Kastriot Islami: Rama lëviz gjithmonë në drejtim të kundërt, po shpërfill thirrjet e John Kerry-t

0
118

Deputeti demokrat Kastriot Islami, në një prononcim për gazetën “Sot”, deklaroi se Kryeministri Edi Rama i trembet dekriminalizimit, e për këtë arsye po kërkon bllokimin. Madje ai u shpreh se veprimet e tij janë një sfidë që po i bëhet Shteteve të Bashkuara të Amerikës.   “Ndërkohë që pati një angazhim serioz ndërkombëtar, të SHBA dhe BE, për të kryer dekriminalizimin e maxhorancës e të administratës, Rama lëvizi në drejtim të kundërt. Rama sfidoi haptas ambasadorin e SHBA për kandidatët me rekorde kriminale të vendosur në disa bashki për zgjedhjet vendore të 2015. Madje, një sfidë e pazakontë ishte sjellja e Ramës pas vizitës së sekretarit amerikan John Kerry. Nuk ishte rastësi që Rama prej një viti vonoi dhe obstruktoi hartimin e ligjit për dekriminalizimin e maxhorancës dhe administratës publike. Janë të shumta rastet e referencave kur flitet për ndërhyrje të tij për të vendosur nën kontroll prokurorinë e gjyqësorin”, tha ai.   Më tej ai bëri përgjegjës kryeministrin për futjen e të inkriminuarve në politikë. Sipas Islamit, intelektualët u zëvendësuan me kriminelë.   “Rama është ideatori, konceptuesi, organizatori, realizuesi dhe përfituesi i vendosjes së individëve me rekorde kriminale në listat e PS. Rama dhe askush tjetër. Rama ka mundur të vendosë emrat e tyre në listën e kandidatëve për deputetë, pasi ka eliminuar shumicën e profesorëve e individëve me kontribute, vlera, eksperiencë dhe reputacion të fituar gjatë ushtrimit të profesioneve të tyre si dhe gjatë angazhimit politik në partinë socialiste (deri në 2005) dhe qeverisjet e vendit; eliminim që ka ardhur kryesisht për  shkak të integritetit të tyre e karakterit të tyre të fortë. Prurjet e tij “kriminale” janë mundësuar edhe për shkak të heshtjes e konformizmit të individëve të paaftë e integritet të dyshimtë dhe  mbështetjes nga klientela e tij përfituese”, vijoi ai. Islami ka deklaruar se arsyeja se përse janë vendosur të inkriminuar në listat zgjedhore ishte blerja e votave. Sipas tij, në zgjedhjet vendore u shpërfillën thirrjet e amerikanëve dhe të OSBE/ODIHR.   “Edi Rama ka sjellë dhe vendosur në listat e kandidatëve për deputetë të gjithë individët me rekorde kriminale me synimin e qartë blerjen e votave me të gjitha mënyrat, gjë që është bërë publike përmes raportit të OSBE/ODHIR për zgjedhjet në 2013 dhe 2015. Blerja e votave prej tyre është një dukuri e mirënjohur në të gjithë zonat e vëndit, veçanërisht në veri ku tregohen raste të shumta, tipike e të cuditshme të mënyrave për “blerjen e votave” dhe të indimidit të votuesve përmes teknikavë të ndryshme të kërcënimit.  Këta individë përveç përdorimit të shumave financiare marramendëse,  të padeklaruara në KQZ, në shumë raste kanë përdorur grupe të fortësh apo individësh me rekorde të dyshimta apo rekorde kriminale për të intimiduar kandidatët rivale por mbi të gjitha zgjedhësit”, u shpreh deputeti demokrat. Në vijim, Islami thotë se deputetët me rekorde kriminale janë shkaku kryesor i bojkotit të Kuvendit.   “Deputetët me rekorde kriminale, nën orkestrimin e Edi Ramës, përmes intimidimit të opozitës, ishin shkaku kryesor i tensionimit të situatës politike në Kuvend duke çuar deri në bojkotin e opozitës për shkak të përdorimit të dhunës ndaj deputetëve të opozitës me synimin e dyfishtë, mbylljen e gojës së deputetëve aktivë dhe kthimin e opozitës në fasadë. Këto sjellje do të vendosnin Shqipërinë, në vendin e parë në Europë që Parlamenti Europian do ti kërkonte Dekriminalizimin e Maxhorancës e të administratës publike. Këta deputetë do të ishin agresivë në të gjithë mbledhjet e komisioneve por edhe në shumë nga seancat parlamentare, duke kërcënuar jo vetëm deputetët aktivë opozitarë gjatë mbajtjes së fjalës por edhe në vendet e pushimit. Po kështu i gjithë ky kontingjent do të fillonte të “ushqehej” me asete e fonde publike për të kompensuar financiarisht kontributin material të dhënë prej tyre gjatë zgjedhjeve. Një pjesë e tyre, më tej, do të goditeshin për shkak të orekseve të tepruara politike a financiare, kurse një pjesë tjetër do të s’postoheshin përkohësisht apo edhe do të zëvendësoheshin për shkak të “gomarllëqeve” të pambrojtshme”, shprehet Islami. Ish-deputeti socialist po ashtu shprehet se Rama ushtron presion ndaj organeve të gjyqësorit për t’i nxjerrë të pastër deputetët e tij të inkriminuar.   “Rama qartas e madje mund të thuhet haptas, përmes përdorimit të gjyqësorit, po mbron e madje po tenton të “nxjerrë të pastër” të gjithë këta individë. Kurse atje ku kjo është e pamundur, Rama po tenton ti maskojë apo të garantojë kandidimin e tyre të sofistikuar (me proxy apo ndryshe përmes bedelëve) për ti krijuar idenë se “Rama nuk i ka shitur dhe nuk shet asnjë prej tyre”.  Individët me rekorde kriminale të “pastruar”, të maskuar, të fshehur, të rilindur, apo s’e di çfarë, do të vazhdojnë të kontrollojnë zgjedhjet dhe kuvendin e administratën publike të Shqipërisë përderisa Rama të jetë në krye të PS dhe Qeverisë. Për këtë s’duhet ushqyer asnjë dyshim. Rama dhe individët me rekorde kriminale janë në një simbiozë perfekte prandaj janë të pandashëm.  Opozita, qytetarët e partnerët duhet të kenë parasysh se çdo ditë, javë, muaj e më tej do të përballen me shfaqjen e tyre. Çdo tentativë për tu marrë me rastin e radhës për të përcaktuar qëndrimin apo zgjidhjen ad hoc do të vendosë analizën e shëndoshë në rrethin vicioz të “vezës e pulës”.   Shqiptarët e partnerët, të cilët e kanë të qartë peizazhin e Krimit, Korrupsionit e Oligarkisë në Shqipëri, duhet të ndërgjegjësohen për operacionin e vërtetë që çrrënjos Koksat nga kapja e shtetit: Largimin e Ramës. Gjithçka tjetër është humbje kohe, dhe arritja e këtij qëllimi është vetëm çështje kohe dhe kostoje”, nënvizoi Islami.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here