Roli i Ukrainës në garën bërthamore të Bashkimit Sovjetik   / A do të kishte ndodhur aneksimi i Krimesë, nëse Ukraina nuk do të kishte nënshkruar në vitin 1994 memorandumin e Budapestit?

0
189

 

images 

Përgatiti: Elteva Smaçi

 

Aneksimi i Krimesë nga Rusia si dhe luftimet e vazhdueshme të separatistëve në Ukrainë kanë sjellë në vëmendje faktin se deri në vitin 1990, Ukraina ishte territori tretë në botë për nga fuqia e arsenalit bërthamor. Ka pasur jo pak raste kur analistët e studiuesit kanë ngritur hipotezën se “a do të kishte ndodhur aneksimi i Krimesë, nëse Ukraina nuk do të kishte nënshkruar në `94 memorandumin e Budapestit, si një vend pa armë bërthamore? Por përpara se kjo pyetje të marrë një përgjigje, duhet theksuar se lidhja e Ukrainës me programet bërthamore është shumë e hershme, që prej viteve 20-30 të shekullit të 21. Një ndër projektet më interesante të Wilson Widrow Center që hedh dritë mbi zhvillimet e ndodhura gjatë shekullit të kaluar është Nuclear History Documents (Dokumente historike mbi garën bërthamore). Në publikimet e qendrës tërheq vëmendje roli i Ukrainës dhe shkencëtarëve ukrainas që prej viteve `20 të shekullit të kaluar si pjesëmarrës që në hapat e para të Bashkimit Sovjetik në programet bërthamore. Artikullshkruesi, Oleksandr Cheban, bën një analizë të bazuar në dokumente tashmë të deklasifikuara duke u ndalur në tri çështje kryesore:

  • Roli i Ukrainës në hapat e parë të programeve nukleare të Bashkimit Sovjetik.
  • Fushatat antinukleare dhe propaganda false e udhëheqjes komuniste të BS, kundër armatimit bërthamor, në Ukrainë.
  • Si dhe mbi disa zbulime të fundit mbi katastrofën e Çernobilit.

 

Shkencëtarët e parë ukrainas në programin nuklear të BS

 

Kërkimet e para në fushën e fizikës bërthamore mendohet se janë bërë në Institutin e Fizikës dhe Teknologjisë në Krakov dhe datojnë në vitin 1928. Pas katër vitesh, më 1932, shkencëtarët e këtij instituti ishin të parët në botë, që mundën të riprodhonin eksperimentin e shkencëtarëve britanikë, mbi zbërthimin e atomit nga protonet e shpejta. Ndërsa pas 8 vitesh, më 1940, dy shkencëtarë të rinj të këtij instituti, V. Shpinel dhe V. Maslov, propozuan skemën e parë të vlefshme të një shpërthimi atomik. Por ky projekt u kritikua ashpër nga shkencëtarët sovjetikë V. Khlopin, P. Kapista dhe A. Loffe që ishin ekspertët rusë në fizikën bërthamore. Kështu që, në periudhën prej fillimit të Luftës së Dytë Botërore e deri në përfundim të saj nuk pati ndonjë progres real në këtë drejtim.

 

Dokumente në fushën e shpërthimeve bërthamore
Dokumenti i parë që ofron studiuesi për publikun e gjerë është një letër e ministrit të Industrisë Energjetike dhe Termocentraleve, Mihal Pervukhin, që i drejtohet Këshillit të Komisarëve të Popullit të BRSS, me nr. 107, datë, 7 mars 1939 “Për organizimin e aktiviteteve kërkimore mbi atomin bërthamor”. Në fokus të letrës është përqendrimi i studimeve bërthamore në Institutin Fizikës dhe e Teknologjisë në Krakov si dhe sjellja aty e disa shkencëtarëve nga Leningradi, duke e konsideruar institutin një bazë shumë të mirë për kërkime në fizikën bërthamore. Në letër Pervukhin pohon se ngritja e një qendre të fuqishme nukleare në Krakov do të ishte zgjidhja me racionale dhe me kosto efektive. Por mbi të gjitha në këtë letër njihet padyshim roli i spikatur i Institutit të Fizikës dhe Teknologjisë në Ukrainë në kërkimet shkencore bërthamore të BS. Në vazhdim Pervukhin propozon sigurimin e një ciklotroni modern për institutin. Dokumenti nr 2 i këtij artikulli jep detaje se ky propozim u mor në konsideratë nga ministri i Planit të Shtetit të Republikës Socialiste të Ukrainës, V. Skulsky, por që u konsiderua si një shpenzim i tepërt nga drejtori i Institutit të Problemeve të Fizikës, Petr Kapist. Në dokumentin nr. 2b, që është përgjigjja e letrës, dokumenti 2/a të datës 22 shkurt 1940, Kapista me nota kritike shprehet se “gjatë këtyre viteve Instituti i Fizikës dhe Teknologjisë kishte marrë përsipër të ndërtonte pajisje të tilla, por nuk i kishte përfunduar”. Në kërkesën drejtuar ministrit të Planit të Shtetit, kërkoheshin 75 mijë rubla për dizenjimin e ciklotronit dhe 1.5 milionë rubla për ndërtimin e tij. Nisur nga këto arsye, Petr Kapista nuk e nënshkroi ndërtimin e ciklotronit, kështu që ky institut nuk mundi të kthehej në një qendër të madhe të kërkimit bërthamor, pavarësisht kapaciteteve të tij.

