Prokuroria e Përgjithshme/ Atentati ndaj Tom Doshit, përfundojnë në Gjykatë dy deputetët e Durim Bami

0
143

Artan Cena

 Tom-Doshi-ne-ProkuroriAkuza do të dorëzojë ditën e sotme dosjen në Gjykatën e Lartë ndaj deputetëve, Doshi dhe Mark Frroku. Prokuroria pretendon për inskenim të atentatit ndaj tij.

Prokuroria u ka dhënë fund hetimeve për deputetët Mark Frroku e Tom Doshi si dhe për të pandehurin e tretë Durim Bami, të akuzuar për “Kallëzim të rremë” në lidhje me një atentat të supozuar ndaj dy deputetëve Tom Doshi dhe Mhill Fufi. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se hetimet përfunduan në fundjavë, ndërsa ditën e sotme dosja do të dorëzohet për gjykim në sekretarinë e Gjykatës së Lartë. Nga tre të pandehurit, vetëm deputeti Mark Frroku ndodhet i arrestuar dhe kjo për llogari të shtetit belg, pasi akuzohet për një vrasje të kryer në këtë shtet. Ndërkohë që dy të pandehurit e tjerë Tom Doshi dhe Durim Bami do të gjykohen në gjendje të lirë. Sipas akuzës, të tre të pandehurit inskenuan atentatin e denoncuar publikisht nga Doshi në datën 2 mars, duke krijuar nëpërmjet një skenari të mundësuar nga Frroku një atentat të paqenë.

 

Qëndrimi i Doshit

Deputeti Tom Doshi vijon t’i qëndrojë versionit të denoncuar publikisht, për ekzistencën e një skenari vrasjeje ndaj tij dhe deputetit demokrat Mhill Fufi. Ai e ka përsëritur qëndrimin e tij, në çdo dalje për median, e fundit ishte ajo në Gjykatën e Lartë ku kërkoi lirinë. Në një prononcim për mediet, Doshi u shpreh se ngjarja është tërësisht e vërtetë dhe prokuroria disponon një material të bollshëm për të zbardhur të vërtetën e kësaj historie. Avokatët e tij kanë kërkuar që hetimi të plotësohet dhe me prova të tjera të kërkuara prej tyre, pasi deri më tani ato janë të mangëta dhe të devijuara qëllimisht. Herën e fundit që ai foli publikisht në 18 maj, pasi doli nga Gjykata e Lartë Doshi u shpreh se, “gjatë kësaj kohe kam prova që ngjarja është e vërtet. Spartak Braho, njeriu i afërt me Ilir Metën, vërtetohet se ka shkuar në Gjermani që ka komunikuar vazhdimisht me Fation Skënderin edhe kur ka ardhur në Shqipëri, por këto prova nuk janë pranuar. Përsëris, që personi më i afërt i Metës ka qenë në takim edhe me kryeprokurorin dhe ministrin e Brendshëm. Ky person ka futur duart në proces, këtë do ta shihni gjatë hetimit, do ti paraqes në gjykatë provat. Kam mesazhe telefonike, tabulate që disponon Fationi, ndërmjetësi mes Metës dhe Bamit, këta që më datë 5 komunikojnë me të, nga 10 herë në ditë”, – është shprehur jashtë Gjykatës së Lartë deputeti Tom Doshi.

 

Frroku dhe Bami

Dy të pandehurit e tjerë, Mark Frroku dhe Durim Bami kanë mohuar se kanë pasur dijeni për një atentat të mundshëm. Madje Durim Bami ka thënë në Prokurori se kishte qenë Tom Doshi ai që e ka detyruar të sajojë një dëshmi me anë të videos në lidhje me atentatin e mundshëm. Ndërsa Mark Frroku ka mohuar të gjitha pretendimet dhe dëshminë e dhënë nga Doshi, se ka qenë deputeti kristiandemokrat që e ka njoftuar për atentatin që po i përgatitej. Prokuroria ka marrë në pyetje mbi 30 persona, mes të cilëve kryeministrin Edi Rama, kreun e Kuvendit Ilir Meta, ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, deputetët Spartak Braho, Petrit Vasili, Edi Paloka, Sali Berisha, dhe Mhill Fufi.

 

 Hyn në fuqi ligji, ja kush mund të kërkojë dhe të marrë armë

 Armët e zjarrit do të mund të jepen lirisht, në bazë të ligjit të ri për armët e zjarrit që pritet të hyjë në fuqi pas miratimit të akteve nënligjore përkatëse dhe udhëzimeve të ministrit të Brendshëm. Një fakt i tillë konfirmohet nga shefi i zyrës së shërbimeve ndaj të tretëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Dhimitraq Ziu. Sipas Ziut, edhe pse lejet e armëve të zjarrit do të jepen lirisht, do të ketë edhe raste të kufizimeve. Kjo do të varet nga personaliteti dhe nga gjendja penale dhe situata familjare e personit. Por ndërkaq, ligji i ri parashikon edhe kontrolle të rrepta dhe penalitete për personat që do të pajisen me të drejtën e mbajtjes së armëve të gjahut apo të zjarrit. Gjatë vitit të kaluar, Policia e Shtetit ka vendosur anulimin e lejeve për armët e zjarrit për rreth 400 raste, pasi janë gjetur me shkelje.

 

 Vjedhja e energjisë, policia vë në pranga 8 “biznesmenë”

 Ende vazhdon aksioni i kontrollit për personat që vjedhin energjinë. Policia e Shtetit dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kanë bërë të ditur dje se janë kryer kontrolle në të gjithë vendin për evidentimin e lidhjeve të paligjshme të energjisë. Në një javë janë kryer 4.105 kontrolle në terren e si rezultat i kontrolleve janë evidentuar 14 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 14 autorë. Nga këta janë arrestuar në flagrancë 8 pronarë biznesesh, janë shpallur në kërkim 4 persona dhe ndiqen në gjendje të lirë 2 të tjerë. Po gjatë kësaj jave janë ndërprerë 1.989 lidhje të abonentëve debitorë dhe 14 lidhje të paligjshme. Gjithashtu janë kontrolluar 64 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.

 

Grabitet me armë kazinoja tek Shkolla e Bashkuar

 Një kazino është grabitur nën kërcënimin e armës rreth orës 18:00 të ditës së djeshme. Burime nga policia thonë se ngjarja e ndodhur pranë Shkollës se Bashkuar, ka frikësuar banorët e zonës. Ndërsa grabitësit janë larguar duke marrë me vete edhe xhiron ditore të kazinosë dhe duke gjuajtur njëherë në ajër. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat policore, që po punojnë për kapjen e autorëve që janë identifikuar.

 

Motori përplaset me shtyllën, plagosen 2 të rinj

 Një aksident ku kanë mbetur të plagosur rëndë dy persona ka ndodhur rreth orës 16:40 të ditës së djeshme në Shkodër. Aksidenti ka ndodhur në segmentin rrugor Oblikë – Shkodër, në afërsi të Urës së Bunës. Dy të rinj banues në qytet janë aksidentuar me motor, dhe kanë marrë plagë të rënda në kokë. Të aksidentuarit janë nisur për në spitalin rajonal të Shkodrës dhe sipas burimeve të policisë ndodhen në gjendje të rëndë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here