Kriza ekonomike / Qytetarët dhe bizneset mbyten në borxhe, rritet kredia e keqe

0
136

 

tërhoqën 78 milionë euro nga bankat

Nuk mjaftojnë masat ligjore për të fshirë nga bilancet e bankave kreditë e humbura; pamundësia e pagesave mbizotëron

 

Ervin Kaduku

 

Niveli i kredive me probleme u rrit sërish gjatë muajit korrik, pas një rënie të vazhdueshme në gjashtë muajt e parë të vitit. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, niveli i kredive me probleme arriti në 21.1%, ndërkohë që, sipas të njëjtit burim, ky tregues kishte qenë 20.9% në fund të qershorit. Sipas ekspertëve të sistemit bankar, ulja e kredive me probleme gjatë muajve të fundit kishte ardhur kryesisht nga fshirja e kredive të humbura dhe pa shpresë kthimi, proces i nxitur nga ndryshimet rregullatore të miratuara nga Banka e Shqipërisë.

Fshirja e kredive të humbura u nxit nga dy masa që u miratuan gjatë vitit të kaluar dhe që synonin të nxisnin bankat të mos mbanin në portofolet e tyre kredi që prej shumë vitesh rezultonin të pakthyera dhe, rrjedhimisht, pa shpresa reale të rimarrjes. Kuvendi ndryshoi ligjin për tatimin mbi të ardhurat, duke saktësuar kushtet që kreditë e fshira të njiheshin si shpenzime të zbritshme për qëllime fiskale. Ndërsa Banka e Shqipërisë ndryshoi rregulloren për administrimin e rrrezikut të kredisë, duke përcaktuar qartë se kreditë e humbura nuk mund të mbahen në bilanc më shumë se tre vjet, me përjashtim të rasteve të veçanta kur banka mund të provojë se kreditori ka mundësi ripagimi ose kur kredia është e mbuluar me një kolateral cilësor. Këto masa kanë bërë që, më në fund, bankat t’i fshijnë një pjesë të kredive me probleme, ose në raste të veçanta t’i shesin ato te institucione financiare të specializuara pikërisht në mbledhjen e borxheve të këqija. Megjithatë, fshirja e kredive të humbura do të ketë efekt të kufizuar në kohë në uljen e kredive me probleme, deri në momentin kur shumica e kredive të vjetra problematike të jenë fshirë. Ulja e qëndrueshme e nivelit të kredive me probleme do të lidhet me një funksionim më të mirë të gjithë sistemit ligjor të garantimit të të drejtave të kreditorëve, por, ç’është më e rëndësishme, me përmirësimin e shëndetit financiar të sektorit privat në vend.

Por, ngadalësimi i efektit të fshirjes së kredive, ashtu si edhe ngadalësimi i rritjes së portofolit të kredisë, duket se ka bërë që kreditë me probleme të kthehen sërish në një rritje të lehtë. Nevoja për të ulur më tej kreditë me probleme ngelet një sfidë për bankat tregtare dhe autoritetin mbikëqyrës. Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar marrjen e masave të tjera për të sjellë një ulje të qendrueshme të nivelit të kredive me probleme. Sidoqoftë, rritja e kredive me probleme nuk ka peshuar mbi rezultatin financiar të sistemit bankar, që për 7-­mujorin rezultoi pozitiv në vlerën e 9.8 miliardë lekëve, në rritje të mëtejshme nga fitimi prej 8.3 miliardë lekësh i regjistruar për 6-­mujorin. Rezultati financiar gjatë këtij viti vijon të qëndrojë në nivele rekord dhe lidhet kryesisht me stabilizimin e kredive me probleme, që sjell rrjedhimisht më pak shpenzime për provigjione.

Sipas statistikave të Shoqatës së Bankave, një tjetër arsye që ka ndikuar në përkeqësimin e portofolit të huasë së sistemit bankar është rritja e huave të dyshimta (nga 181 deri në 365 ditë vonesë), që janë shtuar me 3 miliardë lekë, ndërsa huatë e humbura janë ulur me 1.1 miliardë lekë.
Në korrik, Banka e Shqipërisë dhe Qeveria finalizuan planin e ri të veprimit për uljen e kredive me probleme, i cili është shpërndarë në banka dhe grupet e interesit për zbatim. Aksioni do të nisë me miratimin e ligjit e ri të falimentit. Në tetor, bankat dhe 35 korporatat që kanë 65% të kredisë së pakthyer do të vendosin për faliment ose ristrukturim. Plani pritet të çojë kredinë me probleme në 16% brenda dy viteve.

 

Kredia

Gjysma e kredisë për ekonominë ka një maturitet afatshkurtër ose afatmesëm. Sipas statistikave të Shoqatës Shqiptare të Bankave, kredia me maturim afatshkurtër, brenda një viti, zë afro 35% të totalit të kredisë të dhënë nga sistemi financiar, ndërsa kredia me maturim afatmesëm, deri në tre vjet, zë mbi 16 të totalit. Kjo strukturë e kreditimit të ekonomisë e vendos sistemin bankar përpara sfidës për të rritur kredinë e re me norma të larta, për të mund të siguruar një rritje pozitive të portofolit të huave. Fakti që rreth 35% e gjithë kredisë maturohet brenda një viti kërkon që kreditimi i ri të jetë mjaft dinamik dhe ruajtja e rritjes së stokut të kredisë nuk është e thjeshtë. Gjatë këtij viti, kredia e re për ekonominë paraqitet në rënie, sidomos në segmentin e bizneseve që përbëjnë edhe kolonën kryesore të kreditimit, me afro 70% të totalit. Kjo strukturë maturiteti e portofolit të kredisë për ekonominë lidhet në një masë të madhe edhe me qëllimet e përdorimit të kredisë nga sipërmarrja. Paradhëniet bankare ose kreditë për kapital punues, që për nga lloji janë përgjithësisht kredi afatshkurtra, vazhdojnë të dominojnë në raport me kredinë për investime. Kredia me maturim afatshkurtër sigurisht që ka avantazhe për bankat, sepse nënkupton një ekspozim më të ulët në kohë ndaj rrezikut kreditor te një huamarrës. Overdraftet ose kreditë për kapital punues zakonisht rinovohen çdo vit, në mënyrë që banka të kryejë një vlerësim të shpeshtë të gjendjes financiare të huamarrësit, çka siguron një administrim më të kujdesshëm të riskut. Nga ana tjetër, kreditë afatgjata sigurojnë një bazë më të qëndrueshme të ardhurash nga interesat, por, duke qenë më të shtrira në kohë, e bëjnë më të vështirë parashikimin e problemeve financiare të kredimarrësit në një afat të gjatë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here