 

Dy shkencëtarët e rinj dhe ambicia e tyre për bombën bërthamore


Dokumenti i tretë, që i përket tetorit të vitit 1940 dhe është i klasifikuar si sekret, është një tekst i shkruar me dorë nga V. Maslov, ku deklaron apo pretendon një shpikje “Për përdorimin e uraniumit si lëndë shpërthyese dhe agjent toksik”. Ky tekst pasqyron një koncept të tyre për dizenjimin e bombës bërthamore. Këta mund të konsiderohen dy shkencëtarët e parë rusë, të cilët vunë në dukje potencialin e shpërthimit atomik, por për shkak të sekretit ata nuk ishin në dijeni se amerikanët me projektin Manhatan kishin arritur rezultate pothuajse të përafërta. Madje në një letër të janarit të 1941 ata dëshmojnë se ishin tashmë në gjendje të jepnin propozime për ndërtimin e armëve bërthamore përmes pasurimit të uraniumit. Nga akademikët e Moskës ky propozim u përshëndet, por nuk u mbështet ideja e përdorimit të uraniumit për veprime luftarake, sepse nuk ishin të bindur për realizimin e një shpërndarje bërthamore në kushtet reale. Kjo bëri që në shkurt të 1941, Komiteti Kombëtar Rus i Mbrojtjes të vendoste kundër zhvillimit të një programi ushtarak bërthamor. Maslov bëri edhe një tjetër përpjekje duke ju drejtuar me një letër lutjeje marshallit Timoshenko, që në këtë kohë ishte ministër i Mbrojtjes, për të mundësuar fillimin e një programi bërthamor ushtarak, por pa një rezultat pozitiv. Vetëm pak kohë më pas ndodhi pushtimi gjerman i BS, kështu që ideja e Maslovit për të ndërtuar një program për shpikjen e bombës atomike ngeli utopi. Ai vetë gjeti vdekjen gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qarkullojnë teza mes historianëve rusë se kjo vonesë ndodhi për shkak të adresimit të gabuar të letrës. Ajo duhet t’i ishte dërguar Berias, drejtuesit të KGB-së që në ndryshim nga Timoshenko e kuptonte më mirë potencialin ushtarak të një shpërthimi atomik.

 

Fillimi zyrtar i projektit bërthamor atomik rus

 

Dekreti me nr. 2352 i Komitetit Shtetëror të Mbrojtjes, i datës 28 shtator 1942, shënon datën zyrtare të projektit sovjetik që synonte prodhimin e bombës atomike. Një element tjetër shumë i rëndësishëm i këtij dokumenti është urdhri për Akademinë e Shkencës të Ukrainës për organizimin dhe zhvillimin e një projekti për pasurimin e uraniumit. Në krye të këtij projekti u vendos një prej shkencëtarëve të Institutit të Teknologjisë dhe Fizikës, pasi si u parashtrua gjatë shtjellimit të dokumenteve 3b dhe 3c, ai kishte qenë në krye të punës teorike për pasurimin e uraniumit. Dekreti pasqyron gjithashtu rolin e rëndësishëm të Akademisë së Shkencave dhe shkencëtarëve ukrainas në këtë projekt. Në një raport që i përket vitit 1943, i hartuar nga Molotovi, ky rol nënvizohet qartë. Raporti i Molotovit i njohur si dokumenti i njohur si 6b, hedh dritë në pikën 5 të tij për dritë për rolin e profesor Lange në projekt. Kurse për sa i përket instalimit të centrifugës për pasurimin e uraniumit ajo do të bëhej jashtë Ukrainës, në Kazan. Një tjetër dëshmi e përfshirjes së shkencëtarëve të rinj ukrainas, është kërkesa për çmobilizim nga ana e Ivan Khurcatov, që njihet si “babai i bombës atomike ruse”, për fizikanin Veniamin Kelman, drejtuar Mihal Pervukhinit, duke vënë në dukje cilësitë e tij si shkencëtarë. Por ky rol i Ukrainës si lider në zhvillimin e programit bërthamor për qëllime ushtarake do të vinte duke u bjerrë me pushtimin gjermanë të Bashkimit Sovjetik dhe pas përfundimit të luftës, shkencëtarët ukrainas do të zhvillonin programet e tyre bërthamore në funksion të përfitimit të energjisë. Rusët do të merrnin vetë drejtimin e zhvillimit të programit bërthamor me qëllime dhe përfitime ushtarake. Por pa dyshim brenda institutit kishe njerëz që ishin në dijeni të sekreteve për prodhimin e bombës me hidrogjen. Një prej tyre ishte Sergei Lavrentiev.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here