Debati në takimin me “Rajonin e Jugut” / Kritika edhe nga Leskaj e Toçi, Ruçi-Kokëdhimës: Nuk komandon ti. Rama shtyn mbledhjen

0
117

 

 

ruci kokedhimaMes debateve dhe akuzave është zhvilluar pak ditë më parë mbledhja me dyer të mbyllura e thirrur nga Kryeministri Rama me të gjithë deputetët e Rajonit të Jugut si edhe krerët lokalë të Vlorës dhe Gjirokastrës. Në këtë takim, në qendër të kritikave ka qenë deputeti socialist Koço Kokëdhima, i cili është përcaktuar nga Rama si koordinator i Rajonit të Jugut. Kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi si edhe deputetët Valentina Leskaj dhe Fatmir Toçi shprehën një sërë kritikash ndaj Kokëdhimës. Numri 1 i grupit parlamentar të PS-së e cilësoi si tërësisht absurd propozimin e Koëdhimës për shtyrjen e punimeve të kongresit të janarit me dy muaj për shkak të problematikave të këtij Rajoni. “Ti ke shkelur çdo afat statutor. Pastaj kush je ti që duhet të marrësh vendim për shtyrjen e afatit, vendimin për caktimin e datës e ka marrë Asambleja. Kështu është kur ti emëron vetë, vendos vetë dhe përcakton vetë… Ty të kanë bojkotuar të gjithë deputetët pasi ti nuk i bën ato pjesë të grupeve të punës”, – mësohet të jetë shprehur Ruçi në mbledhjen e zhvilluar pasditen e së shtunës. Ndërkohë, kritikat ndaj deputetit Kokëdhima erdhën edhe nga kolegët e tij Valentina Leskaj dhe Fatmir Toçi, pasi, sipas tyre, koordinatori i Jugut nuk ka përfshirë në procesin organizativ deputetët e zonës. “Ty more zotëri nuk të do njeri, edhe pse e ke shpallur veten Kryeministër i Jugut. Ti po na e shkatërron partinë”, – tha Toçi. Ndërkohë që ndaj këtij të fundit mësohet se Kokëdhima ka reaguar duke e cilësuar “parazit”. Ndërkaq, Leskaj, duke mbështetur deklaratat e kreut të grupit të PS-së, theksoi: “Koordinatorit i Rajonit të Jugut nuk bashkëpunon me ne deputetët, madje ndonjëherë nuk na hap as telefonin. Edhe kur ka ndonjë mbledhje te zona ime, nuk marr asnjë njoftim”. Në gjithë këto debate, e vetmja që mbështeti deputetin Kokëdhima ishte ligjvënësja socialiste e Vlorës, Mira Shehu, por duket se mendimi i saj nuk është marrë parasysh nga të pranishmit pas ndërhyrjes së Ruçit, i cili mësohet se ka pohuar: “E dimë që nga të gjithë deputetët vetëm ti e do Koçon”. Ndërkaq, në gjithë këtë përplasje, kryeministri Rama nuk ka mbajtur asnjë qëndrim të prerë, duke synuar qetësimin e situatës. Duke mos shprehur kundërshti as ndaj deputetit Kokëdhima e as ndaj kreut të grupit socialist Ruçi e deputetëve që e mbështetën në kritikat, Rama mbylli mbledhjen e së shtunës duke bërë të ditur mbajtjen e një takimi të dytë të premten e kësaj jave.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here