Skandali i ilaçeve/ Vodhën 500 mijë euro nga rimbursimet, pranga drejtorit e farmacistëve

1
126

Artan Cena

Pjerin XhuvaniArrestohet rajonal i FDKSH në Tiranë, Pjerin Xhuvani, dhe disa zyrtarë të drejtorisë qendrore. Prangosen edhe farmacistët që kanë përfituar nga skema e vjedhjes.

Arrestohet drejtori Rajonal i Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në kryeqytet, Pjerin Xhuvani. Policia e ka ndaluar drejtorin Xhuvani në zyrën e tij, pasi dyshohet se është një nga drejtuesit e Fondit të përfshirë në aferën e skandalit të ilaçeve të rimbursueshme.

Burime pranë Prokurorisë së Tiranës thanë se janë gjithsej 9 persona të prangosur nga policia dhe dy të shpallur në kërkim. Nga këta 5 persona janë farmacistë, përfitues direkt nga skema e falsifikimit të recetave dhe të tjerë janë zyrtarët e Fondit të Sigurimeve shëndetësore. Kjo skemë u denoncua nga ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një seance në Kuvend rreth 2 javë më parë.

 

Operacioni i policisë

Janë 9 persona të arrestuar dhe dy të tjerë në kërkim, shumica zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, dhe 5 drejtues farmacie në kryeqytet, të cilët janë evidentuar deri në këtë fazë të hetimit si të dyshuar për krijimin e një skeme të madhe mashtrimi me rimbursimin e medikamenteve, e cila, në bazë të një vlerësimi paraprak, i ka shkaktuar shtetit një dëm rreth 56 milionë lekë të reja. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se disa punonjës të Fondit të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, në kundërshtim me ligjin, u kanë dhënë disa farmacive të drejtën e përfitimit nga rimbursimi i medikamenteve. Nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se gjatë periudhës shtator 2014 – mars 2015, këto farmaci kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme një shumë totale rimbursimi nga shteti në vlerën 55.941.901 lekë. Nga hetimi i Prokurorisë Tiranë rezulton se barnat, çmimet e të cilave janë rimbursuar, kanë qenë kryesisht për kurimin e sëmundjeve tumorale. Janë kryer veprime hetimore mbi recetat mjekësore, të cilat kanë shërbyer për farmacitë që të japin klientëve medikamente të rimbursueshme. Nga këto veprime rezulton se mjekët, recetat e të cilëve kanë qenë objekt verifikimi, janë të falsifikuara. Në vijim të hetimit, ka rezultuar se punonjësit e Drejtorisë Rajonale të (FSDKSH) Tiranë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, me dashje, në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës, kanë mundësuar që farmacitë të përfitojnë padrejtësisht. Këta punonjës kanë mundësuar lidhjen e kontratave me këto farmaci, në kushtet kur farmacitë nuk kanë përmbushur kriteret e kërkuara nga ligji dhe aktet nënligjore në fuqi.

 

Hetimi vazhdon

Sipas prokurorisë, Pjerin Xhuvani nuk është zyrtari i vetëm i dyshuar në skemën e mashtrimit me ilaçet e rimbursueshme. Nga verifikimet paraprake, mendohet se janë përfshirë edhe emra të tjerë, të afërm të politikanëve, ministrave, drejtorëve apo edhe të zyrtarëve të lartë të Fondit. Në mesin e personave të përfolur në këtë aferë janë edhe dy farmacitë e të afërmve të zv.drejtorit të përgjithshëm të Fondit Sokol Skura. Prokurorët thonë se në ditët në vazhdim, me sekuestrimin e të gjithë materialeve të nevojshme hetimore mund të arrestohen edhe zyrtarët të tjerë të përfshirë në këtë megaskandal. Mes të arrestuarve janë pronarët, drejtuesit teknik dhe administratorët e 4 farmacive të denoncuar pak ditë më parë, si Bërzhita, Lundra, Adelina dhe Nutrimed. Në pranga kanë rënë edhe juristi i Drejtorisë Rajonale të Fondit dhe një punonjës i saj, pasi me veprimet dhe mos veprimet e tyre brenda pak muajve kanë krijuar përfitime që kap vlerën e rreth 500 mijë eurove për disa farmaci. Prokurorët thonë se të 8 personat e ndaluar dyshohet se kanë konsumuar 4 vepra penale, atë të “Mashtrimit me subvencione”, “Falsifikimit të dokumenteve shëndetësore”, “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Akuzën e pastrimit të parave”.

