Letër e hapur/Standardi i dyfishtë dhe keqkuptimi im me ambasadorin Hofman

0
163

nebil

 

Nga Nebil Çika

 

I nderuar Shkëlqesi! (Mund të kisha zgjedhur edhe unë t’ju drejtohesha ashtu si Ju në reagim (njëfarë Hofman), por edukimi im dhe etika profesionale nuk ma lejon një gjë të tillë, jo vetëm për shkak të statusit tuaj zyrtar. Nga media u njoha me një reagimin tuaj ndaj një opinionin tim botuar në “Standard” për praninë tuaj në protestën e opozitës 8 nëntor 2015!

Së pari, dua të theksoj se jam zhgënjyer shumë nga reagimi juaj dhe veçanërisht nga keqkuptimi juaj me shkrimin tim! Përgjegjësia për shkrimin është e gjitha imja dhe nuk ka lidhje me politikën editoriale të gazetës “Standard”. Nuk ishte një “raport i keq”, por një opinion imi për Ju. Dua t’Ju sqaroj se nuk kam (keq)interpretuar me respekt një fotografi tuajën në protestë, por një qëndrim tuajin të përsëritur në shumë momente e aktivitete të punës suaj si ambasador në Shqipëri, të cilin e kam vlerësuar edhe në shkrime të tjera që juve nuk jua kanë tërhequr vëmendjen si ky në fjalë.

I nderuar Shkëlqesi! Unë nuk kisha si ta dija se me çfarë “statusi” e qëllimi ishit Ju në protestën e opozitës, por cilësimi im për Ju si “protestuesi i nderit” ishe një sinonim dhe jo një status real, gjëra që ne gazetarët i shkruajmë përditë për fenomene e persona në shkrimet tona. Nuk keni pse e merrni në kuptim të drejtpërdrejtë, por ndoshta nuk e kanë përkthyer dhe nuk jua kanë interpretuar mirë dhe jeni keqkuptuar! Por le të vijmë tek thelbi dhe zhgënjimi im me reagimin tuaj që nuk ka të bëjë me qëndrimin ndaj shkrimit tim, por me qëndrimin ndaj protestës së opozitës dhe veçanërisht ndaj shkatërrimit të bunkerit, simbolit të regjimit kriminal komunist që, me sa po lexoj, e konsideroni si “dhunë”. Nëse e keni lexuar shkrimin, do ta keni vënë re se unë e cilësoja protestën si “antikomuniste”, gjë që thekson faktin se komunizmi në këtë vend ende nuk është përmbysur plotësisht.

Të merremi vesh njëherë! Për mua shkatërrimi i bunkerit simbol të diktaturës komuniste nuk është dhunë, por momenti më i bukur e më i efektshëm i asaj proteste. Të pashë ta ndiqje nga afër e me vëmendje për shumë kohë dhe krijova idenë, ashtu si unë edhe qindra-mijëra shqiptarë të tjerë, po e admiroje këtë veprim, por, me sa duket, qenkam keqkuptuar. Nga reagimi juaj shoh se paskeni të njëjtin qëndrim me qeverinë e ish-komunistëve, që ajo “është dhunë dhe shkatërrim i pronës publike”. Më vjen sinqerisht shumë keq për këtë. Nuk e di si e mendoni ju, po me këtë qëndrim i bie që edhe Muri i Berlinit i shkatërruar nga antikomunistët gjermanë në vitin 1990 të ishte pronë publike dhe ata që e rrëzuan paskan ushtruar dhunë. Si do të reagonit ju nëse ndonjë ambasador në vendin tuaj të shprehej kështu për rrëzimin e Murit dhe autorët e tij?! Apo edhe për Murin në Berlin keni të njëjtin mendim si për bunkerin në Tiranë? Ju kishit Murin simbol të komunizmit ne kemi Bunkerin z. Ambasador!

