Dekriminalizimi dhe reforma në drejtësi / SHBA përfshihet në negociata, Lu takim me Nishanin, Ramën dhe Metën

0
148

 

 

 

lu duke zbrit nga makinaPas takimit me kryedemokratin Basha të pak ditëve më parë, ambasadori Lu ka pasur një axhendë të ngjeshur takimesh dje me krerët e shtetit shqiptar

 

Gëzim Saliu

 

Antagonizmi i theksuar i klasës politike shqiptare i përcjellë përmes debateve dhe kundërshtive edhe për dy ndër proceset më të rëndësishme që pritet të ndërmerren në vend, si dekriminalizimi e reforma në drejtësi, ka sjellë përfshirjen në negociata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo fillimjavë ishte e ngjeshur për ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili zhvilloi takime me krerët më të lartë të shtetit. Pas dy takimeve në pak ditë të zhvilluara me kryedemokratin Basha, kryediplomati amerikan zhvilloi takime dje fillimisht me Kryeministrin e vendit, Edi Rama, dhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Në takimin e zhvilluar në selinë e PS-së mësohet se në qendër të diskutimit kanë qenë zhvillimet e fundit në vend, si edhe masat për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Pas takimit me kreun e qeverisë dhe ministrin e Brendshëm, ambasadori Lu u nis në Presidencë, ku rreth orës 10:50 zhvilloi një takim me kreun e shtetit. Në këtë takim, sipas burimeve pranë Presidencës, temat e diskutimit janë përqendruar tek reforma në drejtësi. Pas këtij takimi, kryediplomati amerikan në vend iu drejtua Kryesisë së Kuvendit, ku zhvilloi një takim me Kryeparlamentarin Meta. Fakti që për të tria këto takime të ambasadorit amerikan nuk ka asnjë njoftim zyrtar si nga ana e Ambasadës së SHBA-së ashtu edhe nga zyrat e shtypit të Kryeministrisë, Presidencës apo Kuvendit, përbën një tjetër element që vërteton përfshirjen e SHBA-së në diskutimet dhe negociatat mes palëve për procesin e dekriminalizimit dhe reformën në drejtësi.

 

Qëndrimi i SHBA-së

Që prej ardhjes së ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri, Donald Lu, dy kanë qenë tema kryesore të axhendës së tij: largimi i të inkriminuarve nga Parlamenti dhe administrata si edhe reforma në drejtësi. Ambasada e SHBA-së ka reaguar jo vetëm për arrestimet e deputetëve, ku ka vlerësuar punën e Prokurorisë, por njëkohësisht ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë për domosdoshmërinë e heqjes së personave me rekorde kriminale nga Kuvendi. Madje, Ambasada pas raportit të DASH tha se është e turpshme që në Parlamentin Shqiptar ka deputetë me të shkuar kriminale. Po ashtu, ambasadori Lu ka qenë tejet i angazhuar për reformën në drejtësi, ku thuajse në të gjitha daljet e tij publike ka theksuar rëndësinë e kryerjes së saj. Pak ditë më parë, në aktivitetin ku u prezantuan rezultatet e luftës kundër kultivimit të kanabisit, ambasadori i SHBA-së konfirmoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në krah të Shqipërisë për luftën kundër drogës, krimit dhe korrupsionit. Ai bëri të ditur se një prokuror federal i SHBA-së do të vinte në Shqipëri për të punuar me njësinë antikorrupsion, si edhe një agjent i FBI-së. Në këtë aktivitet Kryeministri Rama iu kundërvu shumë ashpër deklaratës së ambasadorit amerikan Donald Lu që bënte njësoj fajtor si qeverinë ashtu edhe opozitën për situatën e krimit në vend. Rama tha se ndihej i neveritur nga kjo modë. Ndërkaq, Kryeministri shqiptar të enjten do të marrë pjesë në “World Leadership Forum”, në Nju Jork, një event i organizuar nga Shoqata për Politikë të Jashtme. Ndërsa të premten, më 25 shtator, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila këtë vit do të jetë e përqendruar në çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm. Gjithashtu, Rama pritet të marrë pjesë në eventin “Impakti i së ardhmes” që do të organizohet në datat 26-29 shtator në Nju Jork nga “Fondacioni Klinton”. Rama do të jetë njëri prej 1000 pjesëmarrësve që vijnë nga bota e biznesit, politikës apo shoqërisë civile.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here