Komisioni i Shëndetësisë/Ratifikohet Konventa e KiE-së kundër trafikimit të organeve njerëzore

0
156

Komisioni i Shendetesise

 

Në Komision u realizua ratifikimi i marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj hungareze “Për mbrojtjen shoqërore”

 

Komisioni parlamentar i Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë ratifikoi dje Konventën e Këshillit të Evropës (KiE) kundër trafikimit të organeve njerëzore. E pranishme në komision zëvendësministrja e Brendshme, Elona Gjebrea, theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, e konceptuar si një akt ndërkombëtar i përbashkët për të luftuar trafikimin e organeve njerëzore, në përputhje me të drejtat e njeriut dhe me liritë themelore.
“Kjo Konventë zbatohet për trafikimin e organeve njerëzore për qëllim transplantimi apo për forma të tjera të implantimit të paligjshëm. Ajo synon parandalimin dhe luftimin e trafikimit të organeve njerëzore, duke mundësuar kriminalizimin e akteve të caktuara, mbrojtjen e të drejtave të viktimave të veprave penale, si dhe lehtësimin e bashkëpunimit në nivel kombëtar dhe rajonal mbi veprimet kundër trafikimit të organeve njerëzore”, – tha Gjebrea. Ndërsa deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Bujar Kllogjeri, kërkoi që të mbahet në vëmendje lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore, sidomos trafikimit të fëmijëve. “E përshëndes këtë Konventë, por rëndësi të madhe duhet t’i japim trafikimit të fëmijëve, sepse e vetmja mënyrë që mund të trafikohen organet, janë duke transferuar njerëz në vende të ndryshme”, – u shpreh deputeti Kllogjeri. Konventë u ratifikua edhe nga komisioni parlamentar i Integrimit.

 

Shqipëri-Hungari, marrëveshje “Për mbrojtjen shoqërore”

Gjithashtu, gjatë mbledhjes së zhvilluar dje, Komisioni i Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë miratoi ratifikimin e marrëveshjes, mes qeverisë shqiptare dhe asaj hungareze “Për mbrojtjen shoqërore”. Nëndrejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Ali Jemini, theksoi se marrëveshja është pjesë e procesit të koordinimit të skemave të sigurimeve shoqërore. Ai i njohu anëtarët e komisionit me ecurinë e deritanishme të këtij procesi. “Shqipëria ka tashmë një marrëveshje të përfunduar dhe që zbatohet me Turqinë, Belgjikën e Luksemburgun, ndërsa janë në proces një sërë marrëveshjes të tjera. Në diskutim janë marrëveshja me Rumaninë, Çekinë, Gjermaninë, Kanadanë, Austrinë dhe pritet të fillojnë negociatat me Spanjën, Francën, Zvicrën, Bullgarinë”, – u shpreh Jemini. Sipas nëndrejtorit të ISSH-së, ka shkëmbime teknike me Italinë, ku numri i emigrantëve është mjaft i madh, ndërsa me Greqinë tani për tani, bisedimet janë të pezulluara për arsye që i ka vetë shteti grek. Nderës deputetja e Partisë Demokratike, njëherësh edhe kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, kërkoi që në fokus të punës të jetë nënshkrimi i marrëveshjeve me Italinë dhe Greqinë. “Ajo që ne flasim të gjithë si komision është që kjo çështje të jetë një ndër pikat kryesore të axhendës së qeverisë dhe diplomacisë parlamentare”, – tha Vokshi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency