Rritet ndjeshëm numri i shqiptarëve që përdorin internetin

0
156

Viti 2015 solli një rritje të ndjeshme të përdorimit të internetit nga shqiptarët. Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për vitin 2015 numri i abonentëve të internetit, përmes linjave fikse u rrit me 17%. Sipas AKEP, janë tashmë 243 mijë familje apo sipërmarrje që kanë një lidhje interneti me brez të gjerë. Ndërkohë, gati 150 mijë abonentë marrin më shumë se një shërbim përmes një linje fikse, ku internetit i shtohet telefonia fikse apo televizioni me pagesë. Në veçanti, marrja e të treja këtyre shërbimeve nga familjet ka një tendencë shumë të fortë në rritje. Abonentët që shfrytëzojnë lidhjen broadband për të marrë të tre shërbimet njëkohësisht janë afro 72 mijë, dy herë më shumë krahasuar me vitin 2014. Një rritje shumë të lartë ka regjistruar edhe shërbimi i internet me brez të gjerë përmes rrjeteve celulare. Sipas AKEP, përdoruesit e shërbimeve 3G apo 4G janë tashmë 1.3 milionë, në rritje me 43% krahasuar me fundin e vitit 2014. Konkurrenca më e lartë dhe hyrja e teknologjisë 4G kanë ndihmuar në një rritje më të shpejtë të këtyre shërbimeve. Është e qartë tashmë se internet dhe shërbimet e lidhura përbëjnë segmentin më dinamik në tregun e komunikimeve. Këtu duket se ka ende potenciale të rëndësishme për rritje, ndërkohë që tashmë tregu i shërbimeve celulare bazë ka arritur një lloj maturimi. Sipas AKEP, numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare u rrit me vetëm 1% gjatë vitit 2015. Për shkak të rregullimit të tregut, që ka barazuar tarifat për thirrjet brenda dhe jashtë rrjetit, shqiptarët nuk janë më të detyruar të mbajnë disa numra njëkohësisht. Njëkohësisht, portabiliteti e bën të thjeshtë kalimin nga një operator te tjetri, pa qenë e nevojshme të merret një numër i ri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here