Qëndrimi / PD çon në Kushtetuese marrëveshjen e qeverisë me CEZ-in, Halimi: Projektligj për hetimin e aferës

0
116

 

 

 

HalimiPartia Demokratike bëri të ditur dje se do të dërgojë për ankimim në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë CEZ. Deputeti demokrat Eduard Halimi tha se tashmë është e konfirmuar se falja e 600 milionë eurove kompanisë CEZ ka për autorë dhe përfitues Kryeministrin Rama dhe Kreun e Kuvendit Meta. “Tani që dëshmitë e njëpasnjëshme po nxjerrin në dritë përmasat e kësaj afere korruptive, Edi Rama dhe Ilir Meta janë ribashkuar në pakt kriminal. Ne dërguam për ndjekje penale CEZ-in, DIA-n dhe këdo që ishte përfshirë në këtë aferë të tmerrshme korruptive. Por me ardhjen e tyre në pushtet, Rama dhe Meta nxituan të mbyllnin marrëveshjen me CEZ-in dhe të ndalonin me ligj, e përsëris me ligj, ndjekjen penale të të dyshuarve kryesorë, akt ky i paprecedent në historinë e vendit. Në fillim të javës së ardhshme, grupi parlamentar i Partisë Demokratike do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ta deklaruar si antikushtetues e për ta hedhur poshtë ligjin, pra marrëveshjen për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. S”, – deklaroi Halimi. Më tej deputeti demokrat tha se në këtë ankimim PD argumenton qartë se ky akt dëmton interesat financiare të shtetit shqiptar dhe ngarkon me borxh të tmerrshëm çdo qytetar të vendit. Po ashtu ai bëri të ditur: “Partia Demokratike ditën e hënë do të depozitojë në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin që bën të mundur hetimin e plotë ndërkombëtar të kësaj afere korruptive. Ne e kemi të qartë se Edi Rama dhe Ilir Meta s’do të lejonin një hetim të plotë e të pandikuar nga prokuroria e vendit. Me pushtetin e kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit, ata do të ndikonin hetimin dhe do ta mbyllnin atë sipas interesit të tyre”. Sipas demokratëve, vetëm një hetim me prokurorë ndërkombëtar me kompetenca të plota për të hetuar, kontrolluar dhe analizuar të gjithë aferën, të pandikuar nga dy personat e përfshirë në këtë aferë, do të sillte drejtësi për çështjen e CEZ-it.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here