Ekzekutimi në Tiranë/ Dy policët e objekteve vunë në pranga autorët e masakrës te materniteti i vjetër

0
119

Artan Cena

masakra ne tirane vrasjetMasakra e ndodhur në bulevardin “Zogu I” duket se i ka rrënjët në galeritë e kromit në Bulqizë. Dy familjet, Doçi dhe Sulku, prej muajsh ishin në një përplasje të egër mes tyre

Ishin dy efektivë të ruajtjes së objekteve ata që kanë vënë në pranga dy vëllezërit, Markeljan dhe Klevis Doçi, të cilët kishin ekzekutuar me pistoletë Besnik Sulkun. Ky i fundit, para se të humbte jetën, kishte qëlluar për vdekje Mentor Lufin (Doçi) dhe mikun e këtij të fundit, Gerti Goxhaj. Dy oficerët e policisë së objekteve janë ndodhur rastësisht në vendin e ngjarjes, pasi ishin duke ikur në shtëpi pas përfundimit të turnit. Kur kanë parë gjithë ngjarjen, dy policët, emrat e të cilëve janë mbajtur sekret nga uniformat blu, kanë dalë nga makina private me të cilën udhëtonin dhe kanë neutralizuar dy vëllezërit Doçi, të cilët sapo kishin kryer një vrasje. Burime nga policia thanë se njëri prej efektivëve të policisë private kishte qëlluar dy herë, me qëllim që të bindte njërin prej të dyshuarve që të dorëzohej. Më pas në vendin e ngjarjes kanë mbërritur dhjetëra forca policie që kanë bllokuar vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për masakrën me tre të vrarë, të ndodhur pasditen e vonë të dy ditëve më parë. Konfliktet mes dy familjeve Doçi dhe Sulku mësohet se kanë nisur pas sherreve për kromin në Bulqizë.

 

Sherri nisi për kromin

Vrasja e tre personave pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës dyshohet se ka ndodhur për “gjakmarrje”. Sipas akuzës, dyshohet se gjithçka ka nisur në fillim të këtij viti, kur Mentor Lufi dhe Durim Sulku kanë shkëmbyer debate të forta mes tyre për problemet e kromit. Pas këtij debati, dyshohet se Durim Sulku ka organizuar atentatin ku mbeti i plagosur Mentor Lufi në shkurt të këtij viti. Përplasja me armë mes dy grupeve ka ndodhur në shenjë hakmarrjeje, pasi Mentor Lufi, objektivi kryesor i kësaj ngjarjeje, dyshohet se ka vrarë shtetasin Durim Sulku në Holandë. Në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të tij, Besnik Sulku ka organizuar vrasjen e pardjeshme, ku për pasojë ka mbetur edhe vetë i vrarë. Burimet thonë se gjithçka dyshohet se ka nisur për shkak të problemeve të kromit në Bulqizë dhe trafiqeve të ndryshme që mendohet se viktima Lufi dhe Sulku kishin jashtë territorit shqiptar. Pas kësaj ngjarjeje, Lufi shoqërohej gjithmonë me dy nipat e tij, tashmë të arrestuar, Markelian dhe Klevis Doçi. Për plagosjen e tij dosja nuk ka autor, por vetë Lufi dyshonte se këtë e kishte organizuar Durim Sulku, i cili është ekzekutuar me një plumb në kokë në Holandë. Për këtë vrasje, vëllai i tij, Besniku, kishte organizuar atentatin duke paguar edhe shtetasin italian Salvatore Letizia.

 

