Hafizi përballë Ramës: Duhet garë për kryetarin. Kryesocialisti: Referendum. Të na rrojë partia

0
171

Kryeministri: Nuk duhet të dëgjojmë asnjë zë që rri duke u ankuar, duke na sharë, duke na u kundërvënë. Reformat nuk përcaktojnë fatin e zgjedhjeve të ardhshme se PS do i fitojë ato

Gëzim Saliu

Debati i brendshëm në PS për zgjedhjet u përcoll dje edhe në takimin me socialistët e Shkodrës, ku kryeministri Rama shpërndau kartat e anëtarësimit për të rinjtë e përfshirë në forcën më të madhe politike në vend. Në këtë takim, deputetja socialiste e këtij qarku Mimoza Hafizi nuk nguroi të theksonte përballë kreut të PS-së Rama kritikën e saj lidhur me zhvillimet jo demokratike në parti si edhe mungesën e garës për kryetar. “Shpresoj shumë që ju në PS të dashur të rinj dhe të reja vini për një karrierë të gjatë, të merituar dhe besoj që ju shpresoni që progresin e kësaj karriere ta meritoni. Që të mos lejoni të shpërfilleni as ju dhe as shokët tuaj. Dëshiroj shumë që të keni ardhur në PS për të gjetur një strukturë demokratike, për të gjetur një strukturë ku respektohen rregullat dhe normat, për të gjetur një strukturë ku secili prej jush ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet. Të zgjedhë më të mirin,  më të vlefshmin duke filluar nga kryetari i organizatës deri tek kryetari i partisë”, tha ligjvënësja e PS. Ndërkohë kryeministri duke shfrytëzuar vlerësimet e aktorit Bruno Shllaku, i cili u anëtarësua dje në PS, i ktheu edhe përgjigje deputetes Hafizi duke lënë të hapur mundësinë referendumit. “Për çështjen e kryetarit kemi me Mozën një diskutim, por do ta zgjidhim në mënyrën më demokratike. Moza thotë duhet zgjidhur, ti thua je i zgjedhun. T’i pyesim të gjithë! Jo këtu! Mos bërtisni se na akuzojnë se u vu diktatura. Me votim të fshehtë dhe qetësohemi të gjitha palët. Unë gati jam! Si ta doni!”, tha Rama.

Qëndrimet

Kryeministri Rama e nisi dje me batuta fjalimin përpara simpatizantëve të partisë së tij në Shkodër ku tha se kjo forcë politike në qeverisje po bën reforma që nuk u kryen në 20 vite. “Unë e di shumë mirë që nuk na duan, por se s’na duan na e marrin edhe të keqen, do thonë se e kemi mbushur Pallatin e Sportin me administratë, ndërkohë që e gjithë administrata e Shkodrës, aq sa ka nuk mbush dot as gjysmën, pavarësisht se një pjesë e administratës e ka opozita. Fakti që ata vijnë në këtë takim dhe disa vijnë përherë të parë në Partinë Socialiste është komplimenti më i shkëlqyer që i bëhet qeverisjes sonë. Pavarësisht se na duhet të bëjmë reforma që nuk u bënë në 20 e kusur vitesh. Prurjet në Partinë Socialiste janë më të mëdha se asnjëherë më parë. Kjo tregon se besimi tek Partia Socialiste nuk është lënduar, jo vetëm shpresa nuk është dobësuar”. Edhe gjatë këtij takimi, kryeministri foli shkurtimisht për akuzat e deputeti Ben Blushi, duke mos e përmendur konkretisht. “Na duhet një Parti Socialiste më e fortë sepse duhet t’i çojmë reformat përpara dhe të mos dëgjojmë as majtas dhe as djathtas. Nuk duhet të dëgjojmë asnjë zë që rri duke u ankuar, duke na sharë, duke na u kundërvënë. Këto reforma nuk përcaktojnë fatin e zgjedhjeve të ardhshme”.  Për sa i përket investimeve në zonë, Rama përmendi një projekt për Koplikun, ku duke ju drejtuar kryetarit të kësaj bashkie tha,: “Ky kryetar bashkie (ai i Koplikut) ka sjellë një projekt mbresëlënës, Kopliku pas një viti do të jetë një realitet plotësisht i rregulluar. Nga një qytet që u katandis në një katund pa lidhje, do të bëhet një qytet që do të jetë zemra krenare e Malësisë së Madhe”. Po ashtu Rama iu përgjigj edhe akuzave të kryebashkiakes së Shkodrës, duke theksuar se nëse quhet diskriminim që investohen 15 milionë euro në këtë bashki, “do të vazhdojmë ta diskriminojnë”. “Ata që thonë se jemi me Vllazninë, e lanë atë të luante në një fushë si fushe stalle. Ne nuk e duam Vllazninë ashtu, por si skuadrës të krenarisë sonë. Pallatin e Sportit do t’ia bëjmë Shkodrës siç e meriton. Ky apo një tjetër ne do ta bëjmë…Me rastin e Ditës së Evropës unë do të vij këtu dhe do ta marr për krahu Voltanën (kryebashkiaken) dhe të inaugurojmë muzeun e ri”.

 

Batutat dhe replikat

Rama : Zogu mos fishkëlle të lutem, e di që e ke nga gëzimi por mos e bëj

Rama: Meqë Elma ( e anëtarësuara e re) është maturante unë them të thërrasim një profesoreshë ti japë kartën, Mimoza Hafizin.

Hafizi: Unë nuk jam vetëm profesoreshë por dhe politikane, prandaj që të mos flasin vetëm politikanët burra po i them dhe unë dy fjalë si politikane grua.

Rama: Elma hajde këtu se erdhe në parti, sa erdhe do të ikësh, hajde rri me Mozën hajde.

Hafizi: Dëshiroj shumë që të keni ardhur në PS për të gjetur një strukturë demokratike, për të gjetur një strukturë ku respektohen rregullat dhe normat, për të gjetur një strukturë ku secili prej jush ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet. Të zgjedhë më të mirin,  më të vlefshmin duke filluar nga kryetari i organizatës deri tek kryetari i partisë.

Aktori Shllaku: Do të kisha shumë dëshirë që t’i drejtohem z.Rama. Ju flas me shumë emocionon, jam i privilegjuar që ju jeni kryeministër im. Siç jam tej mase i privilegjuar që aderimin tim fillestar në këtë parti e filloj duke qenë kryetar ju dhe që do të vazhdoni të jeni po kryetar.

Rama: Për çështjen e kryetarit kemi me Mozën një diskutim, por do ta zgjidhim në mënyrën më demokratike. Moza thotë duhet zgjidhur, ti thua je i zgjedhun. T’i pyesim të gjithë! Jo këtu! Mos bërtisni se na akuzojnë se u vu diktatura. Me votim të fshehtë dhe qetësohemi të gjitha palët. Unë gati jam! Si ta doni!

Rama: Këtu me studime jashtë shtetit kemi Mozën dhe Ditmirin, Moza foli, Ditmiri foli në fillim sikur po i fliste OKB-së, tashi hajde jepi kartën dhe fol dy fjalë zemre se nga menja je në rregull zemrën ke içik problem.

Bushati: Mirëserdhe në PS, të uroj shumë suksese!

Rama: Ja… e dëgjuat! Po thuaja një fjalë më shumë, thuaje se nuk bohet qameti.

Bushati: E ka karrierën e sigurt me arsimin që ka.

Rama: Fatjon ( i anëtarësuari i ri) ishe me shumë emocione, këtu vetëm një njeri emocional kemi. Hajde Pjerin. Jepi një teserë me emocion.

P.Ndreu: Ne policët dihet që kemi emocione… desha t’u them z. Kryeministër se edhe ne shkodranët prej Puke e kemi marrë veten. E para kemi ekipin në Superligë si Vllaznia dhe kemi bo dy gola një në Pukë dhe një në Fushë-Arrës dhe mos na harro.

Rama: Besoj se e kuptuat që donte stadium në Pukë dhe emocionet nuk i ka si polic, po si ish-polic se kur e lejnë emocionohen këta se kur e kanë nuk kanë emocione.

P.Sterkaj: Kam besim tek Edi Rama dhe PS që do të kthejë vëmendjen në Veri të Shqipërisë

(Dikush fishkëllen nga salla) Rama: Zogu mos fishkëlle të lutem, e di që fishkëllen nga gëzimi por mos fishkëlle.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here