Lu: Mos e shitni votën! Voltana ademi – Lu-së: Qeveria po përdor TIMS-in për të manipuluar zgjedhjet

0
103

Jetmir Olldashi

Voltana_Donald_Lu_02Prania e ambasadorit amerikan, Donald Lu, nuk e ka penguar kandidaten për kryebashkiake të Shkodrës, Voltana Ademi, të akuzoj krerët e mazhorancës së majtë si të përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve. Ademi ka akuzuar PS-në dhe LSI-në si organizatore të manipulimit të zgjedhjeve nëpërmjet sistemit TIMS. “Duhet të verifikohet në mënyrë të menjëhershme sistemi TIMS. Ka denoncime se po përdoret sistemi TIMS në mënyre abuzive për regjistrimin e emigranteve që gjoja hyjnë në Shqipëri, për të justifikuar votimin fiktiv të tyre nga persona të tjerë, përmes përdorimit të kartave false”, – tha Ademi. Nga ana e tij diplomati amerikan inkurajoi pjesëmarrjen e gjerë në votime dhe përfshirjen e grave në politikë. ‘Mos e shisni votën tuaj. Mos qëndroni në shtëpi ditën e votimit’ Kjo është deklarata e bërë sot nga ambasadori amerikan Donald Lu nga Shkodra. ‘Shqipëria do të përfitojë nëse ka shumë gra në politikë’. Ndër të tjera ambasadori tha se ‘duhet parë mirë e kaluara e kandidatëve’ duke pasur parasysh ata me të kaluar kriminale dhe që janë të skeduar nga drejtësia e vendeve të tjera apo edhe ajo shqiptare. Kandidatja e selisë blu për të marrë kalanë e Shkodrës ka hedhur akuza të rënda edhe për blerje votash nga PS dhe LSI edhe me forma të tjera si përfshirja e administratës publike, lekët kesh veshmbathje dhe ushqime. LSI dhe PS po dëmtojnë rendë procesin zgjedhor nëpërmjet blerjes së votave, manipulimit të sistemit TIMS dhe presionit të administratës publike për të votuar në favor të tyre. Deklarat e Ademit u bënë në një takim publik me temën “Gratë dhe fëmijët në programet e kryebashkiakëve” organizuar nga Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare (YWCA) ku i pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan, Donald Lu.

Kandidatja për Kryebashkiake u shpreh e inspiruar nga mesazhi i publikuar një ditë më parë në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane në Facebook që u bënte thirrje shqiptarëve për të përcaktuar të ardhmen e tyre nëpërmjet votës së lirë. Për këtë argument, kandidatja Ademi solli në vëmendje investigimin e bërë publik nga media për klonimin e 700 kartave false të cilat do të përdoren në zgjedhjet vendore të 21 qershorit për të shtuar fiktivisht numrin e votave.
“Të punësuarit po dorëzojnë gjysmën e pagës së tyre tek zyrat elektorale te LSI dhe PS. Ata kërcënohen dhe u bëhet presion që të garantojnë jo vetëm votën e tyre, por edhe të farefisit. Presion dhe terror po ushtrohet ndaj nëpunësve të punësuar, duke i kërkuar secilit të japë 150 mijë lekë kontribut për fushatë, vijoi Ademi.
Ajo u ndal edhe tek blerja e votës në këmbim të parave duke theksuar se koalicioni qeverisës PS-LSI u kërkojnë qytetarëve kartat e identitetit dhe u japin shuma nga 30 apo 50 euro në varësi të sasisë së votave që do të garantojnë për ta. Ademi përmendi edhe manipulimin e të rinjve nëpërmjet shpërndarjes së kuponëve me stemën e LSI-së në vlerën 5 mijë lekë të reja e cila përdoret për blerjen e xhinseve apo bluzave në subjektet private të përcaktuara nga ata. Kandidatja Ademi theksoi se shuma të mëdha parash po shpërndahen përditë, me të gjitha mënyrat në zyrat e LSI dhe PS me synim blerjen e votave duke treguar dhe një foto ilustruese të bërë publike ditët e fundit në media. Blerja e votave në Shkodër nga këto stafe elektorale, tha Ademi, po organizohet edhe nëpërmjet shpërndarjes së thasëve me miell, vaj, sheqer apo oriz të cilat u jepen familjeve të ndryshme.
“Ne kërkojmë respektimin e të drejtës së votës së lirë, si e drejtë kushtetuese. Vendos ti për veten tënde”, – ka përfunduar fjalën e saj kandidatja e Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës, Voltana Ademi.

 

Kryetari i PD/ Basha: Qeveria ju ka vënë lakun në fyt

Shefi i opozitës ka akuzuar qeverinë se i ka vënë lakun në fyt shqiptarëve. “Laku është shtrënguar në fytin e çdo familjeje shqiptare. Shqiptarët paguajnë më shumë, fitojnë më pak, jetojnë më keq, por dyshja Rama-Meta thotë jemi në drejtimin e duhur. Drejtimi i duhur është që të dyfishosh faturat e energjisë? A është drejtimi i duhur, dyfishimi i listave të ushqimeve? A është drejtimi i duhur për prindërit që rrinë kokulur para fëmijëve se s’kanë para t’u blejnë as ushqime, as veshmbathje, apo ata hallexhinj që s’kanë para t’u blejnë as ilaçe?! Ne duam pra me votën tuaj në 21 qershor të ndalim përkeqësimin e ekonomisë, të ndalim përkeqësimin e papunësisë, të ndalim varfërimin e shqiptarëve dhe bashkërisht të hapim rrugën për punë dhe dinjitet’ Deklaratat kryetari i Partisë demokratike i bëri në vazhdën e takimeve në Librazhd, Përrenjas dhe Elbasan.

Kryetari i opozitës bashkëbisedoi me qytetarët dhe u shpjegoi atyre vizionin e opozitës për qeverisjen. Qëndrimin mbi taksat dhe mundësit për të përmirësuar gjendjen ekonomike në vend. ‘Një nga zgjidhjet që duhet të japim është të heqim TVSH-në për miellin, për bukën, për sheqerin, për vajin, për orizin. Të paktën për këto mallra, t’ua bëjmë bukën ta blejnë 20% më pak se sa çmimi i tregut sot’.
 

Fieri / Alibeaj: Shpresa në sytë e njerëzve

Kandidati i partisë Demokratike për kryebashkiak të Fierit Enkelejd Alibeaj ka vazhduar takimet intensive me banorët e fshatrave të bashkangjitur bashkisë. ‘Në sytë e banorëve të Peshtanit pashë shpresë dhe besim se së bashku mund të gjejmë rrugën e duhur të ndryshimit’. Alibeaj premtoi ndërhyrje në infrastrukturë, ura, shëndetësi dhe arsim. ‘Fjala kyç në bisedat me ta ishte infrastruktura: Banorët nuk kanë rrugë për të shkuar te parcelat bujqësore, nuk kanë rrugë për të shkuar tek ambulanca, lagjet nuk kanë rrugë të brendshme dhe urë kalimi, ndërsa rruga kryesore që i lidh me zonat e tjera është dëmtuar nga mungesa e mirëmbajtjes. Fjala ime për ta është vëmendja dhe përkushtimi maksimal për zgjidhjen e çdo problemi që i shqetëson. Mbyll postimin e tij në Facebook kandidati demokrat për bashkinë Fier.

 

Fushata/ Kosova merr mbështetje nga Merkeli

Kandidati për kryebashkiak të ardhshëm të Tiranës ka zhvilluar një takim me një grup të rinjsh nga Partia Kristian-Demokrate e Gjermanisë (CDU) të Kancelares Angela Merkel. Të rinjtë e forumit rinor të CDU kanë zbarkuar në Shqipëri për të mbështetur opozitën në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Doktor Kosova shprehu pikëpamjet, vizionin dhe pengesat që ndeshen në këtë garë. Të rinjtë shprehën impresionin e tyre mbi atë çka kanë ndjekur nga fushata e kandidatit Halim Kosova dhe shprehën mbështetjen e tyre dhe të forcës që ata përfaqësojnë për një fitore të Partisë Demokratike në Tiranë. Ndërkaq kandidati për kryebashkiak vazhdoi bisedat dhe takimet me qytetarë dhe biznese në Tiranë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here