Kremtohet Sulltan Novruzi, Meta: Të forcojmë bashkëjetesën ndërfetare

0
152

Një numër i madh i besimtarëve bektashinj kremtuan Ditën e Sulltan Novruzit në Gjirokastër. Në Teqen e Zallit në këtë  qytet besimtarë të shumtë mbërritën edhe nga rrethet e tjera.   Besimtarët bektashi kremtuan  Ditën e Sulltan Novruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu, e cilësuar në botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe e ringjalljes së madhe. Festa e Novruzit shënon fillimin e vitit të ri sipas sektit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe.  Ne Teqen e zallit ne qytetin e Gjirokastrës besimtarët mberriten nga zonat perrethe  Sekti i bektashinjëve është i vendosur kryesisht në jug të vendit.  Por ai ka një shtrirje të mire edhe në zona te tjera.   Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ai lindi në Anadoll në shekullin e XIV dhe mori këtë emër nga themeluesi i saj Haxhi Bektash Beliu.  Në Shqipëri Bektashizmi depërtoi me pushtimin osman në qytete dhe qendra garnizonesh si Krujë, Elbasan, Gjirokastër, Tepelenë, Frashër.  Sipas burimeve historike, Bektashizmi njohu një përhapje të gjerë në popullsinë shqiptare të pakënaqur nga reformat centralizuese të Portës së Lartë, pasi kleri bektashi përkrahu lëvizjet popullore kundër pushtetit osman si dhe përdori gjuhën shqipe për një letërsi të tijën. Kreu i Kuvendit vizitoi kryegjyshatën e bektashinjve nga ku përcolli urimet më të mira për të gjithë besimtarët. Marrë shkas nga ngjarjet e terrorit në Bruksel, Meta riktheu në vëmendje rëndësinë e ruajtjes dhe forcimit  të bashkëjetesës ndërfetare në vendin tonë. Në fjalën e tij Meta tha: “Ishte kënaqësi që të vizitoja Kryegjyshatën Botërore dhe Baba Edmond Brahimaj, Kryegjyshin e Bektashinjve, në këtë ditë shumë të rëndësishme.Të gjithë sot jemi tronditur nga aktet terroriste të ndodhura në zemër të Evropës dhe të gjithë sot lutemi për shpirtin e viktimave dhe urojmë shërim sa më të shpejtë të të lënduarve dhe jemi pranë popullit belg dhe gjithë qytetarëve të Evropës. Por kjo është një ditë e shenjtë, kjo nuk është dita e frikës, kjo është dita e ripërtëritjes, është dita e ringjalljes, është dita e shpresës, është një ditë që na motivon edhe më shumë për të ruajtur dhe forcuar bashkëjetesën dhe harmoninë e shkëlqyer ndërfetare që kemi në vendin tonë, që është një pasur kaq e çmuar në këto kohë të vështira dhe të trazuara. Dhe me këtë rast ju uroj edhe një herë gëzuar këtë ditë të shenjtë të gjithë besimtarëve bektashinj por edhe të gjithë qytetarëve tanë”. Mesazh urimi me rastin e Ditës së Sulltan Novruzit përcolli edhe kreu i Shtetit, Bujar Nishani. “Me rastin e Festës së shenjtë të Sulltan Novruzit dëshiroj t’ju shpreh ju, si dhe përmes jush, të gjithë besimtarëve bektashinj shqiptarë dhe jo vetëm, kudo ndodhen, urimet e mia më të përzemërta e të sinqerta për sa më shumë shëndet, mirësi, lumturi dhe begati! Gjatë kësaj dite të madhërueshme, kur besimtarët bektashinj shqiptarë festojnë në këtë prag ringjalljeje pranverore lindjen e Imam Aliut, që për ta, si dhe për të gjithë ne, përfaqëson ripërtëritjen e besimit të palëkundur te jeta, vepra dhe forca e patjetërsueshme e të Plotfuqishmit, shqiptarët festojnë së bashku dhe ndajnë me njëri-tjetrin edhe gëzimin dhe shpresën për jetën dhe për një të ardhme më të mirë. Andaj, edhe sot, kur të gjithë bashkë kremtojmë dhe shkëmbejmë me shoqi-shoqin urimet më të ndiera për këtë ditë të bekuar, më lejoni të nënvizoj se në cilësinë e Kreut të Shtetit, jam besimplotë se mirëkuptimi, harmonia dhe uniteti do të mbizotërojnë mes të gjithë bashkëkombasve tanë!Gëzuar Sulltan Nevruzin!” Në Shqipëri Dita e Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here