Të drejtat e njeriut / Këshilli i Europës kritikon Shqipërinë për përzëniet e romëve

0
143

 

Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës Nils Muiznieks i dërgoi letra kritikuese shtatë shteteve europiane në lidhje me përzëniet me dhunë të bashkësive rome nëpër këto vende pa siguruar më parë kushte të përshtatshme strehimi. Letrat iu dërguan Shqipërisë, Bullgarisë, Francës, Hungarisë, Italisë, Serbisë dhe Suedisë, me thirrjen e përbashkët ndaj këtyre qeverive për të ndaluar shkatërrimin e vendbanimeve të romëve dhe përzënien e tyre pa krijuar paraprakisht kushte të përshtatshme strehimi për to. Një pjesë e qeverive raportohet se i kanë dhënë përgjigje me shkrim shqetësimeve të ngritura për shkeljen e të drejtave të njeriut ndërsa letrat për Shqipërinë dhe Bullgarinë rezultojnë pa përgjigje. Muiznieks ia dërgoi letrën e tij të vërejtjeve për Shqipërinë ministres së Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni më 26 janar 2016 . “Unë kam marrë raporte shqetësuese për përzënie me dhunë të romëve dhe egjiptianëve në Shqipëri, veçanërisht pas zbatimit të ligjit të vitit 2014 mbi Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Ndërtimeve të Paligjshme,” thuhet në letrën e Këshillit të Europës për ministren Gjermeni. “Shqetësim i veçantë për mua qe përzënia në tetor 2015 e rreth 200 familjeve rome dhe egjiptiane, përfshirë fëmijë dhe të moshuar, nga vendbanimi i tyre i parregullt pranë Liqenit Artificial në Tiranë. Këto përzënie ndodhën pa iu ofruar strehim të përshtatshëm alternativ, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për të ofruar strehim,” vijon më tej letra, e cila u bë publike të martën. Në tetor 2015, Bashkia e Tiranës lajmëroi se kishte në plan të shkatërronte një vendbanim me barraka pranë Liqenit Artificial për të rehabilituar zonën si park dhe për të luftuar ndotjen dhe abuzimin me mbetjet urbane. Të 48 familjet, u përzunë, barrakat e tyre u shembën dhe shumica e tyre mbeti efektivisht nën qiell të hapur, fjetën ku të mundnin dhe u përndoqën nga Policia Bashkiake në së paku dy raste të tjera kur u përpoqën të ringrenë barraka. Sipas Muiznieks, një shqetësim më vete qe fakti që përzëniet u kryen nga zyrtarët e bashkisë pa komunikuar një vendim zyrtar për përzënien, gjë që i hoqi atyre mundësinë të kenë mbrojtje ligjore. “Personat e dëbuar tashmë duhet të marrin urgjentisht strehim të përshtatshëm dhe duhet të hartohen dhe zbatohen strategji afatgjata strehimi, si dhe një strategji për integrimin e plotë dhe efektiv të kësaj popullate në Shqipëri,” rekomandon Komisioneri Muiznieks. Komisioneri Europian i të Drejtave të Njeriut e thekson çështjen e strehimit të romëve dhe egjiptianëve një problem afatgjatë të Shqipërisë me të drejtat e njeriut si dhe kritikon në tërësi kuadrin ligjor aktual për strehimin dhe programet e qeverisë për strehimin si të papërshtatshme për të zgjidhur këto probleme. Dëbimet e mëparshme të komunitetit rom, si ato të vitit 2014 nga Selita për t’i hapur rrugë ndërtimit të Unazës së Madhe kanë rezultuar gjithashtu të pasuksesshme. “Familjet rome të Selitës nuk kanë gjetur strehim të përshtatshëm, pasi nuk u është dhënë asnjë ndihmë për të gjetur një strehim që përmbush nevojat e tyre, përveçse dy vite qira të paguar”, thuhet në letrën e dërguar Ministrisë së Zhvillimi Urban. Në raportin e vitit 2015 mbi Shqipërinë, Komisioni Europian kundër Racizmit dhe Intolerancës, mungesa e të ardhurave të rregullta dhe procedurat burokratike ishin dy prej arsyeve kryesore që pengojnë komunitetin rom dhe egjiptian të përfitojë nga strehimi social. Programet aktuale të qeverisë shqiptare për strehimin janë dizenjuar në mënyrë të tillë ku përfituesit duhet të disponojnë të ardhura të rregullta prej disa qindra eurosh në muaj, gjë që lë jashtë mundësisë për përfitim familjet më të varfra. Dëbimet e romëve janë pjesë e një problemi më të gjerë në Europë. Letra të ngjashme iu dërguan Bullgarisë, Francës, Hungarisë, Italisë, Serbisë dhe Suedisë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here