Sfida e Strazimirit/ Beteja fillon tani . Nuk protestoj dot si Ghandi. Jam malok nga Dibra, jo indian…

0
89

 

Jetmir Olldashi

Genti Strazimiri parlamentStrazimiri: Nuk ika nga frika, jam në Bruksel me Berishën në forumin e Krans Montanës

Genti Strazimiri, deputeti i opozitës i agresuar në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, lëshon sfidën. Le të përdorim armën e parafundit, që është vota, për të mos mbërritur tek e fundit. Strazimiri, dhuna ndaj të cilit në Kuvendin e Shqipërisë ishte edhe arsyeja kryesore e marrëveshjes së dekriminalizimit PD-PS, njëherazi edhe pala e dëmtuar në gjyqin ndaj agresorëve ndaj tij, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, të rrëzuar dje nga Gjykata e Lartë, ka shpjeguar për “Standard” arsyet e mungesës së tij dje ne seancën parlamentare, të parën pas vendimit të Gjykatës në dëm të tij dhe marrëveshjes së dekriminalizimit. Sipas tij, mungesa dje në seancën plenare nuk ka lidhje me frikën dhe nuk është një formë proteste për vendimin e Gjykatës së Lartë, por me angazhimet e tij politike dhe si deputet. “Axhenda ime është përcaktuar me kohë që para dy muajsh nga një vendim i Sali Berishës, që më donte me vete në Crans Montana Forum në Bruksel”. Deputeti demokrat lëshon sfidën, kur i tradhtuar nga Gjykata, nxjerr në pah origjinën e tij, duke paralajmëruar se situata në Kuvendin e Shqipërisë s’do jetë më e qetë as për agresorët dhe për askënd që mendon të cenojë opozitën. “S’ka gjykatë e as qeveri që më mban larg Parlamentit! Beteja tani fillon… Unë nuk protestoj si Ghandi… s’e bëj dot… jam malok Dibre, jo indian… Aktualisht jemi të vendosur “të përdorim armën e parafundit që ka në dorë njeriu i lirë për të mbrojtur lirinë e tij: votën. Puna është të mos mbërrijmë te arma e fundit”, – përfundon pohimin e tij për “Standard” deputeti i PD-së.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, i kontaktuar nga “Standard”, theksoi se “një gjykatë që dënon kryetarin e grupit parlamentar dhe sekretarin e përgjithshëm të PD-së për shpifje, se kemi deklaruar që Kryeministri Rama është i lidhur me krimin, sigurisht nuk mund të dënojë krimin e urdhëruar dhe marrë në mbrojtje nga Rama edhe kur ai ka ndodhur në sytë e gjithë opinionit publik. Në këtë vend po instalohet diktatura e krimit dhe e mafies në pushtet”. Vendimi i Gjykatës së Lartë, duke shpallur të pafajshëm dy deputetët, të cilët goditën kolegun e tyre në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, ka ngritur shumë pikëpyetje. Pyetja që bëhet rëndom është kush e ka radhën, kush do të goditet në seancën e radhës. Duket se këtë javë iniciativën e ka pasur opozita me kreun e republikanëve, Mediu, i cili i mori radhë deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke i ftuar për takime “tet a tet” në korridoret e Parlamentit.

Genti Strazimiri, deputeti i qarkut të Tiranës për Partinë Demokratike, u godit pas një fjalimi në Parlament, ku akuzoi se në sallën e Parlamentit e majta kishte futur trafikantë femrash. Akuzat e deputetit të djathtë acaruan të përfolurit Ndoka dhe Ndreu, të cilët në një moment kur Strazimiri ishte duke komunikuar në telefon, e goditën papritur dhe nga pas shpine. Kjo çështje solli indinjimin e opozitës, e cila i braktisi punimet e Kuvendit dhe bojkotoi punimet e tij për 6 muaj. Miqtë euroatlantikë të Shqipërisë bën presion mbi palët duke bindur opozitën të kthehej në Parlament nëpërmjet një marrëveshjeje pozitë-opozitë për dekriminalizimin. Nga Bashkimi Evropian zbarkuan emisarët Fleckenstein nga e majta dhe Eduard Kukan nga e djathta. Dy përfaqësuesit e politikës evropiane arritën t’i pajtonin palët në një marrëveshje, e cila shpëtoi kredot e të dyja palëve politike në Shqipëri. Marrëveshja pritej të kthehej në ligj dhe u duk se dy deputetët agresorë do të dënoheshin nga Gjykata dhe rrjedhimisht do ta humbisnin mandatin. Në media dhe në rrethet politike u përfol për një listë me 19 emra. Nisja e procedimit penal nga Prokuroria e Përgjithshme ndaj dyshes Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu u pa si një sinjal i qartë i pastrimit të të gjithë të zgjedhurve të marrë me veprimtari kriminale, të cilët kishin arritur të zgjidheshin në tempullin e legjislativit. Ndërkohë, me afrimin e zgjedhjeve vendore, duket se shumica e majtë tregoi jo vetëm që s’e kishte seriozisht largimin e personave me precedentë kriminalë nga Parlamenti, por do ta “pasuronte” edhe më tej me kandidatë për disa nga bashkitë e vendit. Ndërsa Partia Demokratike tërhoqi nga kandidimi kandidatin e saj për Bashkinë e Këlcyrës, aleanca e majtë nuk duket se ka ndërmend të tërheqë asnjë nga emrat e përfolur si të inkriminuar dhe të lidhur me krimin e organizuar. Vendimi i së djathtës u përshëndet edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë, ndërkohë që ende nuk ka një reagim të ambasadorit Lu pas vendimit të Gjykatës së Lartë për shpalljen të pafajshëm të dy deputetëve të së majtës, të cilët para kamerave në mes të Kuvendit të Shqipërisë dhunuan kolegun e tyre opozitar.

 

Cara: Rivali im i dënuar nga Gjykata për plagosje me dashje/ Elvis Roshi, i dënuar në mungesë nga gjykata në vitin 2000

Ervin apo Elvis, kjo është dilema e emrit të kandidatit të majtë për kryebashkiak të Kavajës. Të gjithë e njohin me emrin publik Elvis, por rivali i tij Engjëll Cara ka publikuar dje një dokument ku Gjykata e Shkallës së Parë e ka shpallur fajtor për plagosje me dashje. Kjo është një tjetër akuzë e rëndë dhe një tjetër goditje që merr procesi i dekriminalizimit në vend. Rivali i djathtë u shpreh qartazi për dënimin e socialistit Roshi nëpërmjet dokumenteve që ai disponon. Cara zbuloi për banorët se kandidati i majtë Ervin Roshi është një person i dënuar në mungesë në vitin 2000 për plagosje me dashje. “Sot, ne kemi një dokument në dorë që flet për dënimin e Ervin Rroshit pavarësisht që gjykatat e asaj kohe ishin të Fatos Nanos, ishin të Rexhep Mejdanit, ai është dënuar me vendim të Gjykatës së Parë në mungesë”.

Më tej kandidati i djathtë u ndal në paraqitjen e projekteve të tij për fshatin Bago të Komunës Synej. Prioritetet në këtë fshat janë punësimi dhe zhvillimi i turizmit duke qenë se ky fshat është një pikë turistike e paprekur dhe e paeksploruar deri sot, siç ësht zona e Forsilukut. “Që në momentin e parë do të bëhet rruga për në Forsiluk, do ta bëjmë plazh publik për banorët e Bagosë, Synejit dhe të gjithë Kavajës së re”. Për sa i përket punësimit, kandidati Cara theksoi se çdo shtëpi do të ketë, minimumi, një të punësuar: “Marrim zotimin që çdo familje e kësaj zone të ketë të punësuar një anëtar të familjes”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here