Pritja për 71-vjetorin e Çlirimit/Rama: Të fitojmë luftën pa humbur paqen, nën shembullin e LANÇ përballojmë monstrën ISIS

0
113

rama homazheKryeministri: Lufta kundër terrorizmit nuk është vetëm lufta e shteteve, por lufta e çdo qytetari

 

Gëzim Saliu

 

Kryeministri Rama deklaron se 71 vite pas Çlirimit të vendit nga ato që i cilësoi “monstrat naziste” Evropa gjendet përpara një armiku të ri duke iu referuar ISIS-it. Në kuadër të pritjes që organizoi në Kryeministri me rastin e 71-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, kreu i qeverisë, Rama, teksa shprehu mirënjohjen për dëshmorët e luftës tha se 29 Nëntori nuk përçon vetëm ndjenjën e krenarisë dhe respektit, por edhe kurajën dhe forcën e madhe për t’u përballur me mostrën e re siç e cilësoi ai, terrorizmin. “Sot 29 Nëntori duket më i çmuar, më frymëzues, më inkurajues se sa ç’mund të na jetë dukur kur armiku ynë i njerëzimit nuk ishte shfaqur dy javë më parë në sulmet e Parisit. Mos harrojmë që dhe dje fatin e luftës nuk e përcaktoi fuqia e armikut, por forca e pagjunëzueshme e dëshirës së njerëzve për të jetuar të lirë. Mirënjohjen për dëshmorët e luftës e kemi shprehur në çdo 29 nëntor, por sot është më e thellë sepse sot nuk na përçon vetëm ndjenjën e krenarisë dhe respektit, por edhe kurajën dhe forcën e madhe të shembullit që na nevojitet për të përballuar armikun e ri, të Evropës, ku jetojmë dhe duam të rritemi për t’u bërë anëtar të BE. Njësoj si atëherë kur mostra naziste u shfaq në rrugën e qytetërimit tonë edhe sot një tjetër mostër, është shfaqur”, – tha Rama.

 

Fjalimi

Në nisje të fjalës së tij, kryeministri Rama tha se Lufta e Dytë Botërore i kërkoi botës, përfshirë edhe Shqipërisë, lulen e rinisë së saj ku fillaun përballjet mes kuadrateve të mekanizuara të ideologjisë naziste dhe çetave të rezistencës. “Midis 7 prillit 1939 e deri disa vite më pas, përpara ditës së çlirimit, në sytë e shumëkujt, të rinjtë e të rejat që shfaqnin qëndresë ngjanin si të marrë. Të çmendur dhe delirant e quajtën edhe de Gaulle, që me një çetë të vogël sillej vërdallë i alarmuar nga verbëria e Francës dhe Europës. Ndërsa Churchill-in e mënjanuan dhe e përqeshën si të ishte i marrë, kur paralajmëronte se armata hitleriane do të shfaqej një ditë në qiellin e Londrës, nëse Europa nuk do ta ndalte atë menjëherë.  Dihet se si u zhvilluan më tej ngjarjet, se kush kishte dhe nuk kishte të drejtë, tanimë e dimë që të gjithë”, theksoi ai. Më tej kryeministri pohoi se parafytyrimet që ushqen 29 nëntori i këtij viti është më i gjallë se të shumë 29 nëntorët e shkuar. “Pikërisht sepse sot ne ndjehemi të kërcënuar haptazi nga diçka fort e ngjashme, edhe më e errët sesa nazizmi, në formën e vet të organizmit dhe të shfaqjes nëpër trupin e botës së lirë. Prandaj dhe sot 29 nëntori duket ende më i çmuar, më frymëzues, më inkurajues, sesa ç’mund të na jetë dukur kur armiku i njerëzimit nuk ishte shfaqur ende me të gjithë egërsinë vrastare të vetëm dy javëve më parë”, – u shpreh ai. Sipas Ramës sfida e sotme e qytetërimit është të fitojë luftën pa humbur paqen. “Sfida e këtij qytetërimi është të fitojë luftën pa humbur paqen. Kjo e sotmja është një luftë dhe paqen tonë duhet ta fitojmë çdo ditë. “Do shumojmë këngët, koncertet, spektaklet, ne do shkojmë në stadiume”, – tha Hollande në fjalën e tij homazh në 13 nëntor. Ky është thelbi, për ne Shqipëri, shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre pa kthim për përfshirjen në aleancën euroatlantike. Sot do them që lufta kundër terrorizmit nuk është vetëm lufta e shteteve, por lufta e çdo qytetari. Kjo luftë e re është një luftë për të mos lejuar që terrori të gjej vend në mendjet dhe zemrat tona. Për të mos përcaktuar axhendën tonë. Është një luftë shqipërtërore që duhet ta çojmë deri në fund”, – deklaroi ai. Në këtë kreu i qeverisë mori shembull aktin e mijëra dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e Atdheut, duke nënvizuar se Shqipëria ndodhet sërish në anën e duhur të historisë, në krah të BE dhe SHBA kundër terrorizmit. Të pranishëm në pritjen e organizuar nga Kryeministri Rama ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të politikës, krerët e komuniteteve fetare ne vend, diplomatë të akredituar në Shqipëri si dhe shumë figura të njohura.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency