Interpoli/ Pranga në Norvegji Baftjar Brukës, akuzë për tritolet në farmacinë e Tahirit

0
190

Artan Cena

Baftjar BrukësI arrestuari, Baftjar Bruka akuzohet se bashkë me nipin e tij Vladimir Gjuta, kanë vendosur tritolet në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri

 Baftjar Bruka, një nga personat e kërkuar për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të Saimir Tahirit më 10 shkurt të këtij viti, është arrestuar nga policia në Norvegji. Arrestimi i tij është bërë gjatë ditës së djeshme nga një bashkëpunim mes Interpol Tirana dhe Interpol Oslo. Baftjar Bruka ishte shpallur në kërkim nga drejtësia për vepra kriminale me qëllime terroriste. Bruka është pjesë e grupit të tritolit, së bashku me Vladimir Gjutën. Po ashtu ai është akuzuar në Itali edhe si kreu i një celule terroriste. Baftjar Bruka ishte personi i fundit, i cili ishte shpallur në kërkim. Më 18 qershor u arrestua Vladimir Gjuta, Njeriu që dyshohet se qëndron jo vetëm pas tritolit në farmacinë e familjes Tahiri, por edhe kërcënimit me jetë të Ministrit të Brendshëm u arrestua pranë tunelit të Kalimashit, në një operacion të forcave speciale RENEA. Në lidhje me këtë ngjarja vazhdojnë të qëndrojnë në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg” shtetasit Lumjan Matmuja, Kamber Bruka, Erjon Dule dhe Emirjon Gjuta.

 

Akuzat ndaj Brukës

Baftjar Bruka, personi i shpallur në kërkim për dy atentatet e ndodhura në Tiranë në muajin shkurt, në farmacinë e të atit të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri si dhe për një tjetër atentat të dështuar në një stacion autobusi, është arrestuar, në Norvegji. Mësohet se Bruka është arrestuar ditën e sotme nga polica norvegjeze, ndërsa lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Ministrisë së Brendshme. Bruka është nipi i Vladimir Gjutës, edhe ky i arrestuar pak ditë më parë nga forcat speciale të RENEA-s. Të dy këta persona, dyshohen si personat përgjegjës për aktet e shpërthimit me tritol dhe të mbetur në tentativë, më 10 shkurt 2015. Por një tjetër akuzë u faturohet këtyre dy personave, ai i shpërthimit në banesën e zyrtarit të Policisë së Korçës, Alfred Nomani. Gjuta, akuzohet nga policia si kreu i grupit prej 7 personash, ndërsa Baftjar Bruka, 24 vjeç ishte krahu i djathtë i Gjutës. Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka, sipas policisë, u kishin ndarë detyra për sulmin e datës 10 shkurt të afërmve të tyre, Erjon Dule, Lumjan Matmuj, Kamber Bruka, Ernest dhe Emirjon Gjuta. Të 5 këta persona rezultojnë të përfshirë në dy ngjarjet me eksploziv të ndodhura në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe në vendosjen e tritolit që nuk shpërtheu te stacioni i autobusit, në rrugën “Muhamet Gjollesha”.

 

Hetimi i prokurorisë

Prokuroria ka arritur të zbardhë të gjithë intinerarin e ndjekur nga personi që ka vendosur sasitë e tritolit, kjo me ndihmën e kamerave të sigurisë së bizneseve apo edhe Bashkisë së kryeqytetit. Burime nga grupi hetimorë, thonë se personi me biçikletë ka zbritur nga Linza në ora 02:23 minuta dhe është afruar pranë farmacisë. Kamerat e biznesit ngjitur kanë filmuar lëvizjet, nga te cilat duket se ai fillimisht parkon biçikletën, nxjerr nga poshtë xhupi lëndën plasëse, aktivizon telefonin dhe më pas e vendos atë sipër kondicionerit të farmacisë. Pas këtij veprimi, ai merr biçikletën dhe zbret për në drejtim të Unazës, duke përfunduar brenda pak minutave i pa shqetësuar në stacionin e autobusit në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Aty parkon biçikletën, vendos lëndën plasëse dhe largohet për t’u kthyer përsëri në zonën e Linzës. Në orës 02:50 minuta ai ka bërë thirrjen në telefonin e lidhur me tritolin e vendosur në farmacinë e Bashkim Tahirit duke aktivizuar shpërthimin. Pak sekonda më pas, rezulton se ka bërë thirrjen edhe në numrin e vendosur në sasinë e tritolit në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Arsyeja që shpërthimi nuk u realizua, sipas ekspertëve është se në momentin e vënies së lëndës plasëse, nga nxitimi ka lëvizur kapsolla me qarkun elektrik të lidhur me baterinë e telefonit.

 

Trafiku i drogës, 6 shqiptarë arrestohen në Borgotaro të Italisë

Gjashtë shqiptarë janë arrestuar nga karabinierët në Borgotaro të Italisë për posedim dhe trafikim droge ditën e djeshme më 24 qershor 2015. Një ndër kryesorët ishte Roland Barkaj, 30-vjeçari shqiptar banues në Xhenoa, raporton “La Repubblica”. Nga Xhenoa, në sajë të udhëtimit me tren, droga kalonte në Borgotaro. Këtu ishin aktivë më shumë shpërndarës të tjerë Albano Rada (28 vjeç) së bashku me Ici Jenci (39)të cilët menaxhonin tregun lokal. Por pas operacionit në Fidenza, Rada u kthye në Shqipëri, bëjnë me dije mediat italiane. Vendin e tij e zuri Evis Janeci (27). Karabinierrët e zbuluan më 6 qershor të vitit 2014 me 104 gram kokainë të sapo blerë në Xhenoa. 27-vjeçari shqiptar mbeti dhe viktimë e një grabitje të mbetur në tentativë,të kryer nga Xhaferr Cullhaj, 25-vjeçari banues në Medesano, për mospagesën e një dërgese droge. Kokaina kishte dalje edhe në Parma, ku ishte aktiv shtetasi tjetër shqiptar, Denis Bilbili, banues në Venecia. Edhe ai furnizohej në Liguria, falë kontakteve me Barkaj. E quanin “birrë” ose “cigare”. Këto ishin termat e kodit me të cilat i referoheshin kokainës të cilën e dërgonin në Borgotaro dhe Parma. Një bandë e cila operonte në mënyrë të pavarur që nga viti 2014 deri në korrik të 2014-s, kur u mbyll hetimi i policisë nga karabinierët. Akti i fundit është shkruar në ditët e fundit, me operacionin blic të policisë që çoi në arrestimin e 6 personave. Operacioni “Orlando” filloi rastësisht në shkurt të vitit 2014 gjatë një bastisjeje, për shkak të veprave penale kundër pasurisë, në banesën e një të riu në zonën e quajtur Fidenza. Aty u gjetën 200 gramë kokainë. Një sasi kjo, që i shtyu autoritetet të hetojnë më tej. Ishin përgjimet telefonike, mbi 17 mijë biseda të përgjuara, që i lejuan karabinierët të identifikojnë një sërë personash, që në mënyrë të pavarur, shpërndanin kokainë në Borgotaro dhe Parma. 6 persona, të gjithë me origjinë shqiptare, aktivë në mënyrë jo të organizuar, por që vepronin me një shkallë të caktuar kujdesi. 6 shqiptarët janë arrestuar nga karabinierët në Borgotaro, në ekzekutimin e urdhrit për paraburgim kërkuar nga prokurori Giuseppe Amara. Akuza mbetet posedimi dhe trafikimi i drogës. Cullhaj duhet të përgjigjet edhe për tentativën e grabitjes së shqiptarit tjetër Evis Janeci. Gjatë hetimeve janë sekuestruar edhe 320 gramë kokainë, 66 fishekë të kalibrit 12 dhe një pushkë.

 

Prangoset se kërcënonte gruan se do t’i merrte fëmijët në Siri

 Një 39-vjeçar ka kanosur me armë bashkëshorten e tij, duke e kërcënuar me dërgimin në Siri të dy fëmijëve të mitur. Ilir Shala, nën kërcënimin e një automatiku, ka kanosur bashkëshorten e tij dhe e ka kërcënuar atë me marrjen e dy fëmijëve të mitur për t’i dërguar në Siri. Duke konfirmuar arrestimin dhe ngjarjen policia tha dje se Shala, banor i Shijakut, akuzohet për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje. Ndërkaq, po hetohet për lidhje të mundshme të 39-vjeçarit Shala me persona që nxisin pjesëmarrjen në konflikte si ai në Siri.

 

 I riu, pre e ngacmimeve seksuale, prangoset 50-vjeçari

 Një 50-vjeçar është arrestuar ditën e djeshme në flagrancë nga policia e Tiranës, pasi dyshohet se ngacmonte seksualisht një 21-vjeçar. Burime zyrtare të policisë së Tiranës bënë të ditur se, arrestimi i shtetasit Arben Gjoka, banues në kryeqytet, erdhi pas denoncimit të një të riu, me inicialet M. Ç., i cili ishte pre e provokimeve dhe ngacmimeve seksuale të Gjokës. “Dyshohet se 50-vjeçari ka ngacmuar seksualisht dhe ka përndjekur në vazhdimësi të riun, gjithashtu banues në Tiranë”, saktëson policia, e cila tashmë ia ka kaluar materialet për këtë rast prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here