Taksat e reja  / Të gjitha risitë që përmban paketa fiskale 2016

0
167

 

Nga taksa 1 euro e hotelit tek taksa e kategorizuar mbi tokën, ja të gjitha të rejat që parashikon Ministria e Financave

 

drejtoria e tatimeveErvin Kaduku

 

Paketa fiskale që do të shoqërojë buxhetin e vitit të ardhshëm është diskutuar këto ditë mes përfaqësuesve të biznesit dhe atyre të Ministrisë së Financave. Zv.ministrja Irena Beqiraj tha se paketa është në fazën e diskutimeve dhe nga miratimi i asaj do të synohet të nxitet prodhimi vendas. Por, derisa të shkojë në fazën përfundimtare, për të po mblidhen edhe sugjerimet e bizneseve.

Po çfarë propozohet të ndryshohet në sistemin aktual të taksave?

 

Turizmi

Qeveria ka propozuar për vitin 2016 vendosjen e një takse prej 1 euro për fjetje, një nisme kjo, e cila ishte parashikuar edhe në strategjinë e turizmit. Por bizneset e fushës propozojnë që taksa e re të jetë e përshkallëzuar, që do të thotë, në varësi të yjeve të hotelit, duhet të aplikohet edhe niveli i saj.

Por, për aq kohë sa procesi i klasifikimit të yjeve nuk është bërë, atëherë kjo takse do të dëmtojë vetëm bizneset e vogla turistike.

Sipërmarrësit janë të mendimit se zvarritja e uljes së TVSH-së drejt nivelit 10% në turizëm – nga 20% që është aktualisht –  është një proces që po dëmton këtë industri, pasi Shqipëria rezulton ta ketë më të lartën këtë taksë në rajon e më gjerë, çka do të thotë se në këtë drejtim Shqipëria nuk është konkurruese.

Në pritshmëritë e qeverisë, nëse aplikohet taksa 1 euro për fjetje, me numrin e turistëve që kanë hyrë në vitin 2014, shuma që mund të mblidhej arrin në rreth 510 milionë lekë në vit. Ndërsa ulja e TVSH në turizëm është një masë, që deri më tani nuk ka gjetur miratimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

 

Taksat vendore

Një tjetër taksë që është propozuar nga qeveria është ajo e tokës. Për të është menduar që të bëhen katër kategorizime dhe taksa e propozuar nga kategoria 1 deri në kategorinë 4, propozohet në nivelet nga 1.600 deri në 5.560 lekë në vit. Bazuar në sipërfaqen totale të truallit, e cila arrin në 50 mijë hektarë, të ardhurat që do të mblidhen shkojnë deri në 180 milionë lekë. Arsyeja kryesore e propozuar në paketë është pikërisht vlerësimi që bëhet truallit, si pasuri e paluajtshme, ashtu sikurse është toka bujqësore apo ndërtesa. Për pasurinë e paluajtshme, qeveria ka propozuar që subjekt i pagesës së saj të mos jetë vetëm pronari legjitim, por edhe përdoruesi, nëse ka një të tillë.

 

Akciza

Paketa propozon heqjen e akcizës për 4 mallra: llambat, gomat, bateritë dhe fishekzjarret, me arsyetimin se të ardhurat nga akciza nga këto mallra janë të panevojshme dhe ka pak persona të regjistruar si depozitues të akcizës. Duhet thënë se heqja e akcizës për këto mallra ka ardhur si propozim i mëhershëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Harvardit, ndërsa efektet financiare nga kjo pikë shkojnë 253 milionë lekë.

Ndërkohë, duke mbetur te kjo pikë qeveria ka vendosur që të mos rrisin akcizën e duhanit, me motivacionin se rritja e nivelit të akcizës gjatë këtij viti ka ndikuar në rënien e importeve të këtij malli.

Në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, ministri i Financave propozoi rritjen me 11 për qind të akcizës së birrës vendëse dhe uljen me 14 për qind të akcizës për birrën e importit.

 

Tatimi mbi të ardhurat

Sa i përket tatimit mbi të ardhurat personale, drafti i përgatitur me Fondin Monetar Ndërkombëtar thekson se në ligj do të përfshihen 5 pika kryesore, njëra prej të cilave thotë se do të ndiqet modeli i taksimit të biznesit të vogël dhe do të bëhet njohja e shpenzimeve për borxhin e keq si përqindje e caktuar në bazë të periudhës së maturimit. Gjithashtu, paketa e cila propozon që miratimi i këtij ligji të bëhet në muajin korrik të vitit të ardhshëm, ose në janar të vitit 2017, thekson edhe njohjen e shpenzimeve të interesit si përqindje e fitimit para interesave dhe tatimeve, si e dhe adreson çështjen e ndërtueseve me pronarët që shkëmbehet trualli. Ndërkohë, projekti i qeverisë zgjat edhe afatet në 5 vjet, nga 3 vjet që është aktualisht për mbartjen e humbjeve.

Paketa fiskale e këtij viti, krahasuar me vitin 2014, rriti tatimin mbi të ardhurat në 13 për qind nga 10 për qind. Ndërkohë, një projekt i zbardhur në gusht të këtij viti vendoste tatim edhe për pagat nën 30 mijë, projekt, të cilin Ministria e Financave e hodhi poshtë, të paktën te pjesa e shifrave, të cilat i raportoi si ilustruese.

 

Taksa për sigurimet

Në propozimin e ri për taksat kombëtare, duket se qeveria do të kërkojë rritje me 10 për qind në tregun e sigurimeve të detyrueshme dhe vullnetare. Arsyet – rezulton se TVSH e përjashtuar për primet është 1 miliard lekë, ndërsa të ardhurat nga primi janë 220 milionë lekë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here