Vlorë, analiza e policisë/ Tahiri: Prokuroria dhe gjykatat lirojnë kriminelët e arrestuar nga policia, reforma jetike

0
146

saimir-tahiriMinistri i Brendshëm foli për punë të mirë të policisë. Nuk pranoi të përgjigjet për vrasjet e shumta të këtij fillimviti. Deklaroi se reforma në drejtësi do të ishte jetike për zbardhjen e çështjeve dhe do t’i jepte fund problemeve ne sistem

Alma Çuka

Nga  qyteti bregdetar i Vlorës ku mori pjesë në analizën vjetore të policisë, Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, deklaroi se reforma në drejtësi do t’i jepte fund rasteve korruptive në prokurori dhe gjyqësor, ku sipas tij krininelët që arrestohen nga policia lihen më pas të lirë. I bindur se policia  është në rrugën e drejtë dhe po punon pa kursim për të ulur kriminalitetin, Tahiri kërkoi që të njëjtën gjë të bënin edhe organi i akuzës dhe gjykata. Sipas tij dy institucionet e dhënies së drejtësisë nuk janë në nivelin e policisë. Ai tha se gjykata duhet të jap dënime të rënda për kriminelët e jo të lëjojë rikthimin e tyre  në botën e krimit brenda një kohe të shkurtër. Për Ministrin e Brendshëm puna e policië nuk duhet të ndahet nga ajo e organeve të tjera të drejtësisë.  “Nuk duhet parë puna e Policisë veçmas nga puna që bëjnë organet e Drejtësisë. Kriminelët që arreston Policia duhet të merren në burg e të vuajnë dënimin.  Reforma në Drejtësi i përcakton këto standard. Reforma është e domosdoshme pasi vetëm në këtë mënyrë nuk do të lejohen  më kurrë kriminelë që riciklohen në shoqëri për shkak të vendimeve të korruptuara të gjykatave. Jeni dëshmitarë të ngjarjeve të përsëritura, me njerëz që kanë rekorde kriminale të përsëritura, që në vlerësimin tonë duhet të ishin duke vuajtur dënimin, tha ministri Tahiri. Ai iu referua edhe shumë rasteve kur kriminelë të cilët kryejnë një apo disa vrasje lihen të lire brenda pak vitesh duke u kthyer sërish në rrugë dhe duke kryer të njëjtën gjë. “Një njeri që kryen një ngjarje kriminale nuk mund të gjendet  i lirë pas dy vitesh, e të përsërisë të njëjtat ngjarje kriminale.  Reforma në Drejtësi duhet të adresojë pikërisht këto çështje. Në tërësi, Reforma në Drejtësi duhet t’i përgjigjet prioriteteve të shoqërisë – e një ndër to është pa asnjë dyshim ndërtimi i një kapitulli tërësisht të ri në raportin ndërmjet Policisë, institucioneve në tërësi dhe qytetarëve, për ta bërë Shqipërinë një vend më të sigurt.  Dhe që të ndodhë kjo duhet të garantojmë që puna e Policisë dhe me radhë Prokuroria e më pas Gjykatat të ndjekin të njëjtin ritëm. Kjo do të thotë që të korruptuarit të shkojnë në burg, ata që shkelin ligjin dhe kryejnë vepra penale kundër njeriut të shkojnë në burg, ata që shkelin ligjin, qoftë edhe për rregullat e qarkullimit rrugor siç përcakton Kodi Penal,  të marrin dënimin e merituar. Vetëm kështu mund të shpërblejmë besimin e njerëzve që respektojnë ligjin, në raport me sigurinë që duhet t’u japim qytetarëve”, – deklaroi  ministri.

