Kostoja e projektligjit për kamerat e sigurisë/ Përgjigje skandaloze e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë

0
120

Porjekt ligji për kamerat e sigurisë së lartë I propozuar nga Ministria e Brendshme po shqyrtohet nga Komisioni Kuvendor i Ligjeve dhe komisioni i Sigurisë Kombëtare.

Ministri Tahiri kishte propozuar që ta kthente Shqipërinë në një “Shtet Big Brother”. Projektligji i Tahirit parashikonte instalimin e kamerave të sigurisë thuajse në të gjitha institucionet publike, anembanë vendit por dhe në  të gjitha bizneset private.

Ky projektligj i Tahirit shtronte dy probleme kryesore, e para ishte kostoja e projektit, dukej si një investim gjigand, kush do paguante dhe si? Dhe problemi i dytë ishte shkelja e të drejtave të njeriut nga zbatimi i këtij projekti të ministrit Tahiri.

Në lidhje me çështjen e parë, Komisionet Kuvendore kërkuan sqarime pranë ministrisë, pra sa do kushtonte ky projekt dhe kush do paguante dhe sa do paguante shteti dhe si do llogariteshin shpenzimet që duhej të bënin privatët.

Ministria e ktheu përgjigjen nëpërmjet kësaj shkrese të Drejtorit të Përgjithshëm të policisë Haki Çako.

Lexojeni pak se çfarë shkruan z.Çako:

Kostoja financiare për implementimin e këtij projektligji, për vendosjen e masave shtesë të sigurisë, mbulohet brenda tavaneve buxhetore të institucioneve shtetërore përkatëse.

Dhe më pas z.Çako shton:

Për sa i përket përllogaritjes së përafërt të kostos financiare për subjektet private, nuk është detyrim ligjor për hartuesit e këtij projektligji.

Pra hartuesi i projektligjit, shprehet se nuk është problemi i tij se sa shkon kostoja e zbatimit të këtij projekti nga subjektet private.

Ky është një rast i paprecedent kur hartuesi shtetëror i një projekti, nuk ofron asnjë të dhënë financiare mbi kostot e projektit dhe mbi shpenzimet që duhet të paguajnë institucionet ose privatët që do të kenë detyrimin ta zbatojnë.

Në këtë moment ligji është i miratuar dhe ka shkuar për dekretim tek Presidenti i Republikës. Ky i fundit pritet që ta kthejë mbrapsht ligjin, për shkak të problemeve që ka me të drejtat dhe liritë e qytetarëve .

Nëse Presidenti e kthen pas, ri-votimi do të kërkojë në parlament 70+1 vota, dhe loja mund të bëhet e vështirë pasi 14 deputetë të LSI-së në votimin e parë që kërkonte shumicë të thjeshtë (me më pak se 71 vota) nuk e mbështetën këtë ligj.

Ligji është shumë i dyshimtë edhe pse pësoi disa modifikime në komisionet kuvendore, ndërsa fryma dhe arsyeja kryesore për të cilën e kërkoi ministria e Tahirit këtë ligj është rrëzuar nga komisionet.

Tahiri kërkoi fillimisht të kishte një sallë gjigande kontrolli ku të kishte akses në kohë reale se çfarë ndodhte anembanë vendit.

Kërkonte një “Shtet Big Brother”, por komisionet ja rrëzuan këtë kërkesë duke e detyruar që policia vetëm me kërkesë mund të siguronte pamjet filmike tek subjektet shtetërore/private.

Por edhe me ndryshimet e bëra aktualisht, ligji paraqet shumë probleme.

Së pari, ligji nuk bazohet në asnjë direktivë të Bashkimit  Evropian, madje ky fakt theksohet dhe në relacionin që vetë ministria ka dorëzuar. Ligji është një nismë filo-shqiptare, nuk ka projekt të ngjashëm askund.

Së dyti, ligji imponon subjektet private që të vendosin kamera survejimi por edhe polici private dhe kjo është një ekstra-praktikë ekzemplare, sepse në vendet evropiane, vendosja e kamerave të tilla, edhe kur vetë subjektet private kanë iniciativën, nuk mund të bëhet pa lejen e organeve shtetërore të specializuara si Komisioneri i Mbrojtjes së të Dhënave Personale.

Nëse ligji hyn në fuqi, Shqipëria do të jetë i vetmi shtet në Evropë ku bizneset dhe institucionet do të jenë të detyruara të vendosin kamera sigurie.

Imagjinoni pak sa çerdhe, kopshte, shkolla, qendra shëndetësore, drejtori rajonale, magazina ka shteti.

Imagjinoni pak dhe ato mijëra biznese bar-restorante, dyqane, qendra tregtare, ambiente shfrytëzimi pallatesh, taksi, linja transporti publik etj. etj., që do jenë të detyruara të vendosin këto kamera.

Madje disa prej tyre do jenë të detyruara të mbajnë dhe polici private, nëse Ministria e Brendshme vlerëson se duhet të sigurohen edhe më shumë.

Përveç detyrimit me ligj për të blerë paisjet e kamerave, çka duket një biznes gjigand në “Shtetin e ardhshëm Big Brother”, thuajse të gjithë qytetarët do jenë të detyruar çdo vit që të paguajnë tek kompanitë e shitjes së kamerave dhe faturën e mirëmbajtjes, njësoj siç ndodh me ashensorët në pallate.

Është një biznes ku luhen mbi 100 milionë euro vetëm në fazën fillestare të montimit të kamerave, e më tej vazhdon dhe me kostot e garantuara të mirëmbajtjes.

Një biznes gjigand të cilin njerëzit që e kanë projektuar dhe duan ta kthejnë në ligj, as nuk duan t’ia dinë për kostot sepse siç thotë dhe z.Çako “ministria nuk ka detyrim ligjor të llogarisë kostot e privatëve”. / HashtagAL

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here