Gëzim Saliu
Kancaleria: Perceptimi i mosdashjes së përfshirjes së popujve myslimanë në BE është totalisht i gabuar. Për reformën në drejtësi Shqipëria të shfrytëzojë përvojat më të mira të Evropës
Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, zhvilloi dje vizitën e parë zyrtare në Shqipëri, në kuadër të turit ballkanik. Merkel dëshmoi korrektësinë gjermane në vizitën e saj, ku ashtu siç ishte parashikuar në protokoll, në orën 13:50 minuta autokolona që e shoqëronte u nis nga Aeroporti i Rinasit drejt selisë së Kryeministrisë. Në ndërtesën e qeverisë, së cilës Rama i kishte shtuar një strehë dhe një kërpudhë në oborrin e saj, Merkel u prit me nderime ushtarake. E veshur thjesht me një xhaketë ngjyrë korali dhe pantallona të bardha, Kancelarja gjermane shtrëngoi duart për herë të parë në Tirane me Kryeministrin Rama. Pas takimit kokë më kokë, Merkel dhe Rama dhanë një konferencë për shtyp, ku mesazhet e Kancelares u përqendruan në tri pika: Reforma në drejtësi, azilkërkuesit dhe procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Qëndrimi i Merkelit
Duke iu referuar problematikës së azilkërkuesve shqiptarë, e cila është kthyer problem për Gjermaninë kohët e fundit, Kancelarja gjermane tha dje se nuk mundet që një vend që kërkon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian të ketë njëkohësisht kërkesë për azil në Evropë. “Duke dëgjuar edhe fjalët e zotit Kryeministër, mua më duket diçka e mirë që të flasim hapur rreth këtyre gjërave, sepse nuk mund të ndodhë që nga njëra anë të bëjmë kërkesën për anëtarësim në BE dhe nga ana tjetër të kemi qytetarë të vendit tonë të cilët kërkojnë azil në vendet e Evropës Perëndimore. Praktika ka treguar që mund të diskutohet për një vend të origjinës së sigurt në rastin e Shqipërisë”, – theksoi ajo. Duke iu referuar reformës në drejtësi, të cilën e cilësoi si një hap të rëndësishëm që duhet të kryejë Shqipëria në kuadër të aspiratës së saj për integrimin, Merkel tha se ekzistojnë përvojat më të mira në Evropë lidhur me këtë reformë. “Shqipëria ka mundësinë të shfrytëzojë përvojat më të mira të Evropës në këtë drejtim, në mënyrë që të marrë vendimet më pozitive dhe më rëndësishme, sidomos në kuadër të luftës kundër të luftës kundër kriminalitetit dhe korrupsionit”, – deklaroi Kancelarja. Një tjetër pikë e prekur ishte edhe deklarata kundër atyre që ajo i cilësoi si qëndrime të padrejta ndaj BE-së lidhur me ndarjen e vendeve nga përkatësia fetare. “Në Shqipëri jetojnë shumë myslimanë, por po kështu edhe në Gjermani jetojnë shumë myslimanë. Kështu që, mendoj se perceptimi i mosdashjes së përfshirjes së popujve myslimanë në BE është totalisht i gabuar. Jemi angazhuar në mënyrë të fuqishme për integrimin e emigrantëve të ndryshëm”, – u shpreh Kancelarja. Në këtë optikë ishte Kryeministri Rama ai që foli për një propagandë armiqësore kundër BE-së me prirje fetare. “Duhet t’u japim njerëzve një perspektivë, qoftë të natyrës politike dhe kjo është çelja e negociatave të Shqipërisë që do të shënonte përfundimisht dështimin e të gjithë propagandës armiqësore kundër BE-së, se Shqipërinë dhe shqiptarët BE i refuzon, pasi nuk janë kristianë, por janë të përzier”, – tha ai. Ndërkaq, në konferencë “TV Klan” pasi e cilësoi Kancelaren lideren e gjithëpranuar të Evropës, e pyeti Merkelin nëse Ballkani kishte një lider, duke përmendur emrat e Kryeministrit Rama dhe atij serb Vuçiç. “Nuk ka një lider në Evropë që të jetë kompetent për të gjitha çështjet. Ka kryetarë komisionesh, ka shefa qeverish, drejtues shtetesh dhe mendoj qe e njëjta gjë vlen edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Është e arsyeshme që të ndodhë kështu. Mesazhi im është që edhe pse nuk është dikush që të jetë kompetent për të gjithë rajonin, kompetent apo përgjegjës është demokracia që garanton lindjen e projekteve të mira të bashkëpunimit”, – u përgjigj Kancelarja.