Banka e Shqipërisë/Shqiptarët kanë kryer 1.6 miliardë euro transaksione me internet

0
139

 

 

bKëtë vit shqiptarët kanë kryer veprime bankare nga shtëpia, përmes internet banking, mobile banking apo formave të tjera të komunikimit në distancë, në vlerën e 226.5 miliardë lekëve. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, për këtë vit, rritja është në përmasa mjaft të mëdha, aq sa qysh në fund të 10-­mujorit është tejkaluar e gjithë shuma vjetore e vitit të kaluar, që ishte rreth 164.5 miliardë lekë. Në numër, veprimet përmes internetit deri këto ditë të fundit në fund të muajit dhjetor ishin 1.13 milionë. Statistikat tregojnë se në numër pjesa më e madhe e veprimeve bankare në distancë kryhen nga individët, ndërsa në volum mbizotërojnë transaksionet e bizneseve, që prekin vlera më të larta. Pjesën dërmuese të veprimeve bankare në distancë e zënë transaksionet përmes internet banking, me rreth 64% të totalit. Këto shërbime kanë njohur rritje të rëndësishme në vitet e fundit, si për bizneset, ashtu edhe për individët. Kryerja e pagesave nga internet është një alternativë në komoditet, sepse shmang domosdoshmërinë për të shkuar vazhdimisht pranë sporteleve të bankave. Kjo vlen sidomos për bizneset, që kryejnë numër të lartë pagesash në aktivitetin e tyre. Por, në vitet e fundit këto shërbime janë përhapur mjaft edhe përmes individëve. Numri i përdoruesve të internet banking është rritur dhe në fund të vitit të kaluar ishte mbi 145 mijë.

 

Interneti

Interneti përdoret në afro gjysmat e familjeve shqiptare. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, në fund të muajit shtator 47% e familjeve në Shqipëri kishin akses në internet me brez të gjerë përmes një linje fikse apo të lëvizshme. Duke përfshirë edhe abonentët e internetit përmes modemit USB nga rrjetet celulare, numri i përgjithshëm i pajtimtarëve vlerësohet në pak më shumë se 336 mijë. Gjatë këtij viti, numri i pajtimtarëve të internetit në Shqipëri është rritur me rreth 2.5%. Shifrat e përdoruesve të internetit nuk përfshijnë abonentët që kanë akses përmes telefonit celular dhe që janë rreth 1.1 milionë shqiptarë. Në tërësi, vlerësohet se rreth 60% e shqiptarëve janë përdorues të internetit dhe ky tregues ka ardhur në rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Por dobësia e Shqipërisë konsiston kryesisht në përhapjen e pakët të linjave fikse që ofrojnë akses në internetin me brez të gjerë. Vitet e fundit janë bërë investime të konsiderueshme në zonat urbane dhe numri i familjeve me internet me linjë fikse ka arritur në rreth 230 mijë. Megjithatë, treguesi i penetrimit të linjave fikse në Shqipëri ngelet relativisht i ulët, me rreth 8.12% në raport me popullsinë. Kjo shifër është disa herë më e ulët në raport me mesataren e Bashkimit Evropian. Përveç një prapambetjeje të trashëguar, shtrirja e dobët e linjave fikse është kufizuar nga zhvillimi i shpejtë i teknologjive të lëvizshme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency