Barcelona, zyrtarisht mbretëresha e futbollit

0
159

Barcelona feston fitorenKatalanasit kryen një sezon fantastik, duke marrë të gjitha trofetë e mundshëm dhe duke thyer rekordin e fitimit të tre titujve dy herë radhazi

Trofeu i Ligës së Kampioneve u dha fund polemikave mbi katalansve. Në Berlin, Barcelona kurorëzoi me sukses një sezon të çmendur që për katalanasit përfundoi me ngjitjen në fronin e Evropës. Liga e Kampioneve e këtij sezoni foli vetëm për Barçën që ishte skuadra më e mirë, pasi për të ngritur lart trofeun formacioni i Luis Enriques eliminoi një nga një disa nga ekipet më të mira të kontinentit. Kampionët e Anglisë jo ata aktualë, por ata te sezonit të kaluar, kampionët e Francës, kampionët e Gjermanisë dhe së fundmi kampionët e Italisë, të gjithë u dorëzuan përballë madhështisë së Barcelonës që, edhe pse luante përballë rivaleve shumë të fortë, asnjëherë nuk e vuri në diskutim kualifikimin. Rrugëtimi i “blaugranave” drejt triumfit të tyre të pestë në Evropë nisi me fazën e grupeve. Në shortin e hedhur në Montekarlo 28 gushtin e kaluar, Barcelona u vendos në grupin F dhe përballë kishte kundërshtarë të tillë si Paris Saint Germain, Ajaxi dhe Apoel Nicosia. Për Barcën gjithçka nisi me një fitore 1-0 ndaj modestëve qipriotë duke lënë një shije të hidhur te fansat. Humbja 3-2 në Francë ndaj Parisit komplikoi jo pak pozitat e spanjolleve, por nga ajo ndeshje e “Parc Des Prince” nisi edhe kthesa e madhe Barcelonës. 4 fitore në 4 ndeshjet e mbetura të raundit të parë dhe sidomos ajo 3-1 ndaj francezëve në “Camp Nou” bënë që “blaugrana” ta mbyllnin grupin në vendin e parë në kuotën e 15 pikëve. Në 1/8 për të dytin vit radhazi Barcelona kishte përballë Manchester City-in, që vinte në këtë duel si kampionia e Anglisë. Ashtu si një sezon më parë Blaugranat hipotekuan kualifikimin që në ndeshjen e parë me fitoren 2-1 në ishull, ndërkohë në “Camp Nou” regjistruan një tjetër sukses me shifrat 1-0. Në çerekfinale shorti vendosi sërish përballë Barçës, Paris Saint Germanin. Kampionët e Francës të cunguar nga mungesat e disa prej lojtarëve të tyre kryesorë nuk arritën të përballonin dot tredhëmbëshin Messi-Suarez-Neymar, me katalanasit që fituan 3-1 në Francë duke prerë biletën e gjysmëfinales. Ndeshja e kthimit ishte thjeshtë një formalitet për Barcelonën që bëri detyrën duke fituar 2-0. Në gjysmëfinale goglat e Nyonit për të disatën herë gjatë këtij sezoni nuk u treguan bujare me Barçën pasi vunë përballë skuadrës së Luis Enriques, Bayernin e Pep Guardiolës. Megjithatë edhe këtë herë fati ishte me më të fortët pasi gjermanët në dy sfidat ndaj blaugranave vuajtën mungesën e disa prej lojtarëve të tyre më të mirë. Barcelona e vendosi njërën këmbë drejt finales që në sfidën e parë që u zhvillua në “Camp Nou” duke fituar 3-0, kjo falë edhe Lionel Messit që theu rezistencën e Manuel Neuer-it, me dy goditje prej gjeniu. Në Mynih, Bayerni tentoi përmbysjen e madhe por nuk ja doli dot, dhe Barcelona siguroi kështu finalen e saj të 8-të në kompeticionin më të rëndësishëm për klube. Rrugëtimi fantastik i katalanasve u kurorëzua në Berlin me Barçën që mundi 3-1 Juventusin për të ngritur drejt qiellit plot yje të kryeqytetit gjerman, trofeun magjik të UEFA Champions League. Një sezon i paharrueshëm ky për Barcelonën që me suksesin ndaj bardhezinjve u bë skuadra e parë në Evropë që fiton për herë të dytë tripletën. Mjaftoi vetëm një pjesë loje që Lionel Messi të ndriçonte finalen e Berlinit duke eklipsuar bashkëkombasin Carlos Tevez i cili humbi mes madhështisë së një sfide që vlen gjithë sezonin. Në duelin mes dy argjentinasve është numri 10 i Barcelonës ai që triumfoi. Dy lojtarët do të kenë kohë në dispozicion të diskutojnë për mënyrën se si shkuan gjërat pasi disa ditë më vonë do të bashkohen në kombëtare. Sprintet e shumta dhe pamundësia për ta markuar një për një Messin u krijoi shumë telashe bardhezinjve, aq sa e detyruan Tevez ta ndiqte pjesën më të madhe të takimit si një spektator. Messi preku 103 topa ndërsa “Apashi” vetëm 36. Por diferencën nuk e bënë statistikat sepse pesha që lojtari i Barcelonës pati në fatin e takimit ishte shumë e madhe. Çdo herë që ai mori topin shpiku diçka të paparashikueshme duke hyrë përherë në zemrën e aksionit, ndryshe nga bashkëkombësi i tij. Messi kishte përherë një ide për të nxjerrë të lirë shokët e skuadrës, ndërsa në 69 pasime ai gaboi vetëm 8. Në krahun tjetër, Tevez goditi vetëm 4 herë drejt portës së Barcelonës dhe aksioni më i rrezikshëm ishte ai i rastit të golit të barazimit që lindi pikërisht nga këmbët e tij. Gjithçka nisi dhe përfundoi te ai moment sepse Tevez nuk hyri më në lojë për shkak edhe të kontrollit që i bënë kundërshtarët mesfushës. Një duel ku Leo fiton në çdo aspekt dhe një finale që me shumë mundësi shërben edhe për t’i dorëzuar gjeniut argjentinas Topin e pestë të Artë në janarin e vitit 2016.

 

Wawrinka habit Djokovicin dhe fiton “Roland Garros”

Zvicerani Stan Wawrinka ka fituar “French Openin”pasi ka mposhtur në finale numrin një të botës, Novak Djokovicin. Ai fitoi në duel me rezultat 3 me 1 në sete. Serbi fitoi vetëm setin e parë me rezultat 4 me 6, ndërsa tre të tjerët i fitoi zvicerani, 6 me 4, 6 me 3 dhe 6 me 4. Kjo është befasi e dorës së parë kur marrim parasysh se Djokovic është numri një i botës së tenisit.

 

 Falcao: Nuk dua të rikthehem te Monako

Futbollisti Ramadel Falcao mund të mbetet në Premier League, edhe pse Manchester United nuk ka shprehur dëshirën për ta mbajtur në huazim nga Monako dhe e ka rikthyer sërish në skuadrën franceze. Ka qenë vetë sulmuesi kolumbian që ka bërë të qartë dëshirën për të luajtur në Premier League edhe në të ardhmen. “E di se emri im ka qenë i lidhur me Chelsean, por po mendoj vetëm të paraqitem mirë në Kombëtare. Do të doja të qëndroj në Premier League. E ardhmja ime do të vendoset në javët e ardhshme”, – ka deklaruar Falcao.

 

 Hernandez: Nuk mund të kërkoja më shumë

Mesfushori i Barcelonës, Xavi Hernandez e ka përshkruar ndeshjen e fundit në karrierë me Barcelonën si “një mënyrë të papërshkrueshme të përfundimit të karrierës”. Mesfushori, që do të transferohet në Al Sadd gjatë verës, zëvendësoi Iniestan në 13 minutat e fundit për të ngritur trofeun e Ligës së Kampionëve në fund. “Është një mënyrë e papërshkrueshme e përfundimit të karrierës. Nuk kam fjalë, nuk mund të kërkoja më shumë se kaq. Të largohesh me tripletë, është diçka spektakolare. E merituam”, shtoi ai. Vuajtëm shumë sepse Juve na vuri në presion të madh pas golit të barazimit. Vuajtëm në aspektin mental, por Messi me një lëvizje të tij e ç’balancoi ndeshjen”, – theksoi Xavi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here