Për reformën në drejtësi/ Takimi Rama-Meta zgjidh pjesshëm ngërçin e maxhorancës, sot mblidhet Komisioni i Posaçëm

0
105

Meta VlahutinPas takimit me Ramën, në zyrën e Metës ambasadorja e BE-së Vlahutin. Kryeparlamentari: Konsensus përmes gjithëpërfshirjes

Në Komision pritet që LSI të shprehë qëndrime kritike për draftin e ekspertëve, ndërkohë PS do ta mbështesë

Gëzim Saliu

Pa kaluar as 12 orë nga takimi i dy netëve më parë, kryeministri Rama zhvilloi dje takimin e radhës me aleatin e tij kreun e LSI-së Ilir Meta me synim gjetjen e konsensusit brenda radhëve të mazhorancës për reformën në drejtësi. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm rreth orës 9.40, kreu i qeverisë vizitoi kryesinë e Kuvendit ku për më shumë se 1 orë e 30 minuta zhvilloi takimin e radhës me aleatin e tij Meta. Zhvillimi i mbledhjes së Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, pasi mbledhja e 12 janarit u pezulluar për shkak të mungesës së konsensusit mes mazhorancës, është tregues se mes Ramës dhe Metës janë gjetur disa pika dakordësie. Por përpos tyre, kundërshtitë dhe qëndrimet e kundërta vazhdojnë të jenë pjesë e propozimeve të dy partive kryesore të koalicionit të majtë. Mjafton të kujtojmë se në takimet mes dy bashkëkryetarëve të mazhorancës, kryeministri ka kërkuar që të mos përfshihet në draftin final opinionet e ekspertëve të Ministrisë së Drejtësisë dhe të opozitës. Ndërsa mësohet se kryetari i Kuvendit dhe  Ministri i Drejtësisë kanë shprehur kundërshti për politikën e faktit të kryer duke kërkuar dialog dhe gjithëpërfshirje. Ndërkohë në kuadër të gjetjes së konsensusit mes palëve, menjëherë pas takimit me Ramën, në zyrën e kreut të Kuvendit ishte ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin. “Realizimi me sukses i këtij procesi është një kontribut madhor për hapjen e shpejtë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian të Shqipërisë”, tha Meta. Më tej ai vlerësoi rolin e rëndësishëm të ekspertëve të EURALIUS-it, OPDAT-it dhe atyre shqiptarë për kontributin dhe ecurinë e deritanishme të këtij procesi dhe theksoi se fryma e rekomandimeve të Komisionit të Venecias në vlerësimet e Raportit të Ndërmjetëm duhet të mbizotërojë dhe udhëheqë palët deri në përmbylljen e suksesshme të këtij procesi madhor dhe historik. “Është  përgjegjësi e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, e të gjitha forcave politike, që në këtë frymë të ndërveprojnë dhe ndërtojnë konsensusin e domosdoshëm përmes gjithëpërfshirjes, me synimin e vetëm kurorëzimin me sukses të saj, në funksion të interesit më të lartë publik, rritjes së besimit te drejtësia dhe institucionet publike, si dhe luftës pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi Meta.

Sot Komisioni

Ndërkaq në mbledhjen e sotme të Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi krahas kundërshtive mes mazhorancës dhe opozitës besohet se nuk do jenë të pakta edhe qëndrimet e kundërta mes vetë aleatëve të së majtës. Në kohën kur nuk është vendosur ende nëse kjo mbledhje do jetë me dyer të hapura për mediat, pritet që në Komision përfaqësuesit e PS do të kërkojnë që drafti i ekspertëve të nivelit të lartë të çohet në Venecia dhe vetëm pas përgjigjes nga ky organizëm të nisë diskutimi politik. PS pret që drafti të marrë Ok-in e komisionit dhe më pas përballja e qëndrimeve të bëhet pasi dy ekspertët e Venecias të kenë mbërritur në Tiranë në 21 dhe 22 janar. Por LSI nga ana e saj kërkon që drafti i ekspertëve të ndryshojë në disa pika dhe pritet që propozimet të bëhen nga përfaqësues e saj në Komision ditën e sotme. Ndërkaq opozita i ka qëndruar deklaratës se nuk do të çojë asnjë draft të ri në Venecia, por pritet që të jetë e pranishme në diskutimet sotme ku do të shprehë arsyetimin e kundërshtive ndaj draftit të mbështetur nga PS. Po ashtu pritet që PD të informojë komisionin e Venecias nëpërmjet një letre, ku do të bëjë publik detajet sipas së cilave drafti i ekspertëve ti mbështetur nga PSA synon të kapë sistemin e drejtësisë.

 

Presidenca holandeze e BE-së: Duhen përpjekje për të miratuar paketën e reformës në drejtësi

Ministri i Jashtëm holandez, Bert Koenders, vendi i të cilit udhëheq prej dy javësh Bashkimin Europian, u ftua dje në Parlamentin Europian për të diskutuar prioritetet e kësaj presidence mbi zgjerimin e Unionit. Megjithëse nuk përfshihet në programin 6-mujor të kryesimit holandez, ministri Koenders deklaroi se, “zgjerimi mbetet në agjendën e BE-së” dhe se “presidenca i kushton rëndësi madhore besueshmërisë së gjithë këtij procesi”. “ “Strikt”, në kuptimin që të gjitha kushtet duhen plotësuar, pa “por” e “nëse” dhe vet vendet kandidate kanë përgjegjësi në përmbushjen e këtyre kushteve. “Ndershëm”, në kuptimin që vendet asistohen në mënyrë serioze, sipas nevojave përkatëse dhe zhvillimeve politike respektive, me ndihmë teknike e financiare, për proceset e ndryshme të reformave. Por, kjo nënkupton edhe se, BE duhet të mbajë premtimet e veta dhe të vendosë pozitivisht kur vendi plotëson kriteret, për të kaluar në hapin e radhës të procesit të zgjerimit. Lidhur me Shqipërinë ai theksoi se,: “ka një progres të qëndrueshëm në trajtimin e prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Nevojiten ende përpjekje të mëtejshme, të tilla për të miratuar paketën e reformës në drejtësi”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency