Reforma në drejtësi/Sot palët bashkë në Komisionin e Posaçëm, PD këmbëngul për tryezën politike dhe Byronë

0
206

 

Çështja e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, debat kryesor mes palëve

Gëzim Saliu

Mazhoranca dhe opozita do të ulen së bashku në tryezën e Komisionit të Posaçëm për të debatuar mbi reformën në drejtësi. Pas mbërritjes së opinionit të Venecias dhe qëndrimeve paraprake, palët do të përballen në takimin e pasdites së sotme, ku pavarësisht bojkotit të pjesshëm ndaj Kuvendit,  është konfirmuar edhe pjesëmarrja e opozitës. Por duket se më shumë se diskutim mbi rekomandimet e ekspertëve të Venecias, mazhoranca dhe opozita do të debatojnë për të përcaktuar mënyrën sesi do të zbatohen ato.

Qëndrimet

Pas mbërritjes së opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias, palët shprehën qëndrimet e tyre. Nga njëra anë PS i qëndroi draftit të ekspertëve të nivelit të lartë që e ka mbështetur që nga fillim, duke pohuar se opinioni i Venecias nuk e rrëzoi atë. Ndërkohë PD theksoi se opinioni i  Komisionit vërtetoi se sa të drejta ishin qëndrimet e opozitës për uzurpimin e institucioneve të pavarura nga qeveria me draftin e saj. Nga ana e saj LSI, parti së cilës me opinionin e Venecias iu plotësuan të dyja kërkesat kryesore të saj, ka bërë thirrje për konsensus mes palëve duke vënë theksin tek një reformë të bazuar thellësisht tek Venecia. Në këtë çështje, PD ka vënë si kusht uljen në një tryezë politike për të gjetur konsensusin, kryesisht për çështjen e emërimeve në zgjedhjen e anëtarëve te këshillit te lartë të drejtësisë dhe disa institucione te tjera. Partia Socialiste, deri para publikimit të Opinionit final të Komisionit të Venecias, ka mbrojtur idenë për zgjedhjen me 3/5 e votave të ligjvënësve të këtyre anëtarëve, ndërkohë që demokratët në opozitë, kanë theksuar se nevojitet një zgjedhje me 2/3 e votave, që shkon drejt konsensusit politik. Këtu bëhet fjalë për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Këshillit të Lartë Gjyqësor. Venecia në opinionin e saj theksoi se kompozimi pluralist i institucioneve, mund të arrihet me mjete të tjera, jo domosdoshmërish, duke vendosur një prag të lartë votimi. Në këtë opinion thuhet se një model tjetër i zgjedhjes konsiston në krijimin e dy listave alternative të kandidateve, një nga koalicioni qeverisës dhe një nga opozita. “Këshilli i Emërimeve do të bëjë renditjen e kandidatëve dhe do t’i dërgojë Parlamentit të dy listat, nga të cilat do të përzgjidhen 3 nga lista e mazhorancës dhe 2 nga lista e opozitës; në të dyja rastet me 3/5 e votave”. “Një gjë nuk ka të shkruar që opozita të ketë ndikim. Nuk bëhet fjalë për ndikim partiak në formimin dhe zgjedhje sepse ndryshe do të kishim vullnete politike të shprehura në përfaqësime politike në këto institucione të pavarura”, ka pohuar kreu socialist i Komisionit të Reformës në Drejtësi.  Po ashtu opozita këmbëngul edhe për Byronë e Hetimit, ku Venecia sugjeron që të qartësohet roli i kësaj strukture. Por mazhoranca në projektligjin e saj, propozon që kjo njësi të jetë pjesë e Policisë dhe drejtuesi i Byrosë të zgjidhet me propozim të Ministrit të Brendshëm dhe më pas të marrë pëlqimin e kryeprokurorit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here