 

Denoncimi nga Berisha

 Denoncimin publik për këtë skemë mashtrimi e bëri ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një seance parlamentare rreth dy javë më parë. Më pas edhe vetë ministri Ilir Beqaj e pranoi këtë fakt, duke deklaruar se institucioni që ai drejton e ka dërguar në prokurori çështjen.

 

Akuzat e ngritura

 Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin për këtë rast për veprat penale të “Mashtrimit me subvencione”, “Falsifikimit të dokumenteve shëndetësore”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “Shpërdorimit të detyrës” në datë 22 maj 2015, bazuar në informacionin e ardhur nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).

 

Kush është drejtori i arrestuar Pjerin Xhuvani

 Drejtori i fondit për Tiranën, Pjerin Xhuvani, është lakuar në media menjëherë pas vrasjes së katërfishtë të kryer nga Konstandin Xhuvani në nëntor të 2014. Në atë kohë, rezultoi se Pjerin Xhuvani ka qenë personi që e ka ndihmuar Konstandin Xhuvanin për të krijuar alibinë e vizitës mjekësore në Spitalin e Psikiatrik të Elbasanit në prill të 2014-ës. Djali i ish-deputetes së Partisë Socialiste, Xhuvani, dyshohej se kishte qëlluar me armë në mes të qytetit të Gjirokastrës në prill të 2014. Por materialet mjekësore, dëshmonin se ai ishte shtruar në Spitalin e Elbasanit në gjendje të alkoolizuar. Përveç kësaj, ai njihet edhe si ish-kandidat për deputet në qarkun e Elbasanit dhe njëherazi anëtar i Këshillit Bashkiak të këtij qytetit.

 

TË NDALUARIT:

Pjerin Xhuvani, drejtori rajonal i Fondit të kujdesit shëndetësor

Edlira Mara, Juriste pranë Drejtorisë Rajonale të Fondit

Keti Mahmutaj, Punonjëse pranë Drejtoria Rajonale e Fondit

Hysen Roci. Administrator i Farmacisë, Lundër

Mimoza Tufi, Drejtuese teknike e farmacisë Lundër

Nikolla Thanasi, Drejtues Teknik i farmacisë “Nutrimed”

Arens Spahiu, Drejtues Teknik i farmacisë Bërzhitë

Adelina Manaj, Drejtuese Teknike e farmacisë “Adelina”

 

Arrestimet, reagon qeveria: Arritje e zyrës së antikorrupsionit

 Arrestimi i 9 personave të dyshuar si përfitues nga skema e mashtrimit me ilaçet e rimbursueshme dhe 2 të tjerëve të shpallur në kërkim, nga qeveria u cilësuan si një arritje e tyre. Në një dalje publike, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, nuk komentoi detajet e skandalit, por tha se do të jetë në mbështetje të prokurorisë. Ndërsa koordinatori kombëtar i luftës kundër korrupsionit, Bledi Çuçi i cilësoi arrestimet si një arritje edhe të zyrës së antikorrupsionit në Kryeministri. Duke apeluar te prokurorët që hetimi të zgjerohet në kohë. Sipas prokurorisë, në ditët në vazhdim do të urdhërohet edhe sekuestrimi i të gjitha llogarive bankare të personave të arrestuar apo atyre ndaj të cilët po zhvillohet hetimet, të përfshirë në skandalin e ilaçeve të rimbursuara.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

  1. Te shohim a do e mbroje hajdutin e vet Lsi. Deri me sot asnje drejtor i tyre barkderre dhe injorante kane dosje mal ne prokurori, nuk eshte arrestuar pervec ketij alabakut.
    Jepi Rama mos ndalo!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here