SI T’JU THEM GËZUAR?!

0
125

 

 

Nebil ÇikaNga Nebil Çika

Nuk kam qenë kurrë në siklet më të madh t’u them “gëzuar” njerëzve në këto festa të fundviti. Krishtlindja, dita e madhe e shpresës, po mbyllet me mungesë të madhe shprese e besimi ndër shqiptarët si kurrë ndonjëherë më parë. Tre ishin lajmet kryesore të natës së shenjtë. I pari ishte vetëvrasja në Tiranë e një vajze të re, e cila u hodh nga kati i 11-të i një pallati. I dyti, vendimi i Erion Veliajt që ngre me rreth 150% çmimin e biletës së transportit publik. I treti, lirimi si i pafajshëm nga gjykata i ish-guvernatorit të Bankës se Shqipërisë, Fullani. Ishte edhe sherri i Fevziut me Braçen, që nuk i lanë gjë pa thënë njëri-tjetrit, po ku ka nja dy ditë që ka filluar dhe nuk po e shënojmë si lajm Krishtlindjeje. Vetëvrasja i vuri kapakun. Nuk besoj të gjendet lajm e ngjarje që të simbolizojë mungesën e shpresës sesa kjo fatkeqësi që, pavarësisht motiveve apo arsyeve, tregon se është një zgjidhje që shqiptarët po i drejtohen gjithnjë e më shumë! Ky vit duhet të shpallet viti i vetëvrasjeve. Vetëvrasje, se nuk paguan dot dritat. Vetëvrasje, se pushohen nga puna. Vetëvrasje, se burgosen pa të drejtë. Vetëvrasje kudo dhe kurdo, vetëvrasje edhe në natën e Krishtlindjeve, ditën e shpresës që nuk na solli dot shpresë. Krishtlindje më të trishtuar nuk më kanë zënë sytë, vetëm në kohën e komunizmit, por atëherë ishin të ndaluara fare dhe të paktën jetonim fatkeqësinë tonë pa këtë spektaklin hipokrit e vrastar që na imponojnë ceremonitë zyrtare, media e sidomos qeveria dhe politika. Si të them gëzuar?! Gëzuar?! Fjala nuk më del dot nga goja, më përdridhet nëpër dhëmbë e nuk do të dalë! Gishtat në tastierë më janë bërë dru, nuk më binden, ngurrojnë! Gëzuar?! Kujt t’i them gëzuar?! Për çfarë t’i them gëzuar?! Duket sikur miqtë do të ma marrin për tallje. Por zakoni e do dhe shtrëngohem e nxjerr një urim të thatë, të shpifur, pa shpirt dhe veçanërisht pa shpresë! Kjo është edhe qëllimi i tij apo jo?! Por sikur të mos mjaftojë kjo, karshillëku është i paparë! Shikoj në TV, gazeta e rrjete sociale qeverinë, shtetin, politikën që nuk e ka fare këtë problemin tim. Thonë gëzuar me plot gojën, pa iu dridhur qerpiku, shpërndajnë kartolina me pamje e ngjyra magjike, vizitojnë kishat e urojnë klerikët të shoqëruar nga kamera, makina luksoze, truprojë e bashkëshorte të veshura në luks e të ngarkuar me stoli floriri e gurë të çmuar, Kryeministri ka bërë me drita hyrjen e Kryeministrisë, ndërsa kryebashkiakët kanë ndriçuar qytetet me drita shumëngjyrëshe, duke krijuar një kontrast edhe më të fortë me realitetin e ftohtë e të akullt që shikon në sytë dhe sjelljet e njerëzve të thjeshtë! Gëzuar!? Për çfarë? Për çmimet që rriten çdo ditë? Sidomos në kohë festash? Karburanti që nuk ulet, edhe pse në tregun botëror ka prekur fundin. Ushqimet, veshjet e të gjitha produktet e konsumit të gjerë janë rritur me 20%, ndërkohë që rrogat e pensionet nuk kanë lëvizur. Për listat e ushqimeve që shtohen çdo ditë? Për lypsarët që janë shtuar aq shume, sa të hidhen mbi kofanon e makinës në semafor apo nuk të lënë të pish një kafe i qetë në lokal? Gëzuar!? Për kë? Për politiken e politikanët që i numërojnë njëri-tjetrit çdo ditë pasuritë përrallore, vjedhjet apo skandalet për hajdutët e bankave që shpallen të pafajshëm dhe ata që nuk paguajnë dot dritat e vdesin në burg? Për politikanë e gazetarë afër tyre që ditën i numërojnë njëri-tjetrit krimet dhe pasuritë e në darkë me kostume mijëradollarëshe u qajnë hallin të varfërve dhe të pashpresëve nga ekranet e televizorëve! Gëzuar!? Për opozitën, që ditën thërret të mjerët në protestë e në darkë puthet me qeverinë? Që qartësisht nuk ka hallin e njerëzve të saj që vuajnë për arsye politike, as marrjen e pushtetit, jo nuk e duan as atë. Kanë hallin e pasurive që kanë bërë kur ishin në pushtet. Opozita, ashtu si këto Krishtlindje, nuk e sjell dot shpresën, edhe pse ka mision këtë. Gëzuar! Për se? Për kriminelët politikë të komunizmit që nderohen e dekorohen nga qeveria, ndërkohë që viktimat vazhdojnë të vuajnë në pafundësi? Për bunkerët e komunizmit që ndërtohen me paratë publike për trillet artistike e nostalgjitë politike të Kryeministrit apo për kriminelët e tanishëm politikë që lirohen nga akuzat për çfarëdo që mund të kenë bërë nga vrasjet e policëve dhe plagosjet e rivalëve në biznes e deri tek vjedhjet qindramilionëshe të parave publike? Gëzuar kujt? Ambasadorëve që ditën bërtasin në tribuna e intervista për korrupsion e krim të politikës, shtetit dhe qeverise e pastaj ulen e bisedojnë shtruar me ndonjë shishe verë përpara po me këta të inkriminuar për reformat e dekriminalizimin, demokracinë e shtetin ligjor? 200 mijë shqiptarëve që presin më kot azilin në kampet e refugjatëve në Gjermani apo atyre 200 mijë të tjerëve që kanë aplikuar për lotarinë e emigrimit në SHBA?! Gëzuar! Për çfarë? Për median që është bërë palë me qeverinë? Për klerin e shoqërinë civile që nuk duan të reagojnë? Për kulturën që nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Kryeministrit dhe qeverisë po degjeneron në vrima të errëta të psikikës së tyre gjithashtu të errët? Për arsimin që lëngon në drejtimin e drejtoreshave partiake që i kanë kthyer shkollat e mësueset në hareme të politikaneve nga varen? Për pedofilët sejmenë të deputetëve të qeverisë që u kërkojnë nënave në hall seks me fëmijët e tyre, në shkëmbim të bukës së gojës! Kjo është ajo që nuk më lë të them gëzuar ashtu siç e meriton të thuhet ky urim në ditë të tilla të shpresës së madhe siç janë Krishtlindjet. Kemi qenë më parë edhe më keq se kaq nga ana pragmatike, por kishim shpresën që na motivonte, besimin për më mirë që na mbante gjallë që tani qartësisht nuk i kemi më. Prandaj nuk them dot “Gëzuar”. Më ngjan si një ngërdheshje kjo fjalë sivjet, si një hipokrizi! Së pari, me veten time, pastaj me të tjerët, miqtë dhe bashkëkombësit e mi. Ja për këto, por edhe të tjera, nuk mund t’i përmend dot të gjitha në një shkrim, sivjet nuk ju them dot gëzuar!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency