“Pse një i majtë s’mund të jetë i majtë”

0
137

Sokol Jeshili

slaughter house left rightMe ndjeshmërinë dhe vëmendjen e një njeriu të zakonshëm, mund të marrësh impulse mjaftueshëm nga realiteti ku jetojmë për të qenë në kundërshti me shumëçka, madje edhe me veten ndonjëherë. Mirëpo, secili prej nesh, si qenie e arsyeshme dhe pjesë e këtij realiteti, reflekton vetëm rezultatin e gjendjes triumfuese, duke fshehur shpesh ballafaqime të kundërtash brenda vetes; realizon kësisoj të ashtuquajturin “procesi i shtypjes”. Por, përtej kësaj, ndodh që reaksioni i të kundërtave merr përmasa të atilla, sa bën që shprehja: “Mor’ po do flas, se po pëlcas”, t’i largohet tepër kontekstit të humorit, të cilit zakonisht i atribuohet, duke shkuar kah dramatikja, kah e padurueshmja.

Pikërisht, e kam fjalën për kamuflimin dhe ngarkesën që merr njeriu-shqiptar nga ky realitet që “shet” teatër dita-ditës, ku pjesa dërrmuese e aktorëve detyrohen të jenë dhe spektatorë në të njëjtën kohë, pasi shohin që skena simotra me të tyren mbijnë si kërpudhat pas shiut ngado që i hedhin sytë. Për më tepër, aktorët-spektatorë ndiejnë peshën e asaj që detyrohen të luajnë, teksa shohin siveten e tyre në tjetër skenë, duke qenë të detyruar dhe të duartrokasin ndërkohë: sikurse i nënshtruari duartroket nënshtrimin, e përtyp atë, diku-diku për forcë zakoni; diku tjetër dhe si ndëshkim të shtuar ndaj vetes, se “vet e kërkoi”.

Për hir të së vërtetës, dhe një konfigurim i tillë, parë krejt përciptas, receptorëve u jep sinjale zhgënjyese, fyese; bëhet revoltues deri në shpërthim, fenomen ky, i cili përshfaqet në gjithfarë lloj formash…

E si mos të revoltohet, në fakt, dhe të ndihet i zhgënjyer dikush që konstaton se ajo që ish ideale për të, s’kish të ngjarë asfare me veten?!
Si mund të përcaktohet ajo ndjesi që provon dikush, i cili për të mbrojtur idealin e vet distancohet nga çdo gjë e ndryshme me të ( edhe materiale) dhe flirton me të parin, duke thurur ëndrra, që shpejt dalin si të tilla “në diell”?!

Si mund ta qetësojë veten dikush që, teksa bën llogaritë, konstaton pamundësi të shlyerjes së faturës së energjisë elektrike dhe taksave për një biznes anemik, për shkak të rritjes së tyre dhe, ndërkohë sheh në Tv Kryeministrin e vet, i cili trumbeton ekzaktësisht të kundërtën?!

Ç’dialog me veten mund të bëjë një njeri dhe të ruajë qetësinë kur në bar-kafenë e përditshme, dëgjon se klienti, të cilin e ndihmonte të ngjiste shkallët ndonjëherë, i lodhur dhe mërzitur prej fatkeqësisë e mjerimit, kish zgjedhur të mungonte përgjithmonë, duke i dhënë fund jetës, pasi qeveria që votoi vetëm e sorollati lart e poshtë, pa i dhënë statusin e invalidit të gjymtuarit nga këmbët; i gjymtoi dhe atë fije shprese që i kish mbetur?!
Ç’përgjigje mund t’i japë vetes, kur ndërgjegjen e ka të lënduar nga fakti se, një i afërm i tij i vjen t’i kërkojë borxh, se rrezikon burgun, pasi e akuzojnë për vjedhje energjie, ndërkohë që, edhe pse ia kishin ndërprerë atë, i sillnin dhe fatura afrofe për atë periudhë?!

Ç’mund t’i thotë një votues i së majtës xhaxhait të tij invalid prej më se 25 vitesh, të cilit i kërkoi ta votonte këtë qeveri, kur ai i tregon se ia kanë hequr dhe atë pension që mbulonte ilaçet e përmuajshme?!

Me ç’gjë mund ta qetësojë shpirtin e trazuar tjetri që, në biseda të rastësishme dëgjon pareshtur për raste invalidësh të të gjitha kategorive, të privuar nga ajo ndihmë, që vërtetë ishte e papërfillshme, por që arrinte t’ia bënte të gëzueshme një ditë në muaj, të paktën?!
Kush mundet të gjejë qetësi me veten kur, ndërsa është i pushtuar nga ankthi, pasi nuk ka marrë asnjë lajm nga familjarë të nisur për të kërkuar azil në Gjermani, dëgjon Kryeministrin që votoi të thotë se, të ikurit janë pjesë e një turme të mashtruar e të përdorur, duke lënë të nënkuptohej dhe më keq?!
Në ç’lloj bilanci, me njërin burim Qeverinë dhe tjetrin realitetin e prekshëm, mund të dalë dikush që dëgjon për shifra thuajse të njëjta të të ikurve për në Gjermani dhe të të punësuarve në vend, kur prej të ikurve njeh së paku tridhjetë, ndërsa të punësuar asnjë?!

Ç’provon votuesi i majtë, që ka besuar dhe ka mbrojtur me gjithfarë mënyrash qasjen klasike të së majtës për politika sociale, për “dhënien dorë” shtresave më të varfra, duke i ingranuar sadopak në shoqëri dhe ulur nivelin e varfërisë ndër to, ndërsa vë re që dukshëm, sot, të varfrit i kanë më të kristalizuara tiparet e “kategorisë” së tyre, janë më të diskriminuar, dhe për më tepër, këto kohë, kanë mbushur dhe burgjet në masë, sikur kriter për këtë të ketë qenë varfëria?!

A ka kurajo të flasë pozitivisht për këtë model qeverisjeje ai që e votoi, i cili pasi është sorollatur si shumë e shumë qytetarë të tjerë nëpër zyra, diku ka marrë një shërbim, vulën për të cilin në dokument ia ka vendosur pastruesja, në mungesë të titullarit të institucionit?!

Ç’mund të shfryjë vetëmevete votuesi i majtë (ca më tepër ky, për faktin se besoi), teksa ballafaqohet me shërbime shëndetësore skandaloze, ku godinat e urgjencës sidomos, brenda tyre rezervojnë pamje të paimagjinueshme, si të një sheshi lufte, ku janë të zakonshme sekuencat me të sëmurë që marrin serume ulur nëpër karrige apo dy-tre sajuar në një shtrat; ku ka mungesë medikamentesh; ka shpërfillje për pacientin hallexhi; ku del qartë se “shëndetësia falas”, ka qenë një slogan për t’u lënë pas me fushatën?!

Ç’e bashkon me meritokracinë e trumbetuar me forcë titullarin, i cili kur gjendet ngushtë përpara një pyetjeje që lyp zgjidhje prej tij, nga e keqja të ofron konfidencialitet dhe të beson faktin “e fshehtë” që e ka vënë partia, duke justifikuar padijen?!

Sa u shkon për shtat emri që mbajnë, kur në përgjithësi, shërbimet publike, njerëzit e vënë në radhë, në vend që t’i konsiderojnë si persona, të cilëve duhet t’u shërbejnë, i trajtojnë si shërbëtorë, duke u servirur shpërfillje dhe arrogancë?!

Përtej impaktit të parë viziv, çfarë opinioni mund të ketë dhe një dashamirës i artit, teksa sheh fasada plot ngjyra, të cilat i ngjajnë një ene të punuar dhe konfiguruar bukur, por që në brendësi është bosh, pa lëndën, me të cilën është e destinuar të mbushet?!

Në ç’raport me veten mund të vendoset ai që besoi tek një model i ri dhe prej Kryeministri, teksa dita-ditës i forcohet bindja se, kreut të ekzekutivit nuk i mjafton pushteti i fjalës së bukur e të rrjedhshme, por i duhet dhe ironia, sarkazma ngritur mbi të; nuk i mjafton protagonizmi prej “njëshi i partisë”, por i duhet të mos ketë as të dytë që t’i afrohet, ta rivalizojë; nuk i mjafton fakti që njihet si “i pari i vendit”, por lëviz në këmbë relativisht gjatë nëpër takime, si për të treguar dhe më të lartin në vend; nuk i mjafton pushteti, që ia njeh Kushtetuta dhe ligji,( të disponojë me urdhra e vendime) por me fjalët, gjestet me duar që bën, drejtuar vartësve, kryetarëve të bashkive të majta, kryesisht, teksa ndiqet nga turma njerëzish, jep idenë se ka dhe pushtetin e pëllëmbës?!

Cili është raporti me të sotmen i mbi 40- vjeçarëve që besuan shumë tek një rilindje, e cila i solli në kujtesë filozofinë për “njeriun e ri” të asaj kohe…?!

Çfarë i thotë “formalizimi i ekonomisë” kryefamiljarit, që të vetmin burim jetese, për të siguruar ushqim për fëmijët e tij të mitur, ka bërjen beton e llaç, ndonjë mur avllie apo ndonjë kolibe në fshat, të cilat pengohet t’i bëjë prej më se një viti?!

Ç’ngushëllim mund t’i japë vetes votuesi i së majtës, kur është i vetëdijshëm se njëra nga “një milion shuplakat”, të cilat “pushteti” i ka përmendur thuajse një milion herë, është e tija dhe e ka goditur gjithaq dhe atë vet me arrogancë dhe eufori?!
Nga ç’gjendje tjetër, përveç fukarallëkut, është zaptuar dikush, të cilit nuk i qesh buza prej kohësh, madje as me shprehjen:”Të dija kal me shalë, më dole gomar i çalë”?!

Sigurisht, këto dhe shumë e shumë fakte të tjera, që e përditshmja i servir pa karar për sa i takon qeverisjes dhe cilësisë së jetës, bëjnë që ata, të cilët ndihmuan me votë që kjo të ndodhte, të mos pajtohen assesi, por të distancohen të zhgënjyer, dhe, nëse binden se ky është modeli më i mirë qeverisës që mund të japë e majta, afërmendsh, ata s’mund të jenë të majtë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here