Propaganda pa nudot e motrave Zengo

0
215

Intervistoi: Violeta Murati

Në Galerinë Kombëtare të Arteve është hapur ekspozita personale e Sofia PapadhimitritPortretet shfaqin dukshëm procesin ikonografik në një nivel postbizantizëm, por këto janë veçse punime më të hershme të motrave Zengo, Sofia dhe Androniqi. Më vonë, kur studimet marrin ndikimin perëndimor, motrat ndjekin me karbon shpërthimet sensuale. Publiku për herë të parë i sheh këto vizatime nudo, burra, djem e vajza të reja. Këtyre nuk u jepet rëndësi, pasi paraqiten si punë të të gjithë studentëve me nudot, edhe pse shpeshherë kanë marrë vlerë të shumëfishtë të shfaqur në piktorë tashmë të konsoliduar. Megjithatë, për motrat Zengo, që vinin nga një familje intelektualësh, me brendi krijues, babain piktor, më tepër Sofia do të kalonte në linjën e portretit dhe peizazhit, ndjekur përgjatë të gjitha fazave të krijimtarisë së tyre, edhe pse diktatura deformoi përmes propagandës statusin psikik e krijues të mjaft piktorëve.

Sofia me të motrën nuk u prekën nga ky skematizëm, ndoshta ndihmuar prej shkollës së tyre të realizmit akademik. Studiuesi Ylli Drishti jep ndoshta për herë të parë këto piktore një status quo të traditës, që as bëhet fjalë se mund të përfshihen në sistemin e socrealizmit, ndonëse punimet e tyre kanë qëndruar gjithë kohën, qysh prej themelimit, në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ndërsa drejtori i GKA-së, Artan Shabani, përpiqet t’i japë një koncept bashkëkohor, një rast studimi për psikologjinë e imazhit, një akt i përbashkët me qëndrimin evropian të Sofisë. Sofia Zengo Papadhimitri dhe motra e saj Androniqi Zengo, janë piktoret e para profesioniste në historinë e artit pamor shqiptar. Ato vijnë në artin e pikturës realiste të shekullit XX nga piktura ikonografike pasbizantine. Të dy motrat u edukuan artistikisht në një familje ikonografësh korçarë.

Në Galerinë Kombëtare të Arteve është hapur ekspozita personale e Sofia Papadhimitrit. Ekspozita e kuruar nga Ylli Drishti vjen në GKA në bashkëpunim me familjen Papadhimitri, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së piktores. Në këtë ekspozitë janë paraqitur rreth 80 vepra, të përzgjedhura nga krijimtaria e artistes korçare në harkun kohor 1936-1976, të cilat janë pjesë e koleksionit të GKA-së dhe familjes Papadhimitri. Punët janë në teknikën e vajit si dhe vizatime në karbon, të cilat ekspozohen për herë të parë.

Mes ndikimit të traditës familjare, por edhe edukimit akademik nga piktori impresionist Spiro Vikatos, i cili ishte pedagogu kryesor në Akademinë e Athinës, ku ajo u diplomua në vitin 1939, Sofia Papadhimitri konsolidoi stilin realist, duke realizuar portrete, peizazhe dhe natyra të qeta. Koleksioni i punimeve në vaj i Sofia Zengo Papadhimitrit arrin në rreth 300 punime. Në të gjitha këto piktura ndihet dashuria e artistes për natyrën dhe njeriun e thjeshtë.

Por në konferencën me mediat, trajtuar jo pa rëndësi, çfarë dihej më pak ishte se Sofia dhe Androniqi ishin edhe ikonografe, pikturonin afreske në kisha të zonës së Korçës, duke trashëguar këtë pjesë nga familja. Ndërsa në vitet `30 këto shënohen si të parat që nisën t’i shkruanin në gjuhën shqipe ikonat, larg nga shkrimet greke të deriatëhershme.

Studiuesi Ylli Drishti, i cili është kuratori i punëve të motrave Zengo, ekspozitë që do të qëndrojë e hapur deri më 16 korrik, qartëson pse këto vepra i kanë “shpëtuar” skematizmit të diktaturës, si qëndruan të heshtura në “realizmin” e tyre.

 

Ju thatë se dy motrat Zengo hyjnë në pjesën e arteve pamore që i përkasin traditës shqiptare. Përderisa kemi disa faza të krijimtarisë të krijimtarisë së tyre për cilën traditë bëni fjalë?