Përgatitja e vrasjes

Hetuesit thanë se dy atentatorët Sulku dhe italiani Letizia, pasi kanë vëzhguar për disa ditë lëvizjet e Mentor Lufit, i kanë zënë pritë pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Sipas policisë, Mentor Lufi ishte i shoqëruar nga Gerti Goxhaj, me të cilin janë nisur drejt stacionit të trenit me makinën e tyre “BMW” me targa AA 001 IK që drejtohej nga Goxhaj. Pas makinës së tyre, vinin dy nipat Markeljan dhe Klevis Doçi me makinën e llojit “Touareg”, me targa AA 097 KE. Me të mbërritur pranë maternitetit pranë makinës ku ndodhej Goxhaj dhe Lufi janë afruar Besnik Sulku dhe italiani Salvatore Letizia, duke qëlluar në drejtim të tyre. Si pasojë e të shtënave kanë ndërruar jetë shoferi i mjetit Goxhaj dhe Lufi, ndërsa dy nipat e këtij të fundit e kanë goditur me makinë italianit Letizia dhe janë vënë në ndjekje Sulkut, të cilin e kanë qëlluar për vdekje. Ndërkohë italiani ka arritur të ngrihet dhe të largohet drejt ambienteve të një hoteli ku edhe është arrestuar.

 

Arrestimi nga policia

Në momentin e të shtënave, pranë makinës së viktimave është afruar një makinë private me dy punonjës policie të objekteve, të cilët kanë dalë nga makina duke u drejtuar pistoletën dy nipave të Mentor Lufit. Mësohet se njëri nga policët ka qëlluar dy herë, çka ka bërë që shtetasit Markeljan dhe Klevis Doçi të dorëzoheshin. Gjatë marrjes në pyetje ata kanë pranuar ngjarjen, duke treguar edhe konfliktin e vjetër me familjen Sulku. Ndërsa shtetasi italian, edhe pse nuk ka pranuar vrasjen, në xhupin e tij është gjetur fotoja e Mentor Lufit si dhe është gjetur edhe pistoleta të cilën e kishte hedhur në një pusetë para se të mbërrinte në hotel ku ka tentuar të fshehë gjurmët.

 

Vrasja në Holandë e vëllait të Besnik Sulkut

 Në Roterdam, në muajin prill të këtij viti, Ilirjan Sula me identitet të ndryshuar, vëllai i Besnik Sulkut, u vra në mënyrë të frikshme. 33-vjeçari u vra me plumb në kokë në Riderkerk, qytet bregdetar i Holandës. Ai përdorte emrat Durim Sula, Durim Sulku dhe Besnik Sulku. Sipas policisë, Viktima ishte në mjetin tip “Smart”, e cila ishte parkuar në një fshat afër qytetit të Roterdamit. Një person i paidentifikuar nga dritarja anësore e vogël e qëlloi nga mbrapa në kokë viktimën. Ai vdiq në vend, ndërsa në dorë mbante telefonin e tij celular. Vetëm një ditë pas vrasjes, në Roterdam u gjet mjeti tip “BMW”, me të cilën autori u largua si edhe pistoleta me të cilën u vra Sula. Vrasjes së tij iu kushtua një vëmendje e veçantë edhe nga mediet vendase. Në janar të këtij viti u ekzekutuan edhe dy shqiptarë të tjerë dhe, sipas burimeve, policia po shikon edhe mundësinë nëse Sula kishte ndonjë lidhje me shqiptarët e vrarë në janar.

 

 

 Parandalohet trafikimi drejt Kosovës i një adoleshenteje

 Një vajzë e mitur është arritur që të shpëtohet në momentet e fundit nga trafikimi drejt Kosovës. 17-vjeçarja me inicialet E. Z., nga Elbasani është shpëtuar nga punonjësit e policisë në pikën kufitare të Morinës në Kukës. E mitura me iniciale E. Z., do të shfrytëzohej për prostitucion, ndërkohë lidhur me këtë operacion në prangat e policisë kanë rënë Bylbyl Iseni, 36 vjeç, nga Prishtina dhe Albert Dobratiqi, 33 vjeç, po banues në Prishtinë. Policia shpalli në kërkim 25-vjeçarin me iniciale P. B., banues në Elbasan dhe 19-vjeçaren A. S., po nga Elbasani. “Katër personat e sipërpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të kalojnë kufirin me Kosovën në Morinë, me shtetasen e mitur E. Z.,17 vjeçe, banuese Elbasan, me qëllim trafikimin e saj për në Kosovë për shfrytëzim të prostitucionit nëpërmjet formave të tjera të shfrytëzimit seksual e të punës”, – thuhet në njoftimin e policisë së Kukësit. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Kukës për veprën penale “Trafikim i të miturve me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit, kryer në bashkëpunim”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here