Vendimi i gjykatës/ Skandali i ilaçeve, Apeli “liron” ish-drejtorin e fondit për Tiranën, Pjerin Xhuvani

0
102

Artan Cena

Pjerin XhuvaniIsh-kryetari i LSI-së në Elbasan u vu në pranga së bashku me disa punonjës të drejtorisë së tij. Ai akuzohet se ka bashkëpunuar në rimbursimin e një shume prej 500 mijë eurosh për ilaçe të pashitura

Nuk ka qëndruar më shumë se 15 ditë në qeli ish-drejtori i Fondit të Sigurimeve për Tiranë, Pjerin Xhuvani. Gjatë ditës së djeshme Gjykata e Apelit e drejtuar nga Alaudin Malaj, Agim Bendo dhe Shkëlqim Miri kanë pranuar kërkesën e avokatëve mbrojtës, duke e lëne Xhuvanin në arrest shtëpie. Ai akuzohet nga prokuroria për shpërdorim detyre. Pjerin Xhuvani u prangos pak ditë më parë së bashku me disa vartës të tij dhe administratorët e disa farmacive për ngritjen e një skeme fiktive të rimbursimit me recetat e pacientëve, me anë të së cilës kanë përfituar 56 milionë lekë. Pjerin Xhuvani, ish-drejtori rajonal i Fondit të Kujdesit Shëndetësorë për Tiranën, kishte depozituar kërkesën për lirinë në Gjykata e Apelit, pas arrestit me burg të vendosur në Gjykatën Penale ndaj tij më 7 qershor. Avokati mbrojtësi Xhuvanit, pak ditë më parë kishte depozituar në Apel, kërkesën për liri të klientit të tij, ndërsa gjithçka do të vendoset ditën e hënë më 22 qershor në fillimin e seancës.

 

Lënia në burg

Gjykata e Tiranës kishte vendosur masën e sigurie “Arrest me burg” për drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, Pjerin Xhuvani si dhe administratorin e farmacive, Hysni Roçi. Këtë dy persona akuzohen të jenë organizatorët e skemës së mashtrimit. Sakaq, togat e zeza vendosën sot masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për 3 punonjës të fondit, si dhe masën “Detyrim paraqitje” për 4 drejtues teknik të farmacive. Më 5 qershor, të paktën 9 persona, 4 prej të cilëve zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Tiranë dhe 5 drejtues farmacie në kryeqytet u vunë në pranga, pasi dyshohet se kanë krijuar një skemë të madhe mashtrimi me rimbursimin e medikamenteve. Në bazë të një vlerësimi paraprak, i është shkaktuar shtetit një dëm rreth 56 milionë lekë të reja. Xhuvani u prangos pak ditë më parë së bashku me disa vartës të tij dhe administratorin e disa farmacive, Hysen Roçin, pasi prokuroria i akuzon për një skemë fiktive të rimbursimit me recetat e pacientëve me anë të së cilës kanë përfituar 56 milionë lekë.

 

Hetimi i prokurorisë

Prokuroria e Tiranës kishte nisur hetimin për këtë rast për veprat penale të “Mashtrimi me subvencione”, “Falsifikimit të dokumenteve shëndetësorë”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, dhe “Shpërdorimit të detyrës” në datë 22.5.2015, bazuar në informacionin e ardhur nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH). Nga hetimet e deritanishme dyshohet se disa punonjës të Fondit të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, në kundërshtim me ligjin, u kanë dhënë disa farmacive të drejtën e përfitimit nga rimbursimi i medikamenteve. Nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se gjatë periudhës shtator 2014 – mars 2015, këto farmaci kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme një shumë totale rimbursimi nga shteti në vlerën 55.941.901 lekë. Nga hetimi i Prokurorisë Tiranë rezulton se barnat, çmimet e të cilave janë rimbursuar, kanë qenë kryesisht për kurimin e sëmundjeve tumorale. Janë kryer veprime hetimore mbi recetat mjekësore, të cilat kanë shërbyer për farmacitë që të japin klientëve medikamente të rimbursueshme. Nga këto veprime rezulton se mjekët, recetat e të cilëve kanë qenë objekt verifikimi, janë të falsifikuara.

 

Burrë e grua vidhnin nëpër Vlorë portofolat e njerëzve

 Burrë e grua janë arrestuar së bashku nga Policia e Vlorës dje, pas operacionit të koduar si “Portofoli”. 31-vjeçari Fodion Çepaj, banues në lagjen “Ujë i Ftohtë”, Vlorë, me gruan e tij 17-vjeçare e kishin kthyer në profesion, vjedhjen e portofolave dhe së paku 6 vjedhje janë dokumentuar vetëm dy muajt e fundit prej tyre me vlerë mbi 230 mijë lekë. Gruaja E. Thanasi më pas u la për t’u gjykuar në gjendje të lirë. Ata akuzohen për vjedhje në bashkëpunim. Ja rastet e fundit që do të shërbejnë si provë ndaj tyre, sipas Policisë së Qarkut të Vlorës. Vjedhjet për të cilat ata akuzohen janë: Më datë 5.6.2015, në lagjen “Pavarësia”, në një dyqan rrobash, në pronësi të shtetases: F. Sh. kanë vjedhur nje portofol me 28.000 lekë brenda, më datë 20.6.2015, në lagjen “Pavarësia”, në një dyqan rrobash, në pronësi të shtetases: M. V., kanë vjedhur një portofol me 120 euro dhe 20.000 lekë), më datë 21.6.2015, në lagjen “Pavarësia”, në butikun e rrobave “Prestigj”, në pronësi të shtetases: Z. V. kanë vjedhur një portofol me 98.000 lekë, në datë 22.6.2015, në lagjen “Lef Sallata”, në një dyqan rrobash, në pronësi te shtetases: S. V. kanë vjedhur një portofol me 5.000 lekë. Gjithashtu ata akuzohen edhe për vjedhje e ndodhur në datë 13.6.2015, në lagjen “Lef Sallata”, në një dyqan rrobash, në pronësi të shtetases: Y. B. kanë vjedhur një portofol me 35.000 lekë dhe në datë 19.5.2015, në lagjen “Pavarësia”, në një dyqan rrobash, në pronësi të shtetases: B. N., ku kanë vjedhur një portofol me 17.000 lekë dhe 50 euro. Në total, çifti ka vjedhur dhe përvetësuar rreth 203.000 lekë të reja plus 170 euro.

 

“I dashuruar” pas Iphone, në pranga punonjësi i Policisë Ushtarake

 Tre të rinj janë vënë në pranga gjatë ditës së djeshme, mes tyre edhe një oficer i Policisë Ushtarake, pasi janë vënë nën akuzë për grabitje me armë. Në pranga mësohet se janë vënë: Markel Balezi, 29 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i punësuar te Policia Ushtarake, Ahmet Alla, 28 vjeç dhe Ramazan Sina, 20 vjeç, të dy lindur dhe banues në Tiranë. Kanë qenë efektivët e Komisariatit nr. 1 ata që kanë bërë arrestimin e këtyre personave pasi kishin kryer vjedhjen me armë ndaj 3 personave të cilët ishin duke udhëtuar me mjetin e tyre, me inicialet K. P., 18 vjeç, R. C., 19 vjeç, dhe K. A., 19 vjeç, të tre banues në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur lapidari i Saukut, ku nën kërcënimin e armës së zjarrit pistoletë, u kishin vjedhur 2 aparate celulare Iphone 5 dhe një sasi lekësh. Në cilësinë e provës materiale janë gjetur dhe sekuestruar: një armë zjarri “Bereta” (e përdorur për vjedhje), një mjet “Renault” me targa Dr 1300 E me të cilën janë larguar, 2 aparate celularë Iphone 5 dhe dy portofolat e të dëmtuarve, 7 gëzhoja dhe 2 fishekë në vendngjarje. Po punohet për zbulimin dhe dokumentimin e ngjarjeve të tjera të kryer nga këta persona. Dosja me materialet ju referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “vjedhje me armë” në bashkëpunim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here