Cila është vota politike?!/ Kandidatët e opozitës morën më shumë vota se partitë që i mbështetën

0
125

Jetmir Olldashi

halim kosova dhe veliajOpozita ka humbur kryesimin e këshillave bashkiakë edhe në qarqet e Durrësit dhe të Kukësit, ndërsa ka arritur të marrë shumicën në Bashkinë e Shkodrës

Një në tre shtetas me të drejtë vote që iu drejtuan kutive të votimit të dielën e 21 qershorit, votoi koalicionin e djathtë të drejtuar nga Partia Demokratike. Ndërsa po hyjmë në përfundimin e numërimit të votave për listat e këshillave bashkiakë, opozita ka marrë rreth 31% të votave në rang kombëtar. Situata paraqitet më e mirë në votat për kandidatët për kryebashkiakë, ku opozita ka marrë afërsisht 43% të votave. Partia Demokratike ka marrë rreth 300 mijë vota si sigël partie, ndërsa koalicioni i djathtë mbi 500 mijë vota, përballë një milion votave të së majtës. Në votat për kandidatët për kryebashkiakë opozita mbetet rreth 170 mijë vota mbrapa mazhorancës së majtë. Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë ruajtur thuajse votat e para dy vjetëve të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, ndërsa e majta ka humbur më shumë se 150 mijë vota. Ndërsa nëse analizojmë shifrat për votën në këshillat bashkiakë, koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike ka humbur rreth 170 mijë vota, ndërsa koalicioni i majtë ka mbetur në të njëjtat shifra. Çudia e këtyre zgjedhjeve është lëvizshmëria e votave nga kandidati tek këshilli bashkiak në bashki si Pogradeci apo Lezha ku PD-ja fitoi garën për kryebashkiak, por ndërkohë ka marrë shumë më pak vota për proporcionalin me rreth 32%. Opozita ka humbur kryesimin e këshillave bashkiakë edhe në qarqet e Durrësit me 33% të votave dhe të Kukësit, 39% ndërsa ka arritur të marrë shumicën në Bashkinë e Shkodrës me 51% të votave. Niveli i votave për këshillat bashkiakë në qarkun Kukës është rreth 40%, edhe pse opozita triumfoi në Tropojë dhe Kukës me rreth 55% të votave për kandidatët e saj, ndërsa humbi për një grusht votash Bashkinë e Hasit. Në qarkun e Gjirokastrës kandidatët e opozitës kanë marrë 36% ndërsa për këshillin bashkiakë dukshëm më poshtë me 27% të mbështetjes qytetare. Vlora u ka dhënë 32% të votave kandidatëve të opozitës, ndërsa është në kufirin e 26% të mbështetjes për këshillat bashkiakë. Në Fier ka një diferencë më të madhe mes dy votave rreth 30% për subjektet politike të opozitës, ndërsa në nivelin 44% mbështetja për kandidatët e djathtë. Berati ka mbështetur me rreth 40% të votave kandidatët për kryebashkiak, ndërsa në këshillat bashkiakë me 26%, duke krijuar një diferencë të lartë mes dy fletëve të votimit që qytetarët kanë pasur në dorë. Korça ka mbështetur opozitën me rreth 30% të votave duke ruajtur trendin kombëtar të opozitës ndërsa kandidatët e koalicionit të djathtë janë rreth 46%. Elbasani ka prodhuar 38% mbështetje për kandidatët e djathtë, ndërsa 10% më pak ka qenë vota për këshilltarët bashkiak të opozitës. Dibra ka ofruar 48% mbështetje për kryebashkiakët e djathtë ndërsa ka qenë më pak se 40% vota për këshilltarët bashkiak. Përqendrimi i shumë partive të vogla në koalicionin e majtë ka sjellë një zhbalancim të votave në këshillat bashkiakë. Ekspertët zgjedhore e justifikojnë me vota fisnore ose shoqërore shpërndarjen e votave në këshillat bashkiak. Ndërsa ka ruajtur vendin e dytë në shkallë kombëtare Partia Demokratike e ka humbur këtë status në disa bashki të vendit përballë Lëvizjes Socialiste për Integrim. Thuajse në të gjitha bashkitë e humbura kandidatët e opozitës kanë marrë më shumë vota se koalicioni i djathtë dhe sigurisht kandidati i Tiranës Halim Kosova e kryeson këtë listë ku ja ka dalë të marrë mbi 25 mijë vota se koalicioni që e mbështeti. Ndërsa e kundërta ka ndodhur në Himarë dhe Memaliaj ku kandidatët e opozitës dolën të pestët duke marrë shumë më pak vota se koalicioni i djathtë. Në Himarë kandidatja Lefteri Prifti mori rreth 7% të votave ndërsa koalicioni i djathtë rreth 10% më shumë. Ndërkaq në Memaliaj kandidati i PD-së ka marrë rreth 10% të votave ndërsa koalicioni i djathtë më shumë se dyfishi i votave. Leximi i dy votave do jetë paksa i vështirë për të përcaktuar nëse opozita ka pasur apo jo rritje krahasuar me zgjedhjet e fundit të vitit 2013. Kritikët thonë se votë politike është vota për këshilltarë bashkiak, ndërsa qëndrimi zyrtar i Partisë Demokratike dhe ekspertë të tjerë thonë se rezultatet e kandidatëve janë ato që shprehin realisht votën politike të shqiptarëve. Leximi me korrektësi i këtij rezultati do jetë shume i rëndësishëm për opozitën pasi do i japi mundësi të reflektoj dhe të analizoj me kujdes rezultatet e arritura. Ndryshe zgjedhjet e 2017 janë në prag një rezultat surprizues negativ do ishte fatale për lidershipin e PD-së.

