Lekë Tasi/ Në jetën e rëndomtë, aty është jeta e vërtetë

0
179

V.M

11276219_10153379180455768_1221839176_nFisnikëria që ka Lekë Tasi nuk i përgjigjet ironisë në pikturën e tij. Ai flet ngadalë, matur, duke kursyer çdo fjalë… por në shesh, aty ku sheh egërsinë e rivalitetit politik, sidomos tani piktori gjen arsye për të paraqitur si gjithmonë psikën e deformuar. Nuk është hera e parë që piktori përpiqet të lexojë pas vizatimit, e sidomos portreteve një natyrë të dytë të njeriut, e ky shqiptar. Në këtë rast ka hapur dje, ekspozitën në Galerinë Kombëtare të Arteve, “Satirë në sheshin Skëndërbej”,

Fisnikëria që ka Lekë Tasi nuk i përgjigjet ironisë në pikturën e tij. Ai flet ngadalë, matur, duke kursyer çdo fjalë… por në shesh, aty ku sheh egërsinë e rivalitetit politik, sidomos tani piktori gjen arsye për të paraqitur si gjithmonë psikën e deformuar. Nuk është hera e parë që piktori përpiqet të lexojë pas vizatimit, e sidomos portreteve një natyrë të dytë të njeriut, e ky shqiptar. Në këtë rast ka hapur dje, ekspozitën në Galerinë Kombëtare të Arteve, “Satirë në sheshin Skëndërbej”, e kuruar nga Suzana Varvarica duke prezantuar rreth 45 punime të realizuara pas viteve 2000, në teknikat vaj, teknikë e përzier dhe vizatime.

Tasi sjell situata e realitete në miniaturë, që gati përmbysin edhe klishetë e karikaturës në paraqitjen alegorike të tyre. Punët kanë tituj, thjesht për të orientuar atmosferën që ndeshim, po ashtu dhe mjedisin. Ndonëse ky mjedis është paraprezantuar, se ndodhemi në “Sheshin Skëndërbej”, një mishërim në dukje i jetës së rëndomtë, por për piktorin merr lëndë nga jeta e vërtetë.

Në shesh e në rrugë njerëz me kollare, me kostume, gra të veshura me fustanë mbrëmje, taka, femijë, kafshë që ujdisin ngjyrat e lehta, por që ndalin në kufinjtë e estetikës brilantë të të zakonshmes. Kjo si duket është shprehje e kultivuar nga një përvojë jete të gjatë, ku përplasja e lëvizjeve dhe fateve e bëjnë njeriun të parëndsishëm në krahasim me mjedisin. Në këtë frymë Lekë Tasi percepton qytetërimin, lëvizjen si kënaqësi estetike.

Piktori e ka shpjeguar më herët në referimet e artit të shek.XX se ndesh mjaft shembuj të tillë deformimesh, që kalojnë ngjitur me karikaturën, pa qenë rasti i pikturës së tij. Çfarë kërkon në “shesh” në këtë ekspozitë është si gjithnjë dëshira për të interpretuar, për t’i dhënë rëndësi apo për të nënvlerësuar një gjë tjetër. Duke ndërtuar situata groteske tek Tasi tashmë ndjehet profili, prezenca e stilit si një proces individual.

Lekë Tasi vlerësohet si një piktor tradicional me kah drejt artit modern. Kjo është një arsye më shumë që punimet e tij, të prezantohen e të njihen më gjërësisht nga mjedisi artistik dhe intelektual shqiptar. Në këtë mjedis Lek Tasi shquhet si një zë i ndryshëm e modern në botën e pikturës tradicionale shqiptare dhe për këtë ai duhet të zërë vendin që i takon në historinë e artit shqiptar.

Deri në vitin 1975 piktori ekspozoi vetëm disa punë, edhe pse kishte një krijimtari shumë të pasur. Pas viteve 1990, tashmë si profesionist ai i`u drejtua jo vetem ekspresionizmit, por disa zhvillimeve të artit modern të shekullit XX. Ai pa me vemendje, me seriozitet dhe imtësi prurjet surreale, naiviste dhe të abstraguara.

Piktori dhe miku i tij Llambi Blido shkruan: “Muzikant dhe bir i një familjeje të persekutuar, Lekë Tasi e pati nisur rrugën e pikturës si nxënës i Nexhmedin Zajmit. Realizmi i thjeshtë i akuareleve të tij të viteve `50 ushqehej nga dashuria e përjetshme e këtij përmetari për Tiranën ku u rrit. Në çdo tablo të këtij autori, në etapën aktuale të pjekurisë së plotë, siç na vjen në këtë ekspozitë të vitit 2015 në GKA, çdo befasi, është në fakt befasi e fabulës. Atë ai e zhvillon me imagjinatën e tij dhe e realizon në lirshmëri falë aftësive kreative-improvizuese të admirueshme në çdo kënd të tablosë.” Krijimtaria e Lekë Tasit është vlerësuar pozitivisht nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe ai është bërë pjesëmarrës në dy edicione të Ekspozitës Ndërkombëtare “Onufri”, në vitet 2001 dhe 2004. Po kështu rëndësia dhe modernia në veprat e tij ka nxitur kuratorë të Galerisë Kombëtare të Arteve të organizojnë në mjediset e saj, ekspozitat e tij vetjake, në vitet 1992, 2003 dhe 2007.

Lekë Tasi u lind më 1929 në Athinë. I ati, Koço Tasi, ish-anëtar i Parlamentit dhe i qeverisë, kishte emigruar në fund të l924-s si opozitar i Zogut. Riatdhesohet më 1941. Leka, studion muzikë dhe në periudhën l946-l967; punësohet si violençelist në Radio, Filarmoni dhe më vonë në Teatrin e Operës. Në l975 internohet familjarisht në Grabjan të Lushnjës, ku kalon 15 vjet. Fryt i kësaj periudhe të vështirë është  libri i tij me titull “Grabjani rrëzë kodrave”, botuar në 2009. Emërohet inspektor në Sekretariatin e Fesë më l99l, ku shërben deri në l998. Pas vitit 1998 jeton si artist i lirë: pikturë dhe letërsi. Merr pjesë në disa ekspozita pikture dhe shkruan artikuj në shtyp, duke u përqendruar më shumë në korrigjimin e shtrembërimeve të periudhës komuniste në historiografi. Ka botuar gjithashtu romanin “Korridori me vetratë” më 2004.

Ekspozita do të shoqërohet me katalog ku përfshihen rreth 60 vepra ne teknikat vaj, të përzier, vizatim, grafikë, akuarele dhe kolazh.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here