Por nuk ishte vetëm kjo! Siç thosha në shkrim, ne kemi qenë bashkë në kampin famëkeq të shfarosjes në Tepelenë, ku kanë vdekur, përveç të tjerash, nga uria të paktën 400 fëmijë nga sistemi kriminal që simbolizon bunkeri komunist që siç e pe me sytë e tu, u shkatërrua nga protestuesit, kryesisht ish-të përndjekur politikë. Disa prej tyre ishin të mbijetuar të kampit famëkeq të Tepelenës. M’u duke shumë i prekur nga ajo që patë e dëgjuat në Tepelenë, z. Ambasador, por nga kjo përgjigje juaja për shkrimin tim tani më duket e gjitha hipokrizi. Sigurisht që ju jeni diplomat dhe qëndrimet tuaj nuk mund të jenë në të shumtën e rasteve të sinqerta, por ka gjëra si ata fëmijë që u detyruan nga “bunkeri komunist” të vdisnin nga uria në Tepelenë, që e kalojnë hipokrizinë diplomatike dhe detyrojnë një lloj reagim human. Kam qenë edhe në ngjarje të tjera, ku keni qenë ju, si në diskutimin e nismave ligjore për dosjet e krimit komunist dhe, me thënë të drejtën, më keni lënë përshtypjen e gabuar të një “antikomunisti” gjë për të cilën Ju nuk keni asnjë përgjegjësi. Nuk është hera e parë që jam përballur me dyfytyrësinë e diplomatëve perëndimorë në Tiranë dhe e di që kjo është natyra e punës së diplomacisë, por nuk e di pse për Ju krijova një përshtypje tjetër. Nejse, gabimi im i radhës! Ajo që nuk kam kuptuar kurrë tek diplomacia perëndimore në vendin tim, janë dy standardet e aplikuara në politikën tuaj. Në vendet tuaja të tjera, në Shqipëri të tjera. Këto dy standarde i shoh aq qartë edhe në reagimin tuaj ndaj shkrimit tim. Pyetja ime për ju është e thjeshtë: Çfarë do të bënin në Gjermani të mbijetuarit e Holokaustit apo krimeve komuniste, nëse qeveria juaj do të tentonte të ndërtonte një Krematorium Kryqin e Thyer të nazizmit apo simbolin e STAZ-it dhe GESTAPO-s, si instilacion apo punë publike jo në qendër të Berlinit, por edhe në cepin më të largët të vendit tuaj? Po sikur ish-hetues te GESTAPO-s dhe STAZ-it të ishin deputetë apo fëmijët e zyrtarëve të lartë të nazizmit dhe komunizmit të ishin kryeministra, ministra e zyrtarë të lartë të shtetit. Në Gjermani nuk do të kishin guxuar as ta mendonin veten si politikanë e zyrtarë shteti, këtu i takoni çdo ditë, madje edhe diskutoni e vendosni për fatet e “demokracisë”. Në Tepelenë, na thatë që si të përndjekur politikë duhet të krijonim partinë tonë, pasi klasa aktuale politike ka dështuar në luftën kundër komunizmit, tani na akuzoni për dhunë, pse sulmuam bunkerin simbol të tiranisë së kuqe që e ndërtuan pikërisht këta, “politikanët e dështuar”.

Si t’i kuptoj këto dy standarde tuaja z. Ambasador?! Si përfundim, dua t’ju them se keqkuptimi ynë është më i gjerë e më shumë sesa një shkrim në gazetë, ai lidhet me dy apo më shumë standarde, maska e fytyra që përdorni në marrëdhëniet me ne. Duhet ta dini, z. Ambasador, se ka një shtresë të gjerë njerëzish në vendin tim, që kanë hequr të zitë e ullirit në regjimin komunist dhe tallja me ta, qoftë edhe për “arsye diplomatike”, është një krim më tepër. Nuk e di nga ç’motive apo arsye jeni nisur kur keni shkruar këtë reagimin tuaj, por ju siguroj se do të kishe ngelur i nderuar nëse ne, ish-të përndjekurit politikë, antikomunistët dhe populli shqiptar, do të kishim ruajtur për Ju atë imazh e respekt që kishim krijuar deri tani. Me sinqeritet, ju kërkoj ndjesë për telashet që mund t’ju kem hapur dhe sidomos keqkuptimin me shkrimin tim, për të cilin ju siguroj se e bëra në nderim të asaj që unë mendoja se ishe dhe përfaqësoje, si diplomat dhe si njeri, deri para se të lexoja këtë reagim tuajin.

Me gjithë mend, më vjen keq!

Sinqerisht! “Njëfarë” Nebil Çika

Gazetar, anëtar i Kryesisë Kombëtare të Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë. Anëtar i Bordit Drejtues të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri (i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë)

 

hhhhhReagimi i Ambasadorit Hofman ndaj shkrimit të Nebil Çikës, “Protestuesi i nderit”

“Jam mësuar tanimë me raportimin e keq të asaj, që unë them në publik në median shqiptare, por si rregull ndjek parimin të mos reagoj ndaj keqinterpretimeve. Por artikulli i gazetës “Standard” i datës 10 dhjetor 2015 me titull “Protestuesi i Nderit” shkruar nga njëfarë Nebil Çika – ribotuar nga “Albanian Daily News’ datë 11 dhjetor – shkon përtej asaj, që mund të anashkalohet. Nuk po zgjatem: Është një nonsens absolut të pretendohet se unë kam qenë gjatë demonstratës së dhunshme pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme në pasditen e 8 dhjetorit “si një protestues i zakonshëm” dhe është një gënjeshtër e hapur të thuhet se “kam qëndruar atje deri në të fund”. E vërteta është që atë ditë më duhej gjithsesi të kaloja përmes sheshit “Skënderbej” dhe duke qenë se unë parapëlqej të krijoj një përshtypje të dorës së parë të asaj që ndodh në situata të tilla, shkova rreth pesë minuta për ta bërë këtë. E në fakt ajo që pashë më tronditi, çka shërbeu për mua si një motivim shtesë për të shprehur publikisht mbështetjen time të qartë për deklaratën e publikuar nga Delegacioni i BE atë mbrëmje, e cila dënonte përdorimin e dhunës në demonstratë dhe u bënte thirrje palëve të interesuara që të distancoheshin nga sjellje të tilla të papranueshme. E konsideroj vërtet mjaft për të ardhur keq faktin, që përkujtimi i protestave studentore të 8 dhjetorit 1990 u keqpërdor në atë mënyrë”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency