Për borxhin publik/Kritikat e Blushit dhe PD-së, Rama: Kukuvajkat le të flasin, nuk rritëm borxhin, po e legalizuam

0
104

Rama ne berat..

 

Rama paralajmëron PD-në: Do shohim kur të miratohen ndryshimet kushtetuese për ligjin e dekriminalizimit se nga cila anë janë kriminelët

 

Gëzim Saliu

 

Kryeministri dhe njëkohësisht kreu i PS-së, Edi Rama, iu përgjigj dje zërave kritikë nga opozita dhe brenda radhëve të partisë që drejton lidhur me çështjen e borxhit publik. Nga qyteti i Beratit në kuadër të turit “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”, – Rama tha se qeveria nuk e rriti borxhin publik por vetëm sa e legalizoi atë. “Thonë “keni rritur borxhin”. Gjithfarëlloj kukuvajkash e teologësh të ideologjive ekonomike, të marra fund e të paprovuara asnjëherë në fakt, na thonë keni rritur borxhin. Si e kemi rritur borxhin? Ne e kemi legalizuar borxhin. Borxhi ishte aty dhe e mbanin fshehur. 720 milionë dollarë borxh, njerëzve nuk u tregonin. Siç tha atëherë një ministër në Komisionin e Ekonomisë për kompanitë, e kanë detyrim patriotik të shtrojnë rrugën, edhe po s’morën lekët. Po mos ta kishin pasur këtë barrë dhe këto 720 milionë dollarë t’i kishim marrë borxh për të bërë investime, ku do ishim sot, çfarë do kishim më shumë? Shumë më shumë do kishim bërë! Por nga ana tjetër zgjodhëm të bëjmë gjënë e duhur, sepse një shtet që u ka borxh qytetarëve, kompanive, nuk mund t’u kërkojë, në këndvështrimin tonë, të zbatojnë ligjin dhe të paguajnë çdo qindarkë detyrime”, – tha kreu i qeverisë. Përmes këtij qëndrimi kryesocialisti iu përgjigj jo vetëm akuzave të demokratëve por edhe kritikave të deputetit të partisë që drejton Ben Blushi. Ky i fundit vetëm pak ditë më parë në Kuvend shpreh një sërë akuzash ndaj qeverisë lidhur me rritjen e borxhit, duke e akuzuar kabinetin “Rama” për luksokraci. Kjo pasi sipas Blushit paratë e marra borxh janë shpenzuar vetëm për pishina, kulla e stadiume dhe asnjë lek ndërkohë theksoi ai nuk ka shkuar për rrugë të reja.

 

Për dekriminalizimin

Në takimin me socialistët e Beratit, kreu i qeverisë u ndal edhe në procesin e dekriminalizmit, ku paralajmëroi se implementimi i ligjit, do të tregojë se në cilën anë qëndrojnë të inkriminuarit, të cilët sipas tij, në qeverisjen e djeshme paguanin rentën në ministrinë e Brendshme për të mos u kapur. Më tej ai vazhdoi sulmin ndaj PD-së duke e cilësuar si fajtoren që e pengoi të përmbushte premtimet për shkak të gjendjes që la pas 8 vjet qeverisjes. Në këtë kontekst ai paralajmëroi PD-në se me votimin e ligjit të dekriminalizimit do të mësohet sipas Ramës e vërteta se në cilën anë janë kriminelët. “Një polici që kishte vërdallë njerëz në kërkim nga vendet e tjera, në radhë të parë Italia, trafikantë, përdhunues, të cilët jetonin të qetë dhe paguanin rentën në kupolën e ministrisë së Brendshme për të mos u kapur. Tmerronin dynjanë dhe turreshin në fushata për llogari të atyre që na kërkojnë me të madhe dekriminalizimin dhe na akuzojnë ne që kriminalizuam politikën, por nuk ka problem do votohen ndryshimet kushtetuese dhe do flasim pastaj me fakte. Do shikojmë ku janë ata kriminelët që do të kapë ligji, të kujt janë dhe ku janë”, – tha ai.

 

Punësimi

Një tjetër çështje e trajtuar në fjalën e tij para socialistëve të Beratit ishte edhe ajo e punësimit, e cila ka hapur debate të mëdha brenda radhëve të mazhorancës. Sipas Ramës të gjitha qeveritë ndeshen me papunësinë, veçanërisht me papunësinë e të rinjve. “Por është fakt që në fund të vitit 2013, – nuk flas me statistika, por me librat e llogarive të shtetit, – në shtetin shqiptar ishin të regjistruar 471 248 vetë si të punësuar. Kush punonte në të zezë, sigurisht që nuk quhej dhe nuk quhet edhe sot, i punësuar, me standardet demokratike të punësimit. Ndërkohë që në tetor të 2015, kemi 627 014 të punësuar. Janë vende të reja punë, janë edhe vende punë të formalizuara. Kur kemi folur për 300 000 vende pune, ne e kemi bërë shumë të qartë”. Por kryeministri nuk nguroi të shprehte kritikën për atë pjesë që indirekt i cilësoi si “përtacë”. “T’u thuash shkoni tek zyrat e punës, janë 26 000 e disa qindra vende pune në dispozicion dhe sigurisht ka vende pune në dispozicion që kërkojnë specialistë të mirëfilltë me master, por shumica janë vende punë për punëtorë. Në qoftë se do punë, shko punë, në qoftë se do një pension dhe një kompjuter që të lozësh me letra në zyrat e shtetit, kjo është histori tjetër. Por taksa nuk ke paguar asnjë ditë, se nuk ke punuar asnjë ditë, sepse nuk do të punosh”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency