Vjedhja e thesarit/ Ardian Bitraj pendohet për vjedhjen prej 7 miliardë lekësh në BSH, kërkon dënim

0
133

Artan Cena

 ardian bitraj_2 gjykateIsh-punonjësi i Bankës së Shqipërisë ka shfajësuar kolegen e tij, Mimoza Bruzia, nga akuzat, duke deklaruar se i kishte bërë vetë të gjitha veprimet gjatë gjithë kohës

Ardian Bitraj, personi i akuzuar për vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë, është paraqitur i penduar përpara Gjykatës së Tiranës. Gjatë seancës ku u lexuan konkluzionet e mbrojtjes së tij, ai pranoi se ishte ideatori dhe autori i vjedhjes katërvjeçare në thesarin e Bankës së Shqipërisë. I pandehuri kërkoi nga trupi gjykues të marrë parasysh faktin se ai ka bashkëpunuar me Prokurorinë, duke zbardhur skemën e vjedhjes dhe destinacionin e parave, të cilat, sipas tij, i ka lënë të gjitha në lojëra fati. Ai ka rrëfyer se nuk ka manipuluar sistemin e sigurisë së bankës qendrore, i cili, sipas tij, funksiononte në perfeksion. Gjithashtu, Bitraj ka shfajësuar nga të gjitha akuzat Mimoza Bruzinë, e cila është e pandehur bashkë me të për të njëjtat akuza dhe nipin e tij, Klevis Bejtaj. Ndërkaq, seanca u shty për shkak se avokati mbrojtës i Mimoza Bruzisë nuk e kishte përgatitur kërkesën e tij.

 

Pendimi i Bitrajt

Ish-punonjësi i Bankës së Shqipërisë Ardian Bitraj, i akuzuar për vjedhjen e 713 milionë lekëve në arkën e Thesarit të Bankës së Shqipërisë, ka shprehur pendesë për vjedhjen e kryer gjatë 4 viteve të fundit. Duket se qëndrimi në burg e ka bërë të reflektojë të akuzuarin, pasi i tha gjykatës se jeta që bënte para arrestimit ishte një kohë e zezë për atë dhe familjen e tij. Gjatë fjalës së tij ai ka kërkuar nga togat e zeza ta lejojnë të kthehet pranë familjes. Ai tha se që nga momenti i arrestimit ka ndihmuar institucionin e hetimit, duke zbardhur ngjarjen e duke treguar edhe pikat e basteve sportive, ku i kishte harxhuar të gjitha lekët që kishte vjedhur nga thesari i shqiptarëve. Ndërsa avokati mbrojtës i tha gjykatës se “Ardian Bitraj vjedhjen e ka kryer i vetëm, pa ndihmën e të pandehurve të tjerë, Mimoza Bruzia dhe nipin e tij Klevis Bejtja”. Avokati ka kërkuar gjithashtu dënimin e klientit të tij për akuzën e “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe jo atë të “Vjedhjes së bankave”, akuzë që ka ngritur prokuroria. I ndodhur në këto kushte, avokati i të pandehurit tjetër, ish-punonjëses së BSH-së, Mimoza Bruzia, ka kërkuar kohë për të përgatitur mbrojtjen dhe më pas gjykata të shprehej me një vendim për dënimin e dy të akuzuarve.

 

Kërkesat e Prokurorisë

Me herët në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 20 vite burg për Ardian Bitrajn dhe 18 vite për bashkëpunëtoren e tij, Mimoza Bruzia. Këta janë dy të pandehurit e vetëm të akuzuar direkt për vjedhjen e thesarit të Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë 17 ish-punonjës të tjerë të bankës, së bashku me guvernatorin e kohës, Ardian Fullani janë akuzuar vetëm për shpërdorim detyre.

 

Si i vodhi punonjësi i arkës stok në Thesar 7.13 milionë dollarë

 Prokurorët e çështjes kanë provuar se Banka e Shqipërisë aktualisht funksionon në katër ambiente, një ndër të cilat është në Linzë, Tiranë. Këtu gjendet Departamenti i Emisionit, i cili përfshin disa sektorë, ndërmjet tyre, arka stok, dhoma transit dhe arka për veprim. Arka Stok është një ambient magazinimi në Bankën e Shqipërisë, ku depozitohen fondet e gatshme për t’u hedhur në qarkullim, pra kartëmonedhë e re, e pa hedhur më parë në qarkullim. Këto para vijnë nga kompanitë prodhuese të huaja, me të cilat Banka e Shqipërisë ka lidhur kontrata për prodhimin e prerjeve të ndryshme të lekut. Nga hetimi është provuar se shtetasi i arrestuar Ardian Bitraj ka qenë i punësuar pranë Bankës së Shqipërisë, në detyrën e përgjegjësit të “arkës stok” që gjenden pranë Departamentit të Emisionit. Gjatë ushtrimit të detyrës së tij, ky shtetas dyshohet se ka përvetësuar shuma të mëdha parash veprime, të cilat sipas deklarimit të tij, i ka filluar qysh prej vitit 2010 e deri në ditën kur është depozituar kallëzimi penal.

