dëgjoj. Unë për momentin nuk i dhashë dum se çfarë donte të thoshte, por në qoftë se do të më kërkosh sot të të them pse ajo tha ashtu, mendoj se pasi i ishte referuar ballafaqimit që do bënte e ëma, domethënë ngaqë nuk i thoshte dot të ëmës jo, ka menduar të më thoshte mua që s’donte të mi shihte sytë, që unë të mos shkoja në ballafaqim. Kështu mendoj unë kot, po abuzoj, por unë për momentin nuk i dhashë dum. Ika nga filoqyli, piva një kafe nja një apo dy orë, nuk ia kam idenë se sa dhe shkova te Zogu i Zi për të marrë furgonin e Shkodrës. Aty ishte fati i zi i imi dhe i tyre e i të gjithëve që unë i shoh.

Nuk i shkove në shkollë, nuk e pe në shkollë ti Aldën se Ornela më tha në intervistë, që ti i kishe bëre shenjë Aldës që do të të vras.

 

Bëji këto analiza mbrapa dhe nxirre Marjanin mashtrues. Unë atë ditë nuk e kam parë Aldën. Por ti duhet të kuptosh edhe diçka, shkolla Asim Vokshi është shkollë me kangjella.

 

Kam qenë në atë shkollë dhe e marr me mend edhe dritaren ku ti mund ta kesh bërë këtë.

 

Shkolla është më katër kate, mesa mbaj mend unë.

 

Mund të ketë qenë në kat të parë. Unë kam qenë në atë klasë, kam bërë lëndën e kimisë dhe mund të shohësh nga jashtë dhe aty mund të kesh bërë me shenjë.

 

Me mund, mund të bësh shumë gjëra. Brenda nuk të linte njeri të futeshe. Nëse unë do kisha ndonjë shans dhe Alda paska qenë fiks atje, atëherë unë nuk e di, por unë nuk e kam parë Aldën. Ky është thjesht një abuzim. Unë nuk e di nëse klasa Aldës ka qenë vërtetë aty apo thjesht për të plotësuar disa dokumente. Por unë nuk e kam parë Aldën dhe nuk i kam bërë as shenjë.

 

Shkove tek Pallati i Sportit.

 

Jo te Pallati i Sportit, por tek Zogu i Zi dhe aty shoh Aldën me Mbarimen që po vinin.

 

Ku i pe?

 

Po ecnin rrugës.

 

Po shkonin në shtëpi.

 

Unë nuk i kisha parë ndonjëherë të shkonin atje.

 

Ti nuk e dije shtëpinë e Aldës.

 

Jo, ç’punë kisha me shtëpinë e Aldës unë, as nuk kam qenë ndonjëherë atje e as kam kaluar ndonjëherë andej. Unë po kaloja aty për të shkuar tek furgonat e Shkodrës sepse aty niseshin, tek Zogu i Zi, kur shoh këto të dyja duke ardhur. Atëherë meqë kisha letrën në xhep dhe meqë kisha folur me Mbarimen, se ç’më thotë truri mua dhe shkoj t’i ballafaqoj. Në atë kohë ato po futeshin te Pallati i Sportit, futem edhe unë dhe i thërras, Mbarimes. Hë more Marjan, tha ajo. I thashë, Alda më ka shkruar prapë letër. Si ato kalamajtë unë që po ankohesha te Mbarimja. E çfarë të thotë, pyet ajo. I them që thotë se jam gënjeshtar, mashtrues etj. Mirë të ka thënë, thotë ajo, se ti kështu je. Ato fjalë që më kishte thënë atë ditë që ishte në tokë, të njëjtat filloi duke më thënë. Unë prapë ngela sepse herën e fundit me Mbarimen ishim mbyllur mirë, ishim sqaruar bashkë. Mbeta dhe pashë një çantë që më fluturoi dhe mbaj mend qiellin. Kaq mbaj mend nga ajo ngjarje. Nuk mbaj mend ndonjë goditje në kokë, nuk mbaj mend asgjë. Mbaj mend vetëm një çantë që më ka ardhur drejt surratit dhe qiellin të fundit.

 

Ti mban mend vetëm që re në tokë? Po kush i vrau atëherë Aldën dhe Mbarimen?

 

Këta thonë që i kam vrarë unë dhe unë po them që i kam vrarë unë, sepse përderisa isha unë aty, do të thotë që edhe e kam bërë, por unë po të them që nuk e mbaj mend. Nga aty mbaj mend disa pika, një pikë është disa dërrasa në Kombinat. Sesi kam shkuar deri në Kombinat se di.

 

Të mos shkojmë në Kombinat. Dëshmitarët që kanë parë ngjarjen kanë parë që nuk ka qenë një moment kaq sekondash, nuk thotë njeri që ti ke rënë. Thonë që vajza ka dashur të mbrojë nënën dhe nëna vajzën.

 

Nuk e ke ti në dorë të më nxjerrësh mua prej burgut, kështu që mos më nxirr. Unë po të them variantin tim pra, kur të kalbem në burg për 500 vjet do i them Zotit që e pata fajin unë se tregova të vërtetën. Tani, sesi më gjykojnë ato është puna e tyre, nuk më intereson. Jo se nuk më intereson, se më intereson, por unë nuk mund ta ndryshoj historinë.

 

Cila është e vërteta jote?

 

E vërteta ime ka është kjo, që unë kam rënë në tokë dhe nuk mbaj mend.

 

Nuk mban mend që qëllove? Po tani ti mund të dalësh dhe të thuash që nuk i ke qëlluar ti! Arma e krimit u zbulua ndonjëherë? U gjet arma?

 

Jo.

 

Po ti mund të thuash që nuk i ke vrarë ti ato.

 

Po çfarë rëndësie ka?

 

Ka rëndësi sepse për sa kohë arma nuk është gjetur dhe ti thua që nuk i ke vrarë ti dhe se është bërë një gjykim i keq deri tani, atëherë ti mund të dalësh.

 

Unë nuk po them që është bërë gjykim i keq, unë po them të dal të ballafaqohem me provat. Nuk po them që nuk e kam bërë, por përderisa nuk mbaj mend, nuk kam pse jap garanci që e kam bërë. Derisa unë nuk e mbaj mend, nuk mund të them që e kam bërë. Unë thashë nuk mbaj mend ta kem bërë dhe kjo është e vërteta. Por tani unë nuk mund të dal as për ta thënë që nuk e kam bërë sepse unë nuk e mbaj mend. Unë deri aty e mbaj mend, por pastaj…

 

Por ti mban mend detaje kaq të parëndësishme që mua as më duhen fare dhe ti nuk mban mend ngjarjen? Nuk mban mend faktin që ke qenë me armë, që ke takuar këto dy gra që të luteshin për jetën, që Alda thoshte më vrit mua, jo mamanë. Kështu thonë dëshmitarët.

 

Kush dëshmitarë?

 

Dëshmitarët në gjyq.

 

Le t’i besojnë ata. Unë nuk kam parë ashtu lloj dëshmitarësh.

 

Ti nuk kishe si t’i shikoje se kishe armën në dorë.

 

Ku i gjetën ato dëshmitarë se ky vendim i gjyqit nuk thotë gjë për dëshmitarë.

 

Po, ka dëshmi të njerëzve të cilët të kanë parë.

 

Atëherë le t’i ballafaqojë gjykata dhe t’i nxjerrë ato në rregull dhe mua të më lërë në burgim të përjetshëm, siç e kam. Unë po jap versionin tim.

 

Që është? Ti nuk po thua një version, ti thua që nuk e mban mend. Ky është problemi.

 

Ky pra është versioni im apo do të shpik diçka? A të shtoj diçka që i shkon për shtat ty dhe lexuesve të e shikuesve të tu?

 

Jo, jo.

 

Po të them këtë, që gjënë e fundit që mbaj mend ishte qielli. Mbaj mend disa dërrasa.

 

Çantën e saj?

 

Po dhe që më ka thënë 99 të zeza dhe që unë kam ngelur i ngrirë sepse nuk e prisja prej saj. Mbaj mend edhe që më ka fluturuar një çantë dhe që kam rënë dhe kam parë qiellin. Pas kësaj mbaj mend disa dërrasa në Kombinat.

 

Dërrasa?

 

Po, do ketë qenë ndonjë pazar dërrasash. Unë nuk di gjë nga i kam rënë, si kam shkuar deri në Kombinat, nuk e di si kam shkuar deri te Coca-Cola. Nuk i mbaj mend këto, i mbaj mend thjesht si pika.

 

Kush është njeriu i parë që takove pastaj?

 

Atë natë nuk kam takuar asnjë, kam ikur dhe kam fjetur tek shinat e trenit, diku në Kashar.

 

Po, nëqoftëse nuk mbaje mend, atëherë ishe në rregull, nuk kishe pse fshiheshe tek shinat e trenit. Mund të shkoje në shtëpi, nuk kishte ndodhur gjë për ty. Nga kush fshiheshe ti, pse ike?

 

Të ikën truri për disa minuta dhe të është fshirë kujtesa, nuk e mban mend që ke shkuar nga një vend në tjetrin. Atëherë normalisht diçka ka ndodhur, se unë e mbaja mend që kisha shkuar deri aty.

 

 

Ku shkove në fakt?

 

Kam dalë dhe kam prerë autostradën tek Coca-Cola, sesi kam dalë nga Kombinati te Coca-Cola do të jetë ndonjë hollësi aty diku që nëpër mjegulla e mbaj mend, kam prerë autostradën dhe kam ecur shinave të trenit. Kam fjetur diku në Kashar a nuk e kam idenë ku i bie.

 

Nuk ishe në Shkodër këtë natë?

 

Absolutisht. Aty më ka zënë gjumi sepse mbaj mend të nesërmen kur jam kthjelluar, nga ora 4, ka kaluar një tren mallrash dhe më ka zgjuar nga gjumi. Aty kam marrë shinat e trenit dhe kam shkuar me refleks drejt shtëpisë në Shkodër.

 

I the nënës tënde që ke vrarë?

 

Nuk kam takuar as nënë, asnjë. Kam takuar vetëm një vëlla, se për këtë punë shkova në Shkodër, pasi si njeri i SHIK-ut kisha mësuar sesi të mbijetoja dhe jo të takoja njerëz pafund. Aty ai më ka treguar pak ngjarjen dhe unë i tregova ngjarjen time.

 

Ti si ia mbylle ngjarjen, duke i thënë që nuk e dije a i vrave? Sepse lajmet thoshin që Marjan Rroku i ka vrarë vajzën dhe nënën.

 

Siç ta shpjegova ty sot, ashtu ia kam shpjeguar edhe atij. Ai më ka ndihmuar me lekë, ka marrë një dorë të mirë dollarësh, 15 mijë dollarë, kam shkuar në Mal të Zi dhe atje jam marrë vetë me letra, me dokumente dhe kam shkuar më pas në Amerikë.

 

Vëllai të jep në atë kohë 15 mijë dollarë? Ishte në gjendje të mirë ekonomike vëllai yt?

 

Po jo moj, i ka marrë borxh i shkreti, pasi isha i fshehur për pak ditë atje dhe ai i grumbulloi paratë dhe m’i solli.

 

Ku shkove ti pastaj?

 

Shkova në Mal të Zi.

 

Kaq kollaj ishte të kaloje atëherë pa dokumente apo të ndihmoi SHIK-u?

 

Ç’punë kishte SHIK-u me mua.

 

Si ç’punë kishte SHIK-u, ai ishte institucioni më i rëndësishëm i kohës.

 

Ore nuk kishte punë me mua po them. Kjo ishte punë private e imja, këto ishin gjëra që i kam bërë vetë. E kam bërë në këmbë për dy ditë e dy netë rrugën deri në Shkodër nga shinat e trenit.

