Gëzim Saliu
Takimi në Fier, kreu i PD-së: Për qeverinë prioritet nuk është punësimi, nuk është varfëria. Alibeaj: Akti i parë që do të bëj si kryebashkiak do të jetë zhbërja e koncesionit të parkimit
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një bashkëbisedimi dje me të rinjtë e qytetit të Fierit shpalosi platformën e demokratëve për taksa të ulëta, ulje të çmimit të energjisë dhe karburantit, eliminimin e TVSH-së për mallrat e shportës etj. Sipas kryedemokratit, projekti i PD-së parashikon 9% taksë të sheshtë. “Uljen e taksës në nivelin më të ulët në Ballkan, 9% taksë e sheshtë për të gjithë pa përjashtim dhe i them sot kryeministrit: – O je gënjeshtar, ose ke mbetur në matematikë! 450 mijë lekë rrogë, 300 mijë leke rroge janë pa taksa, ashtu e kemi bërë ne. Ato 150 mijë që taksohen, po të taksohen me sistemin e Edi Ramës, Ilir Metës e Koço Kokëdhimës sot janë 13%, paguajnë 1950 lekë. Po të taksohen me sistemin që propozojmë dhe do të jetësojmë ne, me votën e bashkuar të shqiptarëve, të djathtë e të majtë 9%, paguajnë 1350 lekë. Kush paguan më pak? Sistemi Basha apo sistemi Rama?!”, – theksoi Rama.
Takimi
Në bashkëbisedimin me të rinjtë, Basha ka shprehur shqetësimin për situatën ekonomike që po kalon vendi, ku theksoi se opozita u ka dhënë alternativat dhe mundësitë e daljes nga kjo situatë përmes amendamenteve por ata i votuan kundër. “Ne u dhamë rrugëzgjidhjet tona, rrugëzgjidhjet e halleve tuaja, sepse hallet tuaja janë prioriteti ynë dhe ata i votuan kundër. I çuam propozimin, hiq TVSH për miellin, orizin, sheqerin, vajin. E votuan kundër. Ule çmimin e energjisë me 14% të TVSH, siç premtove në fushatë, votoje amendamentin! Votuan kundër. Ule çmimin e naftës, e votuan kundër. Për ta prioritet nuk është punësimi, nuk është varfëria”, pohoi kreu i PD-së. Më tej, Basha tha se e majta premtoi 300 mije vende pune ndërsa mbylli mijëra vende pune. Në katër muaj tha ai, në buxhetin e shtetit mungojnë 45 milionë dollarë. “Nuk do të marrim më shumë por do të marrim më pak lekë nga xhepat tuaj, do të ulim taksat që paguajnë familjet, taksat që paguan biznesi. 25% ulje të çmimit të energjisë, falje të kamatëvonesave për energjinë dhe ujin anembanë Shqipërisë, ulje të taksës së qarkullimit që do të përkthehet në ulje të çmimit të naftës, subvencione për bujqësinë, eliminimin e TVSH për mallrat e shportës”, – deklaroi ai. Ndërsa kandidati për kryetar i Bashkisë së Fierit, Enkelejd Alibeaj, duke iu përgjigjur interesit të të rinjve për parkingjet me pagesë, ka theksuar se vendimi i parë i tij si kryetar Bashkie do të jetë anulimi i tij. “Akti i parë do të jetë zhbërja e koncesionit të parkimit, aktit më korruptiv që ka ndodhur në bashkinë Fier. Është e drejtë publike e fierakëve ta parkojnë, por të mos u vidhet makina, ta parkojnë por të mos u zhvaten paratë”, – tha Alibeaj. Po ashtu dje kryetari i PD-së u takua dhe me banorë të Mbrostarit ku u njoh me shqetësimet e tyre për faturat e larta të energjisë elektrike, faturimet abuzive, mungesën e subvencioneve dhe rritjen e çmimit të naftës. Basha ka garantuar se në platformën e PD, ndër çështjet prioritare janë ulja e çmimit të energjisë, falja e kamatëvonesave, dhënia e subvencioneve për fermerët dhe ulja e taksës së qarkullimit.
Takimi në Sharrë/ Kosova: Të qenit kryetar partie dhe kryetar bashkie e pamundur, s’kam asnjë impenjim tjetër
Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, u takua dje me banorë të zonës së Sharrës ku dëgjoi shqetësimet e tyre dhe u angazhua për të shërbyer e gjetur zgjidhje. Problemi kryesor që kishin banorët e kësaj zone ishte mungesa e ujit, gjë për të cilën doktor Kosova tha se do të interesohej që nga dje. “Është bërë shumë keq kjo puna e ujit, rrinë gratë në radhë me 50 bidonë dhe në fund i sjellin bosh. Ka shkuar deri aty sa zihem dhe me vllain për ujë prandaj pyes se ca do na bësh ti?”, – u shpreh një banor i Sharrës. “Unë do të bëj që të rrish për qafe, nga mëngjesi në darkë me vëllain, e jo të zihesh. Unë nuk është se kam të drejtë të urdhëroj njeri, por në fund të fundit kam dalë për një punë dhe kur shoh se diçka nuk funksionon, mund të vë në lëvizje dikë që ta zgjidhë, edhe tani pa u bërë kryetar Bashkie”, – iu përgjigj Kosova. Po ashtu, kandidati i PD-së theksoi se nën drejtimin e tij, Bashkia e Tiranës do t’i shpallë luftë të hapur korrupsionit. “Në qoftë se unë them “ju 1 milion qytetarët e Tiranës e keni derën hapur”, kjo është një rrenë të cilën s’duhet ta besoni, por nëse administratorët e zonave nuk do të jenë të aftë të mbarojnë punë, do jenë të korruptuar e do vënë kushte për përmbushjen e një detyre, të jeni të bindur se do ta marr vesh më shpejt se ju që do e keni në kurriz. Nëse ti jep frymën e mospajtimit me abuzimin gjërat do ndryshojnë shumë shpejt”, – tha ai. Nga ana tjetër, Kosova theksoi në këtë takim se angazhimi i tij për Bashkinë e Tiranës do të jetë 100%, pasi theksoi impenjimi i vetëm do jetë shërbimi ndaj qytetarëve të kryeqytetit.“Ju e keni parë që të qenit kryetar partie dhe kryetar bashkie është e pamundur sepse përveç se tu përgjigjesh qytetarëve te Tiranës duhet të kujdesesh dhe për ata nëpër të gjitha rrethet. Rrethanat kanë qenë të tilla që kryetarët e bashkive u vunë në të tilla kushte, ndërsa unë s’do të kem asnjë impenjim tjetër përveç se t’u shërbejë juve sepse nuk është hera e parë që më propozohet Bashkia, por herë të tjera s’jam ndjerë gati ta marr përsipër një detyrë të tillë. Parimi është ky, kurrë një njeri s’mund të drejtojë 3 mln qytetarë kur në jetën e tij s’është marr vesh në shtëpi me tre apo katër vetë”, – u shpreh Kosova.
Në Bruksel/ Bregu: Reforma në drejtësi nuk mund të bëhet pa procesin e dekriminalizimit
Deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, deklaroi dje në Bruksel në takimin e 7-të të Këshillit të Stabilizim-Asocimit se reforma në drejtësi nuk mund të bëhet pa kryer procesin e dekriminalizimit. Sipas saj, nuk mund të votojnë për një drejtësi të pavarur deputetët me precedentë kriminalë. Ndërkaq, ajo bëri të ditur se në këtë takim kishte diskutuar edhe mbi ato që ajo i quajti skema manipulimi të mazhorancës për zgjedhjet vendore. “Zgjedhjet e 21 qershorit, incidentet, skema te manipulimit duke shtuar listat e votuesve me zgjedhës qe nuk janë banore te një njësie zgjedhore duke shtuar ne mënyrë artificiale listat siç ndodhi ne Durrës, apo përdorimi i administratës publike minojnë pa nisur standardin e zgjedhjeve. Shqipërinë ne rrugën e saj drejt BE nuk e ndihmojnë deklaratat “furça” për progres te dukshëm dhe “gjithëpërfshirja është e nevojshme dhe ne shpresojmë qe palët te gjejnë gjuhen e kompromisit”, kur te vërtetat për kompromisin tone afatgjate te munguar politik janë me kokëforte se çdo deklarate”, – theksoi deputetja demokrat. Ndërkaq Bregu pohoi gjithashtu: “Si ne rastin e krizës politike ne Maqedoni e cila nuk nisi sot, – as rastësisht para protestës opozitare pati një situate alarmante ne Kumanove, as moszbatimi i marrëveshjes se Ohrit prej 2001 nuk ndodhi papritur këtë muaj, – rajoni ka nevoje për qasje te parashikueshme drejt BE-së duke forcuar mesazhet se vetëm sundimi i ligjit dhe vullneti politik për reforma i bën vendet tona me demokratike”.