Harta / Krimi në Tiranë, përplasja e bandave në kryeqytet. Ja zonat e shitjes së drogave

0
194

 

Droga në ElbasanSipas specialistëve të narkotrafikut në polici, së fundmi janë shtuar edhe përdoruesit e kokainës dhe ata të heroinës. Kjo është harta, në të cilën duken qartë se cilat janë zonat ku shitet apo përdoret më shumë hashashi, kokaina apo edhe heroina

 

Hashashi është lënda narkotike më e përdorur nga të rinjtë në kryeqytet. Por kohët e fundit është vënë re një rritje e përdorimit të drogave të tjera. Pikërisht për këtë arsye janë shtuar dhe fuqizuar edhe grupet që merren me trafikun e lëndëve narkotike në kryeqytet. Kjo ka sjellë edhe një përplasje më të madhe mes tyre. Tragjedia tek lulishtja e “1 Majit”, pak ditë më parë e ka treguar pikërisht këtë gjë. Tre të rinj që kishin shitur drogë së bashku prej kohësh, 6 muaj më parë ishin ndarë. E kjo kishte sjellë edhe zënka të njëpasnjëshme me njëri-tjetrin. Dhuna kishte arritur aty sa urrejtja ishte bërë e madhe deri tek përdorimi i armëve. Vasiel Çavo dhe Sael Sulaj qëlluan me armë duke vrarë dy të rinj, Kevin Rugova dhe Aurora Oskian. Në fakt objektivi i tyre ka qenë Elvis Gaçaj. Dy të rinjtë kanë pranuar se shpërndanin lëndë narkotike në Tiranë gjatë muajve të fundit, aktivitet që e kryente edhe shtetasi Elvis Gaçaj. Sipas dy të arrestuarve, për çështje droge ata kanë pasur konflikte të vazhdueshme me Elvis Gaçajn, i cili qe nga muaji shkurt i vitit 2015 deri dhjetë ditë më parë i kishte rrahur disa herë shtetasit Vasiel Çavo dhe Sael Sulaj. Këto rrahje kanë qenë të dhunshme pasi Gaçaj përdorte sende të forta dhe shkop bejsbolli duke iu lënë shenja të dëmtuarve’, siç mendohet për çështjet e drogës që ata shpërndanin. Për këtë arsye, ata kanë vendosur ta vrisnin Gaçajn natën e krimit duke shtënë drejt makinës së tij.

 

Përdorimi i drogave

Sipas specialistëve të narkotrafikut në polici, së fundmi janë shtuar edhe përdoruesit e kokainës dhe ata të heroinës. Kjo është harta, në të cilën duken qartë se cilat janë zonat ku shitet apo përdoret më shumë hashashi, kokaina apo edhe heroina. Zonat “VIP” për shitjen e kanabisit ngelen kryesisht zonat periferike të Tiranës, ku vendin e parë e mbajnë zonat përreth kodrave të Liqenit Artificial, ku të rinj të moshave të ndryshme, jo vetëm që e shesin lëndën narkotike, por edhe e konsumojnë atë. Ndërsa zona e ish­Bllokut mban rekord për shitjen e kokainës, e cila shitet kryesisht në lokalet e natës në këtë zonë, por duke mos përjashtuar as zonat e tjera në kryeqytet. Lënda narkotike e llojit heroinë shitet më shumë në zonat e Paskuqanit dhe Alliasit, ku dhe numri i përdoruesve është më i madh. “GSH” publikon sot të plotë hartën e zonave më “të nxehta” për shitjen e lëndëve narkotike.

 

Zonat e shitjes

Ndonëse policia prej kohësh ka si synim parandalimin e mbjelljes, kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, sërish të dhënat në kryeqytet tregojnë se në zona të caktuara lëndët narkotike vijojnë të shiten, në shumë raste nga grupe kriminale, por edhe nga individë të caktuar. Arrestimet e fundit nga ana e policisë tregojnë se jo në pak raste janë arrestuar nga policia shumë të rinj, të cilët shisnin “kokainë” në lokalet e natës në zonën e ish­Bllokut. Vetëm për dy muajt korrik-gusht, policia e kryeqytetit ka arritur të vërë në pranga 35 persona, të cilët janë kapur me lëndë narkotike. Sipas të dhënave të policisë, nga të arrestuarit janë: 4 për kokainë, 1 i arrestuar për shitje heroine dhe të gjithë të tjerët janë për shitjen e kanabisit në zonat e ndryshme të Tiranës. Në total janë afro 74 zona në të cilat shitet apo përdoret droga, nga të cilat, 32 janë pikat e “nxehta” ku shitet hashashi, 25 janë zonat ku trafikohet kokaina dhe 17 janë pikat ku shitet heroina.

 

1 një kg hashash 2600 euro

Një vit më parë një qese me hashash kushtonte rreth 500 lekë të reja, kurse këtë vit e njëjta sasi kushton sa trefishi i çmimit të vitit të shkuar, dhe konkretisht një qese me hashash sot e gjen për afro 1500 lekë të reja. Por, ndryshime ka pësuar edhe tregu i shitjes së lëndës narkotike me shumicë, ku droga sigurohet në Shqipëri dhe shitet jashtë. Specialisti i policisë shpjegon se, nëse një vit më parë një kilogram kanabis sativa shkonte 300 ose 400 euro, këtë vit çmimi është rritur pothuajse 6fish. Kështu, sipas ekspertit të sektorit të Antidrogës, pas operacionit të Lazaratit, një kilogram hashash shkon 24002600 euro. Madje, specialisti shpjegon se nëse më parë cilësia e drogës ka qenë shumë e mirë, këtë vit po shitet droga që ka mbetur, e cila është e një cilësie shumë të dobët. Eksperti shpjegon se çmimi është rritur, për shkak se oferta në treg ka qenë shumë e vogël, ndërsa kërkesa ka qenë shumë e madhe. Lazarati dhe Xibraka, dy operacionet më të suksesshme të policisë Dy operacionet më të suksesshme të policisë shqiptare në fushën e goditjes së lëndëve narkotike janë operacioni i Lazaratit, në qershor të vitit të kaluar, dhe operacioni policor falë të cilit u zbulua laboratori i kokainës në Xibrakë. Strukturat e Policisë së Shtetit, gjatë ditëve të zhvillimit të operacionit në Lazarat në qershor të vitit të kaluar, kanë mundësuar asgjësimin e rreth 133.567 rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasie mbi 54 tonë e 415.565 kg kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzaminim. Po gjatë këtij operacioni, policia arriti të vërë në pranga edhe shumë persona të akuzuar për mbjellje, kultivim apo edhe trafikim të lëndëve narkotike, si dhe ka zbuluar shumë laboratorë që shërbenin për përpunimin e lëndëve narkotike.

 

BOX

Droga “VIP” s’ndryshon çmim, 1 kg kushton 43 mijë euro

 

Kokaina vazhdon të shitet me të njëjtin çmim si një vit më parë dhe vazhdon të jetë një nga drogat më të shtrenjta. Sipas specialistëve të Antidrogës, në tregun e pakicës 1 gram kokainë shitet me 100 euro, ndërsa me shumicë një kilogram kokainë shitet me afro 42 ose 43 mijë euro. Kjo drogë është më e kërkuara në treg, ndërsa specialistët shprehen se është edhe droga e “VIP”­ave, apo edhe personave të tjerë me status. Në kryeqytet janë në total 25 zona ku tregtohet kokaina.

 

BOX

Heroina, droga më pak e preferuar, 1 kg 18 mijë euro

 

As çmimi i heroinës nuk ka ndryshuar, pasi, edhe më parë, edhe sot, shitet me të njëjtin çmim. Kështu, 1 gram heroinë vazhdon të shitet me 25 euro në tregun e pakicës, ndërsa një kilogram heroinë shitet 18 mijë euro. Janë të paktë përdoruesit e heroinës në vendin tonë, dhe rrjedhimisht edhe në kryeqytet. Për këtë arsye, edhe të arrestuarit për përdorimin e kësaj lënde narkotike janë të paktë, pasi edhe varësia ndaj saj është më e madhe. Në total në Tiranë janë afro 17 pika të “nxehta” ku shitet heroina.

 

Hashashi prodhim vendas, kokaina nga Amerika Latine

 

Policia ka dyshime të arsyeshme se deri vjet, hashashi që tregtohej në kryeqytet vinte nga Lazarati, ndërsa pas operacionit policor në këtë zonë, kanabisi vjen kryesisht nga Malësia e Krujës, nga Tepelena apo edhe nga zona e Dukagjinit. Në jo pak raste, kokaina është tentuar të futet në Shqipëri përmes pikës kufitare të Malit të Zi, nga porti i Durrësit apo edhe nga Turqia. Linja që ndjek kokaina për të ardhur deri në vendin tonë është: Kolumbi (vendet e Amerikës Latine) – Evropë – Shqipëri. Ndërsa heroina vijon të trafikohet nga Afganistani dhe përmes Greqisë apo Maqedonisë të hyjë në vendin tonë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here