 

Më fal, kaq kollaj qenka të bësh dokumente false, të shkosh në Mal të Zi, pastaj në Slloveni.

 

Po prit moj, se unë jam oficer i SHIK-ut, i trajnuar nga Shërbimet Sekrete amerikane, gjermane, sllovene.

 

E pra, atëherë këto shërbime të kanë ndihmuar.

 

Jo, jo. Unë isha trajtuar për të mbrojtur shtetin e jo më për të mbrojtur veten.

 

Gjithsesi, sado i trajnuar të ishe për të mbrojtur veten, duhej të kishe njerëz që të ndihmonin dhe unë për këtë po të pyes.

 

Jo, kam ndihmuar vetëm veten dhe kam qenë vetëm ashtu siç kam qenë edhe në Amerikë, ashtu siç kam shkuar deri në Amerikë vetëm, duke i rënë botës rreth e rrotull.

 

Për të ndihmuar veten, ndihma më e madhe që mund të bëje ishte të rrije në Tiranë dhe të merrje vesh çfarë kishte ndodhur se ti as e more vesh çfarë kishte ndodhur.

 

Nuk i jepja shpjegim një gjëje në atë kohë. Ç’ne këta njerëz, një ditë thonë o Marjan u sqarua kjo punë…

 

Lëre këtë, sepse e rëndësishme është që ti i vrave.

 

Mua këtë histori nuk ma besoi as vëllai, çfarë t’i thosha shtetit.

 

Çfarë të tha vëllai?

 

Çfarë të thoshte, rrinte kështu, çfarë po thua më thoshte.

 

Në fakt nuk besoi.

 

Ta përshtas unë historinë që ta besoni ju?

 

Jo, jo, ti trego historinë tënde, por problemi është që ti tregon një histori fëmijësh dhe në fund tregon që ti doje ta sqaroje. Ti doje t’i sqaroje të gjithë njerëzit dhe befas u gjende me qiellin mbi kokë dhe ato dy gra panë ferrin. Cila është historia, këtë nuk kuptoj. Si i vrave, pse i vrave? Kush është motivi?

 

Ju nuk e kuptoni që deri në një moment një njeri mund ta ketë memorien, pastaj e humb dhe e rifiton prapë?

 

Jo, jo.

 

Po një shkencë e tërë që merret me këtë punë dhe nga ana mjekësore shpjegohet ajo me 50 sëmundje. Janë shkencëtarë, doktorë, psikologë që merren me një shkencë të tërë që është amnisia, pra amnezia. Ke Huntington’s Disease, ke Parkinson’s disease, ke Multipersonal disorder, ke lloj-lloj sëmundjesh që e shpjegojnë nga ana shkencore që diçka e tillë ndodh, që nga një traumë e tillë, njeriu mund ta humbasë memorien për 1 minutë, 1 orë, 1 ditë ose për fare.

 

Dhe gjatë kësaj kohe që humbet memorien të vrasë dy gra, një të mitur dhe nënën e vet?

 

Gjatë kohës që e humbet këtë memorie ai vepron, lëviz, por lëvizjet e trupit të tij nuk janë të kontrolluara.

 

Në rregull, por ti nuk kishe të bëje me dy të panjohura në rrugës, që befas të iku memoria dhe i vrave. Ishin dy gra të njohura që po i ndiqje.

 

Çfarë do bëjmë ne, do dalim kundër shkencës? Jurisprudenca botërore njeh me mijëra e mijëra raste të tilla. Në gjyqet amerikane quhet automatizëm, që është një moment ku njeriu vepron në mënyrë automatike dhe ndërgjegjja e tij, truri i tij nuk e kontrollon dot, janë reflekse. Janë njerëz që dalin në gjumë dhe kryejnë një krim, janë njerëz që dalin dhe për një moment, kryejnë një krim të cilin nuk e mbajnë mend.

 

Atëherë ti je në këtë burg sepse ke bërë një vrasje në automatizëm e sipër?

 

Po. Dhe unë po të them që njihet në të gjithë botën dhe ka raste sa të duash. Kjo mund të shkaktohet nga një traumë ose nga ndonjë fyerje ose nga lloj-lloj gjërash. Gjithë ai presion që kisha në trurin tim në ato momente, si do shkojë kjo punë, erdhi një moment që u përplasëm dhe e humba dhe nuk mbaj mend.

 

Çfarë presioni kishe more Marjan. Një punonjës i SHIK-ut, një djalë 27 vjeç, një djalë i trajnuar nga CIA, përballë një familjeje nga fshati me tre vajza, njerëz intelektualë, njerëz të thjeshtë.

 

Atëherë i hedhim ato libra në plehra dhe marrim teorinë tënde. Çdo njeri ka personalitetin vet, kjo që për ty nuk duket asgjë, për mua në ato momente ishte kulmi, pse nuk i jap dot shpjegim kësaj, pse po më ndodh mua kjo punë?

Me logjikën që kam sot, them pse e vrava mendjen për atë punë. Se flasin keq ato, kujt po i bie në mend? Me logjikën që kam sot, por me logjikën e asaj kohe mendoja se kisha bërë mirë, se isha sjellë mirë me vajzën,e llastova dhe tani këto flasin keq për mua?! Mua më dukej çudi e madhe në atë kohë ndërsa tani më duket budallallëk i madh.

 

 

Atëherë,e ke pranuar ndonjëherë ti që i vrave këto dy gra me avokatin tënd në gjykatë?

 

Unë nuk kam folur në mënyrë absolute.

 

Por avokati yt e ka pranuar.

 

Po. Megjithatë edhe këtë e kam marrë vesh tani që kam ardhur. Vëllai im ka folur me një avokat dhe pasi kanë marrë 1,2, 3 avokatë dhe kanë parë dokumentet, ata i kanë thënë që ky do dënohet me burgim të përjetshëm, se e ka bërë vrasje me paramendim. Vëllai ia ka thënë avokatëve që ngjarja nuk ka qenë ashtu dhe i ka treguar variantin që i kisha thënë unë. Atëherë as ky nuk i ka dhënë dot shpjegim, por ka qenë pak ndryshe atëherë, ka qenë një lloj gjaknxehtësie. Avokati i ka thënë, në qoftë se shkojmë me këtë, Marjani nuk do e marrë të përjetshëm, por do marrë 10 a 15 vjet burg dhe në një rast të tillë, pas disa vitesh, është një nen aty që është parashtrim i krimit, pra në qoftë se dënohesh për 15 vjet dhe në qoftë se nuk të kapin për këto vite, ky vendim shuhet. Prandaj u vendos të firmosej për këtë variant. Me këtë variant, duke ndjekur këshillën e avokatit, vëllai ka firmosur. Tani, si është historia? Është kështu si them unë. Si i ka thënë Marjani vëllait? I ka thënë që e ka pasur shoqe. Avokati thotë, çfarë shoqe more, të gjithë thonë e ka pasur të dashur, ashtu ta përputhim historinë, ashtu siç thua ti nuk ta beson njeri. Avokati thotë ta përputhim dhe avokatin do ta ndjekësh, sepse ai të ka në dorë.

 

Po kush e shkroi atë letër, në media, që mbante firmën tënde?

 

Ajo është sajuar me lekë.

 

Si si?

 

Është sajuar me lekë, po them. Janë paguar lekë në media.

 

Nga kush? Nga familja jote apo jo.

 

Nga këta që kanë dashur të më ndihmojnë.

 

E pra, të kanë prishur punë. Po ti ku ishe ndërkohë, nuk komunikoje fare me familjen?

 

Absolutisht me asnjë.

 

Domethënë ti ishe i bindur që do ia dilje të ikje dhe do filloje një jetë të re?

 

Unë si fillim kisha ikur dhe pa ditur gjë, si pula pa krye.

 

Dhe ndërkohë nuk mbaje asnjë kontakt me gjyqin këtu, nuk të interesonte?

 

Absolutisht dhe në atë kanë futur edhe disa të tjerë për ta bërë më të besueshme, kanë futur nja tre të tjerë në gjyq, ca pajtime gjakrash, që gjasme ia paskam treguar historinë. Pra janë tre vetë që unë nuk i njoh fare kush janë dhe këto thonë që Marjani ia ka rrëfyer krimin. Të gjitha këto janë bërë me dëshirën për të më ndihmuar.

 

Por në fakt të kanë prishur punë?

 

Po, por me sugjerimin e avokatëve të mirë të Republikës së Shqipërisë.

 

Marjan, kur po flisnim në fillim, më the që rëndësi ka motivi. Kush është motivi në këtë mes, sepse ti thua që nuk mban mend dhe për sa kohë nuk mban mend, nuk ke as motiv.

 

Motivi është ky, ta tregoj unë motivin. Është një Marjan këtu që për një moment u budalleps, i iku truri kot më kot dhe kaloi në budalla për të zgjidhur një çështje që nuk e zgjidhtë kurrkush. Pse më kanë inat këto mua, që nuk i intereson askujt. Kjo dhe një palë tjetër andej që edhe ata u budallepsën, hajde ta mbyllim këtë histori dhe kur përplasen dy budallepsje bashkë do dalë diçka e shëmtuar siç doli ky krim.

 

Çfarë krimi i shëmtuar?

 

Dy gra të vrara pra, nuk është shëmtirë?

 

Ai ishte një tmerr.

 

Tmerr pra, hë, këtë po të them. Nga dy budallepsje doli diçka e shëmtuar. Thashë, unë jam nga ata që kur bëj diçka, e kam bërë mirë gjithë jetën time dhe kjo ishte balancimi i të gjithë kësaj që ishte diçka e shëmtuar. Prandaj nuk kam dashur të flas kurrë për këtë në jetën time, sepse jo ajo që më ka bërë mua Alda me të ëmën dhe familjen e saj, por një milionë herë më shumë po të më kishte bërë nuk justifikohet marrja e jetës së tyre dhe unë të paktën kaq respekt duhej të kisha për to, sa të mos flas kurrë dhe nuk kam folur kurrë për këtë ngjarje deri më sot. Sot më bëri të flas diçka tjetër, sepse nuk ka kuptim të abuzohet me këtë dhe të thuhet që ne ishim të pastër qelibar dhe Marjani luajti mendsh. Nuk ngatërrohen dy vetë, ku njëri është i çmendur dhe tjetri është i zgjuar. Duhen dy vetë për një sherr.

 

Por ti je gjallë dhe ato kanë vdekur.

 

E vërteta është e vërtetë dhe fakti është fakt. Unë nuk po e mohoj që ato nuk kanë vdekur, nuk po them që nuk më vjen keq për to, por ama të abuzohet kaq shumë për to nuk ka pikë kuptimi. Nuk po i bën kush respekt atyre se po abuzohet me këtë histori, që unë iu vura mbrapa, që unë i bëra këtë e atë. Nuk i bëhet respekti atyre kështu. Respekti i bëhet ose t’i lëmë në paqe ose të tregojmë të vërtetën e ta mbyllim këtë histori. Jo abuzime të tilla se nuk ka pikë kuptimi abuzime të tilla që njerëzit me lot krokodili thonë hajde të hakmerremi ndaj Marjanit që të mbrojmë ato. Ato duhet të rrinë në paqe dhe unë për këtë punë po them që nuk e kam hapur gojën deri më sot, absolutisht. Të paktën minimumi thashë, çfarë mund të bëj për ato dy shpirtra se nuk është kollaj të jetosh me dy shpirtra në kurriz.

 

I mendon shpesh?

 

Nuk ka natë që nuk i kërkoj falje Zotit për to.

 

Zotit i kërkon falje?

 

Zotit dhe ndoshta gjithë shqiptarëve, por jo atyre që po abuzojnë me këtë histori.

