Feja në shkolla/ Hapet debati i ri në vend, komunitetet pro me kushte, akademikët shfaqen skeptikë

0
161

Edukimi fetar do të përfshihet në shkolla për të mbajtur të rinjtë larg radikalizmit. Orët mësimore rreth feve, do të aplikohen si fillim në disa shkolla urbane dhe rurale, për t’u shtrirë më pas në gjithë sistemin arsimor.

 

Sejrie Baleta

 

 

Përfaqësues të komuniteteve fetare në vend e konsiderojnë domosdoshmëri futjen e një lënde mbi fenë në sistemin arsimor shqiptar. Para dy ditësh deklarata e kryeministrit Rama e bërë pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ka hasur polemika të shumta. Nxënësit e arsimit parauniversitar do të kenë si pjesë të kurikullave mësimore edhe edukimin fetar. Ky lajm u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, gjatë aktivitetit artistik për profetin Muhamed. Orët mësimore rreth feve, do të aplikohen si fillim në disa shkolla urbane dhe rurale, për shtrire më pas në gjithë sistemin arsimore. Sipas Ramës, globalizmi kërcënon sot vlerat tona edhe ato fetare, por lufta ndaj ekstremizmit të dhunshëm, sipas kryeministrit nuk mund të arrihet vetëm me armë. “Të luftosh ekstremizmin e dhunshëm nuk mjaftojnë ushtritë, sepse nuk është betejë që fitohet përmes armëve, por është një luftë që fitohet në zemrat dhe mendjet e më të rinjve në gjithë botën. Ky mision fisnik i takon arsimimi për të përtërirë brez pas brezi vëllazërinë mes feve dhe popujve”, tha Rama.Por kjo deklaratë e futjes së lëndëve fetarë në shkolla është pritur mirë nga përfaqësuesit e komuniteteve fetare ne vënd. “Së fundmi hidhet një hap për përfshirjen e një lënde fetare në sistemin arsimor, domosdoshmëri, marrë për bazë edhe situatat e krijuar këto kohë mbi shqetësimet tepër serioze të prodhimit të ekstremizmit të dhunshëm. Por ajo që do ta qartësojë plotësisht, pasi të ulen pjesëmarrës të Komunitetit Mysliman Shqiptar, nga Ministria e Arsimit është bisedimi se cili draft do të përzgjidhet për Shqipërinë”, tha Ylli Gurra, myfti i Tiranës. Një projekt i tillë është diskutuar dhe konsultuar që prej dy vitesh, por sërish ka paqartësitë e veta. “Duhet të pranojmë se në sistemin arsimor ka qenë një boshllëk. Mësimi i etikës është shumë i rëndësishëm për sistemin arsimor. Është diskutuar me të gjithë përfaqësuesit e besimeve kryesore fetare këtu në Shqipëri, kemi bërë disa sugjerime. Mësuesit duhet të japin edhe mësime mbi fenë, duhet të jenë shumë të përgatitur”, tha Monsinjor George Frendo, ipeshkv. Konsultat pritet të vazhdojnë ndërmjet përfaqësuesve të komuniteteve fetare në lidhje me programin mësimor, sesa i thelluar do të jetë informacioni mbi fenë dhe cilët mësues do ta japin këtë lëndë nëpër shkolla. Por deklarata e kryeministrit dhe mungesa e informacionit mbi këtë projekt ka ndezur polemika në rrjetet sociale, lidhur me laicitetin e shkollës sonë. Pedagogë të Universitetit të Tiranës deklarohen kundër kësaj ideje. “Ku jemi këtu, në Iran, në Arabinë Saudite apo në Europën mesjetare? Nëse një prind do që fëmija e tij të marrë mësime fetare, e çon në një shkollë të licencuar për këtë punë dhe jo në një shkollë shtetërore. Mos vallë duhet ta mbushim shkollën me ferexhe apo veladone priftërinjsh?”, pyet profesor Artan Trebicka. Ndërsa të tjerë thonë se, duhet të saktësohet se bëhet fjalë për të mësuar mbi fenë dhe jo fenë, për të mësuar historinë e besimeve fetare. Kjo nismë pritet të zbatohet si projekt pilot, si fillim në një shkollë në zonë urbane dhe një në zonë rurale, për t’u shtrirë më pas në të gjithë vendin.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here