Fjalimi/Blushi: Përgjegjës për kriminelët në Parlament ata që i sollën, këtu ka më shumë armë se libra

0
128

ben-blushi

 

Deputeti i PS-së: Në këtë Parlament s’ka mësues, por nxënës të këqij, partia është kthyer në ndërmarrje fitimprurëse

 

“Jam pjesë e një partie që ka nja 3-4 vjet që as voton, as zgjedh njeri. Fut lloj-lloj njerëzish, me listë pa listë i emëron, të padrejtë, të pandershëm, me vendime gjykatash, të pandehur, të dënuar”

 

 

Përmes një fjalimi në Parlament lidhur me ligjin e dekriminalizimit, deputeti socialist Ben Blushi deklaroi dje se fajtorët kryesorë për përfshirjen e të inkriminuarve në jetën politike i takon drejtuesve të partive që i futën në lista. Për Blushin Parlamenti aktual i vendit është më i shëmtuari në Evropë, pasi pjesë e tij janë sipas socialistit më shumë njerëz me rekorde kriminale e ish-të burgosur se të juristë, arkitektë apo mësues. Po ashtu në fjalimin e tij anëtari i Kryesisë së PS-së shprehu një sërë kritikash për partitë politike në vend, duke përfshirë edhe atë ku ai bën pjesë, pasi, sipas tij, ato tashmë janë kthyer në ndërmarrje fitimprurëse.

 

Fjalimi në Parlament

Realisht do të doja të mos isha në Parlament dhe Parlamenti të mos ishte detyruar të votonte një ligj kundër vetes. Dhje kjo do të ishte e lehtë nëse këtu nuk do të ishin futur njerëz me të shkuar kriminale të cilët na detyruan të vijmë në këtë ditë që të votojnë dhe vetë ata një ligj kundër vetes. Për fat të keq kjo po ndodh. Për fat të keq jemi sot parlamenti më i shëmtuar në Evropë, i cili merr përsipër vetë të pranojë se këtu ka kriminelë. Nëse nuk do të ishte për presionin ndërkombëtar ky ligj ndoshta nuk do të ishte miratuar as sot dhe as mot. Çështja këtu është pse ka kriminel në Parlamentin e Shqipërisë. A fituan ata me votë të pavarur?! Konkurruan me platformë ekonomike?! Propozuan taksa më të ulëta, çmime më të lira, shëndetësi falas?! Jo. Çfarë propozuan ata?! Asgjë! Kush i futi në Parlament kriminelët dhe për çfarë arsyeje? Besoj se sot është dita që të gjithë ne që pranuam të bashkëjetojmë me krimin në Parlament, na duhet të kërkojmë një ndjesë.

Njerëzit me të shkuar kriminale nuk erdhën këtu me votat e tyre, iu imponuan me forcë partive tona. Kjo damkë nuk do t’i ndahet këtij Kuvendi me shumë dekada. Megjithatë, është vendi për ta thënë, dhe nuk më vjen fare keq, se përgjegjësia nuk është kolektive, por vetëm personale. Është i atyre që i sollën në Parlament, i zbukuruan, i parfumosën, i korrektuan, i lyen me buzëkuq, u bënë make up politik për të na detyruar ta pranojmë këtë shëmti si normë politike. Megjithatë, dëmi që i është bërë këtij Parlamenti është më i vogël se ai që i është bërë shoqërisë shqiptare.

Problemi është se duke u bërë deputetë, këshilltarë, kryetarë bashkish, funksionarë publikë dhe njerëz që kanë në dorë fatet e dikujt dhe paguhen me taksa, këta njerëz u kthyen në model për shoqërinë. Të jesh i fortë, i paprekshëm dhe me imunitet është kthyer në modë. Është kthyer në një modë që na rrezikon ne si shoqëri dhe më shumë sesa të na infektojë ne të infektojë të rinjtë e Shqipërisë, të cilët, për fat të keq, janë ata që po ikin nga Shqipëria edhe për shkak të këtij modeli. Sepse, ky model në shumë raste është i pakonkurrueshëm. Të rinjve të Shqipërisë sot u themi të mos përdorin mendjen por muskujt. Duke futur njerëz të tillë në Parlament kjo është ajo që u themi të gjithë të rinjve. U themi: Mos mësoni, mos u edukoni, mos shkoni në shkollë se është e kotë, mos shkoni në universitet, vidhni, trafikoni, shisni njerëz, përdorni dhe shisni drogë, sepse kjo është mënyra më e shpejtë dhe efikase për të marrë një post publik dhe ndoshta për të ardhur në Parlament.

