Basha: Veliaj po shkallmon Parkun e Liqenit pa leje, për interesat e tij korruptive

0
176

Lideri i opozitës Lulzim Basha ka deklaruar përmes rrjeteve sociale, se me qeverinë Rama po gëlon shkelja e ligjit, si dhe korrupsioni. Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike theksoi se është Erion Veliaj ai që shkallmon Parkun e Liqenit pa leje, për interesa korruptive. “Edi Rama vazhdon të thellojë hendekun mes dy botëve që ka krijuar në vend. Në botën e tij gëlon shkelja e ligjit, e kushtetutës, vjedhja e korrupsioni. Në këtë anë, janë strehuar hajdutët që vjedhin dhe s’pyesin për askënd. Në botën tjetër, janë qytetarët e pamundur, të cilët i kap ligji dhe represioni, edhe për një tjegull që vendosin në çati, edhe për një dritare që rregullojnë” – bëri me dije kryedemokrati Basha, i cili shtoi se në botën e Edi Ramës, është Erion Veliaj që shkallmon Parkun e Liqenit pa leje, dhe se sipas tij, ndërton kafe dhe restorant për interesa korruptive. Ndërkaq, Basha nënvizoi se është Armando Prenga që pasi ka bërë kasaphanë me armë pa leje brenda komisariatit të policisë, sot shqyrton në parlament dekretet e Presidentit. Gjithashtu, kryeopozitari Basha vuri theksin edhe tek rasti i ministrit të Shëndetësisë, ku sipas tij Ilir Beqaj po vjedh çdo ditë miliardat. “Janë Beqët e Ahmetajt që po zhvasin çdo ditë miliarda me konçesione. Është Tahiri, kumbari i trafikut të drogës. Eshte Kokëdhima që sundon Jugun. Balla që kontrollon çdo emërim, liçensë e tender nga Elbasani në Korçë. Një gjiriz i madh me shkelës ligji, me vjedhës, me të korruptuar. Në botën e qytetarëve dhuna ndaj tyre shtohet çdo ditë. Burgu i pret të pamundurit, të cilët ndëshkohen pikërisht për varfërinë e tyre” – deklaroi lideri i opozitës, ndërsa i cilësoi këto akte si padrejtësi që po çojnë çdo ditë në konflikt social. Në deklaratën e tij në facebook, Lulzim Basha tha se këto dy botë nuk mund të pajtohen. “E vetmja rrugë që i ka mbetur qytetarëve është të përballen me kampin e sunduesve të korruptuar. Të qëndrojnë përballë tyre. T’u rezistojnë me forcë dhunuesve, plaçkitësve. Protestë, rezistencë, përballje. Kjo është rruga e qytetarëve. Ky është shpëtimi” – bëri me dije kryetari i Partisë Demokratike. Në fund të deklaratës së tij, Basha ka cituar se ndryshe vjedhja, korrupsioni, shkelja e ligjit, zhvatja e pasurive publike do të shtohen çdo ditë, do asfiksojnë vendin, do të mbysin demokracinë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here