Qeveria shkatërroi ekonominë, nuk e shëron dot “shiringa” nga BSH

0
132

Qeveria nuk ka kë të fajësojë veç vetes për gjendjen e rëndë ekonomike të vendit

 

Ervin Kaduku

 

 

Pak ditë më parë, Banka e Shqipërisë (BSH) uli përsëri normën bazë të interesit nga 1,5 në 1.25 për qind, duke shënuar një rekord të ri historik, në vazhdën e prirjes së viteve të fundit. Nga viti 2011, BSH e ka ulur 15 herë normën bazë të interesit, por ulja e fundit ishte një lëvizje surprizë në krahasim me mënyrën si Banka ka vepruar në të shkuarën: BSH ka pritur, gjithmonë, disa muaj përpara se të bënte uljen e rradhës. Këtë herë ajo ka ulur normën vetëm një muaj nga ulja e fundit.

Treguesit më të fundit të ekonomisë japin një arsye të fortë për këtë lëvizje të papritur të Bankës. Norma e inflacionit, treguesi kryesor për të cilin BSH ka detyrimin ligjor të mbikqyrë, ka prekur nivele mjaft të ulëta në muajt e parë të vitit, por shënoi nivel veçanërisht shqetësues gjatë shkurtit dhe marsit—respektivisht 0,2 për qind dhe 0,3 për qind—shumë larg nivelit prej 3 për qind, i shpallur si objektiv i politikës së Bankës së Shqipërisë. Niveli i ulët i inflacionit konsiderohet nga ekonomistët si treguesi kryesor i kërkesës së ulët në ekonomi. Kësisoj, në kushtet e inflacionit të ulët këshillohen politika stimuluese monetare (ulje e normës së interesit) dhe fiskale (rritje të shpenzimeve qeveritare).

Nëpërmjet uljes së rradhës, Banka e Shqipërisë po kërkon të stimulojë ekonominë gjatë një situate të vështirë duke synuar nxitjen e marrjes së kredive nga biznesi dhe individët duke ulur interesin bazë që, si rrjedhojë, duhet të ulë interesin e huave që ofrojnë bankat e nivelit të dytë. Por përkunder kësaj politike nxitëse të BSH-së, huamarrja po shënon prej kohësh vetëm rënie, duke arritur edhe dhe ajo një minimum historik. Lëvizja e fundit e BSH-së rrëzon parashikimet e fillimvitit të qeverisë, e cila deklaronte pritshmëri pozitive për ekonominë gjatë 2016-s. Rritja ekonomike e parashikuar nga qeveria në fillimin e vitit ishte 3,4 për qind. Pritshmëria u zbut me kalimin e kohës dhe, në një deklaratë të fundit, Guvernatori i BSH-së Gent Sejko u shpreh se rritja ekonomike parashikohet jo më shumë se 3 për qind. Por, uljet e njëpasnjëshme të normës së interesit nga BSH tregojnë se edhe kjo rritje, me shumë gjasa, është më e lartë, se sa mund të pritet realisht gjatë këtij viti. Për më tepër, në raportet e saj Banka po lë të kuptojë se mundësitë e saj për të nxitur ekonominë janë gjithmonë e më të kufizuara. Më thjesht, Banka po lë të nënkuptohet se ajo ka bërë çfarë mundi dhe, tani, janë instititucionet te tjera përgjegjëset kryesore për situatën e vështirë ekononomike që po kalon vendi. Tani, Qeveria nuk ka kë të fajësojë veç vetes për gjendjen e rëndë ekonomike të vendit.

 

Kredia

 

Por ka edhe më keq akoma. Përkundër politikës lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, bankat tregtare kanë rritur normat e interesit të kredive ndaj biznesit në tremujorin e parë, kryesisht si pasojë e normave më të larta për kredinë për investime. Banka e Shqipërisë në raportin e periodik për tendencat në kreditim në tremujorin e parë të 2016, të publikuar dje, shpjegoi se duke përjashtuar disa kredi me norma jotipike të dhëna ne këtë periudhë, normat për biznese kanë mbetur të krahasueshme me nivelin e tremujorit të katërt 2015. Nga ana tjetër, individët kanë përfituar nga reduktime të vazhdueshme të çmimit të kredisë, për të gjitha llojet e saj. Normat e interesit të kredisë në lekë për individë u janë afruar normave të interesit të kredive për biznese, të cilat historikisht kanë qenë më të ulëta. Në dy muajt e parë të vitit, vërehet vetëm një rritje e lehtë e normave të interesit për kreditë overdraft në krahasim me tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

Banka e Shqipërisë vërën se normat e interesit të kredisë në muajt janar-shkurt janë lehtësisht më të larta se në tremujorin e fundit të vitit. Ato janë shfaqur të luhatshme dhe vijojnë të ndikohen nga kredi të veçanta, në kushtet kur vëllimet e kredisë së re mbeten të ulëta. Në një krahasim më afatgjatë, ato vijojnë të ndjekin trend rënës, ndonëse jo aq të shpejtë sa ai i normave të interesit të depozitave. Sipas klientit, reduktimi i normave të interesit është më i dukshëm tek individët. Marzhet e ndërmjetësimit janë rritur në dy muajt e parë, por mbeten pranë mesatareve të viteve të fundit. Kushtet joçmim të kreditimit kanë qenë kryesisht në kahun lehtësues, si për individët, ashtu edhe për bizneset. Normat e interesit të kredisë në lekë kanë pësuar rritje në muajt janarshkurt.

Norma mesatare e tyre rezultoi 7.91%, nga 7.68% që shënonte në tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Kjo rritje i dedikohet kryesisht normave të larta për disa kredi për biznese të dhëna në dy muajt e parë të vitit. Pavarësisht luhatjeve afatshkurtra të tyre, normat e interesit për kreditë në lekë kanë ndjekur përgjithësisht një trajektore rënëse, në ndjekje të politikës monetare lehtësuese të zbatuar nga Banka e Shqipërisë. Kështu, çmimi mesatar i kredisë në lekë në dy muajt e parë të vitit është rreth 0.23 pikë përqindje më i ulët se një vit më parë dhe 0.66 pikë përqindje më i ulët se para dy vitesh. Normat e interesit për kreditë në euro në fillim të vitit kanë ecur në mënyrë të ngjashme me ato në lekë. Norma mesatare e interesit ka rënë për individët, e nxitur nga reduktimi i normave të interesit për kredinë hipotekare dhe për financimin e konsumit afatgjatë. Ndërkohë, ajo rezulton e rritur për bizneset krahasuar me fundin e vitit të kaluar, por kjo rritje reflekton nivele veçanërisht të ulëta të normave të interesit në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Duke mënjanuar këtë efekt, normat e interesit për kreditë në euro për bizneset janë gjithashtu në rënie. Në krahasim me një vit më parë, çmimi i kredisë në euro ka rënë, si për individët, ashtu edhe për bizneset. Nga ana tjetër, normat e interesit të depozitave në euro kanë zbritur në nivele të ulëta historike, prej mesatarisht 0.27% në janar dhe shkurt. Për rrjedhojë, marzhi i ndërmjetësimit në euro rezulton i rritur kundrejt tremujorit të fundit të vitit të kaluar, në 5.22 pikë përqindje. Kundrejt një viti më parë, ai është rreth 0.75 pikë përqindje më i ulët.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here