Nga Artan Fuga
Nga të huajt që quajmë turistë dhe hyjnë e dalin në Tiranë, megjithatë duhet të heqim:
- Emigrantët që hyjnë e dalin për punët e tyre a për të parë të afërmit.
- Delegacionet e huaja dhe familjet e diplomatëve të huaj.
- Vëllezërit kosovarë që janë në shtëpinë e tyre apo shqiptarët e Maqedonisë, po ashtu në shtëpinë e tyre.
- Klandestinët që vijnë për t’u futur në Perëndim
- Kinezët që vijnë për të hapur tregtinë e vogël dhe biznesmenët e tjerë, apo tregtarët.
Të tjerët janë shumë pak.
E përse do të vinte një turist në Tiranë?
Të bënte ski në Dajt?
Të gjuante për derra të egër te Parku i Liqeni apo Liqeni i Parkut?
Të shihte kafshët e rralla te Kopshti Zoologjik?
Të vizitonte qytetërimin e lashtë tironc që s’i kemi lënë qegëll (tjegull) mbi qerpiç dhe qerpiç mbi gur?
Të shihte produktet e artizanatit lokal te Pazari i Vjetër?
Të bënte karaoke ke Piramida?
Të bënte kanotazh mbi Lanë?
Të vizitonte vendet dhe ndërtesat e lashta të kultit që ka Tirana, xhami, kisha, teqe, me afreske ose ornamente të vjetër sa feja e shqiptarit?
Të shijonte gjellët vendase te hotelet ku rrinë delegacionet qeveritare, me çmime fjetjeje sa të Dubait?
Apo të shihte ndonjë ndeshje futbolli te “Qemal Stafa” i shkatarrum sikur e kanë bombarduar marsianët?
Të vizitonte dhjetëra muzeumet e Tiranës?
Të ndiqte ndonjë opera shqiptare?
Për ajrin e pastër dhe ujin e shëndetshëm që gurgullon nga mijëra shatërvanët?
Apo të shijojë jargavanët? Është e lehtë ta vizitosh Tiranën, me qindra fletëpalosje të shpjegojnë çdo detaj: oraret e autobusëve, stacionet e tramvajit, oraret e kinemave ku luhen filma shqiptarë, menytë e restoranteve, shtëpitë që japin me qira banorët, gjithçka, gjithçka.