 

KE pyet: Cilat janë masat që ka marrë Shqipëria për frenimin e azilit?

Komisioni Evropian do të kontaktojë autoritetet shqiptare për marrjen e masave lidhur me shqetësimin në rritje të azilkërkueseve nga Shqipëria në Bashkimin Evropian. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësja e Komisionit Evropian, Natasha Bertaud, në një konferencë shtypi të mesditës së djeshme të mbajtur nga ekzekutivi i KE-së. I njohur me raportin e FRONTEX për numrin alarmues të azilkërkuesëve nga Shqipëria për vitin 2015 dhe raportet e shteteve anëtare si Gjermania, ku evidentohet një katërfishim i numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria, për periudhën nga janari deri në prill të këtij viti, Komisioni Evropian konsideron se do të adaptojë të njëjtën qasje si në rastin e azilkërkuesve nga Kosova. KE pritet të kontaktojë me Ministrinë e Brendshme për masat që do të merren për këtë problem. Ministria e Brendshme e Gjermanisë bëri të ditur se numri i azilkërkuesve shqiptarë në muajin prill u rrit me mbi 1700, në krahasim me marsin dhe arriti në 4800, duke i renditur azilkërkuesit shqiptarë të parët në Gjermani. Zëdhënësja e KE-së, Natasha Bertaud, tha: “Ne kemi parë shifrat si ju. Komisioni Evropian së bashku me FRONTEX po ndjek nga afër situatën lidhur me numrin e azilkërkuesve shqiptarë. Ne kemi venë re, që numri i azilkërkueseve është rritur, veçanërisht në Gjermani. Ne jemi të gatshëm që të asistojmë Gjermaninë për këtë problem nëse është e nevojshme. Ne do të kontaktojmë autoritetet shqiptare për të parë se ç’masa mund të merren në kuadrin e marrëveshjes së liberalizimit të vizave me Shqipërinë”.

 

Merr peng të riun dhe kërkon 30 mijë euro për ta lënë të lirë

 “Më jep 30 mijë euro ose do të vras djalin”. Ky është kërcënimi që një person nga Laçi i bëri një babai nga Gjirokastra me iniciale S. H. Policia ka nisur procedimin penal ndaj pengmarrësit dhe e ka shpallur në kërkim. Sipas të dhënave zyrtare nga uniformat blu të Policisë së Gjirokastrës është mësuar se 36-vjeçari me inicialet A. Gj., banues në Laç, e ka mbajtur peng për disa orë të riun 25-vjeçar, me inicialet A. Gj. Ai e ka futur në një ambient të izoluar, në rrugën nacionale Fushë Krujë-Milot, pranë një pike karburanti dhe i ka bërë presion të vazhdueshëm. Gjithashtu laçiani nëpërmjet telefonit i ka kërkuar para babait të pengut të tij, duke i thënë se nëse nuk ia dorëzon, atëherë nuk do e shihte më djalin e tij. Mësohet se pas disa orësh ai e ka lënë të lirë të riun, ndërsa policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të pengmarrjes.

 

Parandalohet një vrasje me thikë, pranga autorit e viktimës 

 Një vrasje me thikë është parandaluar nga policia mesditën ditës së djeshme në rrugën “Siri Kodra”. Burime nga policia e kryeqytetit thanë se kanë vënë në pranga Ervis Ismail Lilën, personin i cili ka tentuar të godasë me thikë 38-vjeçarin Selam Liman Murati. 31-vjeçari Lila nga Burreli është vënë në pranga nga forcat e patrullës Shqiponja. Nuk dihen ende shkaqet që nxitën Lilën të kryente krimin ndaj 38-vjeçarit nga Peshkopia. Mësohet se dy personat fillimisht janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe kanë qenë banorët e zonës që kanë njoftuar uniformat blu. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here