Shqiptarët nuk e kanë humbur shpresën tek Evropa

0
115

Nga Florion Metohu

shpresën tek EvropaDisa ditë më parë, Kryeministri i vendit deklaroi se “një i ri në Tuniz apo Tubruk ndien se nuk ka të ardhme. Por në Shqipëri ylli në qiell është Evropa. Nëse BE nuk është në gjendje të na tregoje rrugën qe presim, do ketë një hapësirë të madhe për islamin radikal. Rreth 98% e popullit besonte te Amerika, pastaj zoti dhe pastaj Evropa. Sot nuk është më kështu”.

Nuk ka më të voglin dyshim që BE-ja është ylli nga I cili të gjithë shqiptarët kanë kthyer shikimin që me rrëzimin e diktaturës dhe nga i cili i kanë varur shpresat për një të ardhme më të mirë. Por kjo Evropë është e ndërtuar mbi bazën e disa parimeve për të cilën ajo nuk mund të bëjë asnjë kompromis, vetëm e vetëm se i valëvite përpara si një gogol, mundësia e një mësymje të islamit radikal.

Është naive dhe deri diku keqëdashëse të pohosh se, fajin për shfaqjen e elementëve radikale ne komunitetet myslimane të Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, është i BE-së që nuk na ka pranuar deri tani në gjirin e saj. Për më tepër, ky arsyetim u jep vlerë edhe atyre tezave të partive ekstremiste evropiane, fatmirësisht akoma pa shumë peshë në vendimmarrjen e Bashkimit Evropian, të cilat janë kundër anëtarësimit të shteteve me shumice popullsie myslimane.

Këto 25 vite tranzicion, shqiptarët nuk e kanë kërkuar anëtarësimin në BE për t’i shpëtuar një rreziku imagjinar të ekstremizmit islamik. Ekzistenca e disa elementëve të izoluar, të cilët luftojnë në Siri apo Irak, nuk e bëjnë të gjithë komunitetin mysliman të rrezikuar dhe të rrezikshëm nga përhapja e islamit radikal, aq më tepër në Shqipëri, ku bashkëjetesa ndërfetare ka qënë gjithmonë një element krenarie e popullit tone dhe për të cilën lëvdohemi nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar.

Shqiptarët e kanë kërkuar integrimin në Bashkimin Evropian për vlerat dhe standardet që ajo përfaqëson. Vlera e standarde, të cilat ne jemi akoma larg në arritjen e tyre. Integrimi në BE kërkon ekzistencën e shtetit të së drejtës ku të mbizotërojë ligji jo arbitrariteti; kërkon që vullneti I popullit, i shprehur me votë, të lexohet, jo të tjetërsohet, blihet apo të manipulohet; kërkon një administratë të depolitizuar në shërbim të gjithë qytetarëve jo një grup mercenarësh në shërbim të pushtetit; kërkon gjykata të pavarura të cilat japin drejtësi në emër të ligjit, jo gjykata që lirojnë kriminelë të lidhur me pushtetit dhe burgosin hallexhinj për kundërvajtje; integrimi në BE kërkon një luftë pa kompromise kundër korrupsionit i cili është kthyer në një plagë dhe ka mbërthyer çdo qelizë të shoqërisë sonë.

Në vend që qeveria shqiptare ti shmanget detyrimit për përmbushjen e këtyre standardeve, duke i bërë presion Bashkimit Evropian të na pranojë se ndryshe rrezikohemi nga islami radikal, duhet të punojë për arritjen e atyre standardeve të cilat do ta shndërrojnë Shqipërinë, nga një vend ne tranzicion dhe me një demokraci të brishtë, ne një vend me demokraci të konsoliduar ku mbizotëron shteti ligjor. Vetëm atëherë, dyert e BE-së do të hapen plotësisht për Shqipërinë.

Liderët evropianë e kanë bërë më se të qartë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Kancelarja gjermane Angela Merkel, përpara vizitës së saj në Shqipëri në 8 korrik, e ka rikonfirmuar edhe njëherë këtë fakt por, ka deklaruar, gjithashtu se, me gjithë përparimet që vendi jonë ka bërë gjatë këtyre viteve, “Shqipëria ka akoma shumë, shumë probleme të mëdha”. Qeveria shqiptare i ka marrë detyrat e shtëpisë, pa përmbushjen e të cilave nuk mund të shpresoj të eci përpara në rrugën e integrimit.

Aspiratat dhe shpresat e popullit shqiptar, për tu integruar në familjen e madhe evropiane, janë të pa lëkundura dhe nuk varen nga frika e lindjes ose jo të vatrave të islamit radikal, siç do të na i servirë Kryeministri, por nga serioziteti i tij dhe i qeverise që ai drejton, në realizimin e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here