Dita ndërkombëtare e studentëve dhe realiteti shqiptar!

0
203

 

 

qdNga Qamil Dika

 

Sot është Dita Ndërkombëtare e Studentëve. Në botë, kjo datë shënohet si simbol i luftës për edukim demokratik. Ajo po ashtu përkujton 17 nëntorin e vitit 1939, kur forcat naziste ekzekutuan 20 studentë çekosllovakë, të cilët protestuan kundër pushtimit. Atëherë, mbi 1200 studentë u dërguan në kampe përqendrimi, ndërsa universitetet u shndërruan në kazerma. Teksa gërmoja për të gjetur zanafillën e kësaj date të shënuar, u ndjeva në një aktualitet të pastër shqiptar. U ndjeva afër, sepse kujtova dhjetëra studentë shqiptarë, që pak javë më parë përfunduam në “kazermat” e policisë sonë, vetëm e vetëm sepse guxuan të protestojnë ndaj kryeministrit. Kujtova se si në shekullin XXI, një akt qytetar si protesta, trajtohet me harbutëri nga ata që duhet të jenë garantë të sigurisë. Pastaj qetësova veten… nuk ishte kjo gjëja më e keqe që studentëve tanë u ishte bërë. Aq më e keqja që kanë marrë angazhimin t’u bëjnë, por një gjë është e sigurt: energjia e tyre, është e pathyeshme dhe e pashtershme. Ndaj kjo është garanci për këdo, dhe ndaj kujtdo. Ata kanë sot problem përkrahjen shtetërore, e cila jo vetëm mungon, por akoma më shumë është dekurajuese. E megjithëkëtë, ajo çfarë kemi parë ditët e fundit rrugëve të kryeqytetit, përpara ministrive, përpara zyrës së kryeministrit, është dëshmi se ata, studentët, ja dalin edhe kur i kanë të gjithë kundër. Si një strukturë e ngritur mbi Ligjin e Arsimit të Lartë, Këshilli Kombëtar Studentor dhe të gjithë këshillat studentorë të universiteteve dhe fakulteteve, janë garantë për një aktivitet studentor të shëndetshëm, përfaqësim dinjitoz dhe shpirt proteste, sigurisht, pa të cilin, jeta studentore nuk do të kishte kuptim. Ata nuk kanë pse të ulet në nivelin e një OJF-je për tu financuar, por vetë universitetet duhet të mbështesin dhe të financojnë aktivitetin e pavarur të studentëve. Dhe pse disa universitete e kanë të përcaktuar se 2% e buxhetit i përket këshillit studentor, thuajse asnjë rektor nuk e shpërndan këtë buxhet në funksion të aktiviteteve të pavarura të studentëve. Në mjaft raste u duhet të përballen me korrupsionin në auditorë dhe të mos kenë besim tek drejtuesit e universitetit për ta denoncuar atë. Herë të tjera u duhet të përballen me diskriminimin racor e social, e prapë, guximi mund tu kthehet në kosto. 1000 probleme kanë studentët tanë, dhe 1000 të tjera kanë ata nëpër botë. Sfidat e shekullit nuk janë të njëjta në kontinente të ndryshme, por në një ditë si kjo: 1000 herë po t’i nxisim, 1000 herë po t’i mbështesim, 1000 herë po t’i inkurajojmë, 1000 herë kemi kontribuar për një brez të shëndetshëm, garant i së ardhmes. Kur isha student, e kam gjetur veten herë pas here nëpër sheshe për të kontestuar deformime të Ligjit të Arsimit të Lartë, korrupsionin, dhe shumë fenomene të padenja për auditorët dhe shoqërinë. Sot, unë dua të jem një nga 1000 përpjekjet që dëshmojnë vlerësimin dhe mbështetjen për ta, në kauzat e sotme dhe të së ardhmes e në respekt të të gjitha kauzave të fituara të së shkuarës. Bëhu dhe ti një në 1000! Mbështeti studentët! Bëhu një prej tyre! Guxo si ata.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here