 

Aldës, i ke kërkuar falje?

 

Në Amerikë, më ka qëlluar qindra herë duke ecur të shoh vajza të gjata si Alda dhe thosha, ooo mos është gjallë ?

Nuk justifikohet vrasja. Unë kam një djalë në shtëpi dhe them, o Zot, në qoftë se ke për të marrë hak ndonjë ditë, ta paguajë unë, jo ai. E them përditë këtë.

 

Këtë të tha edhe nëna e Aldës sepse donte të shpëtonte vajzën kur iku, e mendon këtë?

 

Unë nuk kam dëgjuar asnjë lloj fjale aty dhe mesa di unë, nuk ekziston asnjë lloj fjale aty.

 

Domethënë ti thjesht i vrave. Nuk i dëgjove fare?

 

Nuk e mbaj mend po të them. Prandaj po them, ti thuaj çfarë të duash, nuk më besohet, mendo çfarë të duash, të gjithë nuk besojnë dhe unë nuk do e ndërroj një centimetër nga ajo që është këtu për t’ju bërë qejfin juve. Unë do them këtë, besoni ose mos besoni ju, unë nuk kam kontroll mbi atë. Është një Zot atje dhe Ai e di dhe do më japë atë që meritoj, por të paktën nuk do ia vë fajin vetes që unë gënjeva dhe Ai më dha këtë dënim.

 

Si ike ti në Shtetet e Bashkuara? Domethënë, sado i përgatitur të ishe, pa një njeri që të ndihmonte, është e pamundur.

 

Të thashë unë që profesor Klosi donte të më jepte drejtimin e një pozicioni? Që më vlerësoi e të gjithë këto?

 

Po.

 

Unë nuk isha atje për doktor. Isha për oficer i Shërbimeve Inteligjente. Në qoftë se unë nuk jam i zoti për të shpëtuar veten, atëherë ku mund t’i shpëtoj njerëzit unë?!

 

Ke përdorur dokumentet e SHIK-ut gjithë kohës atëherë.

 

Po ç’punë kishin dokumentet e SHIK-ut atje, unë kisha emër tjetër direkt në Mal të Zi.

 

E ndryshove menjëherë emrin.

 

Absolutisht, nga Mali i Zi kam shkuar në Bosnje, atje jam lidhur me ato, kam marrë dokumentet.

 

Ato, kush?

 

Njerëzit që më donin.

 

Të shërbimeve?

 

Jo të shërbimeve. Çfarë do, që të shpik ndonjë gjë me shërbimet?

 

Jo, dua të di të vërtetën. Të ndihmoi pushteti apo jo?

 

Ditën e fundit që kam ikur nga Shqipëria, atë datë 29, nuk kam pasur asnjë kontakt me SHIK-un.

 

Vetëm pistoletën e SHIK-ut.

 

Po, vetëm pistoletën. Nuk kam pasur as kontakt, as ndihmë, asgjë dhe as nuk kam shpresuar gjë nga ato. Kush e ndihmoi të iki? Këto gjërat që më pati mësuar SHIK-u, por jo SHIK-u. Këto janë abuzime të mëdha që fshihen.

 

Pistoletën më pas e hodhe?

 

Sigurisht, unë nuk do e merrja me vete në Jugosllavi as pistoletë, as dokumentet e SHIK-ut, asnjë lloj dokumenti.

 

E zhduke?

 

Po.

 

E zhduke edhe armën e krimit, në këtë mënyrë, provën kryesore që të fajëson ty?

 

Nuk ka as më fajësonte, as nuk më fajësonte, madje ajo nuk është as në vendimin e gjykatës. Kam një vendim gjykate këtu që thotë se nuk ka provë dhe unë do them kjo është e vërteta, se unë nuk do e ndërroj.

 

Në rregull, ta kthejmë mbrapsht Kodin Penal sepse nuk do bëjmë gjyq, po i heq të gjitha pyetjet që kisha ndër mend t’i bëja dhe kthehemi në një pikë tjetër. Ti, Marjani, mund t’i bësh të gjitha këto gjëra dhe mund të arrish atje ku do ti. Po ku do të arrish ti në fakt?

Kjo histori nuk është bardh e zi. 50 Shades of Grey, thotë ai libri e ai filmi. Janë 50. Unë nuk po them Marjani është i bardhë, se u mor vesh ajo punë, por nuk është as i zi dreqi e mori. Të mos më bëjnë atë pikturën e djallit sikur unë i përndoqa, i ndoqa e të tjera. Në emër të Aldës, hajde të hakmerremi ndaj Marjanit, hajde të hedhim baltë mbi Marjanin. Kam plot, i kam hedhur vetes boll, ju si opinion jepini secilit atë çfarë i takon. Mos abuzoni, sepse me këtë abuzim nuk po i bëni respekt atyre. Ore, po të çohet Alda sot nuk e kërkon këtë respekt, jam i bindur për këtë.

 

Ti nuk e di çfarë do Alda.

 

Nuk ma merr mendja që do të mashtrohej rreth kësaj, ma ha mendja që do kishte dashur atë që i dhashë unë deri më sot, heshtjen.

 

Ti i dhe heshtjen, por të përjetshme.

 

E di unë që ia dhashë atë.

 

Kur ishe në Amerikë, bërë familje, bëre një jetë tjetër, ia dole për një herë të dytë të kishe jetë. Çfarë mendoje ti, kur të kujtohej Alda?

 

Kam lexuar diku ku thotë, se personat që nuk e mbajnë mend krimin dhe viktimat e tyre i dalin në ëndërr, ata janë kriminelë të vërtetë. Pra, njerëzit që janë vrarë, ku të dalin në ëndërr, atëherë je cold blooded killer, vrasës gjakftohtë. Mua Alda dhe Mbarimja nuk më dalin në ëndërr dhe jo se jam vrasës gjakftohtë, por sepse nuk është e regjistruar në trurin tim ai moment. Nuk i shoh dot duke rënë apo duke mos rënë, plumbat ku shkuan e ku nuk shkuan. Mendja ime është stakuar në momentin që kam parë qiellin. Kaq. Pjesa tjetër nuk është e regjistruar.

 

Marjan, po edhe unë i kam parë në ëndërr ato dy gra, duke lexuar historinë e tyre.

 

Është gjynah dhe as nuk vë në dyshim atë punë, por nuk është Marjani ai që të bësh atë analogjinë sikur po bëje intervistë me vampirin, në këtë rast me Marjanin. Nuk jam ai vampiri.

 

Po kush je?

 

Unë jam një njeri që u budalleps për një periudhë kohe.

 

Nga dashuria?

 

Nga mirësia, nuk ishte dashuria, dhe nga ajo që të zbuloj pse këto janë me nerva me mua, që sot nuk i jap kuptim. Ç’mu desh mua, kështu e gjykoj sot. Por atëherë thosha, pse?

 

Fole me gruan tënde, për ndonjërën prej këtyre historive?

 

Absolutisht. Asnjëherë. Gruaja ime deri ditën e fundit e ka ditur që unë jam nga Sllovenia dhe kaq.

 

Po tani çfarë di ajo?

 

As sot nuk e di. Ajo thotë që nuk e beson që unë ta kem bërë një gjë të tillë sepse të njoh çfarë njeriu je, thotë. Kaq.

 

Po ti, e beson që e ke bërë një gjë të tillë?

 

Më ka ngel mua kjo tani, edhe unë do them që e kam bërë se nuk them dot që nuk e kam bërë, por unë po them që nuk e mbaj mend.

 

Besoj që ti ke lexuar libra të tillë dhe ti e di që shumë njerëz thonë që nuk e mbajnë mend. Ky është një variant i njohur.

 

Po çfarë të bëj unë? A të filloj të shpik ndonjë gjë për t’ia mbushur mendjen atyre? A do të ishte kjo më e pranueshme nga ana ime. Ky isha dhe këtë e bëra, e them sot dhe kjo do jetë hera e fundit që e them. Nuk është kollaj të flasësh për to dhe unë nuk kam dashur t’ia tregoj askujt, as ofendimin më të vogël.

 

Marjan, ka një gjë që nuk bën sens dhe po çmendem, dua të kthehem gjatë gjithë kohës nga fillimi. Një djalë kaq i zhvilluar mendërisht, vajza të shkolluara, një vajzë e mitur, një familje normale, budallepsen befas të gjithë? Por ato vdesin. Ky është përfundimi.

 

Ky është përfundimi i budallepsjes, normalisht. Është një përfundim logjik i alogjikes. Unë po them u budallepsa. Në radhë të parë që ia plotësova çdo tekë asaj dhe e lashë deri aty sa të më shfrytëzonte. Për këtë nuk ia vë fajin asaj, por vetes, dhe për këtë u tërhoqa. Dhe e dyta, që u mora me gjithë familjen, me kuptimin që “aman më lini rehat, çfarë keni me mua”, që ta sqaroja. Unë e kisha më të thjeshtë të bëja nja 3 ose 4 denoncime apo diçka të tillë. Por edhe denoncimeve të tyre, shteti nuk i është përgjigjur sepse nuk kanë pasur kuptim, nuk kanë pasur lidhje. Denonconin duke kërkuar të më hiqnin nga puna. Po pse? Këto gjëra nuk bëhen me logjikë. Me logjikë nuk arrihet një përfundim i tillë. Pikërisht se gjërat dolën jashtë logjikës prandaj dhe arriti një përfundim i tillë. Unë nuk e di nëse në këtë bisedë po dukem i zgjuar, inteligjent apo budalla fare, por mesa di, kam pasur njëfarë inteligjence dhe të arrij deri këtu, është një moment budallepsjeje, çmendjeje. Nuk është ndonjë gjë e mirë për ta pranuar, nuk po e shoh si ndonjë rrugëdalje, kjo ndodhi. E vetmja rrugëdalje që do shoh nga kjo histori është që Zoti të më japë çfarë meritoj dhe çfarë është shkruar, por unë do të them të vërtetën dhe jo atë që duan njerëzit të dëgjojnë.

 

Shkon në kishën e burgut?

 

Po.

 

Lutesh?

 

Po, lutem.

 

Po për Aldën, për Mbarimen çfarë kërkon?

 

Iu prehtë shpirti tyre në paqe.

 

Lutesh për ato?

 

Absolutisht. Nuk i merret jeta kujt.

 

Ti ke harxhuar gjithë këtë kohë për të gjetur një mënyrë ligjore sesi të shpëtosh apo jo?

 

Përderisa këto nuk kishin diçka për të më sjellë mua këtu, unë normale që nuk do rrija me qejf këtu. Të të them që desha të vij këtu? Jo, nuk e them. Unë i kam bërë të gjitha betejat ligjore, jo për të marrë azil, por për të kapur këtë momentin e azilit.

 

Domethënë, dita jote në këtë burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë, është një ditë duke shfletuar dhe kërkuar mundësira si të shpëtosh?

 

Po jo moj, e keni gabim.

 

Po të pyes, nuk e mendoj, është pyetje.

 

Ne nuk jemi UFO, këto mure këtu nuk na ndajnë nga ata jashtë, jo të gjithë këtu e kanë mendjen sesi të dalin. Ne fillojmë një proces dhe kjo është pjesë e jetës sonë ashtu siç ke një punë edhe ti. Ne jetojmë, punojmë, shikojmë kush është jashtë, çfarë bën jashtë, aktivitetet, tek Kisha, te xhamia, te futbolli, te bejsbolli. Pra nuk e kemi mendjen aty. Ajo ideja që të gjithë të burgosurit e kanë mendjen sesi të dalin prej burgut, jo, nuk është. As nuk e kemi ndarë mendjen për të qëndruar këtu dhe asgjë. Ne vazhdojmë atë procesin tonë paralel me jetën tonë. Dhe unë flas me nipa, mbesa, të gjithë që kanë ardhur nga jashtë. Madje një nga arsyet që unë kam dal këtu sot është kjo, më bën përshtypje shumë të madhe e gjithë kjo kthesë e opinionit shqiptar, kur dëgjoi ngjarjen. Pra, Marjani doli dha një mesazh që unë kujtova se mesazhi im u kuptua drejtë. Ditën e parë e kuptuan të gjithë drejt, saqë kërkuan të ritransmetohej, por ditën e dytë doli një njeri dhe tha Marjani gënjen.

 

Ajo nuk ishte një njeri, ishte motra e viktimës ajo. Po, ajo e ktheu opinionin, është e vërtetë.

 

Doli motra e viktimës, por çfarë tha ajo. Tha që Marjani gënjen.

 

Jo, të mos i kthehemi edhe një herë kësaj historie. Ajo nuk tha që Marjani gënjen, por dha variantin e saj të ngjarjes, tregoi momentin e fundit me të motrën.

 

Po mirë pra, ajo tha Marjani gënjeshtar, po e marr unë kështu. Kush është Marjani? Është mesazheri.

 

Ajo tha në fund, lërini faktet të vendosin, mos më besoni mua.

 

Më dëgjo mua. Dalja e Ornelës atje ishte për të thënë, mos e nxirrni Marjanin, mos e besoni Marjanin se është gënjeshtar. Por Marjani dha një mesazh që një moment të ndryshon jetën dhe nuk ka çfarë të mos besohet këtu. Marjani ishte mesazhieri. Ç’punë kanë njerëzit me mesazhierin, pse nuk merren me mesazhin?

 

Marjan, me Ornelën e ke ti problemin apo me fatin tënd?

 

Mua më bëri përshtypje ky ndryshimi i opinionit shqiptar. Pse ti mendon që ne e kemi mendjen vetëm të dalim prej burgut? Më bëri përshtypje opinioni shqiptar, që meqë doli mesazhieri mashtrues, atëherë mesazhi nuk ka vlerë. Jo, mesazhi ka vlerë.

 

Vërtetë ti pret që opinioni të jetë me ty? Ke vrarë një të mitur me nënën e saj.

 

Nuk e kam fjalën për mesazhierin, por për mesazhin.

E gjitha cfarë ndodhi u be sebep që të bëheshin emisione të tjera, për t’i bërë presion gjykatës që të mos e hapin këtë gjyq.

 

Jo, nuk e mendoj kështu. Unë e intervistova Ornelën, por nuk doja t’i bëja presion gjykatës. Unë e mora si palë të prekur. E pe Ornelën në emision?

 

Po, e pashë, e kam parë edhe në gjyq. E kam pasur kaq afër , sa ty. Tani më tepër e ka që të mos hapet kjo histori, por hajde ta groposim Marjanin.

 

 

Marjan, ne të dy jetojmë në këtë vend, ku vajzat e vogla i vrasin çunat që u pëlqen vetja dhe që besojnë që nuk do t’i kapi kush, por ja që i kapin. Dhe prandaj njerëzit bëhen me vajzat e vogla dhe jo me çunat.

 

Po nuk ishte kjo tema e diskutimit. Unë nuk thashë që ndokush të bëhet me mua. Unë e kisha fjalën te pjesa që u mor shkak nga një mesazh që doli mesazhieri gënjeshtar sipas tyre dhe o burra t’i hedhim të gjitha .

 

Marjan, ti ishe për një javë lajm dhe mund të jesh edhe pas kësaj interviste. Nuk do merret njeri, pastaj me ty, të gjithë do shohin punën e vet, ti je thjesht një lajm për ta, njësoj siç ajo vajza dhe nëna e saj janë në varr, nuk janë lajm veçse për familjen e vet.

Por tani, kur të gjitha të mbyllen dhe ti do shkosh në dhomën tënde, të mendosh për familjen tënde dhe jetën tënde, kështu do i thuash vetes përsëri, nuk e mbaj mend atë moment?

 

Ashtu do them gjithë jetën, sepse ashtu është. Unë nuk kam dalë këtu as të gënjej veten dhe as ty.

 

Dhe në fakt ti mendon që me ne të dy kjo histori u mbyll një herë e mirë?

 

Unë e kam mbyllur për vete. Unë nuk do rri nëpër televizione se nuk jam këtu për të thënë që më vjen keq për ato të dyja, sepse t’i thashë dhe ia them vetes më mirë se çdokujt tjetër, por unë nuk do rri më për tu marrë me këtë punë. Atë që kam për t’i bërë gjykatës, do ia bëj me shkrim sipas ligjit, asgjë tjetër. Kurse opinionit, nuk kam çfarë apeli t’i bëj sepse falje i kërkoj Zotit dhe gjithkujt. Unë e di që kam bërë gabim, por jo se do dal atje të fitoj pikë për këtë punë. E kam ditur qysh ditën e parë që kjo mund të më kthehet mbrapsht, por mendova që ishte diçka që ia vlente për t’u bërë sepse unë kam nipa, mbesa, motra, vëllezër atje jashtë. Jam njeri dhe unë. Kam njerëz. Mendoj se opinioni e priti ashtu si e priti, se po kthehem prapë të opinioni, por për këtë arsye kam dalë këtu, jo për t’i bërë gjyqin vetes, e jo për t’i bërë kërkesë gjykatës..

 

Çfarë është ky opinioni që të shqetëson kaq shumë, sepse ti krimin dhe për të vajtur deri tek ai krim, këtë ke pasur merak thellë-thellë, të sqaroje opinionin. Çfarë është ky opinion që të shkakton probleme, ty, një djali të arsimuar?

 

Nuk ju bën përshtypje që Shqipëria është zhytur deri këtu dhe në vend që t’i japim një dorë njeri-tjetrin e zhysim edhe më poshtë? Pse është çudi për ju që një kriminel në burg ta ketë këtë preokupim opinionin?

 

Sepse mendoj që preokupimi yt do te qe, të kujtoje ngjarjen.

 

Ngjarja ka kaluar, nuk e kthej dot mbrapsht. Edhe ta mbys sot veten unë, ato të dyja nuk i kthej në jetë. Ta di se i kthej në jetë, e mbys veten sot, por nuk i kthej dot ato.

 

Ky është preokupimi yt sot, çfarë do thonë?

 

Ky është për moment, një tjetër do jetë nesër, një tjetër do jetë pasnesër, por neve këto mure nuk na ndajnë nga jashtë, ne jemi pjesë e kësaj shoqërie, nuk jemi UFO. Pse është çudi që ne të jetojmë me ata që jetojnë jashtë? Pse të duket çudi që unë marr mbesën këtu dhe kur vjen në takim merr librat dhe mësoj me të? Pse qenka çudi që unë flas me tim bir dhe i them, çfarë bëre babi? Vërtetë jam kriminel dhe çfarë nuk kam bërë, e do më gjykojë gjykata, Zoti, por jemi njerëz si gjithë të tjerët. Çfarë është gjithë kjo urrejtje për njeri-tjetrin, ç’është kjo? Kam ikur në 2001 dhe jam kthyer në 2014 dhe e vetmja gjë që shoh është se njerëzit kanë shumë më tepër lekë, por janë shumë më mizerabël dhe ndjehen më keq, vetëm prej kësaj urrejtjeje për njeri-tjetrin, jo vetëm jashtë, por edhe këtu brenda. Nuk thotë njeri o Zot më nxirr nga burgu, por o Zot fute edhe gjakësin tim në burg. Jam në një moshë sot, jam 42 vjeç dhe nuk mendoj vetëm për veten dhe nuk po dal për t’i bërë presion opinionin, për t’i thënë sa burrë i mirë jam, se e morëm vesh kush është Marjani, por nuk çohet ky vend përpara, janë plot njerëz që po mbysnin njeri-tjetrin. Është një Kod Penal që thotë, bazohet në drejtësi-rehabilitim, por jo çdo gjë merret me hakmarrje. Hakmarrja është e ndaluar me ligj dhe dashur pa dashur në emër të drejtësisë bëni thirrje për hakmarrje.

 

Arsyeja që më solli këtu është që unë isha e bindur që ti do më tregojë 29 marsin. Mënyra sesi po iki tani më bën jo vetëm të pabindur për atë ditë, se nuk mësova gjë për atë ditë, por mua më çmend ideja që unë po dëgjoj një njeri i cili më thotë me fjalë të tjera se ato dy gra kanë vdekur kot. Nuk ka asnjë arsye të qenësishme që të të çonte ty edhe në humbjen e vetëdijes të vrasësh dy gra.

 

Po nuk ka arsye, logjike në botë që e shtyn një njeri, aq më tepër në pozicionin që kam qenë unë, për të vrarë dy gra. Nuk mund t’i japësh logjikë diçkaje që ka qenë e palogjikshme.

 

Po mundohem të kuptoj si ikin nga kjo botë dy njerëz, nënë e bijë.

 

Pa logjikë. Pa logjikë ikën ato.

 

Pa logjikë? Po kush mban përgjegjësi për ato të dyja?

 

Përgjegjësinë ta mbajë kush ta ketë, unë. Do ta mbaj unë, por me aq sa më takon. Në qoftë se jeni dakord që dy gra kanë ikur dhe duhet të iki edhe i treti, atëherë dil aty dhe bëj një emision që, ai që ka vrarë të vritet. Por jo të flasim ndryshe dhe të zbatojmë ndryshe. Krimi nga krimi ka krahasim, ka 2, 7, 15 vjet burgim. Tani ku do e bëjmë ndryshimin, të gjithë ata që vrasin të vriten? Ashtu ka qenë gjakmarrja. Atëherë le ta lëmë ashtu siç ka qenë. Por jo thoni ju, jemi shtet i civilizuar ku secili përgjigjet sipas ligjit. Edhe unë këtë po kërkoj, përgjigje sipas ligjit, për çfarë e kam bërë, a e kam bërë me dashje, pa dashje, me paramendim. Nuk është matematikë kjo, një ka ikur, dy kanë ikur sepse kjo është bërë në kohën e Kanunit. Në qoftë se jeni dakord me atë, silleni atëherë.

Unë nuk them se nuk e pranoj që i kam vrarë sepse të gjitha gjasat më çojnë aty në momentin e fundit që ka ndodhur ky krim, por ama më jepni atë që më takon. Siç e thashë në fillim, ka të zezë, të bardhë, dua të më jepni këtë grinë time. Nuk është se i jam vënë mbrapa atyre, nuk është se jam bërë xheloz, nuk është se i kam përndjekur si familje. Kam bërë budallallëkun më të madh që jam munduar t’i sqaroj atyre që nuk jam unë i keqi, ndërkohë që kjo është një dukuri shqiptare, ne prezumohemi të fajshëm dhe hajde të bëjmë punën të dalim të pafajshëm. Dhe në këtë kontekst edhe unë. Ata më thoshin je i keq dhe unë desha t’i mbush mendjen që nuk jam i keq, ndërkohë që po të kisha një mentalitet siç e kam sot, pak më evropiano-amerikan, them, ju mendoni keq, ju provojeni, por unë atëherë insistoja që nuk isha unë i keqi. Shkoja i takoja të gjithë për t’i sqaruar, të ëmën, të atin, nipin dhe ky ishte budallallëku im.

 

Dhe i vrave se nuk i sqarove dot?

 

Unë i vrava sepse u bë ajo punë dhe nuk kishte lidhje fare me sqarimin apo mossqarimin. Nga ky mossqarim, m’u mblodh një presion në kokë, mesa duket, dhe aty shpërtheu, aty nuk kishte më Marjan.

 

E mbyllim?

 

Si të duash.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here