Ajo që thashë tashmë është e faktuar. Gjatë gjithë viteve që kur është themeluar Galeria e Arteve, punimet e motrave kanë qëndruar në linjën muzeale. Kjo është njëra arsye. Nga ana tjetër punët e tyre kanë vlera artistike, nuk janë vendosur në muze as për nder dhe as për respekt si njerëz. E dyta kanë dhe rëndësinë e periudhës kur janë bërë këto punime, kur është bërë ky art.

 

Cilat janë fazat e krijimtarisë së tyre?

Sigurisht si çdo piktor edhe dy motrat kanë fazat e krijimtarisë së tyre, ku hyjnë fazat e studimeve dhe pas, ku ndahet me dhjetëvjeçar ose gjini. Në rastin konkret Sofia është në natyrën e saj me portret. Ajo ka 22 portrete vaji dhe kjo dëshmon diçka.

 

Ka vazhdimësi të ndonjë shkolle apo tradite, kujt i referohen, meqë bëhet fjalë para ’45?

Kjo është shkolla realiste që në përgjithësi eksitonte në Evropë, kryesisht ajo akademike. Dhe piktorë të tjerë, që kanë studiuar në Romë si Nexhmedin Zajmi, Kel Kodheli etj., që i përkasin këtij brezi, që kanë studiuar jashtë, hyjnë në realizmin akademik. Kryesisht edhe këto dy motra i përkasin kësaj shkolle ose këtij drejtimi. Dhe prej atëherë drejtimet e tyre në pikturë nuk kanë lëvizje, nuk kanë eksperimentuar, nuk kanë ndryshuar stil.

 

Edhe pse erdhi diktatura dhe u instalua “estetika” e socrealizmit tek dy motrat nuk pati ndikim?

Në diktaturë realizmi ishte gjinia më e pëlqyer…

 

Që do të thotë për veprat e tyre…?

Jo, kjo vjen në kontekstin se realizmi në diktaturë i shërbente propagandës, qëllimi ishte te imazhi. Ndërsa nga arti abstrakt nuk u përqafua.

 

Kjo është arsyeja pse shpëtoi vepra e tyre dhe vazhduan të njëjtë linjë krijimtarie?

Duhet kuptuar se dy motrat bënin një jetë familjare intelektuale. I shoqi pikturonte, Sofia ishte mësuese. Më pas ka marrë pjesë në disa ekspozita. Peizazhet dhe portretet ka qenë natyra e tyre. Sepse kështu ka qenë arti shqiptar deri në vitin `65-ën, dhe dy motrat nuk e ndryshuan linjën e tyre të kompozimit. Po të hedhim një vështrim, vë re se deri në vitet `60 kur ekspozitat hapeshin në nëntor, në salla kishte vizatime me peizazhe dhe portrete. Sofia dhe e motra i përkisnin këtyre ekspozitave, pasi akoma nuk ishte konsoliduar realizmit socialist pasi ishte brezi që studiuar në perëndim. Pas vitit ’65 nisën tablotë e mëdha, dhe skematizmi socrealist. Ndërsa me kthimin e brezit nga shkolla ruse duke u bërë pedagogë të Instituti të Arteve, erdhën kërkesat ideologjike. Ndërsa motrat vazhduan njësoj, pa ndryshuar, pa e trajtuar kompozimin.

 

Për punët me karbon thoni se dalin për herë të parë, kujt faze i përket kjo krijimtari, pse njihen tani?

Janë punë të shkollës, gjysma e tyre me portrete, dhe nudo, e vizatime të shpejta. Këto janë mbajtur të paekspozuar. Ky koleksion del për herë të parë.

 

Mendoni se realizmi i shpëtoi nga propaganda?

Nuk është te realizmi. Gjithë piktorët punonin për ekspozita në atë kohë. Nuk është se i shpëtoi realizmi. Mënyra se si ata paraqiteshin kishte të bëntë me kulturën, militantizmin dhe mënyrën si e thithnin artin e propagandës. Më pas kishte rëndësi sa i fuqishëm ishte talenti i tyre. Pasi të gjithë punonin për propagandën, aty varej nga talenti. Temat diheshin historike, lufta , rinia, gruaja etj.

Motrat nuk u përfshinë, mbetën në suazën e tyre?

Jo nuk u përfshinë përveçse ndonjë portreti ushtari.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here