Debate në PD / Ish-ministrat kritika Bashës: Merr masa për krerët e degëve. Ruli braktis mbledhjen

0
140

 

 

grupi i pd mbledhje foto e bashesRuli, Imami, dhe Bregu kërkojnë të ndalet sulmi i krerëve të degëve ndaj deputetëve, Berisha i mbështet. Kreu i PD: Është konflikt që po nxitet nga mazhoranca për të hequr vëmendjen prej CEZ-it

Gëzim Saliu

Mbledhja e djeshme e grupit parlamentar demokrat, në pjesën pa media, u zhvillua përmes debateve të shumta, ku protagonistë ishin disa nga ish-ministra të qeverisë së djathtë dhe kreu i PD-së Lulzim Basha. Të gjendur përballë akuzave dhe kritikave të disa prej krerëve të degëve në rrethe për humbjen e partisë në 23 qershor 2013 si edhe në ato vendore të 21 qershorit 2015, ish-ministrat kërkuan të ndalen sulmet ndaj tyre. Mësohet nga burimet pranë selisë blu se deputetët Genc Ruli dhe Arben Imami nuk nguruan ti kërkojnë kryedemokratit të marrë masa ndaj krerëve të degëve, duke pohuar  në këtë kontekst se nevojitet edhe një analizë e thellë e zgjedhjeve të fundit, ku sipas tyre një pjesë e madhe e përgjegjësisë për humbjen vjen pikërisht nga drejtuesit e degëve. Ndërkaq lideri i demokratëve është përpjekur të qetësojë deputetët kritikë duke theksuar se ky debat është i inskenuar dhe se i shërben mazhorancës për të shpëtuar nga afera CEZ.  Po ashtu mësohet se në mbështetje të ish-ministrave ka qenë edhe ish-kryeministrit Berisha i cili ka deklaruar se sulme të tilla nuk janë pozitive për forcën më të madhe opozitare.  Debati mes palëve ka arritur kulmin, kur ish-ministri, deputet aktual i PD-së Genc Ruli është larguar nga mbledhja duke kërkuar një qëndrim më ashpër nga kryedemokrati ndaj krerëve të degëve.

Debati

Nisur nga deklarata e kryetarëve të PD-së së Lushnjes, Vlorës dhe atij të Gjirokastrës, të cilët i kanë akuzuar ashpër ish-ministrat demokratë si shkaktarë për humbjet e demokratëve, deputetët Genc Ruli dhe Arben Imami kërkuar nga lideri i partisë të merren masa ndaj tyre. “Unë kryetar kërkoj të ndalen sulmet e paprecedentë të disa njerëzve pa kontribute në PD ndaj një elite politike që, ndryshe nga ata, kanë kontribute të rëndësishme në këtë parti”, mësohet të jetë shprehur Ruli. Ndërsa kreu i demokratëve është munduar të qetësojë debatin duke theksuar se,: “ky është një konflikt që sipas tij po nxitet nga mazhoranca për të hequr vëmendjen prej aferës së CEZ-it”. Por në kundërpërgjigje të kryetarit Ruli ka pohuar se akuzuesit e ish-ministrave janë drejtues të PD-së në rrethe dhe se i kanë shprehur publikisht opinionet e tyre. “Mosha nuk është argument për t’i ndarë njerëzit në të vlefshëm dhe në të pavlefshëm. Politika nuk ka moshë”, deklaroi deputeti i PD-së. Në të njëjtën linjë ish-ministri dhe deputeti aktual i PD-së Arben Imami ka dalë në mbështetje të kolegut Ruli  duke pohuar se sulmi ndaj ligjvënësve të PD-së nga zyrtarë po demokratë nuk ka ndodhur kurrë në historinë e kësaj partie. Ndërkohë pjesë e debatit është bërë edhe deputetja Majlinda Bregu, e cila pasi fillimisht ka mbështetur dy kolegët e saj, ka replikuar me kreun e grupit parlamentar Edi Paloka lidhur me debatin e brendshëm. Duke iu kundërpërgjigjur Palokës sipas së cilit debati i shërben kundërshtarëve politikë, Bregu mësohet se ka theksuar se “debati i brendshëm është i domosdoshëm për partinë, por niveli i tij në këtë rast po ndihmon më shumë kundërshtarët”. Në këtë përplasje mes demokratëve nuk ka munguar as qëndrimi i ish-kryeministrit Berisha i cili mësohet se ka deklaruar, “debatin në parti e konsideroj më se normal, por nuk mund të shikoj si normal sulme të tilla denigruese ndaj deputetëve apo ish-ministrave. Kjo situatë duhet të marrë fund”. Ndërkaq dy nënkryetarët e partisë, Edi Paloka dhe Edmond Spaho ishin të vetmit në mbledhje që diskutuan duke mbështetur qëndrimin e kryedemokratit Basha sipas së cilit ky debat është stisur dhe zmadhuar nga mazhoranca me synim shmangien e diskutimit për aferën CEZ.

Box gri

Çfarë kanë thënë krerët e degëve

Myslim Murrizi ( kreu i degës së PD-së në Lushnje)- Më habit fakti kur shoh si promotorë ata që kanë marrë mandat në emër të demokratëve dhe kanë 2 vjet që nuk shkelin më në zonat ku janë mandatuar. Janë ata që me arrogancën fodullëkun pazaret dhe mospërfillje të demokratëve në 8 vite qeverisje bënë që PD të dalë në opozitë në 2013 në një rezultat diskriminues. Janë ata që punuan dhe ndanë tendera e bën biznes me oligarkët e sotëm. Janë ata që fërkonin duart kur PD humbi në 2013 se prisnin të ishin si lidership i “ri” i PD. Janë po ata fytyra të urryera nga shumica dërrmuese e demokratëve anë e mbanë Shqipërisë për mos respektim të tyre dhe që ju mbyllën dyert demokratëve të thjeshtë e here-herë u kërkuan haraç për çdo shërbim që ju takonte me të drejtën e ligjit dhe të drejtën e zotit. Duhet të kenë kurajon e t’u kërkojnë falje demokratëve që ju përplasnin derën në fytyrë kur halli i binte në zyrat e tyre, ti kërkojnë falje demokratëve e qytetarëve se pasuruan me firmat e tyre nga tenderat e shtetit oborrtarë të qeverisë së sotme

Roland Bejko ( kreu i degës së PD-së në Gjirokastër)- Deri tani kisha dijeni se 5 (pesë) persona nga ata që hynë në pushtetin e 2005 -ës si ministra e drejtorë me xhaketa doku apo “Versace” Kine, e dolën prej tij me pasuri të çmendur, nuk e kishin votuar PD-në në zgjedhjet e fundit lokale! Po, sapo ma konfirmoi vetë edhe i 6 (gjashti) se jo vetëm nuk e kish votuar Halim Kosovën e PD-në, por edhe kish dhënë goxha shumë për “Rilindjen”. Të mendosh sa vuajtëm për të mbledhur ca qindarka për fushatë!

Osman Stafa- ( kreu i degës së PD-së në Durrës)- Keqardhje për disa pseudo demokratë që sot bëjnë heroin dhe qëllojnë me “gurë” fajtoret e humbjes, kur dje rrinin nëpër kafene

Moisi Meminaj (kreu i degës së PD-së Vlorë)- Të gjithë bla-blat, të verbuarit nga ethet për karrige, pijanecët e derbederët, t’i hapin sytë e t’u dal pija dhe ta mbyllin sqepin, të shohin rezultatet në KQZ. Vjen një moment dhe heshtja thyhet pasi dëgjon nëpër korridore dhe cepave se do ketë rikonceptim të degëve dhe kjo e Vlorës është në listë, bla-bla etj, etj.. Të jemi krenar se fituam një bashki, ku morëm edhe 4% më shumë këshilltarë se në 2011. Ndërsa për Bashkinë Vlorë rezultati për kandidat është po ne ata parametra si në 2011 ( +-) .

Debati në mbledhjen e grupit

Genc Ruli– Unë kryetar kërkoj të ndalen sulmet e paprecedentë në rrjetet sociale të disa njerëzve pa kontribute në PD ndaj një elite politike që, ndryshe nga ata, kanë kontribute të rëndësishme në këtë parti. Në PD s’ka ndodhur ndonjëherë që të bëhen sulme të tilla, shqetësuese është edhe indiferenca juaj…

Lulzim Basha– Ky është një konflikt që po nxitet e zmadhohet nga mazhoranca për të hequr vëmendjen prej aferës së CEZ-it. Janë deklarata të manipuluara nga media pranë qeverisë

Genc Ruli– Akuzuesit janë drejtues të PD-së dhe i kanë shprehur publikisht opinionet e tyre. Duhen marrë masa ndaj këtyre sulmeve të paprecedenta…..Është e palogjikshme ndarja në politikanë të vjetër e të rinj, mosha nuk është argument për t’i ndarë njerëzit në të vlefshëm dhe në të pavlefshëm. Politika nuk ka moshë

Lulzim Basha– Ekziston një komision etike që këshillon kryetarët e degëve, edhe se si të sillen në rrjetet sociale

Ruli braktis mbledhjen

Arben Imami– Sulmi ndaj deputetëve të PD-së nga zyrtarë po të PD-së nuk ka ndodhur kurrë në historinë e kësaj partie

Edi Paloka– kjo çështje është e fryrë dhe drejtuar nga shumica kundër nesh….. Deputetët tonë kritikë janë bërë si Ballist Morina për qeverinë, sulmojnë PD-në dhe nuk flasin në parlament kundër qeverisë

Majlinda Bregu– unë do thoja se grupi parlamentar nuk ka kohezion dhe konfidencë. Është niveli i debatit të brendshëm që po i jep më shumë pikë kundërshtarëve se sa partisë

Edmond Spaho– Më së shumti kjo është një situatë e nxitur nga pala tjetër që po bën gjithçka për të mbyllur pa debat megaaferën e CEZ. Nga ana tjetër ka disa prononcime jo adekuate të deputetëve… duhet të jemi më agresivë ndaj qeverisë dhe jo të flasim për problemet e opozitës.

Sali Berisha– Është normale që të ketë debat të brendshëm në parti, por mendoj se nuk është aspak normale që të ketë sulme të tilla denigruese ndaj deputetëve apo ish-ministrave. Them se kjo situatë duhet të marrë fund

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here