Kërkesa për forcimin e dënimit për armëmbajtjen

Ministri Sajmir Tahiri nuk është mjaftuar me ndryshimet e fundit të Kodit Penal në vitin 2013. Ai i është rikthyer sërish kërkesave për ndryshim të kodit dhe pikërisht  për nenin që bënë fjalë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Sipas tij kjo vepër duhet të klasifikohet si vepër e rëndë. Tahiri shtoi se pak kohë më parë i është drejtuar  me një kërkesë edhe Ministrit të Drejtësisë. Ai tha se kjo do të bënte të mundur shmangien e shumë krimeve dhe sigurinë e shoqërisë. Nuk ka kursyer as kritikat ndaj Gjykatës Kushtetuese e cila pak kohë më parë me një vendim të saj hodhi poshtë ndryshimet e Kodit Penal për armëmbajtjen pa leje, pikërisht pjesën ku thuhej se “çdokush që kapet me armë pa leje dënohet deri në 10 vite burg “. Këtë pjesë Kushtetuesja e ka rrëzuar duke zbutur sërish këtë vepër penale. Tahiri e ka quajtur vendim të rrezikshëm, ndonëse deklaroi se është në pritje të zbardhjes së vendimit për të reflektuar dhe nisur sërish nga puna. “Ne po presim zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për armëmbajtjen pa leje. Unë rezervohem të jap gjykimin tim kur të shoh vendimin e zbardhur, sepse në pikëpamjen time paraprake është një vendim mjaft i rrezikshëm.  Gjithsesi, duke respektuar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimin që pritet të zbardhet, do marrim masa që edhe armëmbajtjen pa leje ta rikthejmë si vepër të rëndë penale. Për këtë kam biseduar edhe me kolegun Manjani edhe me kolegët në parlament, sepse është një  çështje vendimtare në luftën kundër kriminalitetit. Personalisht mendoj që armëmbajtja pa leje duhet të dënohet në mënyrë maksimale dhe të rëndë. Është një fenomen që duhet të na shqetësojë shumë si shoqëri, për sa kohë ka njerëz që ende për zgjidhjen e konfliktit të tyre i drejtohen armës. Armëmbajtja pa leje nuk mund kurrë të lehtësohet si vepër penale. Paraprakisht më duket vendim mjaft i rrezikshëm por pres të zbardhet. Do reflektohen sugjerimet e Gjykatës Kushtetuese, por do kërkoj me insistim që armëmbajtja pa leje të quhet vepër mjaft e rëndë penale”, – tha Tahiri.

Pona e policisë në 2015

Për titullarin e Ministrisë së Brendshme në vitin 2015 kriminaliteti shënoi ulje. Ai tha se viti që sapo u mbyll pati vrasjen më të ulta se në 25 vite me radhë. “Viti 2015 ishte një vit me rezultate historike, në raport me shërbimin ndaj qytetarëve për të ndërtuar besimin e publikut tek Policia, e po ashtu me rezultatin kundër kriminalitetit ndaj të gjithë veprave penale. Sot Shqipëria është më e sigurt. Policia e Shtetit është në krye të detyrës. Bashkëpunimi me qytetarët ka njohur rritje të dukshme. E kjo tregon se, mbi suksesin e ngritur vitin e kaluar, mund të ndërtojmë histori solide suksesi edhe këtë vit. Pra kemi hapur një kapitull të ri për Policinë e Shtetit, duke shënuar momente historike në raport me shërbimin e punonjësve të Policisë me qytetarin dhe në luftën kundër paligjshmërisë dhe kriminalitetin”, – tha kreu i Ministrisë së Brendshme. Teksa përfundoi kapitullin e reformës në drejtësi Tahiri iu përgjigj edhe pyetjes së gazetarëve. Lidhur me parandalimin e krimit ai shtoi se kapaciteti reargues i policisë ka qenë në nivele tepër të larta, çka do të thotë sipas tij se policia ka parandaluar shumë krime. Viti 2015,- tha ai, pati rezultate të larta edhe nëse e krahasojme me vendet e BE. Ndërsa për ngjarjet e shumta të ndodhura në këtë fillimvit, Tahiri u shpreh: “ Personalisht mendoj se puna e policisë nuk duhet gjykuar vetëm në disa ngjarje, por në kompleksitet. Një peng i ministrit janë edhe çështjet e pazbardhura. I pyetur nga gazetarët se çfarë do të bëhet në këtë drejtim, Tahiri iu rikthyer sërish reformës,  teksa shtoi se zbardhja e tyre do të mund të behët vetëm falë një bashkëpunimi mes institucionet e drejtësisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency