Skandali/ Dhunohen fëmijët jetimë në Shkodër, policia vë në pranga një kujdestare

0
133

 Dhunohen fëmijët jetimë në ShkodërPas video-skandalit policia e Shkodrës ka arrestuar 40-vjeçaren Edvana Sulaj, ndërsa në gjendje të lirë po procedohen dy punonjësit e tjerë, Manjola Banisha dhe Albert Reka

Një skandal dhune ndaj jetimëve ka shpërthyer në Shkodër, ku protagonistë janë vetë kujdestaret, ato që, në fakt, duhet të garantonin sigurinë dhe edukimin e të vegjëlve. Një video amatore e filmuar në shtëpinë e jetimores së këtij qyteti për vogëlushët 3 deri në 6 vje, bëhet dëshmi e një skandali të dhunës ndaj fëmijëve. Njëra prej kujdestareve, Edvana Sulaj, ulet me forcë mbi këmbët e disa fëmijëve, të cilët ndodhen të ulur në shkallët e jashtme të jetimores, ndërsa shfaqet edhe duke i goditur me shkelma. Pas video-skandalit policia e Shkodrës ka arrestuar 40-vjeçaren Edvana Sulaj, ndërsa në gjendje të lirë po procedohen Manjola Banisha dhe Albert Reka, dy punonjësit e tjerë të cilët ishin të pranishëm kur kolegia e tyre dhunonte fëmijët. Ndalimi dhe procedimi i këtyre personave, thotë policia e Shkodrës, u bë pasi kanë keqtrajtuar një fëmijë të moshës rreth 5 vjeç, në shtëpinë e fëmijës në jetimoren në Shkodër.

 

Shkarkimi nga puna

Reagimi i institucioneve ka qenë i menjëhershëm. Me urdhër të Shërbimit Social Shtetëror, tre punonjësit protagonistë në këtë video-skandal janë shkarkuar nga puna dhe ndaj tyre ka nisur hetimi pas kallëzimit penal nga ky institucion në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë si dhe të vetë drejtoreshës së Jetimores. Kallëzimi penal është dorëzuar me motivin e ushtrimit të dhunës ndaj fëmijës dhe shpërdorimit të detyrës. Sipas ministrit Blendi Klosi, një grup ekspertësh janë nisur drejt jetimores për të parë nga afër situatën, ndërsa theksohet se të gjitha jetimoret e vendit do kalojnë në sitën e Inspektorëve të Shërbimit Social. Mbi të tre këta ish punonjës social rëndon vepra penale e Keqtrajtimit të t miturve dhe shpërdorim detyre.

 

Shërbimi Social, mbledhje urgjente

Drejtorja e Përgjithshme e Shërbimit Social, e mbërritur në Shkodër për ngjarjen, ka realizuar një mbledhje urgjente me stafin, ndërsa për mediat tha se një fenomen i tillë nuk është raportuar më parë dhe se ky rast nuk duhet të përgjithësohet për të gjitha jetimoret. Drejtorja e Shërbimit Social Bisha tha ndër të tjera se nuk do të largohet nga Shkodra deri në momentin që do të marrë masat e duhura. Ndërkohë, bëri thirrje që ky rast të mos jetë përgjithësues për të gjitha shtëpitë e fëmijëve pasi situata sipas saj nuk është aspak e tillë.

 

Drejtorja

Drejtorja e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër thotë se ndihet e tronditur me këtë ngjarje. Gjeluci ka theksuar se nuk është hera e parë që ky institucion merr masa ndaj kujdestarëve të dhunshëm, ndërsa ka uruar që të tilla ngjarje të mos përsëriten. Sipas Gjelucit punonjëset e përfshira në këtë video-skandal ishin të kualifikuara dhe kishin 20 vite eksperiencë. Drejtuesja e këtij institucioni ka bërë të ditura edhe masat që do ndërmerren për parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve. Në prononcimin për mediat Gjeluci ka pranuar se këtij institucioni prej vitesh i mungon psikologu, çka mund të ndikojë në të tilla raste. “Jam e shokuar, sepse edhe investimet kanë qenë të mëdha, investime jo vetëm materiale por edhe shpirtërore ku jemi munduar të gjithë së bashku për të dhënë maksimumin. Ky akt është i dënueshëm, këto veprime janë sporadike, janë personale dhe ne ndonjëherë nuk jemi as në zemrën e në shpirtin e njerëzve tanë të gjakut e jo më të njerëzve të cilët kemi shumë pak kohë që i njohim. Unë uroj që këto të mos përsëriten, nuk është hera e parë që ky institucion merr një vendim ndaj një punonjësi për dhunë ndaj fëmijës. Në momentin që kemi konstatuar në shkurt të vitit 2014 është bërë shkarkimi i një punonjëse për shkaqe dhune. Në momentin e evidentimit ne si institucion dhe Shërbimi Social Shtetërorë menjëherë ka marrë masa, masa për këto tre punonjës janë marrë mbrëmë me shkarkimin e të treve dhe denoncimin, kallëzim penal. Punonjësit ishin me arsim të lartë të kualifikuar edhe kishin 20 vite eksperiencë pune. Arsyeja që nuk është marrë asnjë masë ndaj tyre është se nuk ka pas asnjë shenje deri me sot dhe se janë vlerësuar për shkak të eksperiencës të gjatë të punës. Sigurisht atashimi me fëmijët dhe përkujdesja që ato i jepni fëmijëve më ka bërë që të mendoj për punonjësit e vjetër me eksperiencë në këtë institucion. Siç duket jam gabuar por masa është marrë menjëherë. Fëmijët nuk kanë pasur një shprehi të keqe psikologjike pavarësisht se institucionit për vite me radhë që më 1960 i mungon psikologu. Nuk ka pasur asnjëherë psikolog në strukturë, megjithatë edukator kujdestar me formime akademike psikologjike kanë arritur që ta bëjnë këtë punë në mënyrë individuale”, – tha drejtorja Gjeluci.

 

Akuzat e ngritura ndaj punonjësve të jetimores

 Policia e Shkodrës, me urdhër të prokurorisë, ka vënë në pranga kujdestaren Edvana Sulaj dhe ka çuar në ndjekje penale në gjendje të lirë dy punonjësit e jetimores Manjola Banishta dhe Albert Reka, që të tre punonjës të jetimores së Shkodrës që më parë u pushuan nga puna pasi akuzohen për keqtrajtimin e të miturve dhe shpërdorim të detyrës. Ndërsa drejtorja e Shërbimit Social Shtetëror ka udhëtuar menjëherë drejt Shkodrës ku zhvilloi një takim me punonjësit e qendrës të fëmijëve nga ku hodhi poshtë mundësinë që ngjarja të jetë e përsëritur.

 

Reagon PD:/ Dhuna është modeli që inspiron Rama-Meta

 Për skandalin ka reaguar edhe Partia Demokratike Shkodër, sipas së cilës drejtuesit aktualë janë të paaftë për të menaxhuar këtë institucion. Reagim ka pasur edhe nga shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe shoqëria civile. “Kjo qeveri çdo ditë e më shumë po tregon se është e pa aftë për të menaxhuar qoftë edhe një institucion. Rasti i dhunimit të fëmijëve jetim në mënyrë barbare nga kujdestaret e shtëpisë së fëmijës parashkollorë në Shkodër 3 deri në 6 vjeç, është një akt i shëmtuar që kërkon vëmendjen maksimale të të gjitha institucioneve ligjzbatuese. Videoja e publikuar tregon qartë sjelljen çnjerëzore me të cilën përballën fëmijët në këtë institucion. Por ky nuk është rasti i vetëm! Dhuna është prezente dhe fakti që ajo tashmë është denoncuar tregon se cili është modeli i Shërbimit Social që ofron qeveria Rama-Meta, kjo është sjellja që “ka inspiruar” ish-ministri i Punës Çështjeve Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, në varësi të së cilës është kjo qendër e fëmijëve jetimë, në qytetin e Shkodrës”, – thuhet në reagimin e PD-së së Shkodrës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here