E dini çfarë mendon sot një fëmijë që jeton në një provincë të Shqipërisë? Prindërit e vet nuk kanë mundësi ta çojnë në shkollë. Çfarë i thotë ky model atij fëmije në provincë njeriut të varfër? Ai nuk ka mundësi të bëjë një karrierë normale. Jeta ia ka bërë të pamundur, trashëgimia nuk ia lejon, Parlamenti i Shqipërisë i thotë shit drogë, vrit, shko në Itali, bëj trafik, sepse kështu mund të vish e të bëhesh deputet. Kjo është çështja. Është kostoja më e madhe e shoqërisë sonë. Kemi krijuar një model që sot do ta ndëshkojmë me votë. Por ne kemi bërë më shumë se kaq. Kemi degraduar sistemin tonë arsimor, sepse kemi prishur sistemin e meritës. Sepse, nuk ka nevojë të mësosh që të hysh në administratë publike. Nuk ka nevojë të diplomohesh, të kesh talent për të ardhur në Parlament. Mjafton të kesh një mik. Të kesh bërë një krim dhe ai miku ta fsheh. Kemi shkatërruar dhe po shkatërrojmë sistemin e karrierës në Shqipëri, duke ndërtuar një klasë të re të atyre që nuk ndëshkohen, që dhunojnë. Në fakt, një klasë të re që nuk ka ekzistuar në Shqipërinë e ndërtuar në 25 vjet.

Është normale që një parti, qeveri apo grup politik nuk ka mundësi financiare, ekonomia nuk ia lejon të bëjë më shumë shkolla, më shumë rrugë, të ulë taksat. Kjo është e zakonshme, ndodh kudo. Mirëkuptohet çdo klasë politike e cila nuk ka mundësi të bëjë të gjitha ato që premton, por ama të fusë njerëz të inkriminuar në Parlament është pa kosto. Është gratis. Po kush të detyron të fusësh njerëz të inkriminuar në Parlament?! Është falas! Është kostoja e moralit! Por ne shkelëm koston e moralit. I dhamë shoqërisë një moral që nuk e meritonte, sepse në fund të fundit çdo klasë politike përveçse të drejtojë dhe administrojë, ka rol edukativ dhe pedagogjik. Ndërton modele. Kjo është detyrë e çdo klase politike. Dhe ju besoni se ne kemi dhënë modelin më të drejtë?! Për fat të keq, besoj se ky ligj që po miratojmë do të vazhdojë të jetë i paplotë, dhe i pazbatueshëm për sa kohë që burimet e kësaj shëmtie nuk kanë gjasa të rregullohen. Është njëlloj si të pretendosh se një lumë mund të jetë i pastër edhe nëse përrenjtë që e furnizojnë atë janë të ndotur. Është e pamundur. Nëse përrenjtë janë të ndotur, edhe lumi do të jetë pis. E dini cilët janë përrenjtë e këtij Parlamenti?! Janë partitë tona, burimet e këtij Parlamenti. Nuk është shoqëria, as Shqipëria, janë partitë që furnizojnë Parlamentin që ne kemi sot. Dhe për sa kohë që partitë politike në Shqipëri, nuk janë demokratike, nuk respektojnë votat e anëtarësisë, nuk votohen, nuk zgjidhen dhe nuk zgjidhen, kush me padrejtësi e kush me parregullsi, këtu do të vijnë të fortët dhe të papërshtatshmit. Sepse partitë, për fat të keq, që e përbëjnë Parlamentin sot, nga e majta në të djathtë, nga fundi në fillim, nuk janë fare demokratike. Ky është problemi sot në këtë Parlament.

Nëse do të kishim parti më demokratike, sot nuk do të kishim nevojë të bënim një ligj për dekriminalizimin. Me votën e njerëzve të thjeshtë të inkriminuarit nuk mund të vinin këtu. Ata kanë ardhur pa rregull. Janë emëruar, sepse me votë nuk do të kishin arritur këtu. Edhe unë, fatkeqësisht, jam pjesë e një partie të tillë që ka nja 3-4 vjet që as voton, as zgjedh njeri. Fut lloj-lloj njerëzish, me listë pa listë i emëron, të padrejtë, të pandershëm, me vendime gjykatash, të pandehur, të dënuar. Sepse në partinë ku jam unë edhe në tuajën (i drejtohet opozitës) nuk ka votim. Nuk respektohet asnjë rregull. Dhe kjo nuk është kosto për mua, është kosto për Shqipërinë. Çfarë po ndodh në partitë tona sot: Nëse ke para hyn, nëse je i varfër del. Nëse nuk mëson, të japin një punë, nëse mëson, të nxjerrin nga puna. Nëse ke dhunuar dikë, fiton, nëse ke nder humb. Nëse rrëmben të gjitha votat e një fshati, të respektojnë. Nëse rreh ata që mendojnë ndryshe nga ti, je i paparë. Kjo është e vërteta. Këto janë partitë tona politike. Filtri, pra partitë, që janë filtri i përfaqësuesve të popullit, është deformuar deri në masën që sot partitë tona nuk janë më grumbuj apo bashkime njerëzish që respektojnë një program apo statut në mënyrë vullnetare. Të gjitha partitë tona janë ndërmarrje fitimprurëse. Kur fiton zgjedhjet një parti është rentabël, kur njëra humb zgjedhjet pret deri ditën e zgjedhjeve për t’u bërë prapë rentabël. Kështu janë sot edhe partitë e mëdha dhe të vogla në Shqipëri. Nuk ndryshojnë nga njëra-tjetra nga programet, pasi për fat të keq nuk ka ndryshim programesh për fat të keq, ndryshojnë vetëm nga fitimet. Konkurrenca për më shumë fitim i ka shtyrë partitë të thërrasin nën armë të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, siç është rasti i këtyre që po nxjerrim sot me ligj këtë Parlament.

Kjo është arsyeja që në këtë Parlament nuk ka mësues, por nxënës të këqij. Në këtë Parlament ka më shumë armë sesa libra. Këtu nuk ka më shumë ekonomistë, por më shumë spekulantë, nuk ka më shumë juristë, por ish-të burgosur. Dhe fatkeqësisht këtu nuk ka inxhinierë, por ndërtues të ndërtimeve pa leje. Dhe këta do të vijnë prapë, për aq kohë sa partitë tona nuk ndryshojnë, nuk do të jenë demokratike. Partitë tona kanë marrë peng Shqipërinë, duke e kriminalizuar padrejtësisht. Kjo është arsyeja që drejtësia pengohet pa fund dhe do të vazhdojë të pengohet, pasi nëse drejtësia do të funksionojë, partitë do të ndryshojnë dhe ky Parlament nuk do të ketë më të inkriminuar. E di që ka shumë njerëz që rrudhin buzët dhe unë i mirëkuptoj. E di pse, sepse ka shumë vjet që nuk e kam bërë dallimin midis xixëllonjës dhe dritës. Ka deputetë këtu që pa pikën e drojës, dinjitetit, arsyes, e kanë kthyer në alibi, mbrojnë atë që ka ndodhur. Kanë kthyer në argument faktin që: Ne i ftuam banditët në parti, për shkak se donim të mundnim një bandë që ishte në pushtet. Unë nuk e pranoj këtë gjë. Refuzoj e përçmoj se ky argument: Ftuam ca banditë për të dëbuar ca banditë të tjerë, nuk është vetëm cinik, është racist. Paragjykon shqiptarët. U heq shqiptarëve mundësinë se kanë aftësinë të rrëzojnë kriminelët nga pushteti pa u bërë palë me krimin. Nuk e pranoj këtë argument. Në rastin më të mirë, të thuash që u bëra palë me banditët për të rrëzuar banditët do të thotë të bësh si pala që ke rrëzuar. Ose në rastin më të keq, do të thotë që nuk ke besim se shqiptarët kanë aftësi e guxim, e sens mase për të rrëzuar një regjim të inkriminuar pa ndihmën e krimit. Asnjë popull në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka bërë këtë që kemi bërë ne, përkundrazi, demokratë apo socialistë qofshin, në Evropë kanë bërë një pakt me njëri-tjetrin. Kanë konsideruar krimin pa parti dhe drejtësinë pa parti. Kjo është arsyeja që në Evropë kanë ekuilibër konstant dhe rend konstant demokratik që i mbron nga të gjitha rreziqet, financiare apo terroriste që po ndodhin në Evropë. Ne nuk po e bëjmë këtë. Përkundrazi, dështuam dhe po dështojmë me nder dhe me sukses çdo ditë. Në fund fare, një përgjigje për xixëllonjat. E di cili është ndryshimi mes xixëllonjës dhe dritës? Fëmijët e fshatrave kur duan të gjejnë derën e banjos vënë një xixëllonjë në ballë. Ajo nuk është dritë. Xixëllonja të ndihmon të gjesh banjon. Kurse drita ndihmon popujt të dalin nga errësira. Dhe kjo është çështja. Megjithëse jam skeptik, do ta votoj këtë ligj, pavarësisht se nuk kam besim se politika jonë do të dekriminalizohet edhe me këtë ligj.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency