Vendimi i ri nga Ministria e Mirëqenies Sociale: Kush refuzon punën, i hiqet e drejta e ndihmës ekonomike  

0
159

 

Sipas vendimit të ri, të gjithë qytetarëve, të cilët refuzojnë ofertën nga zyrat e punës, do t’u hiqet automatikisht e drejta e përkrahjes sociale

Blendi Klosi

Ministria e Mirëqenies Sociale ka marrë dje një vendim të ri në lidhje me qytetarët, të cilët nuk pranojnë të punojnë nga ofertat që u vijnë nga zyrat e punës. Vendimi i ri për të gjithë qytetarët, të cilët refuzojnë të punojnë sipas ofertës që u vjen nga zyrat e punës, do t’i përjashtojë ata menjëherë nga lista e ndihmës ekonomike. Kështu, qytetarët që regjistrohen si të papunë dhe nuk pranojnë ofertën për të cilën ka ndërmjetësuar zyra e punës, do të hiqen automatikisht nga kjo listë, duke i detyruar ata ose të punojnë, ose të pranojnë vendimin e ri, duke mos marrë asistencë sociale. Ministria e Mirëqenies Sociale ka marrë këtë vendim, pasi shumë qytetarë, nëpërmjet regjistrimit si të papunë, përfitojnë ndihmë ekonomike dhe në anën tjetër punojnë të pasiguruar. Ministri Klosi ka evidentuar edhe një herë raportin e zhdrejtë mes ofertave të bizneseve dhe numrit të punëkërkuesve, duke vënë në pikëpyetje efiçencën e zyrave të punës. “Ne nuk mund të pranojmë që një sistem i tërë të sponsorizojë dembellëkun e qytetarëve shqiptarë, pra të shkojnë të kërkojnë punë dhe të mos pranojnë të punësohen në vendet e punës që biznesi ofron. Projektligji që propozojmë dhe kërkojmë ta miratojmë së bashku synon që punëkërkuesit të mos presin dhe të marrin pagesën e ndihmës ekonomike si të vetmen mundësi për të jetuar, por të aftësohen dhe të punojnë pranë bizneseve që kërkojnë punonjës të kualifikuar. Projektvendimi kërkon që njerëzit të orientohen drejt punës së denjë, – deklaroi Klosi. – Ne kërkojmë që, në bazë të ligjit të ri, punëkërkuesit t’i hiqet apo t’i refuzohet statusi i punëmarrësit të papunë, nëse oferta e përshtatshme apo programet e tjera të përshtatshme kundërshtohen, refuzohen apo nuk pranohen gjatë intervistimit të tij të parë apo në takimet e tjera të radhës. Pra, kur punëkërkuesi i papunë refuzon një vend të përshtatshëm, qoftë edhe një herë të vetme, kur kërkon punë dhe deklaron një gjë të tillë, kur punëkërkuesi i papunë refuzon pjesëmarrjen në programin e nxitjes së punësimit, apo në programet e tjera të punësimit, siç mund të jenë punët publike apo komunitare, kur punëkërkuesi i papunë refuzon pjesëmarrjen në formimin profesional falas, atëherë zyra e punësimit heq statusin e punëkërkuesit të papunë apo punësimit të tij dhe njofton menjëherë institucionet përgjegjëse për ndihmën ekonomike, për ta hequr atë nga skema”. Dhjetëra qytetarë u drejtohen këtyre zyrave për gjetjen e një pune apo për të marrë një vërtetim papunësie. 43% e qytetarëve janë të regjistruar si të papunë, përqindje kjo më e lartë se vetë raportimi i INSTAT-it për 2015-ën, kur papunësia arriti në nivelin 17.3%. Ky propozim u prezantua dje në Këshillin Kombëtar të Punës duke njoftuar kështu të gjithë qytetarët. Ndërkohë pak ditë më parë në lidhje më shërbimin që ofrojnë zyrat e punës ministri Klosi shprehu rezerva ndaj këtij fakti: “Ne kemi një situatë paradoksale në vendin tonë. Në zyrat e punës sot kemi plot 150 mijë veta që kërkojnë punë, ndërkohë në po të njëjtat zyra, në po të njëjtat sportele kemi sot 26 800 vende të lira pune. Biznesi kërkon punë, Shqipëria nuk ofron punonjës të kualifikuar, ku është dilema, ku është problemi, ku është mundësia sesi mund të ndryshojmë? Kjo e gjitha mbetet tek vetë ne që menaxhojmë këtë situate”. Në javën e sigurisë në punë, ministri Klosi dhe kreu i Inspektoratit të Punës, Dritan Ylli, i bënë thirrje biznesit të respektojë ligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë, për të shmangur kështu incidentet dhe penalitetet. Në një kohë kur kriza ekonomike ka bërë që një pjesë e gjerë e shqiptarëve të presin në fund të muajit rritjen e asistencës sociale, tashmë shpresat për të pritur këtë gjë janë zbehur totalisht, sipas vendimit të ri që u nxor dje nga Ministria e Mirëqenies Sociale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here