 

Astrit Patozi, Ilir Metës: Boll më…

Pas betejës epike për çdo votë në Bashkinë e Vorës, një nga protagonistët Astrit Patozi i thotë boll kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Deputeti demokrat i ka bërë thirrje LSI-së. Ilir Metës, të heqë dorë nga përpjekjet për rrëmbimin në tavolinën e KQZ-së të fitores të kandidatit Fiqiri Ismaili në Vorë. Në një deklaratë për mediat patozi tha: “Është fare e qartë se LSI-ja shpreson që ta rrëmbejë fitoren e kandidatit të opozitës duke pasur në mëndje shumica të çuditshme, që mund të krijohen në KQZ apo në Kolegjin Zgjedhor, ndonëse nuk ka asnjë argument ligjor dhe provë që të mbështesë pretendimet e saj… Boll më!” Ish nënkryetari i selisë blu ishte një nga deputetët e instaluar në Vorë gjatë gjithë fushatës elektorale dhe ka denoncuar përpjekjet sipas tij të policisë dhe bandave të armatosura për të fituar me çdo kusht në Vorë. Ai denoncoi përpjekjet që janë duke u bërë nga drejtues të LSI-së duke manipuluar edhe hetimin e hapur për të marrë në tavolinë atë që s’e morën dot me votë. “Përfaqësuesit e saj janë shprehur për rreth 500 transferime qytetarësh në 6 muajt e fundit drejt bashkisë së Vorës, por e vërteta është se ato janë gjithsej vetëm 59 raste, që nga janari e këtej, madje njëri prej tyre është edhe i vëllai i kandidatit të LSI-së”. Patozi ka hedhur hije dyshimi mbi hetimin e iniciuar nga mazhoranca e majtë. Prokuroria ka nisur një hetim për të cilin ligjvënësi demokrat ngre dyshime. “Me kërkesën e mazhorancës për këtë ka nisur një hetim, i cili nuk përbën fare shqetësim për ne. Por dje prokurori i çështjes, Genci Qano, u pa në shoqërinë e zv.ministres së Arsimit, Nora Malaj, e ngarkuara nga LSI për zgjedhjet në Vorë dhe kjo që sigurisht që është një problem. Në këto kushte, Partia Demokratike i kërkon bashkëpërgjegjësve për integritetin e procesit zgjedhor, Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, që të mos e trashin më shumë zullumin në Vorë, sepse nuk do të munden kurrë të deformojnë vullnetin e zgjedhësve të shprehur qartë dhe prerë atje”. Vora ishte epiqendra e fushatës elektorale me akuza e kundërakuza nga palët për manipulime dhe blerje votash. Ditën e zgjedhjeve zbarkoi vetë ambasadori amerikan Donald Lu dhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik. Numërimi i votave shkoi ‘rrotë më rrotë’ dhe vetëm në kutin e fundit fitues u shpall zoti Fiqiri Ismaili kandidati i opozitës për kryebashkiak. Ai mori 8171 vota ose 50.7%, kurse rivali i tij i LSI-së Luan Sallaku, 7916 vota ose 49.2%. Basti i vendosur nga kreu i LSI-së Ilir Meta se do të fitonte në Vorë dhe rezultati i ngushtë kanë sjell kontestimin e të majtëve, duke bllokuar me protesta dhe autostradën Tiranë-Durrës, ndërsa kanë paralajmëruar betejë ligjore në KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here